“Nuk kam gisht në rrëmbimin e Remzi Hoxhës, as kam takuar Arkanin dhe as kemi trafikuar armë. Këto janë shpifje të ulta”
Për herë të parë, Bashkim Gazidede, drejtuesi për disa vjet i Shërbimit Sekret Shqiptar, i kthyer pak javë më parë në Shqipëri, që pas largimit në vitin 1997, rrëfehet për lidhjet e tij më Berishën, pjesëmarrjen në një organizatë të intelektualëve myslimanë, emërimin në krye të Shërbimit Informativ Kombëtar, asgjësimin e dosjeve, zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, deri te akuzat ndaj tij. Ndërsa ka lëshuar akuza të ashpra ndaj pasaardhësit të tij në detyrën e kreut të SHIK, Fatos Klosi, “i cili ka vrarë dy kryetarë shërbimi”, Gazidede ka mohuar që institucioni i drejtuar prej tij të ketë gisht në rrëmbimin e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, zhdukja e të cilit është kthyer në rend të parë ditët e fundit.
TV KLAN : Zoti Gazidede, intervista juaj sot do të jetë një lloj profili, duke filluar që nga viti 1991 dhe duke u përqendruar kryesisht në ato pika që kanë qenë jo vetëm të mistershme, por shpeshherë edhe akuza ndaj jush ose ndaj institucionit që ju keni drejtuar gjatë viteve 1992-‘97. Por, po e nis pikërisht me atë profil. Cili ka qenë angazhimi juaj përpara vitit 1991 kur ju u zgjodhët deputet i Partisë Demokratike në Peshkopi?
Bashkim Gazidede: Unë kam mbaruar për mësues matematike në Shkodër në vitin 1976. Kam shkuar në shkollë të lartë pas një katërvjeçari ndërprerjeje, siç ndodhte shpesh në atë kohë. Kam mbaruar me rezultate shumë të mira. Kam punuar mësues në disa fshatra të Peshkopisë. Mbas njëfarë periudhe, arrita të rregulloj plotësimin e provimeve pranë UT në degën e Matematikës dhe në këtë periudhë më morën pedagog në Fakultetin e Shkencave, në katedrën e Matematikës. Që nga viti 1984 kam punuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës deri në vitin 1992, kur u bëra deputet i PD-së dhe më vonë shef i shërbimeve sekrete.
TV KLAN : Ç‘lidhje kishit ju me Partinë Demokratike?
Bashkim Gazidede: Unë vij nga një familje që nuk e ka dashur komunizmin asnjëherë. Jam rritur në një ambient familjar ku komunizmi është kritikuar vazhdimisht. Nuk mendoj se është më tepër merita ime, por merita e traditës familjare. Unë kam pasur shokë dhe miq, me të cilët gjithmonë kam folur për problemet që unë mendoja se nuk ishin të drejta në atë kohë. Kështu që nga 1991 nuk ishte gjë e jashtëzakonshme për mua. Unë dhe në fakultet, në atë kohë, kam pasur shokë dhe miq me të cilët bisedoja. Krijimi i PD-së për mua ishte një gjë që nuk më linte të mendoja e në cilën anë do të jem. Dhe, nëse unë kandidova për PD-në në 1991 në Peshkopi, edhe pse e dija që nuk fitohej, unë do t‘u bëja shërbim atyre patriotëve të mi nga Peshkopia. Të paktën, ata që më njihnin ta kuptonin se në cilën anë isha. Ky ishte qëllimi im në atë kohë. Pastaj ata menduan të më kandidojnë sërish në ‘92 dhe ndoshta jashtë dëshirës time, kandidova sërish në vitin 1992 dhe u zgjodha deputet.
TV KLAN : Zoti Gazidede, si ndodhi që u vutë ju në krye të SHIK-ut, në maj 1992?
Bashkim Gazidede: Unë nuk kam pasur asnjë lidhje personale me zotin Berisha në atë kohë, kur ai ishte President. Nuk e kisha takuar asnjëherë. Unë dhe sot e kësaj dite nuk e di saktësisht se kush më ka propozuar pranë tij. Sigurisht që do t‘i kishin folur fjalë të mira.
TV KLAN : Nuk u bëtë kurioz të dinit se kush ju propozoi të ishit në krye të SHIK-ut?
Bashkim Gazidede: E kam pyetur dhe zotin Berisha dhe nuk më ka treguar asnjëherë.
TV KLAN : Po si ju bë propozimi?
Bashkim Gazidede: Unë nuk e di se si u bë propozimi.
TV KLAN : Si ju bë juve propozimi?
Bashkim Gazidede: Mua më thirri zoti Berisha një ditë të shtunë dhe më tha se kishte menduar të më emërojë shef të SHIK-ut. Unë nuk pranova. Rezistova të them të drejtën, sepse mendoja se ishte një punë e vështirë për mua.
TV KLAN : Pse mendonit se ishte e vështirë?
Bashkim Gazidede: Kisha disa arsye që e kundërshtoja. Në radhë të parë, unë karrierën time e mendoja shkencore dhe jo politike. Në radhë të dytë, kisha fëmijë të vegjël dhe mendoja se kishin nevojë për kujdesin tim, pasi ime shoqe ishte e vetme mund të mos e përballonte rritjen e tyre. Kisha arsye shëndetësore etj. Zoti Berisha më bindi, nëse mund të them, duke më thënë se nëse ai nuk do të pranonte të ishte President, disa të tjerë s‘do pranonin të ishin kryeministra apo ministra, në qoftë se dhe unë s‘do pranoja të isha shef i SHIK-ut, d.m.th. ishte kot që u përfshimë në lëvizjen demokratike dhe i binte t‘ua linim pushtetin komunistëve.
TV KLAN : Dhe ju vendosët të pranonit drejtimin e Shërbimit Informativ. Po, a ishit ju zoti Gazidede në atë kohë një ndër njerëzit besnikë të Presidentit Berisha?
Bashkim Gazidede: Unë nuk e di se çfarë besimi kishte ai tek unë, sepse ai nuk më njihte fare. Ai mund të kishte dëgjuar për mua ato që ishin folur, por unë besoj se zoti Berisha, të gjithë bashkëpunëtorët e tij i ka zgjedhur, duke menduar se janë njerëz që e bëjnë një punë të caktuar. Kjo nuk mund të krahasohet me atë që erdhi pas meje në Shërbimin Informativ Kombëtar. Zoti Meidani që e zgjodhi zotin Klosi si shef të SHIK-ut, e zgjodhi duke u nisur nga shoqëria shumë e ngushtë që ata kishin gjatë punës në Shkencat e Natyrës. Këtë e di, sepse kam qenë dhe unë atje.
TV KLAN : Ju keni qenë kolegë me zotin Meidani dhe zotin Klosi?
Bashkim Gazidede: Po, në një fakultet kemi punuar. Zoti Meidani, për shumë kohë ka qenë dhe dekan i Fakultetit, ku unë kam qenë pedagog.
TV KLAN : Zoti Gazidede, doja t‘ju bëja një pyetje që është përfolur shumë në fillim të viteve ‘90, kur ju erdhët në krye të SHIK-ut. Në atë kohë ju keni qenë një anëtar i Shoqatës së Intelektualëve Islamikë, nëse s‘gaboj. Të paktën kështu është thënë nga shtypi. A ka ndikuar ky fakt në emërimin tuaj në krye të SHIK-ut?
Bashkim Gazidede: Në radhë të parë, dua t‘ju shpjegoj se çfarë ishte kjo shoqatë. Unë kisha disa miq që kishin njohuri të përgjithshme për fenë myslimane, ashtu siç mendojnë se kisha dhe unë. Mund të përmend Bardhyl Ficon, mund të përmend ndjesë pastë doktor Shefqet Ndroqin, mund të përmend kunatin e Rexhep Meidanit, Doktor Bylykun. Së bashku me ta, me iniciativën e Bardhyl Ficos krijuam një shoqatë të të ashtuquajturve intelektualë myslimanë. Kjo ka qenë diku në prag të zgjedhjeve të ‘92. Qëllimi i kësaj shoqate ishte të mos të lëmë të gjykojnë për fenë myslimane, në atë kohë, më vjen keq që e shpreh këtë fjalë, injorantët. Në kuptimin që ishin njerëz të pashkolluar, ishin njerëz që edhe fenë nuk e njihnin tamam. Ndërsa fetë e tjera kishin kuadro të përgatitur, të shkolluar, myslimanët nuk kishin dhe aq. Kjo ishte ideja themelore. Unë pastaj e pashë veten në një mbledhje, të parë dhe të fundit që është bërë në këtë lloj shoqate, i zgjedhur kryetar prej tyre. Zgjedhja u bë pas një debati që u bë për përfshirjen e fesë në politikë, në atë periudhë. U hodhën zëra që feja nuk duhet të përzihej në politikë dhe kjo është normale. Por, ideja ime ishte në atë kohë se feja nuk mund të ishte indiferente ndaj komunizmit, i cili ka qenë armiku më i egër ndaj fesë. Flas të paktën për në Shqipëri. Dhe mbase një prononcim i tillë më vuri në krye të asaj shoqate. Por, deklaroj se ishte mbledhja e parë dhe e fundit që kam mbajtur.
TV KLAN : A kishte lidhje mes faktit që ju u zgjodhët në krye të kësaj?
Bashkim Gazidede: Absolutisht jo, asnjë lloj lidhje. Madje, zoti Berisha dhe mjaft të tjerë, as mund ta dinin se ekzistonte një shoqatë e tillë.
TV KLAN : Zoti Gazidede, në momentin që ju morët në dorë çelësat e zyrës më misterioze të shtetit shqiptar, ose mund të themi se ishit trashëgimtar i Sigurimit të Shtetit, çfarë dinit për atë zyrë?
Bashkim Gazidede: Nuk dija pothuajse asgjë. Kisha një farë antipatie për Sigurimin e Shtetit në përgjithësi. Gjatë gjithë kohës, nuk kam pasur kontakte dhe shoqëri me asnjë punonjës të Sigurimit të Shtetit. Për çudinë time nuk më është afruar ndonjëherë, në ndonjë rast, asnjë prej tyre dhe kështu që nuk kam pasur ndonjë ide. Por, duke dëgjuar për bëmat e Sigurimit, sigurisht që kisha një lloj antipatie.
TV KLAN : Cila ishte trashëgimia e sigurimit që ju gjetët atje?
Bashkim Gazidede: Atje gjeta një personel që ishte, mund të them 100% i Sigurimit të Shtetit. E ashtuquajtura reformë që është bërë në ‘91 kishte nxjerrë vetëm një pjesë rezervë të këtij personeli prej 200 vetash, të cilët ishin në të njëjtën listë organike që kishin qenë, vetëm se nuk kishin të drejtë të vinin në zyrë, por e merrnin rrogën, kryetari për kryetar, shefi për shef, inspektori për inspektor, por duke qëndruar në shtëpi ose duke bërë çfarë t‘i thoshte partia.
TV KLAN : Në momentin që ju morët në dorë Shërbimin Informativ Kombëtar, që do të thotë se ishin trashëgimtari i parë i drejtpërdrejtë i Sigurimit të Shtetit, a konstatuat se në vitin 1991-1992, siç pretendonte dhe pasardhësi juaj Fatos Klosi, kishte asgjësuar dosjet e informatorëve dhe dosjet e tij?
Bashkim Gazidede: Po, kjo është e vërtetë. Ne u ndeshëm përballë një fakti që një pjesë e konsiderueshme dosjesh, mund të them një shifër të përafërt, rreth 10 mijë dosje, qenë asgjësuar në atë periudhë nga Ministria e Brendshme, dhe për sa kohë ishte dhe Sigurimi brenda Ministrisë së Brendshme, me firmën e zotit Gramoz Ruçi. Në këtë shifër përfshihet dhe një pjesë e konsiderueshme dosjesh që ishin djegur nga Irakli Koçollari, në atë kohë shef i SHIK-ut.
TV KLAN : A jeni i saktë në këtë shifër? Se ju thatë që ishin eliminuar 10 mijë dosje, ndërkohë që zoti Klosi tha me shifra të përafërta se Sigurimi i Shtetit gjatë gjithë kohës ka pasur jo më shumë se 5 mijë dosje?
Bashkim Gazidede: Kjo është krejtësisht e pasaktë.
TV KLAN : Përse është e pasaktë?
Bashkim Gazidede: Është e pasaktë, sepse do të thotë që Sigurimi i Shtetit gjatë një periudhë rreth 40-vjeçare ka pasur mbi 120 mijë informatorë.
TV KLAN : A jeni i saktë?
Bashkim Gazidede: Mund të gaboj me 5 mijë.
TV KLAN : Pra, mbi 100 mijë informatorë ?
Bashkim Gazidede: Pra, mbi 120 mijë informatorë dhe, gjykuar se çdo informator të kishte një dosje do të mendonim se kishte rreth 120 mijë dosje. Por duhet pasur parasysh, sepse mjaft raste asgjësoheshin dhe pas një periudhe. Ishin dosje që, pasi mbaronte aktiviteti i informatorit, kishin afat ruajtjeje 10 vjet – 20 vjet deri në 25 vjet. Pas kësaj periudhe asgjësoheshin. Quhej proces normal asgjësimi. Duke pasur parasysh këtë proces, mendoj se në kohën kur unë kam qenë drejtues në SHIK, duke hequr dosjet që ishin asgjësuar, ka pasur mbi 40 mijë dosje të Sigurimit të Shtetit.
TV KLAN : Çfarë dosjesh kishte asgjësuar Sigurimi i Shtetit?
Bashkim Gazidede: Shiko, ata pretendonin se kishin asgjësuar dosjet për agjitacion e propagandë dhe për tentativë arratisje. Por, asgjësimi ishte selektiv dhe i qëllimshëm, për të humbur gjurmët e veprimtarisë që kishin bërë organet e Sigurimit të Shtetit. Ata pretendonin se meqenëse agjitacioni dhe propaganda u hoq si figurë krimi, siç e quanin ata dhe tentativa për arratisje u hoq nga ‘tradhti ndaj atdheut‘, ata kishin të drejtë të asgjësojnë këto lloj dosjesh që ishin bërë në këto dy ‘figura krimi‘. Sigurisht që një gjë e tillë ishte e paligjshme, sepse ato ishin pjesë e historisë së popullit shqiptar gjatë periudhës së komunizmit. Nëse këto vërtet u hoqën nga figura krimi, siç i quajtën, ato mund të arkivoheshin. Ato nuk duhet të ishin më veprimtari në funksion, tani e mbrapa, por jo të asgjësoheshin. Asgjësimin e kanë bërë në kundërshtim të plotë më ligjet e asaj kohe. Me ligjet që ata vetë kishin vendosur, me rregullat dhe rregulloret që vetë kishin vendosur. Për këtë arsye, unë kam dërguar për ndjekje penale zotin Koçollari dhe disa të tjerë. Zoti Koçollari, për asgjësim të paligjshëm dokumentacioni u dënua me 6 vjet burg, pastaj ai ka dalë në 1997 dhe unë nuk di më tej.
TV KLAN : Zoti Gazidede, ju thatë se ishte bërë një asgjësim selektiv i dosjeve. Domethënë kjo që ishin asgjësuar dhe dosje personash të rëndësishëm politikë?
Bashkim Gazidede: Unë mendoj se po.
TV KLAN : Keni ndonjë fakt në këtë drejtim?
Bashkim Gazidede: Nuk kam ndërmend të përmend fakte, por ka fakte sa të duash për këtë gjë.
TV KLAN : Çdo me thënë ka fakte?
Bashkim Gazidede: Po, ka fakte. Shiko, në qoftë se ti ke dy bashkëpunëtorë, por le të themi se të dy janë të përfshirë në politikë, që do të thotë se kanë qenë bashkëpunëtorë në të njëjtin drejtim. Në qoftë se njëri ka qenë për agjitacion dhe propagandë dhe ti ia ke dokumentacionin, ia bën dhe publik. Ndërsa tjetrit ia fshihnin dokumentacionin, ia fsheh, ia djeg, ia zhduk. I lë ndoshta vetëm ndonjë kartelë. Ky është asgjësim selektiv.
TV KLAN : Në kohën që ju keni marrë në dorë SHIK-un, a ka pasur dosje të personave të rëndësishëm politikë të viteve 1992-1997?
Bashkim Gazidede: Ka pasur. Jo shumë, por ka pasur.
TV KLAN : Persona të rëndësishëm?
Bashkim Gazidede: Nuk dua të komentoj në këtë drejtim. Unë mund t‘ju them diçka tjetër në këtë aspekt. Zoti Klosi, në një intervistë që ka bërë me juve është shprehur se SHIK-u, nën drejtimin tim, ka bërë disa asgjësime selektive, jo me regjistrat, jo me ku di unë ç‘kishte ai ndërmend të thoshte. Unë ju garantoj se nuk është absolutisht e vërtetë. Nuk kam asgjësuar asnjë lloj dokumenti gjatë periudhës që kam drejtuar Shërbimin Informativ Kombëtar. Madje, dhe dokumentet që janë asgjësuar, janë djegur bashkë me djegien e degëve të SHIK-ut, nuk kanë sjellë ndonjë pasojë, sepse i gjithë dokumentacioni në kohën tonë ka qenë i dubluar. Dokumentacioni që ka ekzistuar nëpër degët e rretheve kishte një kopje në qendër. Përveç kësaj, dua t‘ju them se marrja në dorëzim e dokumentacionit nga sigurimi në kohën që kam ardhur unë është bërë me procesverbal, regjistër për regjistër dhe fletë për fletë. Të gjithë rreshtat që ata kanë fshirë nëpër regjistra, me bojë të bardhë apo të zezë, në një mënyrë apo në ndonjë mënyrë tjetër janë të dokumentuara në procesverbalet e marra në dorëzim nga unë.
TV KLAN : Pse janë fshirë?
Bashkim Gazidede: Këtë e dinë ata. Njerëz që nuk deshën t‘i kishim ne në dorë që kanë qenë njerëz të Sigurimit të Shtetit, kanë qenë spiunë të sigurimit etj.
TV KLAN : Zoti Gazidede, ju thatë që një pjesë e dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit janë eliminuar në vitet 1990-1992, por ndërkohë po thoni se një regjistër vazhdon të ekzistojë me emrat e bashkëpunëtorëve. Kjo do të thotë që nëse sot dikush tenton të mësojë emrat e bashkëpunëtorëve, këtë mund ta bëjë?
Bashkim Gazidede: Mund ta bëjë.
TV KLAN : Edhe në qoftë se dosja është e djegur?
Bashkim Gazidede: Edhe në qoftë se dosja është e djegur kjo gjë bëhet. Sigurisht, këtu përgjegjësia është tjetër kund. Nuk mund të gjykosh për shkallën e implikimit të secilit bashkëpunëtor. Aty mund të kesh një bashkëpunëtor që nuk ka dhënë asnjë të dhënë. Pra, mund të ketë pranuar të bashkëpunojë me sigurimin, por s‘ka dhënë asnjë të dhënë që mund të dëmtojë një të tretë. Mund të jetë një tjetër që ka çuar në burg disa persona.
TV KLAN : Ish-ministri i Brendshëm, Luan Rama, është shprehur dy ditë më parë se dosjet e Sigurimit të Shtetit edhe nëse janë asgjësuar ekzistojnë të fotografuara në mikrofilma. Është e vërtetë kjo?
Bashkim Gazidede: Kjo është e vërtetë, por unë kam pasur dyshime që në atë kohë që një pjesë e mikrofilmave, në mos të gjithë, janë fshehur.
TV KLAN : Ju vetë keni disponuar mikrofilma në vitin 1992 kur keni ardhur në krye të SHIK-ut?
Bashkim Gazidede: Po, në disa raste kam parë mikrofilma për dosje të veçanta.
TV KLAN : Keni parë për dosje të veçanta, por a ekzistonin për të gjitha dosjet?
Bashkim Gazidede: Për dosjet e asgjësuara thuhej që ishin asgjësuar dhe mikrofilmat. Duke pasur parasysh që mikrofilmat nuk zinin volum fare, unë dyshoj se nuk janë asgjësuar, por janë fshehur.
TV KLAN : Kush mendon t‘i ketë fshehur?
Bashkim Gazidede: Unë mendoj për Gramoz Ruçin dhe pasardhësin e tij në Sigurimin e Shtetit, Irakli Koçollarin.
TV KLAN : Ju dyshoni se Gramoz Ruçi dhe Irakli Koçollari mund të kenë mikrofilmat e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, të asgjësuara?
Bashkim Gazidede: Sigurisht që dyshoj, por dua të shtoj se ky është thjesht dyshim.
TV KLAN : Meqenëse iu referuam intervistës së zotit Klosi të dy javëve më parë në emisionin “Opinion”, ku ai është shprehur se ka dyshime që dosjet e kundërzbulimeve të Shërbimit Shqiptar me UDB-në ishin në dorë të UDB-së ?
Bashkim Gazidede: Unë nuk e di se nga i ka nxjerrë këto konkluzione zoti Klosi. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë duhet të kenë ndodhur në kohën e zotit Klosi, sepse në kohën time nuk kanë ndodhur dhe për këtë jam i sigurt. Nëse do të isha në dijeninë e Klosit dhe do të kishte ndodhur kjo që thotë zoti Klosi, unë do ta kisha çuar për ndjekje penale, pa asnjë lloj hezitimi.
TV KLAN : Kur keni qenë në krye të SHIK-ut, a keni pasur dosje të Kundërzbulimit të UDB-së?
Bashkim Gazidede: Sigurisht, dhe janë ruajtur me fanatizëm dhe është bërë ajo që nuk ishte bërë për një kohë të gjatë, janë ruajtur në ambiente me kondicionerë sipas të gjithë rregullave të arkivave, rregullave bashkëkohore bëhet fjalë, me qëllim që ai dokumentacion të ishte në ruajtje të përhershme.
TV KLAN : Dua t‘ju bëj një pyetje të drejtpërdrejtë dhe dua një përgjigje të drejtpërdrejtë nga ana juaj. A keni bërë ju, si shef i SHIK-ut, ose persona të angazhuar nga ju, presionet me dosjet e personave politikë?
Bashkim Gazidede: Unë nuk kam bërë asnjë presion ndaj asnjë personi dhe nuk kam autorizuar asnjë person të bëjë presion.
TV KLAN : Jeni të sigurt se dosja nuk i është tundur ndonjë politikani për ta bërë atë ?
Bashkim Gazidede: Jam i sigurt. Asnjëherë !
TV KLAN : Nuk ua keni bërë as deputetëve të opozitës?
Bashkim Gazidede: Kurrë.
TV KLAN : Gjithsesi, në atë kohë që ishit në krye të SHIK-ut a ishin në dijeni të personave, politikanëve të rëndësishëm, që ishin me dosje?
Bashkim Gazidede: Shiko, disa gjëra mësoheshin dhe automatikisht aty. Unë nuk është se kam bërë ndonjë studim për këtë problem. Ne si shërbim informativ jemi përfshirë, kam përshtypjen, në prag zgjedhjesh të vitit 1996, për verifikimin e atyre figurave që do të kandidonin për deputetë të Kuvendit dhe ky ishte një proces ligjor.
TV KLAN : Ç‘model përdorët ju për të ngritur SHIK-un pas Sigurimit të Shtetit?
Bashkim Gazidede: Ne kemi përdorur modele të shërbimeve perëndimore.
TV KLAN : Që do të thotë…
Bashkim Gazidede: Unë kam pas punuar me mjaft shërbime perëndimore, vende anëtare të NATO-s kam marrë modele prej tyre dhe jam munduar t‘i aplikoj në ndërtimin e shërbimit.
TV KLAN : Cili ishte objekti kryesor i punës tuaj?
Bashkim Gazidede: Ishte mbrojtja e Kushtetutës
TV KLAN : Që do të thotë?
Bashkim Gazidede: Që do të se duhet të mbrohej vendi nga çdo veprim antikushtetues, qoftë i brendshëm, qoftë që mund ta kërcënonte dhe nga jashtë vendit.
TV KLAN : A quhej mbrojtje e Kushtetutës dhe përgjimi, ndjekja apo qoftë dhe represioni ndaj opozitës së kohës?
Bashkim Gazidede: Ne nuk e kemi përgjuar, as e kemi ndjekur dhe as që i kemi bërë represion ndaj opozitës së asaj kohe. Unë duhet t‘ju them zoti Fevziu, se opozita e asaj kohe, që ishte një parti pushtetare gati 50-vjeçare, e la pushtetin në një kohë që mendonte se nuk mund ta mbante më pushtetin. Dhe, sigurisht, ata kishin një eksperiencë 50-vjeçare në propagandë. Dhe, ata propagandën nuk e ndalnin për asnjë çast. Sipas meje, qëllimi i atyre për propagandën ishte të tregonin se demokracia është anarki, në demokraci gjithkush mund të bëjë çfarë t‘i dojë qejfi, prandaj diktatura nuk është dhe aq e keqe. Ata përpiqeshin të tregonin se vërtet Enver Hoxha ishte diktator, por çdo udhëheqës në Shqipëri mund të bëhet diktator, se edhe Sali Berisha ishte njëfarë diktatori. Ata përpiqeshin të tregonin se vërtet Sigurimi i Shtetit kishte qenë një organ represiv, por në fund të fundit dhe SHIK-u ishte si Sigurimi i Shtetit.
TV KLAN : Në fakt, po e imitonit ju Sigurimin e Shtetit?
Bashkim Gazidede: Aspak.
TV KLAN : A ishit vënë ju p.sh., në përgjim të numrave të telefonit të pjesëtarëve të opozitës së asaj kohe? Ka pasur disa denoncime në Parlament…
Bashkim Gazidede: Ato ishin ose disa fantazi të sëmura, ose pastaj të qëllimshme. Në atë kohë Shërbimi Informativ Kombëtar nuk përgjonte përveçse, është gabim të thuhet, disa dhjetëra telefona. Nuk duhet të përmend shifra, por as dhjetëra nuk ishin mundësitë e SHIK-ut për të përgjuar telefona. Dhe kur dilnin njerëz që pretendonin se mua më përgjojnë telefonin dhe mua më ndjekin këtej e andej, mua më vinte për të qeshur ose dëshpërohesha se si ka mundësi që këta njerëz të shpifnin në mënyrë kaq monstruoze.
TV KLAN : Gjithsesi, a ka pasur njerëz të SHIK-ut që ndiqnin nga pas ose sillnin raport për lëvizjet apo aktivitetin e personave të opozitës?
Bashkim Gazidede: Të opozitës jo, por persona që mund të ndiqeshin për arsye që i ndiqte SHIK-u, në përputhje me ligjin që kishte shërbimi, sigurisht që ka pasur.
TV KLAN : Po ju sjell një rast. Në një nga intervistat e tij, ku ka rrëfyer për aktivitetin e tij politik në vitet 1996-1997, zoti Ruçi është shprehur se është ndjekur hap pas hapi nga punonjësit e SHIK-ut deri në momentin që u largua për në Greqi…
Bashkim Gazidede: Zoti Ruçi ka qenë në një proces hetimor në atë periudhë, nëse do ta dini ju. Zoti Ruçi mund të kishte pësuar fatin e zotit Koçollari për asgjësimin e dokumentacionit në Ministrinë e Brendshme, ai përfitoi nga rasti që ishte me imunitet dhe sapo i përfundoi imuniteti iku në Greqi. Por ne nuk kishim arsye ta ndiqnim zotin Ruçi, për sa kohë ishte me imunitet. Ato janë sajesa të zotit Ruçi.
TV KLAN : A keni pasur ju bashkëpunëtorë në radhët e opozitës?
Bashkim Gazidede: Jo. E them me përgjegjësi.
TV KLAN : A kishit ju lidhje ose a kishit ju interferenca me regjimin politik të kohës?
Bashkim Gazidede: Jo, nuk kishim asnjë lloj interference. Ne e kishim të ndaluar me ligj për të ndërhyrë në partitë politike dhe me degët e tyre në rrethe.
TV KLAN : Si shpjegohej atëherë që media dhe pothuajse e gjithë opozita shqiptare ju akuzonte vazhdimisht për interferencë?
Bashkim Gazidede: Po them që ishte qëllimi i tyre të paraqisnin Shërbimin Informativ Kombëtar të ngjashëm me Sigurimin e Shtetit. Dhe, atë hijen e zezë të Sigurimit të mund t‘ia jepnin dhe kalonin SHIK-ut.
TV KLAN : Ju jeni në dijeni, madje dhe vetë gazetarët ju kanë pyetur lidhur me zhdukjen e biznesmenit kosovar, Remzi Hoxha, i cili është zhdukur në vitin 1995. Madje thuhet se është marrë nga dy makina të SHIK-ut. Është deklaruar se ai është vrarë, ose ka mbetur i vrarë pas torturave të punonjësve të SHIK-ut në zonën e Lezhës. Si është ky rast dhe ç‘ju thotë ky emër?
Bashkim Gazidede: Në vitin 1995 kur ka ndodhur zhdukja e këtij biznesmeni ka pasur një shkrim në “Gazetën Shqiptare” fillimisht, pastaj është akuzuar SHIK që atëherë. Që në atë rast, kam vënë në lëvizje dy drejtori në SHIK që të ndjekin këtë problem dhe nëse kishte ndonjë bazë për akuzat që i bëheshin shërbimit. Nga hetimi që u bë nga ne, për të cilin duhet të ekzistojnë dhe dokumente, në kundërshtim me atë që thotë zoti Klosi, del se nuk kishte ndonjë përfshirje të punonjësve të SHIK-ut. Zoti Klosi doli dhe akuzoi publikisht SHIK-un. Ai tha se unë kisha dijeni që ai kishte dijeni. Tha se ai e dinte që unë e dija, madje ai tha se e dinte që mund ta dinte dhe zoti Berisha. Ajo që thotë Klosi është një shpifje e pastër. Nëse prokuroria ka bërë hetime për këtë problem, ka arrestuar njerëz, të cilët janë lënë të lirë si të pafajshëm. Në një rast të tillë kur përfshihet drejtësia në një proces nuk ka më vend për komente dhe për përrallat që tregon zoti Klosi. Unë nuk e kuptoj se si zoti Klosi e thotë, edhe pse nuk ka fakte, që e ka bërë SHIK-u, megjithëse nuk ka prova ai thotë se e di zoti Gazidede. Nuk mund të flasë shefi i Shërbimit Sekret në mënyrën siç flet Klosi. Më thanë se në “Top Channel”, vëllai i Remzi Hoxhës kishte thënë se më ka çuar këtu ose atje zoti Klosi, duke më prezantuar si punonjës të SHIK-ut. Ky është një abuzim i pastër me detyrën dhe z.Klosi e ka bërë këtë thjesht për arsye politike. Dhe deklaratat e zotit Klosi janë thjesht politike.
TV KLAN : Por ç‘ka ndodhur me biznesmenin Remzi Hoxha?
Bashkim Gazidede: Sigurisht që po ta dija, do ta kisha zgjidhur që atëherë.
TV KLAN : Pra, ju po thoni se SHIK nuk është i përfshirë në eliminimin ose të paktën në marrjen peng të tij?
Bashkim Gazidede: Me kaq dijeni sa kam unë, jo.
TV KLAN : Është vërtetuar se makinat kanë qenë me targat e SHIK-ut…
Bashkim Gazidede: Targat për mua nuk tregojnë asgjë. Po ju përmend rastin kur shpërtheu automjeti pranë VEFA-s në 1996, ne gjetëm targat e kryetarit të një rrethi verior. Dhe kjo s‘tregon asgjë. Targat prodhoheshin në uzinën metalike të Gjirokastrës dhe kundrejt një ryshfeti merrje çdo lloj targe atje. Targa nuk është asnjë lloj treguesi.
TV KLAN : Prokuroria e Përgjithshme ka deklaruar se të tre të pandehurit që u morën për këtë çështje, kanë deklaruar se e kanë rrëmbyer personin, por nuk dinë më fatin e mëtejshëm të tij?
Bashkim Gazidede: Unë nuk di nëse ata kanë bërë një deklaratë të tillë. Nëse ata e kanë bërë një deklaratë të tillë, le ta gjejnë ata.
TV KLAN : Zoti Gazidede, a jeni ju i përfshirë në eliminimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha?
Bashkim Gazidede: Absolutisht jo.
TV KLAN : A keni qenë ju në dijeni të këtij rasti që në vitin 1995?
Bashkim Gazidede: Kam qenë në dijeni për akuzat që u bënë. Më ka thirrur zyrtarisht zoti Arbnori për të thënë se çfarë dinim ne për këtë rast. Dhe ne i kemi kthyer përgjigje zyrtare zotit Pjetër Arbnori për aq sa dinim ne. Përsëri më ka dërguar letër dhe Ali Spahia. Dhe ai ka marrë përgjigje zyrtare dhe nuk është e vërtetë që Spahia u ka thënë familjarëve se e ka SHIK-u dhe do t‘jua japë sot do t‘jua japë nesër, sepse s‘kishte si e thoshte këtë zoti Spahia kur një gjë e tillë nuk është pohuar nga SHIK. Mua me vjen keq për ata familjarë, ata kanë humbur vëllain, të dashurin e tyre, babin e tyre, por kjo nuk do të thotë se ata mund të akuzojnë kë të duan, kë t‘u dalë përpara. Kjo nuk do të thotë se zoti Klosi duhet të dalë përpara kamerave dhe të shpifë, pasi ai s‘e ka dhe për herë të parë që shpif.
TV KLAN : Mediat kanë përmendur faktin se i fundit që ka pasur kontakte, e ka parë ose ka biseduar me zotin Remzi Hoxha ka qenë zoti Kumbaro, që aktualisht ndodhet në Britaninë e Madhe. A keni dijeni se kush është ky person dhe a ka qenë efektiv i SHIK?
Bashkim Gazidede: Po, ka qenë efektiv. Ai ka qenë ish-oficer i Sigurimit të Shtetit me një stazh të gjatë pune ka punuar dhe në SHIK. Pas një fare kohe, ka dalë në lirim, siç i nxirrnim ne ish-oficerët me një farë rroge për 2 a 3 vjet, një rrogë e krahasueshme me rrogën e mësuesit të asaj kohe.
TV KLAN : Si shpjegohet që zhduket një biznesmen në mes të Tiranës, një person që ka pasur mjaft interes nga mediat dhe nga familjarët, dhe nuk gjendet asnjë gjurmë e tij?
Bashkim Gazidede: Nuk ka qenë ndonjëherë objekt i punës së SHIK-ut të merret me personat e zhdukur. Këto ishin probleme të policisë dhe nuk kishin pse ishin probleme të SHIK. Së dyti, gjatë kësaj periudhe nuk është rasti i parë që ndodhi. Gjatë periudhës që unë s‘kam qenë në Shqipëri janë vrarë në mes të Tiranës biznesmenë të fuqishëm, janë rrëmbyer në mes të ditës dhe rasti i zotit Hoxha nuk është rasti i vetëm. Mua më habit fakti se pse për këtë rast bëhet zhurmë sa herë afrohen zgjedhjet, ose sa herë që ka ndonjë qëllim politik. Kjo më habit. Është e drejtë e familjarëve të kërkojnë të afërmin e tyre, e drejta e medias të interesohet, por nuk mund të akuzohen njerëz pa fakte. Këtë të drejtë s‘e ka askush.
TV KLAN : Prokuroria e Krimeve të Rënda ka deklaruar se ka rihapur çështjen dhe se një nga personat që do të thirret për të dhënë shpjegime do të jeni dhe ju. A jeni i gatshëm për të dhënë shpjegime?
Bashkim Gazidede: Unë nuk e di se ç‘ka ndërmend Prokuroria e Krimeve të Rënda. Është punë e tyre nëse e hapin çështjen ose nuk e hapin, është punë e tyre nëse më thërrasin ose jo. Unë përderisa jam kthyer në Shqipëri, jam kthyer dhe jam në gjendje të përballem me çdolloj akuze që ngrihet ndaj meje.
TV KLAN : Nuk keni frikë nga kjo çështje ose çështje tjera që mund të hapen për ju zoti Gazidede?
Bashkim Gazidede: Çfarë frike? Unë nuk e ndiej veten të jem i implikuar në asnjë shërbim të kundërligjshëm. SHIK ka punuar në bazë të një ligji që është i aprovuar në vitin 1991. Shërbimi nuk punon me direktivat e Byrosë Politike, siç ka punuar Sigurimi i Shtetit. Çdo njeri që ka punuar në SHIK firmoste se ka qenë person i depolitizuar, që e njihte ligjin etj., etj. Dikush që e ka shkelur ligjin, ai raportohej tek eprorët e tij dhe penalizohej me vërejtje apo dhe deri largim nga puna. Nëse shkelja e ligjit është flagrante, ai mund të ketë marrë dhe dënimin.
TV KLAN : A keni pasur lidhje ose raport ju si SHIK me lëvizjet ilegale në Kosovë?
Bashkim Gazidede: Kë quani ju lëvizje ilegale në Kosovë, a mund të ma sqaroni ?
TV KLAN : Ka pasur një sërë lëvizjesh brenda Kosovës që nga viti 1992 e në vazhdim…
Bashkim Gazidede: Ne nuk kemi pasur asnjë lloj lidhjeje me organizata që kanë pasur ndonjë veprim me armë. Ne kemi pasur porosi të prerë që nuk duhet të bëheshim shkas për ndonjë nxitje të ndonjë luftë në Kosovë. Në këtë aspekt, nuk kemi pasur asnjë veprimtari konkrete.
TV KLAN : A keni futur armë në Kosovë?
Bashkim Gazidede: Nuk kemi futur asnjëherë armë për aq kohë sa kam qenë unë në krye të SHIK-ut. Ka tentuar të fusë armë Irakli Koçollari përpara meje dhe janë kapur nja 70 armë në kufi, bashkë me ato që i kishin armët. Janë gjykuar në Kosovë nga serbët dhe ne kemi pasur fatin të kemi në dorë deponimet e atyre që ishin të burgosur për këtë qëllim.
TV KLAN : Si u vunë në dispozicion?
Bashkim Gazidede: Na i sollën kosovarët. Kishin dalë nëpërmjet avokatëve të tyre dhe na i sollën në Shqipëri. Morëm vesh seç kishin pohuar atje për kohën që kishin qenë në Shqipëri. Kjo veprimtari e z. Koçollari ka qenë e paligjshme. Sipas meje, ai kish bërë një veprim pa u konsultuar me qeverinë e asaj kohe.
TV KLAN : Mund të quhej një veprim patriotik?
Bashkim Gazidede: Nëse mund të quhet patriotik, patriotizmin nuk kishte pse e bënte z. Koçollari pa dijeninë e qeverisë. Ishte atribut i qeverisë në atë kohë, z.Koçollari ishte pjesë e qeverisë, por s‘mund të bënte veprime të tilla. Unë mendoj se nga njëra anë ai deshi ta tregonte veten patriot dhe nga ana tjetër deshi të thoshte se qeveria e PD-së është nacionaliste dhe e rrezikshme.
TV KLAN : A keni pasur raporte me UDB-në?
Bashkim Gazidede: Nëse unë do të isha në një studio dhe nuk do të kuptoja që kjo pyetje ishte pa ndonjë qëllim të keq, do të nervozohesha. Nuk ka ofendim më të madh për një shqiptar, as për më tepër për një ish-drejtues të Shërbimit Sekret të ketë lidhje me serbët, armiqtë tradicionale të shqiptarëve.
TV KLAN : Po shërbimi juaj?
Bashkim Gazidede: Shërbimi ynë nuk mund të ketë asnjë lloj lidhjeje me jugosllavët, sepse qëllimet tona ishin të kundërta. Nuk kishim asnjë pikë të përbashkët. Është ndryshe sot gjendja në Ballkan, ndoshta shumë para në Ballkan mendojnë për paqen. Jugosllavia mendonte në atë kohë për luftë në Ballkan, ndërsa ne nuk ishim për luftë.
TV KLAN : A keni pasur ju një kontakt apo takim të drejtpërdrejtë me njërin nga personat më famëkeq të paramilitarëve, me Arkanin? Ka një akuzë nga një ish-ministër se ju jeni takuar me Arkanin fillimisht në Peshkopi dhe më pas, një takim i dytë në Tiranë, në hotel “Dajti”…
Bashkim Gazidede: E kam dëgjuar këtë lloj shpifjeje. E kuptoj që për një opozitar, në vendin tonë njerëzit nuk janë dashamirës dhe mund të shpifin. Ndoshta quhet normale shpifja. Por të arrijë shpifja deri atje sa ta cenosh në dinjitetin kombëtar dikë, më duket monstruoze. Unë kam pasur rastin të takoj në rrugë zotin Luan Rama, ose më saktë ai deshi të më jepte dorën dhe unë ia thashë këtë gjë. Megjithëse ai kishte dalë e kish thënë këtë gjë në televizion, mua më tha se nuk është e vërtetë se e kam thënë unë, e ka thënë z.Klosi. Por, si ai, si zoti Klosi, duhet të kenë turp të akuzojnë një shqiptar për tilla gjëra.
TV KLAN : A është e vërtetë siç kanë shkruar mediat se SHIK ka parandaluar një atentat ndaj Gligorovit?
Bashkim Gazidede: Jo, nuk është e vërtetë.
TV KLAN : Desha t‘ju bëj disa pyetje me atë që quhet arrestimi i të pestëve. Bëhet fjalë për arrestimin e pesë minoritarëve në Jug të vendit. A keni ju dijeni për këtë arrestim dhe a keni qenë ju iniciatori i tij?
Bashkim Gazidede: Që kam pasur dijeni për arrestimin është një gjë krejt normale. Ata kishin veprimtari antikushtetuese dhe për një veprimtari antikushtetuese u arrestuan dhe u dënuan. Këtu gjykohet shpesh për anën politike të problemit, por ana politike nuk i përket SHIK-ut, por politikanëve. Ne nuk kemi bërë asnjë veprim të paligjshëm. Arrestimin se kemi bërë ne, por kemi propozuar arrestimin e tyre. Arrestimi është bërë në bazë të të gjitha normave, madje përveç firmës së Prokurorisë së Përgjithshme, ne kemi pasur dhe firmën e zotit Brozi për kontrollin e banesave të atyre personave dhe për kontrollin e zyrave të OMONIA-s.
TV KLAN : Z. Brozi është shprehur publikisht se ju keni bërë presion që këta persona të dënoheshin, kur gjykata shpalli lirimin e tyre…
Bashkim Gazidede: Kjo nuk është e vërtetë, sepse nuk kisha asnjë arsye t‘i bëja presion z. Brozi. Aq më tepër nuk mund të bëja presion, pasi dhe vendimi ishte marrë.
TV KLAN : Cilat kanë qenë marrëdhëniet tuaja me zotin Meksi, në atë kohë Kryeministër?
Bashkim Gazidede: Mendoj se kam pasur marrëdhënie normale, nuk e di se ç‘ marrëdhënie ka pasur me mua z.Meksi.
TV KLAN : Z.Meksi është shprehur pak kohë pas largimit tuaj se në lëvizjet 1996-1997 ju ushtronit mjaft ndikim mbi zotin Berisha. Është e vërtetë?
Bashkim Gazidede: Zoti Berisha nuk është një njeri që ndikohet nga një person ose nga një tjetër. Zoti Berisha ka një mendim krejt të pavarur, ka një veti që dëgjon shumë vetë dhe bën si di vetë. Unë nuk shquhesha për dhënie këshillash. Mund të kem dhënë thjesht mendimin tim, kur më është kërkuar.
TV KLAN : A jeni ju në dijeni të faktit që një deputet i opozitës dhe një publicist i njohur janë goditur publikisht në atë kohë në Tiranë, Ndre Legisi dhe Edi Rama. A keni qenë ju i përfshirë në goditjen e tyre?
Bashkim Gazidede: Sigurisht që i kam dëgjuar, sepse unë këtu kam qenë në atë kohë, por më indinjon fakti se çdo gjë që ndodhte në Shqipëri, dhe për krimin më ordiner, akuzohej SHIK-u. Ndoshta një nga të metat e mia ka qenë që nuk kam bërë asnjë dalje publike që të përgënjeshtroj fakte të tilla. Megjithatë, jo çdo akuzë e kam lënë të kalojë në heshtje. Unë kam çuar për ndjekje penale në atë kohë shumë shpifje që janë bërë në media. Dhe pothuajse kemi fituar të gjitha çështjet. Kam pasur raste që eprorët më kanë detyruar të tërheq akuzat për arsye që i dinë ata.
TV KLAN : Kush i ka goditur këta persona shumë të rëndësishëm për kohën?
Bashkim Gazidede: Sigurisht, unë nuk i di dhe nuk ishte detyra ime ta dija.
TV KLAN : A duhet të merreshit me hetimin e kësaj çështjeje?
Bashkim Gazidede: Jo, nuk besoj. As është marrë dhe as duhej të merrej.
TV KLAN : SHIK duket se kishte informacion mjaft të mirë për gjithçka ndodhte në Shqipëri. A ishte në dijeni të faktit se disa firma piramidale po ngriheshin me mjaft shpejtësi në vitet 1995-1996?
Bashkim Gazidede: Sigurisht, që në hapat e parë.
TV KLAN : A keni informuar eprorët tuaj?
Bashkim Gazidede: Kemi denoncuar dhe janë dënuar disa drejtues të një firme që filluan për herë të parë në Selenicë të Vlorës. Ndoshta e para e kësaj natyre, që mblidhnin paret e qytetarëve dhe i thoshin se do na vinë ca para nga Nigeria dhe t‘ua jepnin dy apo trefish. Dy prej tyre kanë qenë dhe kosovarë që në atë kohë kishin blerë këndin e lojërave në Tiranë. Madje, një gazetë e asaj kohe më ka akuzuar mua se punoja për UDB-në se ishte arrestuar një deputet i Parlamentit të Kosovës pa i hequr imunitetin. Ne kemi bërë problem, pothuajse të gjitha firmat piramidale të asaj kohe, shumë kohë përpara se ato të agravoheshin.
TV KLAN : A u morën masa ndaj tyre kur ju keni informuar për rrezikun që ato paraqisnin?
Bashkim Gazidede: Unë këtë nuk e di, sepse nuk i përkisja ekzekutivit. E kam ngritur zërin dhe besoj se e kam ngritur fort. Unë kam bërë me dijeni të gjitha institucionet e mundshme që ishin në atë kohë në Shqipëri. Mund të them se kam informuar dhe drejtorinë e doganave dhe nuk e di pse e kam bërë këtë, kam informuar tatimet, Ministrinë e Financave dhe atë të Brendshme dhe Prokurorin e Përgjithshëm, Bankën Kombëtare etj.
TV KLAN : Këto ishin piramida të mirëfillta apo proces pastrimi i parave?
Bashkim Gazidede: Unë mendoj se kanë qenë piramida të mirëfillta. Në periudhën e fundit ka pasur përpjekje për pastrim parash, por mendoj se ka qenë përpjekje që nuk u materializua ndonjëherë.
TV KLAN : Kush i organizoi këto, sipas jush?
Bashkim Gazidede: Nuk dua të hyj në hollësira, por është fakt që rreth 70% e personelit që kanë punuar në këto firma kanë qenë ish-punonjës të Sigurimit të Shtetit dhe oficerë.
TV KLAN : Kush i organizoi?
Bashkim Gazidede: Se kush i organizoi, kështu legalisht dihet kush janë pronarët, por mendoj se në këtë mes ka pasur dhe strategji. Unë nuk kam ndërmend të flas kush e ushqeu këtë strategji.
TV KLAN : Ku kanë shkuar paratë e firmave. A keni dijeni?
Bashkim Gazidede: Po, një pjesë e mirë janë shpërdoruar nga vetë drejtuesit e firmave për jetë luksoze, për të blerë apartamente, vila, helikopterë etj. Një pjesë kam përshtypjen se mund t‘i kenë tjetërsuar më persona të tjerë të afërm me lidhje të ngushta familjare, shoqërore apo miqësore. Megjithatë, mendoj se kur ne vendosëm t‘i bllokonim firmat, shqiptarët kishin marrë gjysmën e parave të depozituara. Në disa firma ndoshta dhe më shumë.
TV KLAN : Gjatë kësaj kohe që i kishit nën vëzhgim a ka pasur tentativa për lidhje mes firmave piramidale dhe organizatave kriminale ndërkombëtare?
Bashkim Gazidede: Mendoj se ka pasur tentativa, por nuk besoj lidhje të ngushta.
TV KLAN : A ka pasur politikanë që kanë pasur lidhje financiarisht me këto firma?
Bashkim Gazidede: Sigurisht. Mjaft ka pasur.
TV KLAN : Kush kanë qenë këta?
Bashkim Gazidede: Nuk kam ndërmend të përmend emra.
TV KLAN : Po ju personalisht a keni përfituar?
Bashkim Gazidede: Jo, asgjë.
TV KLAN : Po gjatë kohës që keni qenë shef i SHIK a keni përfituar ekonomikisht?
Bashkim Gazidede: Unë kam një shtëpi. E gjithë pasuria ime sot është një apartament me një sipërfaqe 100 m2. Kam dorëzuar një apartament të vjetër dhe mora këtë, duke shtuar dhe një pjesë parash.
TV KLAN : Në media ka qarkulluar vetëm një foto e juaja gjithë këto vite. Pse kaq pak protagonist në të?
Bashkim Gazidede: Mendoj se edhe sot atë mendim kam, që shërbimet sekrete përderisa quhen dhe të tilla nuk kanë pse dalin publikisht dhe flasin çdo javë. Mendoj se nuk është kjo figura e një shefi shërbimesh. Mendoj se dhe veprimet e shërbimit duhet të jenë sekrete. Duhet të ketë organizma që t‘i kontrollojnë që të mos jenë jashtë kontrollit, por nuk mendoj se duhet të jenë publike punët e shërbimit sekret.
TV KLAN : Gjatë kohës që ju keni qenë në krye të SHIK-ut gjatë viteve ‘92-‘97 a ka pasur aktivitet të terroristëve islamikë në Shqipëri?
Bashkim Gazidede: Më prekët një çështje që më ka shqetësuar. Akuzat ndaj meje kanë qenë të pabaza dhe dashakeqëse. Dhe më duket me orkestrimin e mediave të majta në Shqipëri. Shumë media kanë deformuar tonet e mia siç u ka leverdisur. Nuk është kjo që më shqetëson. Mua më shqetëson dashakeqësia. Unë kam qenë kryetar i një shoqate, që unë kam qenë në mbledhjen e themelimit të saj, e cila ka qenë e para dhe e fundit mbledhje dhe kam qenë me persona të nderuar që ju përmenda dhe më sipër. Nuk thuhet asnjë fjalë për kunatin e z. Meidani, por unë akuzohem. Kjo nuk më duket normale. Në Shqipëri ka pasur mjaft shoqata islamike në ju kujtohet. Por unë dua të tërheq vëmendjen në diçka që mund të jetë interesante. Në mos 100% mbi 90% e këtyre shoqatave kanë ardhur në Shqipëri gjatë vitit 1991 kur PD s‘ka qenë në pushtet dhe unë s‘kam qenë në krye të SHIK-ut. Sot mund të gjeni në Kryeministri një raport 200 faqesh dhe një analizë të të gjitha shoqatave islamike, që kanë vepruar në Shqipëri me propozime konkrete.
TV KLAN : Kush e ka hartuar raportin?
Bashkim Gazidede: Shërbimi që kam drejtuar unë.
TV KLAN : Në cilin vit?
Bashkim Gazidede: Në periudhën ‘92-‘96. Ky raport i fillimit të vitit 1996. Me propozime konkrete. Kjo shoqatë duhet mbyllur, ky duhet përzënë, ky ‘non grata‘ etj.
TV KLAN : Ka pasur persona të rrezikshëm islamikë që kanë operuar në territorin shqiptar?
Bashkim Gazidede: Po, ka pasur dhe për këtë është bashkëpunuar më shërbime të tjera. Unë mendoj se këta persona kanë gjetur në Shqipëri një strehë, më tepër t‘u shmangeshin shërbimeve të vendeve të tyre. Por kjo nuk na ka lënë që në të mos merreshim më ta. Dhe unë që paskam qenë mysliman i rrezikshëm, paskam organizuar një segment shtetëror që merrej me këtë punë dhe që shkëmbeja informacione me shërbimet sekrete perëndimore për këtë problem.
TV KLAN : A i keni informuar ju shërbimet sekrete perëndimore për rrezikshmërinë e këtyre personave?
Bashkim Gazidede: Kur them unë se kemi ngritur një sektor të posaçëm për këtë punë, ne kemi ngritur një sektor në bashkëpunim me një shërbim perëndimor, nuk dua të përmend emër. Të gjithë personat që kanë punuar aty janë stërvitur prej tyre, janë mësuar prej tyre dhe informacioni është shkëmbyer me përfaqësues të vendeve të NATO-s.
TV KLAN : Personat që ndodheshin në Shqipëri ishin terroristë të thjeshtë apo ishin koka të organizatave terroriste?
Bashkim Gazidede: Nuk besoj se ka pasur koka, të themi në nivelin e Bin Laden, por themi se ka pasur persona të inkriminuar në veprimtari terroriste në disa vende, edhe të Evropës. Dhe për këtë qëllim, kanë qenë vënë në dijeni vendet përkatëse.
TV KLAN : Ka qenë apo jo Osama Bin Laden në Shqipëri?
Bashkim Gazidede: Po të kish qenë do të ishte arrestuar, sepse ne e njihnim fare mirë Bin Ladenin.
TV KLAN : Nga e njihnit?
Bashkim Gazidede: E njihnim nëpërmjet shërbimeve sekrete perëndimore që interesoheshin.
TV KLAN : Të cilat ishin në ndjekje të tij?
Bashkim Gazidede: Sigurisht.
TV KLAN : Dhe në Shqipëri nuk është gjendur asnjë gjurmë e Bin Ladenit?
Bashkim Gazidede: Absolutisht jo. Ne dinim fare mirë, e dinim periudhën kur Bin Laden ka qenë në Sudan dhe ku ishte Bin Laden. Domethënë kemi qenë të interesuar, sepse interesoheshim për lidhjet që ai mund të kishte në Shqipëri.
TV KLAN : Kishte lidhje në Shqipëri?
Bashkim Gazidede: Nuk na ka rezultuar ndonjë lidhje e drejtpërdrejtë e tij në Shqipëri. Mendohej nga disa kolegë që nëpërmjet disa formave të ftohej në Shqipëri dhe të arrestohej, por sigurisht, ishte një fantazi kjo.
TV KLAN : Ka pasur një koment në shtypin e 6 viteve më parë, që shënonte faktin se Bin Laden ka qenë në Shqipëri dhe se ju jeni takuar me të në një shtëpi pranë përroit të Zaranikës në Elbasan?
Bashkim Gazidede: Nuk jam në dijeni as të kësaj akuze, por nuk me çudit fakti, pasi e di që nuk kanë lënë asgjë pa shpifur dhe do e konsideroj shpifje të radhës.
TV KLAN : Ç‘raporte keni pasur ju me Shërbimin Sekret Amerikan?
Bashkim Gazidede: Raporte normale. Dy shërbime mike. Unë e kam vizituar dhe pas vizitës time më është kthyer vizita nga drejtori i CIA-s i asaj periudhe. Njëkohësisht, kam pasur marrëdhënie normale me ta, kemi shkëmbyer informacione dhe kam marrë dy letra falënderimi nga dy ish-drejtorë të CIA-s për kontributin që shërbimi ynë ka dhënë në luftën kundër terrorizmit.
TV KLAN : Në cilat fusha bashkëpunonit më shumë?
Bashkim Gazidede: Kryesisht në shërbimin antiterrorist.
TV KLAN : A e keni njohur ju Xhorxh Tenet?
Bashkim Gazidede: Jo, nuk e kam njohur.
TV KLAN : A keni qenë në dijeni të aktivitetit të tij në Shqipëri?
Bashkim Gazidede: Nuk dua të komentoj.
TV KLAN : Mendoni se ka pasur dorë në ngjarjet e vitit 1997?
Bashkim Gazidede: Nuk dua të komentoj. Nuk është rasti.
TV KLAN : T‘ju bëj një pyetje që është rihapur dje. Botuesi i “Koha Jonë” ka kërkuar në prokurori hapjen e dosjes për djegien e “Koha Jonë” më 2 mars 1997, Madje, ai thotë se e ka bërë këtë kërkesë që nga momenti kur ju jeni kthyer në Shqipëri…
Bashkim Gazidede: Është e drejta e zotit Lesi të bëjë çfarë deklarate të dojë.
TV KLAN : E dini ç‘ka ndodhur më 2 mars 1997 në redaksinë e “Koha Jonë”?
Bashkim Gazidede: E kam marrë vesh pasi është djegur, por s‘kam ndonjë gjë interesante për të treguar për këtë, pasi ajo ishte një periudhë kur ne kishim probleme më të mëdha se kjo.
TV KLAN : A është implikuar SHIK në këtë djegie?
Bashkim Gazidede: Jo. I mohoj kategorikisht.
TV KLAN : Ishit në dijeni vjeshtën e vitit 1996, ose të paktën a kishit marrë informacione që situata ishte në eksplodim e sipër për arsye të mbledhjes së shumë parave në firmat piramidale?
Bashkim Gazidede: Po, dhe unë kam informuar. Duhet të dallojmë diçka. Kam dëgjuar mjaft personazhe që mundohen t‘ia hedhin fajin njëri-tjetrit. Unë mendoj se kam më pak përgjegjësi, sepse e kam ngritur zërin nuk e shkarkoj veten nga përgjegjësia, të kisha dalë dhe të kisha dhënë dorëheqjen.
TV KLAN : A e besonit se situata do shpërthente?
Bashkim Gazidede: Jo vetëm e besoja, por edhe e kam shkruar një gjë të tillë.
TV KLAN : E keni vënë në dijeni administratën e kohës?
Bashkim Gazidede: Besoj se po.
TV KLAN : A mendonit se në 1996 kishte ende kohë për të marrë masa për ta parandaluar këtë fenomen?
Bashkim Gazidede: Po, kishte kohë.
TV KLAN : Pse nuk ndodhi?
Bashkim Gazidede: Nuk dua t‘i hyj kësaj historie. Por kam qenë i vendosur të mbylleshin firmat dhe në një farë mënyrë për ta dëshmuar këtë qëndrim timin çova për ndjekje penale firmën “Xhaferri” dhe fitova gjyqin e shkallës së parë. Çështja shkoi në shkallën e dytë dhe kundrejt një ryshfeti u luajt me dosjet. Gjykata e Apelit nuk kishte dosje për gjyqin, Gjykata e Shkallës së Parë tha se nuk e kemi dosjen dhe për çudi në kohën që unë nuk kam qenë në Shqipëri dëgjova që ishte mbyllur firma “Xhaferri”. Për mua ka qenë problemi shumë i qartë që unë kam bërë më tepër se ç‘më takonte.
TV KLAN : Mendoni se këto firma u toleruan për të shuar zhurmën që vinte nga zgjedhjet e kontestuara të majit 1996?
Bashkim Gazidede: Edhe mundet. Unë kam pasur një mik timin, gazetar në opozitë dhe me të diskutonim për firmat. Dhe me shokët kur pyesnin, u thosha paret të shtohen në xhepin tënd dhe s‘kanë pse shtohen në xhepin e Xhaferrit. Unë i kam thënë se meqenëse pozita s‘po e bën punën si duhet, bëjeni ju opozita, shkruajeni te gazeta juaj që firmat janë të rrezikshme. As ata nuk e bënë. Pozita dhe opozita kanë të njëjtën përgjegjësi. Veç kësaj dhe ata që e quajnë veten profesorë të ekonomisë dhe ata duhet ta bënin. Pasi ndodhi thanë të gjithë, pse s‘u bë kjo, pse s‘u bë ajo.
TV KLAN : A kishin lidhje politike këto firma piramidale?
Bashkim Gazidede: Nuk e them dot se ato kishin lidhje, por politika mundohej t‘i shfrytëzonte për nevojat e veta.
TV KLAN : A është përfshirë SHIK në rrahjen e deputetëve të opozitës në 28 maj 96?
Bashkim Gazidede: Jo, nuk është përfshirë SHIK.
TV KLAN : Në shkurt 1997, madje që në janar, në Lushnjë, dhe më pas në Vlorë, filloi protesta. E kuptonit ju, që në mbrojtje të Kushtetutës, duhet të vinit në dijeni eprorët se situata mund të agravohej dhe më keq. A i vutë në dijeni eprorët për këtë?
Bashkim Gazidede: Po besoj se nuk ishte e vështirë të kuptohej kjo.
TV KLAN : U shqetësuat që s‘po merreshin masa për zgjidhjen e problemit?
Bashkim Gazidede: Nuk them se s‘po merreshin masa, por situata po ikte nga dora dhe s‘ishte e thjeshtë. Kishte dy mënyra duke shpresuar se mund të rregullohej kështu dhe ashtu.
TV KLAN : Ju personalisht, në cilën pjesë jeni?
Bashkim Gazidede: Nuk dua të komentoj për këtë.
TV KLAN : A ishit ju në favor të vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme që në fillim të muajit shkurt?
Bashkim Gazidede: Besoj se po.
TV KLAN : Për çfarë arsye?
Bashkim Gazidede: Për të vendosur rendin dhe qetësinë.
TV KLAN : A e ka provokuar SHIK ose pjesëtarë të SHIK të degës së Vlorës grevën e urisë së studentëve vlonjatë natën e 28 shkurtit 1997?
Bashkim Gazidede: Absolutisht jo, në asnjë rast, në asnjë moment. Nuk ishte në interesin tonë ta bënim një gjë të tillë. Ata ishin njerëz të irrituar që dilnin përditë në miting, që flisnin kundër qeverisë me një urrejtje patologjike. Kuptohej qartë se nëse do t‘i ngacmoje ata njerëz do kishte pasoja. Thuhej se punonjësit e SHIK-ut shkuan i ngacmuan, një furgon i bardhë qarkullonte në atë kohë. Furgonin e bardhë ata e kishin në dorë ta kapnin, të gjenin targat, të gjenin nga erdhi nga s‘erdhi. U fol për furgon të bardhë, por nuk u gjet asnjëherë ky furgon i bardhë. Ato ishin të gjitha të stisura, në mënyrë që të goditej edhe i vetmi institucion që kishte mbetur akoma në këmbë SHIK. Mund t‘u them diçka interesante që s‘e kam thënë asnjëherë më parë: kanë qenë nja dy deputetë të opozitës në kohë, duke vizituar ata të grevës së urisë në Vlorë dhe atje kanë parë mitralozë 12,7, kallashnikovë, granat-hedhës, se si ishin të armatosur ata që ruanin grevën e urisë dhe ata ishin të tmerruar se nuk e dinin që grabitja e armëve kishte filluar shumë kohë më parë.
TV KLAN : Po ju a ishit në dijeni të kësaj?
Bashkim Gazidede: Po.
TV KLAN : Pse s‘i kishit marrë masat?
Bashkim Gazidede: Kjo grabitje duhej të pengohej nga ushtria dhe jo nga SHIK. SHIK në atë kohë kishte rreth 1300 veta roje magazinierë etj. Pra, një shërbim që informon dhe jo që të vepronte. S‘mund t‘i mbyllte SHIK-u depot e ushtrisë.
TV KLAN : Si e morët informacionin që selia e SHIK-ut po sulmohej dhe atje ndodheshin brenda 3 punonjës?
Bashkim Gazidede: Më njoftuan ata që ishin në godinën e SHIK.
TV KLAN : Si ishte reagimi juaj?
Bashkim Gazidede: Nuk dua të komentoj. Ndodhën gjera të tmerrshme.
TV KLAN : A keni tentuar ju me ministrin e Mbrojtjes Zhulali t‘u vinit në ndihmë?
Bashkim Gazidede: Ç‘interes ka të diskutojmë për këtë. Duhet diskutuar fakti që zoti Klosi ka vrarë dy kryetarë Shërbimi Informativ, kryetarin e Vlorës dhe Lushnjës.
TV KLAN : Si i vrau?
Bashkim Gazidede: Duhet pyetur zoti Klosi. Njëri u vra në shtëpinë e tij në Greqi dhe tjetri në Lushnjë.
TV KLAN : Në ç‘vit janë vrarë?
Bashkim Gazidede: Menjëherë sa erdhi zoti Klosi kryetar i SHIK.
TV KLAN : Është marrë vesh përse janë vrarë?
Bashkim Gazidede: Sepse kanë qenë kryetarë SHIK-u, për çfarë arsye tjetër!
TV KLAN : Pas sulmeve të godinave të SHIK a ishit të informuar se ç‘po ndodhte me materialin që ishte brenda?
Bashkim Gazidede: Materialet u grabitën, u hodhën dhe u dogjën.
TV KLAN : A kanë pasur dorë shërbimet fqinje në ngjarjet e 1997-ës?
Bashkim Gazidede: Është mirë të mos komentoj.
TV KLAN : Po Shërbimi Informativ Amerikan, CIA?
Bashkim Gazidede: Ne kemi pasur marrëdhënie normale me CIA-n.
TV KLAN : Pse u zgjodhët ju në krye të operacionit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme?
Bashkim Gazidede: Nuk u zgjodha unë, më zgjodhën. Unë sigurisht që nuk kundërshtova.
TV KLAN : A keni dijeni pse ju?
Bashkim Gazidede: Jo nuk e di. Por nuk më dukej burrëri të kundërshtoja
TV KLAN : A keni tentuar ju, z.Gazidede të shtypnit me dhunë atë që është quajtur revolta e ‘97?
Bashkim Gazidede: Jo. Unë u thashë që Berisha nuk zgjodhi rrugën represive. Nqs do të zgjidhej rruga represive, problemi do të ishte shumë i thjeshtë. Do të burgoseshin drejtuesit e opozitës dhe Zani Caushi do të ishte në motoskaf dhe do të ikte.
TV KLAN : Ju po thoni që opozita i ka stimuluar këto lëvizje?
Bashkim Gazidede: I ka drejtuar, jo stimulur. Ajo ishte një kryengritje që e organizoi Paria Komuniste, Partia e Punës së Shqipërisë kundër pushtetit antipopullor të Sali Berishës, siç e quanin ata. Për këtë nuk kam foluar ansjëherë, por për çudi nuk ka foluar as Klosi apo askush nga Ministria e Brendshme deri më tani. Në vitin 1976, pas atyre grupeve të famshme armiqësore në të gjitha fushat në Shqipëri, është vendosur të ngrihej një degë e posaçme në këtë ministri që quhej dega e agjentëve të konservuar, jashtë quhej e agjentëve të fjetur.
TV KLAN : Çfarë ishin këta?
Bashkim Gazidede: Këta ishin njerëz do të rekrutoheshin që nuk do të kishin ndonjë aktivitet në atë periudhë, por që në ndonjë pushtet antipopullor të ardhshëm do të depërtonin dhe do të shërbenin pastaj për ta rrëzuar atë pushtet që ata e quanin antipopullor. Ata lloj agjentësh janë zgjedhur sistematikisht deri në vitin 1992 deri kur kemi ardhur ne në pushtet. Dhe nga ky vit deri më sot, nuk ka kaluar shumë kohë, janë vetëm 14 vjet. Dhe pse jo, të aktivizuar gjatë kohës që ne ishim në pushtet. Më 92-96 ata janë aktivizuar për të përmbysur pushtetin antipopullor, siç e quanin ata dhe pse të mos jenë aktive dhe sot. Dosjet e këtyre lloj njerëzish duhen hapur.
TV KLAN : A gjenden?
Bashkim Gazidede: Ato janë zhdukur. Por ne kemi gjetur disa fragmente që u kanë shpëtuar këtej andej për të treguar ekzistencën e këtyre lloj agjentëve.
TV KLAN : A mund të gjenden?
Bashkim Gazidede: Shiko e pamundur nuk është. Por mund të rikonstruktohen edhe në qoftëse nuk gjënden.
TV KLAN : Z. Gazidede ku keni jetuar në këtë vite dhe ku u larguat? Është folur që keni qënë në Siri, Afganisatan Arabine Saudite?
Bashkim Gazidede: Unë kam qënë në Turqi dhe gjatë gjithë periudhës nuk kam lëvizur nga Turqia.
TV KLAN : Keni qënë i kontaktuar nga shërbimet atje apo jo ?
Bashkim Gazidede: Unë kam qënë atje me një lloj asistence me të cilën kam jetuar.
TV KLAN : Dhe me se jeni marrë?
Bashkim Gazidede: Unë jam marrë me profesionin tim dhe kam shkruar rreth 7 libra matematike, katër prej të cilava janë botuar. Këto katër libra kanë afërsisht nga 3 mijë faqe.
TV KLAN : Pse vendoset të ktheheshit në 2005?
Bashkim Gazidede: Unë ju thashë se edhe largimi në një farë mënyrë qe i detyruar. Nuk desha që të më gjykojnë kriminelët.
TV KLAN : A jeni në disponim të sekreteve që mund t’ju bëjnë të fuqishëm tek politika z. Gazidede?
Bashkim Gazidede: Edhe nëqoftë se jam unë nuk jam nga ato persona që mundohem të përfitoj nga të tilla gjëra.
TV KLAN : Jeni apo jo?
Bashkim Gazidede: S’kam munduar të përfitoj asnjëherë nga të tilla rrethana dhe s’do të mundohem asnjëherë të përfitoj. E quaj një rrugë të paligjshme një përfitim të tillë/
(Marrë nga emisioni “Opinion” i Blendi Fevziut, në TV Klan)
Komentet