Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Durrësit, Igli Cara, ishte këtë pasdite i ftuar në emisionin “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa.
Ai u shpreh ndër të tjera se nga takimet që ka zhvilluar me qytetarët, kryefjalë e tyre është nevoja për ndryshim.
Sipas Carës deri më tani kjo bashki është parë dhe trajtuar si pronë e grupit Vangjush Dakos dhe Emiriana Sakos, por se më 14 maj qytetarët do të votojnë për ndryshimin.
“Ka qenë një fushatë që ka lënë mbresa të jashtëzakonshme… Një kryefjalë kam dalluar, qytetarët presin një ndryshim. Këto 16 vitet e fundit kanë qenë shkatërruese për Durrësin dhe më duket se dëmi që i është bërë, mund ta krahasojmë me dëmin që është shkaktuar nga tërmeti. Rinia ka ikur, kjo vjen dhe për shkak të qeverisjes së keqe edhe të pushtetit lokal. Në këto vite është transformuar jo për mirë. Betonizim i qytetit, duke dëmtuar edhe trashëgiminë dhe identitetin e qytetit.
E para kryefjala është që bashkia është një derë e mbyllur për qytetarët, sepse është menduar si pronë e një grupi të caktuar, Dako e Sako. Në çdo takim më thonë që nuk vinë as të ballafaqohen me premtimet. Sako nuk pranon të dalë në përballje me rivalin dhe kjo tregon shumë. Kostot e jetesës janë rritur shumë dhe nuk kanë marrë shërbimet që duan.
Më shumë se gjysma e qytetit ka ujë me ndërprerje, transporti urban lë për të dëshiruar, procesi i rindërtimit një plagë që në këto katër vite ka rënduar në Durrës. Sot nuk është mbyllur as 50% e procesit të rindërtimit.
Të gjitha këto do të gjejnë zgjidhje pas datës 14 maj. Socialistët Po manipulojnë njerëzit duke thënë se do japin shtëpi me lista, por të gjitha këto janë propagandë për të fituar vota”, tha Cara.
Ai po ashtu është pyetur edhe për një status të bërë nga kryebashkiakia aktuale në Facebook, ku kjo e fundit ndër të tjera i përmendte nënën Carës. Këtë reagim, Cara e konsideron një gjest të ulët nga ana e Sakos.
“Unë nuk kam thënë asnjë fjalë për këtë status, por mendova si ka mundësi që një zonjë që është dhe nënë, shkon në atë pikë sa të përmendë nënën e kundërshtarit. E kuptoj që mund të jetë në siklet por është veprim i ulët. Unë nuk do guxoja kurrë siç nuk e kam bërë, të përmend familjarë të rivalët e mi, aq ë tepër nënën. Zoti e faltë se të përmendësh nënën e kundërshtarit është nga aktet më të rënda”, tha ai.