Voal – Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha ndodhet në Filadelfia, i ftuar në kuvendin demokrat. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Basha thekson se 7 ligjet, që lidhen me reformën e drejtësisë në Shqipëri, nuk mund të miratohen tani, pa hyrë në fuqi ndryshimet kushtetuese. Partia Demokratike do t’i ndshqyrtojë projekt-ligjet e ndryshuara dhe më pas do të japë mendimn e saj, tha zoti Basha. Ai akuzoi Partinë Socialiste për “një manovër të qartë politike të tipit që pengoi deri në çastin e fundit konsensusin me Partinë Demokratike”, siç u shpreh ai.
Intervista e plotë e zotit Basha për Zërin e Amerikës.
Zëri i Amerikës: Zoti Basha siç keni qënë dëshmitar gjatë këtyre ditëve në Filadelfia, kandidatja Clinton u bë gruaja e parë në historinë amerikane që siguron kandidaturën e një partie të madhe. Por në vendin tuaj, gratë nuk e kanë këtë forcë politike. A mendoni se do të shërbej pozitivisht ky shembull edhe për Shqipërinë?
Lulzim Basha: Padyshim që ky është një shembull frymëzues për të gjithë botën demokratike, natyrisht edhe për Shqipërinë dhe unë dua me këtë rast ta përgëzoj nga zemra Partinë Demokrate amerikane për këtë përzgjedhje me të vërtetë historike të zonjës Clinton, e cila është një shërbyese publike e interesave amerikane, por edhe globale për paqe, liri dhe demokraci anembanë botës dhe natyrisht një personalitet me kontribute të jashtëzakonshme për Shqipërinë, për Kosovën, për shqiptarët kudo ku janë, një personalitet me të cilën kam pasur nderin dhe privilegjin të bashkëpunojë në detyrën time si ministër i Jashtëm për dy çështje madhore të kombit shqiptar – anëtarësimin e Shqipërisë në Nato dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ky bashkëpunim ka dhënë fryte të jashtëzakonshme. Edhe pas largimit nga detyra e ministrit të Jashtëm kam ruajtur komunikimin me ish-Sekretaren e Shtetit dhe tashmë kandidaten zyrtare për presidente të Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton. Padyshim prania ime këtu, me këtë rast, sjell me vete përveç formaliteteve zyrtare, ftesës që më është bërë, edhe emocionet e jashtëzakonshme të bashkëpunimit dhe të komunikimit që kam patur dhe kam ruajtur me kandidaten për presidente, Hillary Clinton.
Zëri i Amerikës: Do të kishim dashur të flisnim më gjatë për këtë, por duket se zhvillimet në Shqipëri janë bërë përsëri intensive. Zoti Basha, kryetari i parlamentit Ilir Meta, njoftoi se ndërpreu vizitën këtu në SHBA, “për të sqaruar konfuzionet e krijuara ditët e fundit që kanë për qëllim prishjen e konsensusit për reformën në drejtësi”. Ju si e konsideroni kërkesën e shumicës për të miratuar me shpejtësi njërin nga 7 ligjet, atë që lidhet me vlerësimin e gjyqtarëve, pas kërkesave, sipas saj, nga përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-ve? Dje përfaqësues tuajët folën për një provokim, ndërsa sot u shprehën të gatshëm, por duke kërkuar që të respektohen procedurat kushtetuese. A është e mundur, sipas jush, që ky ligj të kalojë nesër apo pasnesër?
Lulzim Basha: Absolutisht jo sepse këtë e ndalon kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Ky është një komunikim që unë e kam patur me partnerët tanë amerikanë dhe europianë dhe do të ishte absurde që ata të mbështesnin nisjen e procesit të reformës në drejtësi duke shkelur kushtetutën e vendit. Por Partia Demokratike ka shprehur gadishmërinë e saj për të nisur punën me ekspertët e saj për të shqyrtuar draftin për vetingun në mënyrë që të mos ketë asnjë vonesë në miratimin e ligjit. Mazhoranca i është përgjigjur kësaj me një hile, e cila tashmë është sqaruar. Një furtunë në një gotë uji. Pretendohet që drafti ka qënë gati më 4 korrik ndërkohë që drafti zyrtarisht është përcjell mbrëmë, natën e mbrëmshme në orën 22:30. Ne e kemi marrë tashmë në dorëzim, ekspertët tanë tashmë po e shqyrtojnë dhe pas kësaj do të procedohet sipas hapave të zakonshëm. Pra nuk është gjë tjetër veçse një manovër e qartë politike e tipit që pengoi deri në çastin e fundit konsensusin me Partinë Demokratike, ndonëse Partia Demokratike prej fillimit ishte zotuar për një mbështetje totale të reformës në drejtësi sipas vlerave dhe parimeve perendimore të mishëruara në rekomandimet e Venecias, në propozimin hibrid të ndihmës-sekretares Nuland, dhe me vërejtjet e komisionerit Hahn…por kjo tashmë ka marrë fund. Ka marrë fund. Është pjesë e një historie që duhet të shqyrtohet me kujdes për të parë përgjegjësitë e palëve. Rezultati është historik. Ndryshime kushtetuese unanime nga kuvendi i Shqipërisë. Shpartallim i një komploti për të përjashtuar opozitën dhe një consensus, i cili ndonëse u bllokua deri në çastin e fundit, përsëri triumfoi, sepse triumfoi vullneti ynë, dhe ranë poshtë të gjitha manovrat politike, të cilat kanë qënë prej fillimi, pengesa e vetme për të arritur edhe më herët në një konsensus sipas Venecias.
Zëri i Amerikës: Le të përqëndrohemi ju lutem tek këto shtatë ligjet dytësore ose ligjet shoqëruese siç mund t’i quajmë.. Pra projektligjet shoqëruese të ndryshimeve kushtetuese, kanë qënë gati që përpara, pasi ato edhe janë miratuar në mënyrë të njëanshme dhe ju vetë u keni bërë thirrje ekspertëve tuaj të Partisë Demokratike që të fillojnë punën për to. Ndryshimet që ju iu referuat kanë të bëjnë me ndryshimet që iu bënë draftit kushtetues, projekt-kushtetutës që u miratua në parlament. Pra bëhet fjalë për ndryshime të vogla. Pyetja ime për ju është kjo: A mendoni, a keni ju shqetësime të thella nga projektligji të cilin e keni marrë në dorë? A duhet t’i bëhen ndryshime të mëdha?
Lulzim Basha: Projektligji na është vënë në dispozicion mbrëmë, orët e vona të natës. Ekspertët tanë po e shqyrtojnë dhe menjëherë në mënyrë transparente do të bëhen të qarta të gjitha sygjerimet dhe kontributi i Partisë Demokratike për projektligjin.
Zëri i Amerikës: Pra, sipas jush, ky projektligj që ju është vënë në dispozicion mbrëmë, ka ndryshime të mëdha nga projektligji që ju është dorëzuar në 4 korrik?
Lulzim Basha: S’mund t’jua them sepse na është vënë në dispozicion mbrëmë në orët e vona dhe ekspertët tanë do të mbarojnë së shqyrtuari brenda ditës së sotme ose ditën e nesërme. Sapo të jetë shqyrtuar nga ana e ekspertëve tanë, të jeni të sigurtë se do të ketë si gjithmonë një komunikim transparent, publik, për sygjerimet dhe kontributet tona. Gjithçka në bazë të rekomandimeve të Venecias, gjithçka në bazë të rakordimit me partnerët tanë strategjikë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe natyrisht dhe me Bashkimin Evropian.
Zëri i Amerikës: Në pyetjen e parë, ju iu referuat afateve kushtetuese në Shqipëri. Kam përshtypjen e keni fjalën për dy javorshin që duhet të hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese pasi ato të shpallen në Fletoren Zyrtare. Pra i bie diku nga mesi i gushtit, që ndryshimet kushtetuese të kenë hyrë në fuqi. A mendoni se ju do të jeni në gjendje në atë kohë, në mes të gushtit, për të thirrur parlamentin, që të miratohen ndryshimet e tjera, projektligjet e tjera?
Lulzim Basha: Kjo është një pyetje për kryetarin e Kuvendit, për mazhorancën. Opozita ka qenë dhe është e gatshme të sakrifikojë, siç ka bërë edhe në pushimet e dimrit, nga ditët e pushimeve zyrtare, për të kontribuar me mish e me shpirt, me ekspertizën më të mirë, me sygjerimet më të mira, për të përfunduar proçesin e reformës drejtësi për të miratuar ligjet me konsensus, siç është rënë dakort, përmes partnerëve tanë, me mazhorancën. E rëndësishme është mazhoranca mos t’i bishtojë përsëri këtij detyrimi për të punuar me konsensus dhe mos të punojë me hile por të punojë me transparencë dhe me vullnet për t’i dhënë shqiptarëve ligjet e miratuara me konsensus.
Zëri i Amerikës: Pyetja ime nuk kishte të bënte në fakt me thirrjen e parlamentit; padyshim që atë e bën kryetari i tij. E kisha fjalën që a do të jetë Partia Demokratike e përgatitur me vërejtjet, me kritikën, me propozimet e saj deri në mes të gushtit, që në qoftë se mblidhet parlamenti, këto projektligje të miratohen atëherë?
Lulzim Basha: Po, edhe unë për këtë ju përgjigja. Edhe për këtë pjesë Partia Demokratike ka marrë dhe do të vazhdojë të marrë përgjegjësinë e saj. Absolutisht po.
Zëri i Amerikës: Zoti Basha, a shikoni në këto momente shenja të fillimit të ndonjë tensioni, siç u vu re me ndryshimet kushtetuese? Apo proçesi do të jetë më i butë këtë herë, duke pasur parasysh dhe marrëveshjet dhe koordinimin e mirë të punës që u arrit për ndryshimet e thella kushtetuese?
Lulzim Basha: Shoh përpjekje për të rikthyer tensionin nga të njëjtët që projektuan tensionin dhe përjashtimin e opozitës nga proçesi. Jam i sigurtë që ata që dështuan në këtë projekt në rrafshin kushtetues do të dështojnë në qoftë se përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë në rrafshin ligjor. Partia Demokratike është e vendosur t’u japë shqiptarëve një reformë drejtësie sipas standarteve evropiano-perëndimore, sipas standarteve amerikane. Kjo ka qenë beteja jonë prej fillimit. Ne nuk kemi patur asnjëherë asnjë mëdyshje për reformën në drejtësi. Reforma në drejtësi ka patur mbështetjen tonë të plotë, por konsensusi për të arritur reformën në drejtësi ka pasur armiq të fortë të cilët kanë bërë gjithçka për ta përjashtuar opozitën. Ndaj është rasti të falënderoj nga zemra edhe njëherë Sekretarin Kerry, në veçanti Ndihmës-Sekretaren Nuland, Kongresin Amerikan, Kryetarin e Komitetit për Evropën Dana Rohrabacher, zv. presidentin e delegacionit në NATO Robert Aderholt, kongresmenin David Jolly, padyshim dhe ambasadorin Lu, ndihma e të cilëve e bëri të pamundur realizimin e këtij projekti destabilizues për Shqipërinë, dhe i dha shqiptarëve një reformë në drejtësi, një draft kushtetues të miratuar me konsensus të plotë nga opozita, e cila, siç u shprehën, Ndihmës-Sekretarja Nuland, Kancelarja Merkel, komisioneri Hahn, Instituti Republikan, presidenti Green, dje pati përmirësime thelbësore për shkak të përfshirjes së opozitës, për shkak të qëndrimeve tona. E në këtë kuptim, nuk është fitore e Partisë Demokratike, nuk është fitore e Lulzim Bashës, është fitore e çdo shqiptari pavarësisht bindjeve politike, që falë betejës tonë, falë qëndrimit tonë, edhe përballë presioneve absurde, të pajustifikueshme, ne insistuam për një draft kushtetues i cili pengon kapjen politike të drejtësisë nga ky kryeministër dhe çdo kryeministër tjetër në të nesërmen, respekton të drejtat dhe liritë e njeriut, dhe i jep shqiptarëve shansin për një drejtësi që lufton dhe nuk mbron krimet e korrupsionin. Zbatimi natyrisht është kyçi. Zbatimi është ai që do të përcaktojë nëse reforma do të ketë sukses. Së pari, duhet të zbatohet ligji për dekriminalizimin…
Zëri i Amerikës: Zoti Basha, më falni. Më duhet t’ju falënderoj se po mbaron koha satelitore me Filadelfian.
Lulzim Basha: Ateherë më lejoni para se ta mbyllim t’ju them që beteja tjetër e zgjedhjeve të ndershme na pret, dhe unë pres me kënaqësi ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Sekretarit Kerry, Ndihmës-Sekretares Nuland dhe Bashkimit Evropian për këtë betejë që do ta fitojmë njësoj si betejën për dekriminalizimin dhe atë për reformën në drejtësi.
Zëri i Amerikës: Zoti Basha, faleminderit.
Lulzim Basha: Faleminderit ju.
Komentet