Në Shqipëri kryetari i Partisë demokratike Lulzim Basha sulmoi sot me tone të ashpra ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve duke e cilësuar atë si një projekt mafioz që synon t’ja dorëzojë sistemin e Drejtësisë kryeministrit Edi Rama. Zoti Basha tha se në këtë projekt janë përfshirë dhe diplomatë të lartë në Tiranë, duke ju referuar qartazi ambasadores së Delegacionit të Bashkimit europian Romana Vlahutin.
Ndërsa parlamenti votoi mbrëmë për ngritjen e Komisionit të posacëm i cili duhet të bëjë përzgjedhjen e anëtarëve të strukturave që do të realizojnë procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë, kreu i opozitës foli me tone të forta kundër ligjit të hartuar për këtë proces. Edhe më parë zoti Basha është shprehur për nevojën e rishikimit të ligjit, por sot ai e cilësoi atë si “një projekt mafioz, ku janë përfshirë diplomatë të lartë në Tiranë për llogari të Edi Ramës, kanë marrë peng ekspertët e BE-së. Gjithcka është bërë me një qëllim, jo për të ndihmuar Shqipërinë për të pasur gjyqtarë e prokurorë të pavarur e të pastër, për të cilët Shqipëria ka nevojë, dhe për të cilët opozita lufton tash e dy vjet, por për ti dorëzuar drejtësinë Edi Ramës. Ky ka qenë projekti. Një projekt jo Pro-Shqipërisë, por pro-Edi Ramës . Një projekt kundër interesave të shqiptarëve të ndershëm, kudo ku janë”.
Në fakt ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka patur një mbështetje të hapur si nga ambasadori amerikan Donald Lu ashtu dhe ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit europian Romana Vlahutin. Zoti Basha nuk përmendi emra po u duk qartë se ai i referohej pikërisht ambasadores Vlahutin kur tha se “së shpejti, ora do të vijë kur do të japin përgjegjësi demokratike në një institucion demokratik, sic është BE-ja”
Përfaqësuesit e opozitës, që në fazën e hartimit të ligjit për rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve kundërshtuan një pjesë të mirë të projektit të hartar kryesisht nga ekspertët e Euraliusi-it, programit europian të asisitencës ligjore. Propozimet e tyre u hodhën poshtë. Më pas Partia Demokratike u ankua në gjykatën Kushtetuese e cila nga ana e saj kërkoi dhe opinionin e Komisionit të Venecias. Ky institucion e gjeti tekstin e ligjit në përputhje me Kushtetutën shqiptare dhe më pas të njejtin vlerësim dha edhe Gjykata Kushtetuese në Shqipëri.
Bojkoti i parlamentit nga ana e opozitës ka bllokuar procesin e rivlerësimit i cili konsiderohet si kushti kryesor që vendi të mund të shpresojë hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin europian
Komentet