“Unë e siguroj se do ti mbyllim çdo derë instalimit të oligarkisë dhe për t’i hapur rrugë një demokracie pjesëmarrëse. “- tha kreu i PD-së.
TIRANE – Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi një takim 30 minutësh, në hotel “Rogner” me sekretarin amerikan të shtetit John Kerry. Detaje të bisedës me sekretarin Kerry i bëri publike vetë shefi i opozitës në një deklaratë për mediat.
Zoti Basha shprehu mirënjohje për vëmendjen që sekretari amerikan i kushtoi opozitës, duke e cilësuar si një shenjë besimi të madh tek Partia Demokratike. Basha tha se e siguroi John Kerry-n se opozita do të vijojë të jetë në krye të përpjekjeve për ruajtjen dhe konsolidimin e standardeve demokratike, të shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut.
“Në këtë moment kyç për demokracinë shqiptare, falënderimet e mia më të përzemërta për sekretarin Kerry, SHBA, administaratën e presidentit Obama për mbështetjen e jashtëzakonshme që u ka dhënë dhe vazhdon tu japë shqiptarëve. PD do vazhdojë të jetë në krye të përpjekjeve për ruajtjen dhe konsolidimin e standardeve demokratike të shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut. Si në qeverisje dhe opozitë PD mbetet e përkushtuar ndaj këtyre vlerave, jo vetëm me fjalë por edhe me vepra. Ecim përpara me reforma shumë të rëndësishme, siç është reforma në drejtësi, në përputhje me rekomandimet , standardet, normat e pranuara bashkërisht, siç janë ato të komisionit të Venecias, dhe çështja kyçe e demokracisë shqiptare, çështja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për të cilat opozita kërkon angazhimin a partnerëve tanë”- deklaroi Basha.
“Sigurisht pati dhe çështje të tjera, 25 vjetori i marrëdhënieve diplomatike dhe çështje të tjera të bashkëpunimit me SHBA. I jam mirënjohës sekretarit Kerry që ndau kohën për të bashkëbiseduar me opozitën, unë e konsideroj një shenjë besimi të madh tek PD. Unë e siguroj se do ti mbyllim çdo derë instalimit të oligarkisë dhe për t’i hapur rrugë një demokracie pjesëmarrëse. “- tha kreu i PD-së.
Komentet