Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka thirrur një ditë pas takimit me Kryeministrin Rama, Grupin e tij Parlamentar. Për më shumë se 60 minuta, kreu i PD-së ka informuar Grupin Parlamentar në lidhje me takimin me kreun e qeverisë, por edhe ka sqaruar pozicionin e opozitës për Reformën në Drejtësi.
Pavarësisht se ka shprehur bindjen e tij se asnjë nga deputetët e Grupit Parlamentar të PDsë nuk do të votojnë një draft të ofruar nga Kryeministri Rama, kreu i PD-së dha një mesazh të qartë se qoftë edhe një votë e vetme e opozitës do të çonte drejt fundit parlamentarizmin.
Basha foli për një djegie të mandateve të deputetëve të opozitës, nëse përmes makinacioneve politike kreu i qeverisë do të tentojë të marrë deputetë demokratë për të votuar draftin e ofruar prej tij.
Me një gjuhë kritike dhe të ashpër kreu i PD-së, Lulzim Basha, por edhe deputetë të tjerë të Grupit Parlamentar janë shprehur për rolin e ambasadorëve të huaj në Shqipëri.
Kreu i opozitës, Basha, foli për deklarata të përgatitura në zyrën e Kryeministrit Rama dhe të dërguara drejt BEsë nga ambasadorja e BE-së në vendin tonë, Romana Vlahutin. Sipas kreut të PD-së, Mogherini nuk mund të imponojë formulën prej 2/3 të zgjedhjes së anëtarëve në sistemin e drejtësisë.
Deputeti Eduart Selami ka qenë i vetmi që ka shprehur rezerva në lidhje me këto qëndrime, pasi, sipas tij, përmes tyre PD-ja mund të përfshihet në një përplasje me faktorin ndërkombëtar.
DEBATI
Lulzim Basha: Kërkova këtë mbledhje jashtë radhe për të informuar Grupin Parlamentar në lidhje me takimin që zhvillova një ditë më parë me Kryeministrin e vendit. Siç edhe e kemi shprehur publikisht, shkuam në takim për të gjetur zgjidhje vetëm për një çështje që ka ngelur pika e vetme që na ndan me maxhorancën për të kaluar Reformën në Drejtësi. Por përballë u gjendem me një kompleksim të panatyrshëm nga përfaqësuesit e maxhorancës. Dhe ishte e qartë se ky kompleksim vinte për shkak se Fatmir Xhafaj e kishte parapërgatitur takimin që ai të ishte i dështuar dhe më pas shefi i tij të ligjëronte ato që kishte në letrën që mbante në xhep. Po çfarë kërkoi opozita në atë takim? Asgjë, e theksoj asgjë më shumë se ato që kemi dakordësuar dhe kemi rakorduar me faktorin ndërkombëtar. Ai që prisnim ne të ishte element zhbllokues në procesin e emërimit të anëtarëve në sistemin e drejtësisë, po krijon bllokimin. Duhet të jemi të qartë se përmes votimit me 2/3 nuk shprehet vullneti i opozitës. Përmes kësaj formule, nëse ruhet arkitektura aktuale, Këshilli i Emërimeve, i cili do të jetë nën ndikimin e Kryeministrit, do të sjellë në Parlament në shumë raste vetëm kandidatura me vokacion të majtë. Ndërkohë që me modelin e “vendeve të rezervuara” ne kemi mundësinë të sjellim dy kandidatura, maxhoranca ka të drejtë të sjellë tre. Kjo nuk është një formulë të cilën e kemi kërkuar ne, përkundrazi është ofruar nga faktori ndërkombëtar. Madje dua t’ju njoftoj se ka pasur edhe një parabisedim për këtë çështje, siç më kanë njoftuar ambasadorët, në të cilin Rama ka rënë dakord. Pas rekomandimeve të dhëna nga Komisioni i Venecias, konsensusi politik në kushtet e një opozite që nuk ka 3/5, mund të realizohet me disa forma. Një nga këto forma është ajo e “vendeve të rezervuara”. PD-ja, sipas konsensusit, duhet të zgjidhte një nga këto. Pra është rekomanduar nga ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin, na thoni ju një nga variantet dhe ne ia imponojmë Ramës. Opozita ka thënë se ne jemi për vende të rezervuara. Është e gjitha e dokumentuar edhe në komunikimin elektronik që kemi pasur. Në datën 3 shkurt të këtij viti, ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu, na ka dërguar me e-mail me 5 opsione ku një nga modelet ishte edhe ai i vendeve të rezervuara. Sërish përmes rrugës elektronike, 11 ditë më pas, ne kemi kthyer përgjigje duke theksuar se zgjedhja jonë janë vendet e rezervuara. Tri ditë pas vendimmarrjes sonë, pra në datë 17 shkurt, ambasadorët ia kanë përcjellë këtë qëndrim edhe PS-së. Përgjatë bisedave është theksuar se Kryeministri Rama ka rënë dakord me këtë fakt, duke pranuar se nëse opozita kërkon vendet e rezervuara, ai do t’i japë vendet e rezervuara. Ndërkohë, dua të theksoj se deklaratat publike të Mogherini-t i kam parë tërësisht jokorrekte. Nuk mundet shefja e politikës së Jashtme të BE-së t’i imponojë opozitës vendimmarrjen e zgjedhjes së anëtarëve në sistemin e drejtësisë. S’mund të quhet konsensus politik një vendim i imponuar. Kemi ambasadoren e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, e cila në gjykimin tim nuk është korrekte për mënyrën se si i parashtron qëndrimet e opozitës. Për më tepër edhe për mënyrën se si kërkon të imponohet në emër të “ndërkombëtarizmit” me dokumente të shkruara në zyrat e Ramës.
Eduard Selami: Kryetar unë e kuptoj qëndrimin që opozita ka për Reformën në Drejtësi dhe gjykoj se parashtrimet tona janë të sakta. Por kjo gjuhë që përdorim me ndërkombëtarët, mos është shumë e ashpër? Mos ndoshta kjo gjuhë do të na çojë në një përplasje ne si PD me aleatët ndërkombëtarë? Unë jam që të gjithë deputetët e Grupit Parlamentar, përmes një komunikimi të vazhdueshëm, të shpjegojnë se PD-ja ka të drejtë për ato që kërkon dhe parashtron për Reformën në Drejtësi.
Lulzim Basha: Jo z.Selami, nuk është qëllim as imi, por as i Partisë Demokratike të përplasemi me faktorin ndërkombëtar. Por e thashë edhe më parë, çdo komunikim që kam pasur me aktorët që janë angazhuar në negociata, e kam të dokumentar dhe nëse do të jetë nevoja për hir të transparencës, do ta bëj edhe publike. Ndihmëssekretares së Shtetit, Victoria Nuland dhe këshilltarit të Kancelares Merkel ua kam bërë të qartë se modeli i “vendeve të rezervuara” është diçka e propozuar nga ekspertët e “Venecias” dhe është pranuar edhe nga Kryeministri Rama. Kanë qenë ambasadorët që na garantuan se do t’i imponohen me forcë Ramës për zgjedhjen që do të bëni ju. Ne zgjodhëm vendet e rezervuara, ndërkohë që Vlahutin nuk ka qëndrim korrekt.
Sali Berisha: Ne duhet të kuptojmë diçka që, pavarësisht qëndrimeve që mbajmë, institucionet ndërkombëtare na gjykojnë mbi bazë të materialeve që nisen nga ambasadorët që kanë në vendin tonë. Diplomatja në fjalë në gjykimin tim i “shkruan” keq qëndrimet e opozitës. Është një njeri që nuk komportohet në mënyrë objektive në transmetimin e gjykimeve të opozitës. Siç e thashë, pavarësisht sa sqarues jemi ne, me rëndësi janë letrat që shkruhen në zyrat e Ramës dhe që nisen drejt BE-së.
Arben Imami: Duhet të ridimensionohet diplomacia. Ka një moment që ne si forcë politike të vijmë me një qëndrim konkret kundër kësaj diplomateje. Ajo duhet të objektivizohet dhe duke përcjellë qëndrime korrekte. Ne nuk mund të jemi në varësi të saj. E kam thënë dhe po e përsëris se jemi vend sovran. Në fund të fundit, po flasim për ndryshime kushtetuese që na përkasin ne. Nuk mund të imponohet kjo ambasadore me qëndrimet e saj.
Lulzim Basha: Ne nuk do të heqim dorë nga modeli i “vendeve të rezervuara”. Kemi qenë dhe jemi për një Reformë të drejtë në Drejtësi. Secili duhet të sqarojë pozicionin e opozitës, e cila ndryshe nga balta mediatike e qeverisë, do që të këtë reformë dhe kërkon ta votojë atë. PDja nuk atakon dhe nuk ka asnjë vërejtje për institucionet që do të merren me hetimin dhe gjykimin e politikanëve. Për këto institucione, PD-ja ka dhënë dakordësinë që të miratohen siç janë. Pra për BKH, SPAKUN dhe Prokurorin e Posaçëm, PD-ja ka shprehur që në krye të herës dakordësinë e saj. Këto tre institucione nuk preken nga votimi 2/3 apo 3/5. Por ne nuk mund t’i japin Edi Ramës drejtësinë në duart e tij. Votat e opozitës nëse Rama do të vijojë me formulën e tij 2/3, do të jenë kundër. Unë kam bindjen se asnjë deputet i Partisë Demokratike nuk do të çedojë nga ky vendim. Por, nëse qoftë edhe një deputet i vetëm i opozitës do të votojë një draft, i cili nuk do të ketë konsensusin tonë, atëherë parlamentarizmi në Shqipëri do të marrë fund. PD-ja do të kalojë në një përballje totale, duke shkuar drejt djegies së mandateve dhe të heqjes nga jeta politike në të gjitha institucionet kushtetuese që ka përfaqësinë e saj dhe nga parlamenti, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.
JUXHIN MUSTAFARAJ
Komentet