Loja e Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt për të dëmtuar demokratët po prishet këtë herë nga vetë kandidatët që donin të fusnin më 14 maj. Pasi nuk arritën të plotësonin listat për 61 bashki, sot në ditën e dorëzimit në KQZ, janë tërhequr edhe kandidatët nga të paktën 4 bashki. Kandidati i Korçës Gjergji Gjata së bashku me 40 kandidaturat për këshilltar kanë njoftuar tërheqjen e parevokueshme. E njëjta praktikë është ndjekur edhe nga kandidatët në Lezhë, e Librazhd. Tërheqje kishte edhe nga bashkia e Kurbinit, edhe pse më herët u deklarua për pjesëmarrje. Ndërsa kandidati i Vorës, Ibrahim Bruka nuk është regjistruar në KZAZ.
SYRI TV
Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj nuk arrijnë as të plotësojnë listat e kandidatëve për kryebashkiak apo këshilltarë në 61 bashkitë e vendit. Por duket se loja po i prishet edhe në ato bashki, ku ky grupim që për llogari të Edi Ramës mban peng vulën e Partisë Demokratike.
Fillimisht, me sforco u deklarua në media se do të merrej pjesë në 18 bashki, ku do të kishte kandidatura për kryebashkiakë e këshilltarë për të përçarë votën e demokratëve.
Por në ditën që Enkelejd Alibeaj dorëzoi listat e kandidatëve për këto bashki, nisën braktisjet, që siç deklarohet nga vetë kandidatët, shkak ishin pazaret, lojrat e ndërhyrjet në listat e gatuara në zyrat e Bashës dhe Alibeajt.
Deri tani janë tërhequr kandidatët e artikuluar nga grupi i Alibeajt për 4 bashki, por pritet të vijojnë edhe në bashkitë e tjera.
Sapo në KQZ u dorëzua lista me kandidatët për bashkinë e Korçës, nga demokratët atje u deklarua se ata nuk do të bëhen pjesë e farsës Basha-Alibeaj.
Me anë të një njoftimi të shpërndarë për media kandidati Gjergji Gjata deklaroi se ai së bashku me 40 kandidatët për këshilltarë Bashkiakë tërhiqet nga gara.
Ju informojmë se unë si kandidati për Kryetar i Bashkisë Korçë dhe 40 kandidatë për Këshillin Bashkiak, të partisë politike PDSh, tërhiqemi nga gara elektorale (në mënyrë të parevokueshme) për Zgjedhjet Vendore 2023, për mungesë të procedurave vendimmarrëse në organet drejtuese të PDSh lidhur me kandidimet, si dhe për shkelje të integritetit dhe dinjitetit të të gjithë kandidatëve, cenuar nga vendime personale dhe jo kolegjiale. Urojmë më të mirën për Korçën dhe suksese për kandidatët më të mirë në të gjithë vendin. (Procedurën zyrtare do e kryejmë sipas rregullave që parashikon ligji, pranë KQZ).
Gjergji Gjata
Po të njëjtin veprim e kanë bërë fakt deri më tani edhe kandidatët e njoftuar më herët për bashkinë e Lezhës Sandër Marku si edhe ai i Kurbinit, Genc Doçi.
Po ashtu edhe Bujar Vreto në Librazhd është tërhequr nga gara.
Për Syri Tv, Vreto u shpreh se nuk ka dorëzuar as dokumentet që më pas të kryhet regjistrimi në KQZ, e këtë e ka bërë për të mos demëtuar demokratët.
Sakaq, mësohet se edhe kandidati i Alibeajt në Vorë, Ibrahim Bruka nuk është regjistruar për zgjedhjet e 14 majit.
Por këto bashki duket se janë vetëm fillimi, pasi edhe në bashki të tjera, kandidatët kanë evidentuar përdorimin për interesa personale nga dyshja Basha-Alibeaj që do të sillte pasoja për demokratët.