*** Të mos çuditemi se çfarë s’po ndodh sot, në trend janë antivlerat erozive, të cilat po i ngulfasin vlerat e mirëfillta universale të njerëzimit. Prandaj, nuk është çudi, që një ditë, mund të kandidohet për “çmimin nobel” edhe Nexhmedin Spahiu, baba i “kombit kosovar” inekzistent, e jo bardi ynë i krijimtarisë letrare shqiptare, i merituar dhe i mirënjohur në dimensione botërore, Ismail Kadare, propozimi i të cilit po pret qe disa vjet në “sporetlin” e zyrës së Akademisë së Shkencave të Suedisë, që shkrimtari dhe poeti ynë me famë kombëtare dhe ndërkombëtare, të laurohet me Çmimin Nobel, jo ata që nuk e njohin kombin shqiptar dhe vlerat e tij, sikurse N. Spahiu me “kombin kosovar”.
-Mirëpo, shpresojmë se një befasi e tillë nuk ka për të ndodhur kurrë, sepse ai që e mohon kombin e vet, nuk e njohin as kombet e tjera e as kombi i vet.
-Fundja, kush do ta propozojë “autorin” e “kombit kosovar”, kur këtë projekt fallso dhe të imagjinuar, pikësëpari nuk e mbështesin akademitë shkencore shqiptare (Tiranë, Prishtinë, Nju-Jork), as qeveria e Kosovës, as qeveria e Shqipërisë, as elita akademike shqiptare, as elita politike shqiptare, asnjë parti, asnjë lëvizje, si dhe asnjë subjekt politik shqiptar as brenda e as jashtë trojeve të Shqipërisë Etnike. Kjo është dëshmia më e saktë dhe e parrëzueshme se “kombin kosovar” nuk e njeh as kombi shqiptar, as shkenca e as dy shtetet ekzistuese shqiptare (Shqipëria dhe Kosova).
Prandaj, shtrohet pyetja, nga nevoja të shkruhen “libra” antikombëtare dhe antishkencore dhe, kujt i hyjnë në shërbim ato, kur askush nuk i lexon, as nuk shpreh kurrfarë interesimi për to mbase nuk kanë kurrfarë vlere të dobishme as për shkencën, as për kombin shqiptar, as për bashkësinë ndërkombëtare të sotme, duke qenë se shqiptarët e Kosovës kanë kombin vet-kombin shqiptar, nuk kanë nevojë për kurrfarë kombi hibrid politik-kombin kosovar, të imagjinuar nga Nexhmedi Spahiu sipas modelit të “kombit jugosllav” (1945-1990).
Kombi shqiptar, as Plani i Ahtisarit, nuk njohin kurrfarë “kombi kosovar”, as “protektorë” e as “heronj” të tij
“Kombi kosovar” nuk ka asnjë të përbashkët me kombin shqiptar, as me Planin e Ahtisarit, por është një prototip imitiues politiko-propagandistik i “kombit jugosllav”, i cili, tanimë, pas shthurjes së RSFJ-së, është shuar, edhe si doktrinë, edhe si praktikë e “bashkim-vëllazërimit” titist jugosllav (1945-1990).
-Edhe sipas Planit të Marti Ahtisarit, në Kosovë ka vetëm një shtet kosovar. Këtë, para së gjithash, e dëshmojnë edhe simbolet shtetërore të Republikës së pavarur të Kosovës (Flamuri, Stema, Himni). Prandaj, N. Spahiu, këto simbole shtetërore, në asnjë formë, nuk mund t’i përvetësojë si “simbole kombëtare” dhe, t’ia atribuojë “kombit kosovar”, pavarësisht nga “sakrifica” dhe “martirizimi” i “kryeheroit” dhe i “heronjve protektorë” të tij, siç shkruan N. Spahiu në librin e tij “Foshnjëria e kombit kosovar” ( Parathënia, 2014).
Cilët janë “heronjtë” dhe “martirët” e “kombit kosovar”?
– Këtë absurdus novus, do të duhej ta dinte vetëm “kryeheroi” i “kombit kosovar”, Nexhemdin Spahiu, sepse askush tjetër në Kosovë, as në Shqipëri e as një Ballkan nuk ka njohuri të tilla, edhe pse ai shprehet kështu: “ Si mund të ekzistojë dhe të funksionojë shteti i Kosovës nëse nuk i ka heronjtë e vet, nëse nuk i ka dëshmorët e vet, nëse nuk i ka idealistët e vet të kombit kosovar (f.45)?!
Edhe në këtë pikëvështrim N. Spahiu qëllimshëm dhe, në mënyrë perfide ngatërron dhe vë në pikëpyetje heronjtë dhe dëshmorët e njëmendtë kombëtarë shqiptarë të UÇK-së, që në saje të luftës së tyre çlirimtare kombëtare dhe antikoloniale u krijua shteti i ri i Kosovës (jo, kurrfarë “kombi kosovar”), jo në saje të “heronjve” të imagjinuar dhe të “fabrikuar” në kohë paqeje nga industria mulate e “kombit kosovar” e Nexhemedin Spahiut.
Andaj si “kryeheroi”, ashtu edhe “gardianët mbrojtës” të tij, duhet të dijnë se shteti i ri i Kosovës ka heronjtë vet edhe të luftës, edhe të paqes, që nga viti 1878, e, edhe sot(2015), të cilët, në asnjë aspekt nuk mund të krahasohen me të vetëquajturit “heronj dhe martirë” fallso dhe të imagjinuar të “kombit kosovar”, edhe pse librin e tij, N. Spahiu ua ka kushtuar atyre, duke ua njohur “meritat jetësore, kombëtare e shtetërore” për mbështetjen e “kombit kosovar”: “Kjo është periudha kur kombi kosovar po dilte nga inkubatori për të shijuar foshnjërinë e tij. Është periudha kur protektorët e tij e kanë ende nën mbikëqyrje, dëgjojnë klithmat e tij të para dhe pop resin hapat e tij të parë. Libri iu kushtohet heronjve të kësaj periudhe. “ (N. Spahiu, 2014, Parathënia, pasusi 2 dhe 3).
Me gjithë këto “ëndërra të bukura” vajtuese të fantazisë së shfrenuar të N.Spahiut, i ashtuqujaturi “kombi kosovar” as gjatë luftës, as me të mbaruar lufta në kohë paqeje, nuk ka pasur as ideologë, as arkitektë, as kurrfarë luftëtarësh, as ushtarësh, as heronjsh e as martirësh të UÇK-së, as politikanësh, as akademikësh, që kanë përqafuar ose mbështetur “kombin kosovar” qoftë si ide, platform a doktrinë të filozofisë politike dhe ushtarake të tyre (as me mendje, as penë, as me pushkë, as me kurrfarë veprimi), por vetëm kombin shqiptar dhe Kosovën shqiptare të Shqipërisë Etnike. Ky ishte motivi dhe kauza e shenjtë gjithëkombëtare e heronjve, e dëshmorëve dhe e martirëve të Kosovës së djeshme dhe të sotme shqiptare (1878-2015).
Pra, me një fjalë, thjesht, “kombi kosovar” nuk ka kurrfarë “kryeheroi”, as heronj të tjerë të asnjë periudhe historike (të djeshme a të sotme), por është vetëm një shpifje, një intrigë, një kompremetim, një falsifikim dhe një armë e rrezikshme me primesa të “kombit jugosllav”, që ka për qëllim shpërfytyrimin e historisë së kombit shqiptar.. -“Heronjtë” e “kombit kosovar”, janë vetëm argatë të huaj për të minuar dhe mohuar historinë, kulturën, vlerat dhe meritat shekullore të kombit shqiptar në Ballkan. Kjo është detyra e tyre parësore. Prandaj, këta nuk mund të quhen heronj, as dëshmorë, as patriotë, as demokratë e as atdhetarë, por vetëm rrënimtarë dhe piromanë të kombit shqiptar dhe të shtetit të ri të pavarur të Kosovës.
-JO, “kombi kosovar”, por SHTETI i RI I PAVARUR I KOSOVËS ka kryeheroin e vet gjithëkombëtar shqiptar, Adem Jashari, i cili së bashku me shumicën dërrmuese të familjes Jashari dhe me dëshmorët, me heronjtë dhe me martirët e tjerë të UÇK-së nën Flamurin Kombëtar Shqiptar luftuan për çlirimin, pavarësimin dhe ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë etnike, jo, për kurrfarë “kombi kosovar” të imagjinuar dhe të “vizatuar” sipas modelit jugosllav të “kombit kosovar”.
“Kombi kosovar-kopje e kombit shqiptar”!?
-Nexhmedin Spahiu, “Foshnjëria e kombit kosovar”, Prishtinë, 2014, f.175
-Çfarë logjike absurde, po si mund të nxirret një konstatim i këtillë arbitrar dhe agnocistik se “kombi kosovar është kopje e kombit shqiptar”, kur qe shtatë vite dihet se Kosova sipas Planit të Ahtisarit nuk është “shtet-komb” dhe nuk identifikohet me simbolet e kombit shqiptar(Flamur, Stemë dhe Himn) , por vetëm “shtet i shtetasve të vet, i bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vet dhe e të gjithë individëve brenda kufijve të saj.(Neni 2).
-Jo, në asnjë element, “kombi kosovar”, nuk është kopje e “kombit shqiptar” mbase kombi shqiptar përbëhet vetëm nga shqiptarët, kurse “kombi kosovar” i imagjinuar dhe i “dizajnuar” sipas modelit të “kombit jugosllav” është multietnik, që përfshin shqiptarët, serbët, turqit, romët, ashkalinjtë, kroatët, boshnjakët, goranët, egjiptasit etj.
Gjithashtu, “kombi kosovar” nuk ka vetëm një gjuhë siç është rasti me kombin shqiptar, i cili ka vetëm një gjuhë-gjuhën shqipe. Ndërkaq, “kombi kosovar” përbëhet nga shumë gjuhë ( është multilingual) të ndryshme, siç janë gjuha shqipe, gjuha serbe, gjuha turke, gjuha kroate, gjuha rome etj.
Po ashtu, “kombi kosovar” nuk ka simbolet kombëtare: flamurin, stemën, himnin, ashtu sikurse i ka kombi shqiptar simbolet kombëtare: Flamurin, Stemën dhe Himnin.
Madje, “kombi kosovar” nuk ka të njëjtën histori, të njëjtën origjinë, të njëjtin atdhe, të njëjtin gjak, të njëjtën gjuhë, të njëjtën kulturë, të njëjtat tradita, zakone , as kurrfarë etno-simbolesh të përbashkëta me kombin shqiptar.
Epikriza e kontradiktës
Si mund të kuptohet kjo kontradiktë e Nexhmedin Spahiut, i cili, së pari, pohon se “kombi kosovar është kopje e kombit shqiptar”, kurse mëpastaj (duke harruar se çfarë ka thënë më parë), pohon të kundërtën se gjoja “bazë fundamentale e formimit të kombit kosovar, është Plani i Marti Ahtisarit”, kur dihet se Plani i Ahtisarit, në asnjë rresht të tij, nuk njeh kombin shqiptar, as simbolet e tij kombëtare (Flamurin, Stemën dhe Humnin), as kurrfarë kombi tjetër të ashtuquajtur “kosovar”, por vetëm shtetin dhe shtetasit e tij kosovarë.
Prandaj, nuk duhet shpifur as kombin shqiptar e as Planin e Ahtisarit, sepse asnjëri, e as tjetri nuk janë kurrfarë “bazamenti” as kurrfarë kopjeje e të ashtuquajturit “komb kosovar”, të imagjinuar nga Nexhmedin Spahiu, sepse Republika e Kosovës sipas Planit të Ahtisarit, nuk përmban kurrfarë simbolesh kombëtare , por vetëm simbole shtetërore me të cilat identifikohen të gjithë shtetasit e saj, jo kurrfarë “kombesh”, as atij shqiptar e as atij, të ashtuquajturit “komb kosovar”.
Pra, për të mos rënë njëqind herë në të njëjtat gabime, N. Spahiu, do të duhej të bënte dallimin e qartë të koncepteve “shtet” dhe “komb”.
Si mund të ketë “komb kosovar”, kur atij, para së gjithash i mungojnë simbolet kombëtare dhe ato shtetërore (Flamuri, Stema, Himni), sepse simbolet ekzistuese të Republikës së Kosovës, nuk janë simbole as kombëtare e as shtetërore e të ashtuquajturit “komb kosovar”, por janë pronë e patjetërsueshme vetëm e shtetit të ri kosovar(2008), të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës (15 qershor 2008), e cila në asnjë dispozitë, në asnjë nen dhe në asnjë paragraf të saj, nuk thekson “kombin kosovar”, në asnjë kuptim, as kombëtar, as ligjor, as kushtetues e as demokratik.
Së këndejmi, N. Spahiu dhe askush tjetër, në asnjë mënyrë, nuk mund të argumentojnë qenësinë e “kombit kosovar”, duke u bazuar në simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës, sepse ato nuk njohin as kombin shqiptar në Kosovë, lere më një “komb kosovar” të shpifur dhe të imagjinuar politik, që ka për qëllim shkyerjen dhe mohimin e kombit shqiptar në Ballkan.
Komentet