Temat Kryesore
- Violinisti i njohur vjen për herë të parë menjë koncert recital në Teatrin e Operas dhe Baletit. Planet e tij për performanca të tjera në skenat shqiptare
Me violinën e vitit 1742, Shkëlzen Doli vjen sonte në një koncert recital në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Ndonëse pas koncertit të Vjenës, është hera e dytë që ai vjen në Tiranë, pas pjesëmarrjes së tij te “Tre Tenorët”, nuk i ndahet “zakonit”. Edhe kësaj here ka zgjedhur që perlat e muzikës klasike t’i kombinojë me muzikën shqiptare, ashtu sikurse mbahet mend nga spektatorët me performancën e tij në Koncertin e Vjenës, ku bëri të ndihen krenarë shumë shqiptarë në mbarë botën. “Baresha” e Rexho Mulliqit vjen për herë të parë e interpretuar prej tij, nëpërmjet përpunimit për violinë që i ka bërë muzikanti Gerti Druga. Doli, dje, për këtë bashkëpunim u shpreh: “Do të përhiqem që në çdo koncert, sipas rastit, të ndërthur nga një perlë të muzikës shqiptare me ato klasike”.
Duke shtuar më tej, se kësaj here zgjodhi “Bareshën” krahas Moxartit. “Muzikanti dhe kompozitori Gerti Druga ka bërë një përpunim të ‘Bareshës’, por në të ardhmen mendoj që të kem një koncert, që të mbahet vetëm me perlat shqiptare, për të cilat do të angazhohet një orkestër më e madhe”, shprehet ai. E teksa shton më tej se “Baresha” vjen bukur dhe me një uverturë nga “Dasma e Figaros”, koncert për violinë nr.5 e Moxartit dhe simfonia nr.5 e Bethovenit. “Kësaj here mendoj që të prezantoj një Moxart më ndryshe.
Një Moxart që e kam mësuar te Filarmonia e Vjenës, e cila vlerësohet për një traditë të lashtë, prandaj vendosa ta interpretoj këtu, që të vëzhgohet dhe nga shpirtrat shqiptarë”. Ndërsa emocionet tij janë të forta edhe për pjesën e Moxartit, sepse me të ka fituar audicionin në Filarmoninë e Vjenës ai premton se: “Me Moxartin kam fituar audicionin në Filarmoninë e Vjenës, kështu që emocionet janë të përziera me konkursin. Pavarësisht se këtu unë vij për publikun, për ta kënaqur atë, jo si konkurrent. Besoj që vetëm të jap dhe të marrë ndjenja pozitive prej tyre”.
Doli nuk rri pa u rikthyer edhe njëherë te Koncerti i Vjenës, te realizimi i tij. “Ideja për të bërë muzikë shqiptare në Koncertin e Vjenës ishte tërësisht imja. Kam disa vjet që punoj me muzikën shqiptare, duke e eksploruar atë, por më parë nuk kisha shumë mundësi për të arritur të bëja atë që bëra. Unë dua të bëj një gjë të bukur, që gjithë bota të mahnitet dhe me këto pjesë të mburret dhe orkestra, që është e një niveli të lartë”. Një koncert për bamirësi, por çmimi i biletës për njerëzit e thjeshtë është i kripur, sikurse dhe për disa artistë. “Është vendosur që të ardhurat nga ky koncert të shkojnë për bamirësi, prandaj jo çdokush mund ta ketë mundësinë që ta shikojë nga afër.
Pyetjes se kur do të ketë një koncert për komunitetin e artistëve, ai iu përgjigj: “Me sa di unë, është bërë që të ardhurat të jenë sa më të shumta dhe të shkojnë për bamirësi, për fëmijët, por do të mblidhemi pas koncertit dhe do të bëjmë një koncert për dëshirën tonë”, sqaroi Doli. Ndërkohë biletat ndryshojnë nga 1000-1500 lekë. Drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit, Ilir Kerni, duke vlerësuar pjesëmarrjen e Dolit, u shpreh: “Këtë sezon e mbyllim me violinistin, që jo vetëm i bën nder teatrit, por jehona që ka pasur pas Koncertit të Vjenës do të jetë dhe këtu. Pavarësisht se jehona që Doli do të ketë në teatrin tonë është tjetër, jo si në Teatrin e Vjenës, sepse dashuria që ai do të marrë nga publiku ynë është ndryshe”, përfundoi ai.
Shkëlzen Doli (violinist)
I lindur në Shqipëri dhe i rritur në Kosovë, në një mjedis artistik, ai ka nisur eksperiencat e tij të para në fushën e muzikës në moshë shumë të re, duke interpretuar muzikë popullore shqiptare. Talenti i tij është zbuluar nga disa muzikantë profesionistë, të cilët e ftuan të studionte në Akademinë e njohur Muzikore të Novi Sadit, e cila në atë kohë ishte shkolla më e mirë e violinës në vend. Në moshën 17-vjeçare fitoi çmimin e parë në Konkursin Kombëtar të Muzikantëve të Rinj në Jugosllavi. Nën drejtimin e Prof. Ewgenia Chugaeva, Shkëlzen Doli ndërtoi themelet e muzikës së tij, bazuar në disiplinën dhe virtuozitetin e shkollës së famshme ruse të violinës.
Shumë shpejt Vjena u kthye në shtëpinë e tij të re artistike dhe aty vlerësohet jo vetëm për shkathtësinë e tij me instrumentin e violinës, por gjithashtu për njohuritë e tij të gjera mbi muzikën autoktone ballkanike dhe të pjesës lindore të Mesdheut. Interpretimi me Filarmoninë e Vjenës dhe me Orkestrën e State Opera të Vjenës e kanë rritur ndjeshmërinë e këtij muzikanti të ri në drejtim të interpretimit mjeshtëror të kompozitorëve klasikë dhe romantikë, duke formuar përfundimisht edhe shijet e tij muzikore.
Përveç interpretimeve të shumta si solist, Shkëlzen Doli ka interpretuar me formacione shumë të njohura të muzikës së dhomës në Filarmoninë e Vjenës, si p.sh “Wiener Virtuosen”, “Toyota Master Players”, “The Philharmonics”, si dhe të muzikës bashkëkohore si “Ensemble Wiener Collage”. Gjithashtu ai ka zhvilluar shumë turne në Evropë, Amerikën e Veriut, Afrikë, Izrael dhe Japoni. Shkëlzen Doli së fundmi ka ngritur grupin e tij të muzikës së Dhomës; i bazuar në një kuartet piano “Philharmonic Ensemble – Vienna”.
Komentet