-Intervistë e ing. elektroenergjitik Bardhok Rajta i Lurës, bashkëautor i projekteve të rreth 70 HEC-eve kudo në Shqipëri dhënë publicistit, studiuesit e poetit të njohur Nikollë Loka –
NË JETË KAM BËRË ZGJEDHJEN E DUHUR
-Përshëndetje Bardhok! Ju tashmë jeni në prag të 70 vjetorit të lindjes. Si çdo njeri, edhe ju e keni kohën për të bërë një bilanc. Ju pëlqen t’i bëni llogaritë e jetës?
Përshëndetje i nderuar Nikollë!
Së pari duke ju falenderuar për këtë intervistë mbi jetën time, tani 70 vjeç, më futët në fushën e kujtimeve, të cilat fillojnë nga fëmijëria e herëshme dhe vijnë deri në këtë ditë. Nuk e kam menduar ndonjëherë, në kuptimin e ngushtë, llogarinë e jetës sime, por mendoj se natyrshëm kam marrë pjesë me kurajo, besim dhe këmbëngulje në rrjedhën e këtyre 70 viteve; mbështetur në edukimin familjar nga im Ate, Lekë Rajta dhe e shenjta Nana ime Marta, trungu nga rrjedh (kulla e madhe e Prengë Mark Rajtës), si dhe krahina ime LURA, krenaria jonë e përjetëshme e sigurisht mbështetur edhe në formimin tim arsimor; kulturor dhe professional, që për kohën e mendoj të plotë edhe të gjithanshëm.
-Keni kaluar një fëmijëri të bukur, në mes të qytetit dhe fshatit, familjes së ngushtë në Peshkopi dhe familjes së gjërë në Krejë. Na i sillni përshtypjet tuaja nga këto dy mjedise familjare dhe si kanë ndikuar te ju?
-Po zotni, unë kam lindur më 13 Qershor 1949, në odën me sharapoll, të kullës së madhe të Zef Prengë Rajtës, gjyshit tim në Krejë-Lurë, në ditën e Shna Ndoit. Për arsyen se babi im Lekë Rajta që nga viti 1944 kur kishte dalë në luftë kundra pushtuesve dhe deri pas vitit 1950 kaloi me detyra të ndryshme në qarkun e Dibrës, unë e kalova fëmijërinë e herëshme nën kujdesin hyjnor të nanës time Marta; gjyshes time Mrika e Zef Prengës (siç e thërrisnin të gjithë); të Tatës, siç e thërrsnim gjyshin dhe të xhaxhallave të mi, Lalë Gjergjit të mrekullueshëm e gjithnjë të qeshur; Lalë Jakut zemërbardhe e bujar sa me nuk ka e më të voglit, që ishte vetëm 10 vite para meje, Lalë Franit, përjetësisht i lidhur dhe i përkushtuar me kullën, edhe për shkak të sëmundjes së tij të herëshme, si dhe dy grave të xhaxhallarëve të mi, Mrikës së Gjergjit dhe Martes së Jakut, të cilat ndaj meje kanë treguar gjithë jetën kujdes të veçantë.
-Megjithëse fëmijë, unë kam të regjistruar në kujtesen time dashurinë dhe kujdesin e çdo kushërini të barkut të Marka Rajtës, të cilët edhe për arsye se isha dhe mbeta fëmijë i vetëm i Lekës, me trajtonin me dashuri dhe kujdes të veçantë deri në tepri, duke më bërë që të ndihesha si më i përkëdheluri i të gjithëve. I kam të pashlyera ato vite të kaluara në kullë, kur pothuajse përditë vinin njerëz, kushërinj e bashkëfshatarë për kafen e mëngjezit, shokë dhe miq, udhëtarë të njohur e të panjohur, nipa e mbesa. Veçanërisht në ditët e shënuara dhe festat fetare e krahinore, vendi gumëzhinte si për darsëm.
-Në këtë kullë kam marrë informacionin e parë njerëzor për të gjithë zonat verilindore të vendit tone, që nga Mirdita, ku ishin shumë të fuqishme lidhjet e gjakut; me krahinat kufitare të Matit, Kuksit dhe Dibrës, të cilët e mbushnin pothuajse përditë kullën e njohur të Zef Prengë Rajtës.
-Në ato vite të mbushura plot me dashuri njerëzore, mua më janë ngulitur dhe nuk shkulen kurrë nga mendja lidhjet e gjakut (familjes së madhe; kushërinjve të afërt dhe më të largët; nipave e mbesave; dajëve ), si dhe të bashkëfshatarëve, bashkëkrahinorëve etj.
-Atje në Krejë-Lurë pranë varrit monumental të gdhendur në gur të Prengë Mark Rajtës (gjyshit të babit tim Lekë Rajta) kam edhe një gjë të shenjtë, varrin e vëllait tim Kristi Lekë Rajta, të lindur rreth tre vite pas meje dhe të vdekur foshnje dymuajshe.
-E kujtoj gjithmonë arkivolin e vogël në oden e madhe, në kat të parë të kullës dhe flokët thellësisht të verdhë, një tufë prej të cilëve nana ime Marta e ruajti gjithë jetën dhe e mori me vete në varr.
-Nuk doja ti lija ta merrnin arkivolin dhe është dashur që Marta, e bija e Gjok Ndue Rajtës, e cila ishte dhe është një nga njerëzit tanë më të dashur, të më merrte te shtëpia e saj, ku më mbajti rreth dy javë, për të më hequar vemendjen nga ajo që kishte ndodhur. Ky është kujtimi më i hershëm që mbaj mend.
-Oda e burrave ku ne dy djemve të parë, Bardhokut dhe Ninit, nipa të Zef Prengës, na u dha mundësia dhe privilegji të jemi dëgjues, ishte dhe shkolla e parë, e cila për fat të mirë më ndoqi gjithë jetën. Edhe kur kaluam në Peshkopi, një dhomë e shtëpisë ku jetonim qe Oda e përherëshme e miqëve, shokëve dhe të afërmëve, që përditë i kishim të pranishëm.
-Nga kjo periudhë nuk mund të mos përmend edhe kohën që kalonim tek dajët së bashku me nanën Marte, sidomos gjatë dimrit kur edhe punët në fshat ishin më të pakta. Nana qe bijë e Mark Ndue Lleshi (Zogjaj) nga fshati Mërkurth dhe Prenushës, motër e të njohurve Gjon e Ndrec Lufi, të bajrakut të Selitës në Mirditë.
-Dy vëllezërit e nanës sime, daj Ndoi dhe daj Nikolli, dy natyra të ndryshme nga njëri tjetri, por shumë të veçantë, u vinin zjarrin kullave për ne nipat, sidomos për mua dhe Ded Vladin, më të voglin e djemve të Mark Ndrec Vladit, që i la fëmijët jetimë në moshë të vogël, ku më i madhi ishte 7 vjeç.
-Dashuria e tyre ishte hyjnore, bujaria e pakufishme dhe një gjë që duhet patjetër ta theksoj se është e rrallë: I gjithë fshati pa dallim, që ishte një fis, natyrisht i larguar në disa breza, ne nipave na donin aq shumë sa na prisnin me gjithë shpirt dhe, sikur zjarrin ti vinim gjithë fshatit, nuk lejonin njeri të na prekte me dorë.
-Po kështu, e veçantë ka qenë edhe marrdhania me motrën e nanës time, Dilën e Marka Ndrec Vladit, që rriti dhe nxori në jetë, si ma i miri burrë luras, tre djemtë e saj: Ndrecën doktor dhe Leninin e Dedën oficera. Më deshi dhe e desha pa masë deri sa ndërroi jetë.
-Ka një përgjigje për pyetjen : A ju merr malli për kullat ku keni lindur; ku keni kaluar vite të jetës dhe përgjigja më saktë do të ishte : Po. Ajo që na mungon edhe kur jemi në Lurë është fëmjëria jonë, e cila nuk vjen më.
Kulla e madhe e Rajtëve në Krejë të Lurës
Në vitin 1956, babai e mori familjen në qytetin e Peshkopisë, në një apartament të sapondërtuar në qëndër të qytetit (pjesa e re), aty ku më vonë u quajt “bulevardi i blirëve”. Këtu për mua fillon një jetë krejt e ndryshme nga ajo që kisha kaluar në vendlindje. Si në një film më del parasysh e gjithë rruga që kemi bërë për të vajtuar në qytetin e Peshkopisë. (Lura në ato vite ishte e palidhur me rrugë makine nga asnjë drejtim). U nisëm në një drejtim krejt të panjohur për mua (Nuk kisha dalë më larg se në qëndër të Lurës dhe tek dajat, që ishin 5 km larg nesh. Atë natë, së bashku me familjen e lurasit Halit Tollja dhe vëllain e tij Asllanin, gati një moshë me mua, kemi udhëtuar drejt fshatit Draj – Reç, ku Haliti kishte një motër të martuar tek Shehelët dhe kemi fjetur atë natë atje. Të nesërmen zbritëm në rrugën e makinës që unë e shihja për herë të parë dhe pritëm një makinë që vinte nga Kukësi për në Peshkopi. Kur erdhi, të gjithë sa ishim, rreth 10 veta hypëm në karroceri dhe u nisem për në Peshkopi. Rruga ishte gjithë pluhur dhe të gjithëve na zuri si mos më keq makina.
Të dërmuar mbërritëm në Peshkopi, ku u sistemuam te hoteli njëkatesh që ishte tek llixhat e Peshkopisë rreth 3.5 km larg qytetit në drejtim të Bellovës. Aty banuam rreth 2 muaj, deri sa pallati ku kishim marre hyrjen iu dorëzua ndërmarrjes komunale.
Ambientimi dhe përshtatja me një mënyrë të re jetese dhe sjellje deshi disa kohë dhe unë gradualisht u integrova atë mënyrë jetese, duke patur gjithnjë kujdesin e familjes, sidomos të babait. Dua të theksoj se pas mbarimit të pushimeve verore në Krejë-Lurë, nuk pranova të vij më në Peshkopi pa ardhur me ne edhe djali i xhaxhait Nini, i cili përfundoi filloren, 7- vjeçaren dhe të mesme pedagogjike në Peshkopi, pranë nesh.
Bashkëkohës dhe nxënës në Peshkopi në shkollën 7- vjeçare, pëveç Ninit ka qenë edhe Preng Llesh Doçi, kushëri i imi nga nana.
-Ke qenë nxënës dhe student i mirë, njeri me vullnet dhe ambicie në jetë. Kujt ia dedikoni arritjet tua?
-Ndërkohë, unë fillova klasën e parë në shkollën ushtrimore të qytetit me mësuese normalisten e Elbasanit, të mrekullueshmen Jolanda Rada. Dy muaj rresht, përditë shkoja nga vendbanimi te llixhat në shkollë dhe kthehesha pas mesimit; pra bëja çdo ditë 7 km rrugë, në ditët e para me shoqërues dhe pastaj vetëm, sepse nuk kishte ndonjë rrezik, pavarësisht se për mua çdo gjë ishte e re. Pas dy muajsh ne kaluam me banim në qytet dhe shkollën e kisha shumë afër, pothuajse përballë pallatit.
-Shkolla fillore ushtrimore, ku babai më kishte regjistruar, ishte më e mira që kishte Dibra sepse në këtë shkollë bëhej edhe praktika e nxënësve të shkollës pedagogjike. Drejtor i saj ishte mësuesi i mirënjohur Remzi Prapaniku (Spahiu), një personalitet i arsimit dibran dhe kombëtar.
-Të gjithë mësuesit ishin të zgjedhur. Mund të përmend mësueset Drita Zhulali, Ervehe Prapaniku, Irena Bitri etj. që kanë ngelur të pashlyera në kujtesën time për ato vlera që përcollën te ne. Por mbi të gjithë, gur-themeli i ecjes sime në mesime dhe mbarësisë gjatë gjithë jetës në procesin e arsimimit tim mbetet mësuesja e klases së parë Jolanda Rada. Një mësimdhënëse e shkëlqyer, e vlerësuar si njëra ndër mësueset më të mira në të gjithë Shqipërinë për klasën e parë; e rreptë; kërkuese; mbështetëse dhe e drejtë, dashamirëse me të gjithë nxënësit pa asnjë dallim, të kujt ishin apo nga çfarë shtrese e shoqërisë vinin. Nga një vlerësim i bërë ndër vite, ka rezultuar se kush ka qenë nxënës i mësuese Joandës, në masën mbi 95 përqind ka mbaruar studimet e larta.
Mësuesit e shkollës ushtrimore fillore të Peshkopisë ishin të përkushtuar në detyrën e tyre fisnike; paisjen me dije të brezave që po vinin. Punën e tyre ata e kishin ideal dhe të gjithë shpirtërisht jepnin maksimumin në punën e tyre. Ky brez mësuesish por edhe të tjerët më vonë rrezatonin kulturë në çdo aspekt të jetës së tyre dhe, më shumë se me gjithëçka, të mësonin me shembullin e tyre.
-Që nga klasa e parë deri në përfundim të shkollës së mesme kam patur shokë dhe shoqe klase Flutura Kodrën; Rolanda Baboçin, Riza Vanin, Astrit Shehun; Hekuran Pahumin; Luan Sinanin; Veli Vranicin dhe të tjerë.
-Tani, i futur në moshën e tretë, nuk mund të mos falenderoj babin tim Lek Rajta për kujdesin, duke zgjedhur për edukimin tim arsimor këtë plejadë mësuesish të përkushtuar dhe të paharruar të cilët deri sa të kem jetë do mbeten në kujtesën dhe shpirtin tim, si pjesë e ndritur e jetës.
-Theksova se në këtë shkollë shpërndahej dije dhe kulturë, por jo vetëm në aspektin e thjeshtë të programit mësimor, por në të gjitha fushat e jetës.
-Ishin vitet kur qyteti i Peshkopisë po formohej dhe zgjerohej dhe këtij zhvillimi që shkonte çdo ditë përpara; i paraprinte elita e intelektualëve të qytetit ku në pararojë qëndronin mësuesit e të gjitha niveleve, një pjesë e madhe e të cilëve kishin ardhur nga Tirana dhe rrethe të tjera si Shkodra; Vlora; Berati etj. Disa kishin probleme biografike, por kishin kulturë dhe traditë qytetare. Kjo bëri që qyteti i Peshkopisë, rreth viteve 60 e në vazhdim, të rrezatonte kulturë në çdo aspekt të jetës: në arsim, sport, art e kulturë, duke u vlerësuar në shkallë vendi.
-Një rol pozitiv luajtën në ato vite drejtuesit e lartë të kohës Jashar Menzelxhiu dhe Rexhep Doda, të cilët janë edhe sot në kujtesën e dibranëve për kontributin e tyre.
-Dua të kujtoj se ne, që në klasën e parë, nën kontrollin e mësuesve tanë, ishim të regjistruar në bibliotekën e qytetit të Peshkopisë, kur merrnim libra të moshës dhe programit tonë mësimor, si dhe aktivizoheshim në kurse të ndryshme, në sport, art etj. duke marr një edukim që vazhdoi gjatë gjithë viteve të shkollimit, deri në përfundim të shkollës së mesme.
-Patëm fatin që këtë bibliotekë ta administronin një çift i mrekullueshëm dibranësh si Ylvi Shehu dhe Natasha Kodra (Shehu), të cilët ishin të jashtëzakonshëm në punën e tyre.
-Vitet e mia në shkollë vazhduan me 7- vjeçaren dhe të mesmen, ku u rradhita gjithnjë ndër nxënësit më të mire, në të gjitha nivelet. Për fat të mire, plejada e mësuesve të shkëlqyer vazhdoi si në 7- vjeçare dhe në shkollë të mesme. Nuk mund të lëmë pa përmendur të nderuarit Shemsi Zhulali, Kadri Rrapi, Gjyzel Hasani, Perparim Sinani, Kiço Kalami, Skënder Shatku, Genc Mlloja, Mois Cami, Emin Jashari, Nevrez Manjani, Riza Manjani, Sanije Doda, Rustem Doçi, vëllezërit Din e Mufit Trepça, Fejzi Hoxha, Jorgji Sinjari, Kadri Zhulali, Shemsi Manjani, Lavdrim Kaba, Myslym Koka, Pëllumb Lala, Ivzi Çipuri, Sanije Pahumi e deri te Veli Lala që erdhi në vitet e fundit dhe ishte gati moshatar me ne. Nuk mund të lë pa përmendur drejtorin e shkollës së mesme në vitin e fundit, Mësuesin e Popullit Selim Alliu, një nga kontrbuesit më të mëdhenj të arsimimit në Dibër për gati 40 vite.
-Deri në përfundimin e studimeve të shkollës së mesme është koha kur u formuan bazat e karakterit tim dhe kjo periudhë mbetet nga më të rëndësishmet e jetës sime.
Kulla e madhe e Rajtëve në Krejë të Lurës
-Arritjet tuaja në mësime janë frut i talentit apo i vullnetit në punë? Po në jetë, keni qenë njeri me vullnet apo njeri me fat?
-Mendoj se arritjet e mia në shkollim, në të gjitha nivelet janë rezultante e të gjithë faktorëve që përmenda më sipër, ku shumë i rëndësishëm është kujdesi i familjes, niveli i mësimdhënsve, por patjetër edhe merita ime si individ, pasi mendoj se nuk më ka munguar as talenti për të mësuar; por as vullneti dhe këmbëngulja që mendoj se kanë qenë faktorë të fortë të suksesit.
Përsa i përket rezultateve në punë, kudo që kam punuar dhe punoj, mendoj se arritjet e mia kanë ardhur prej kompletimit të plotë të shkollimit, shoqëruar me vullnetin e fortë që më ka karakterizuar në çdo hap. Përveç arsimit të lartë, ku jam titulluar “Inxhinier Elektroenergjitik”, unë kam kryer edhe kursin ushtarak 5- mujor, duke u titulluar oficer në rezervë, kryer kursin pasuniversitar për teorinë e ”Matjeve Elektrike” pranë Universitetit Politeknik në Tiranë, kursin e lartë të kuadrove për ekonomi, të organizuar nga Këshilli i Ministrave dhe Komisioni i Planit të Shtetit, si dhe kam përfunduar me korespondencë shkollën e Lartë të Partisë në Tiranë.
Përsa i përket pyetjes se ”a kam qenë njeri me vullnet apo njeri me fat”, mendoj se më ka pri fati në jetë me atë familje që më rriti dhe edukoi, për atë kullë të madhe të Rajtës nga kam dalë; për krahinen time ;Luren përjetë në zemrën time, si dhe për faktin që formimin tim bazë e mora në Dibër, që së bashku me vitet e punës më dhanë edhe një shkollë më të madhe, shkollën e jetës, atë që quhet “Universiteti i Dibrës”. Jam krenar që e kam arritur këtë dhe në 70 vjetorin e jetës sime e quaj pa u treguar modest arritjen time më të madhe.
KAM ARRITUR REZULTATE,
SEPSE KAM PUNUAR ME NJERËZ TË MIRË
-Si erdhi puna që të vazhdosh studimet e larta për inxhinier elektroenergjitik? Më duket jeni dibrani i parë në këtë degë? Cilat ishin avantazhet e të qënit i pari? Kush e mbaroi atë degë pas jush?
Pyetja juaj më kthen pas në kohe dhe do më duhet të zgjerohem pak në këtë përgjigjje. Kur në vitin 1956 unë shkova në qytetin e Peshkopisë, energjia elektrike ishte me orar tre herë në ditë nga dy -tre orë. Më kujtohet si sot kur mblidhej pothuajse i gjithë qytetin për të tërhequr litarin që ndizte një grup diesel, i cili furnizonte qytetin me energji elektrike. Gjithashtu, në rrugën që shkonte për në llixhat e qytetit ishin të instaluara edhe dy grupe të tjera diesel dhe një hidroturbinë e vogël me ujë rreth 125 kW, të cilat të gjitha së bashku furnizonin me orar qytetin e Peshkopisë. Theksoj se në vitin 1949, nën kudesin e një specialisti të vjetër që kishte bërë një kurs në Çeki, i mirënjohuri Xhelil Çorja me një lug druni të gdhendur për brenda dhe të fashuar nga jashtë me llamarina, për mungesë të çdo lloj tubacioni, është instaluar një minihidrocental, që më vonë u zëvendësua nga një makineri prodhim i Gjermanisë Lindore, që ka qenë në punë deri në vitet 1990. Edhe në Lurë, në vitin 1967, me inisiativën e lurasit të paharruar Nezir Buci u instalua një hidroturbinë tip Banci, prodhim i oficinës së Universitetit të Tiranës, që furnizoi me energji elektrike tre fshatrat e qendrës së Lures : Lurë e Vjetër, Fushë-Lurë dhe Borie-Lurë deri në elektrifkim, natyrisht vetëm sa për ndriçim dhe rrallë për ndonjë radio.
Në Dibër, shfrytëzimi i burimeve të vogla për prodhim energjie elektrike kishte traditë të herëshme që nga vitet 1930, në fillim nga disa familje të pasura dhe të dëgjuara, si në Brezhdan, ku fiset Karasani dhe Gazidede kishin instaluar një minihidrocentral vetëm për ndriçim.
Pas përfundimit të Universitetit, gjatë punës sime në Dibër, kam gjetur, që nga Dibra e Poshtme e deri në Stebleve, gjurmë të 30 minihidrocentraleve që kishin qenë instaluar në kohë dhe për periudha të ndryshme, vetëm për ndriçim dhe të copëzuar për familje të veçanta ose deri në ndonjë lagje fshati.
Kjo zgjati deri deri në vitin 1970 kur përfundoi elektrifikimi i të gjithë vendit dhe Dibra u lidh me sistemin energjitik kombëtar. Duke qenë student në ato vite, unë kam qenë pjesë e aksionit të elektrifikimit në dy vite rrjesht, më 1969 dhe 1970.
Përsa përshkrova më sipër, që në vitet e para të gjimnazit kam qenë ndër më të mirët e shkollës, sidomos në lendet matematikë; fizikë dhe kimi, pra shkencat egzakte që më futën në mendjen time dëshirën për të studiuar për inxhinieri elektrike.
Por, që të jem krejtësisht i sinqertë, pa patur fare ndrojë ta them, vendimin përfundimtar e kam marrë në dhjetor të vitit 1967, kur në aksionin e zhdukjes së pasojave të termetit, një grup nxënësish nga gjimnazi i Peshkopisë shoqëruam fëmijët e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Hysni Kapos dhe udhëheqësve të tjerë të lartë të kohës, të cilët po studionin për inxhinieri si Ilir Enver Hoxha, Vladimir dhe Skënder Mehmet Shehu etj. Epo thashë me vete, kur këta kanë dërguar fëmijët e tyre, do të thotë se kanë zgjedhur dhe unë e vendosa përfundimisht. Këtë vendim ia thashë edhe babit tim, i cili më mbështeti dhe kështu unë në kërkesën që bëhej pas mbarimit të shkollës së mesme për vazhdimin e shkollës së lartë, nga tre kërkesa që duhej të bëja, të trija i shënova inxhinieri elektrike.
Në periudhën nga viti 1968 dhe deri në vitin 1973, pra në pesë vite, unë mora formimin e plotë profesional duke patur fatin të kemi një nga plejadat më të shkëlqyera të mësimdhënsëve në arsimin e lartë. Natyrisht, në ndryshim nga gjimnazi, këtu duhej një mënyrë tjetër organizimi që nga jeta në konvikt dhe deri te auditoret e universitetit.
Nuk mund të mos kujtoj Prof. Qazim Turdiun me asistentët e tij Jogo Malita, Viktor Kabili, Abdyl Haxhimusaj në lendët matematikë si dhe Prof. Fatmir Sinoimeri dhe asistentin e tij Prof.Rexhep Mejdani në lëndën e fizikës, apo Prof. Sami Meqeme në kimi, Tahir Haxhiymeri, Bashkim Baholli, Petraq Dushniku, Kasem Vokshi dhe pedagogët e katedrës së Elektroteknikës, të drejtuar nga i mirënjohuri Prof.Bardhyl Golemi dhe asistentët e tij Pirro Çipo, Alfred Paloka, etj.
Këtu filloi edhe pjesa profesionale e shkollës së lartë, pasi në dy vitet e para ishte bërë seleksionimi, me pakësimin gati 50 përqind të studentëve të regjistruar në vitin e parë.
Kërkesat ishin tepër të larta sidomos në matematikë dhe fizikë, ku nuk të falte asnjë nga pedagogët, duke na detyruar të përvehtësonim programin ose të largoheshim nga kjo degë e vështirë. Një dibran që kishte ardhur në këtë degë para meje, i cili në pamundësi t’u përgjigjet kërkesave në lendët e matematikës dhe fizikës ndërroi degë dhe kaloi në një fakultet tjetër.
Ndoshta kështu që e thënë që unë të isha studenti i parë i përgatitur në gjimnazin e Peshkopisë që përfundova studimet duke u titulluar i pari “Inxhinier Elektroenergjitik” në Dibër.
Natyrisht që përfundimi i studimeve në këtë degë nuk qe i lehtë dhe me punën time gjatë 5 viteve arrita të marrë një formim të thellë dhe me baza, duke iu kushtuar vëmendje kryesore lëndëve bazë të profesionit. Bazat e lëndëve profesionale i ngulita mirë në mendje dhe ato më kanë shërbyer në gjithë jetën time, edhe tani pas një eksperience mbi 45 vjeçare.
Në këto vite, pedagogët tanë ishin ajka e arsimit të lartë politeknik. Lëndën e Elektroteknikës e përcillte në leksione Prof.Bardhyl Golemi dhe në ushtrime e laboratore Prof. Pirro Çipo. Në vitet në vazhdim, profesorë të nderuar që i kam patur mësimdhënës, në lëndën “Tensionet e Nalta” Prof.Petraq Vasili me asistent Prof. Nako Hobdari; në lëndën “Proceset kalimtare dhe mekanika e telemekanika” Prof. Ali Dedej dhe asistent Prof.Gëzim Karapici; në lëndën “Makina Elektrike dhe Transformatorët” me pedagog Naun Xhorxhi dhe asistent Jorgji Kora; në lëndën “Transmesionet Elektrike” Prof. Besnik Zeraliu me asistent Prof.Ymer Luga; në lëndën “Matjet Elektrike” Prof. Reiz Cani me asistentë Inajet Daci ; dhe Kostandin Dollakun në lëndën “Mbrojtje rele”; në lëndën “Termoteknike” Burhan Jukniqi; në lëndën “Hidrulikë’ Fatmir Labinoti; në lëndën “Ekonomi Energjitike” Prof. Edmond Luci dhe në krye të gjithëve, ai që do të më jepte një drejtim të madh në jetë, Prof. Petrit Radovicka, që na dha lëndën “Hidroenergjitike”, duke qenë edhe shefi i Katedres, që është quajtur babai i Hidroenergjitikes në Shqipëri.
Nuk mund ti harroj leksionet e tij dhe mënyrën se si na merrte në provim. Këtë lëndë provim e kemi dhënë duke hartuar që nga fillimi projektin e hidrocentralit të Fierzës që ishte aso kohe vetëm në idetë e zhvillimit.
Lënda që na dha Prof. Radovicka qe vendimtare në pasionin tim për shfrytëzimin e hidroenergjisë, ku unë kam dhënë kontributin tim, duke qenë bashkëautor në rreth 70 projekte hidrocentralesh në të gjithë Shqipërinë.
Pyetjes tuaj se duke qenë i pari inxhinier elektrik në Peshkopi, a me krijoi ndonjë avantazh, unë do të thoja që jo, sepse kjo mi shtoi vështirësitë në punë. Kur fillova punë në atë që quhej ndërmarrja elektrike komunale Peshkopi, nuk gjeta pothuajse asnjë bazë të punës inxhinierike duke filluar nga veglat dhe mjetet e punës që i duheshin një inxhinieri, siç ishte tavolina e vizatimit deri në vizore, kompase e vegla të tjera, lëre më pastaj ndonje bazë teknike të dhënash për rrjetin; nënstacionet; kabinat TM e TU; Linjat Ajrore e kabllore të TM e TU. Mu desh që gjithëçka ta nis pothuajse nga hiçi, duke arritur nivele të barabarta me qytete të mëdha si Tirana, Vlora etj. në të gjitha fushat e zbatimit inxhinierik si me laboratore të kontrollit të izolacionit; riparimit dhe kolaudimit të matësave njëfazorë të energjisë elektrike; në ngritjen e grupeve riparuese, të mirëmbajtjes dhe shërbimit në hidrocentrale. Sidoqoftë, kjo mungesë nuk më dekurajoi dhe në bashkëpunim me rajonin energjitik të Ulzës dhe Byronë e Studimeve dhe Projektimeve pranë Ministrisë së Ekonomisë Komunale (më vonë Instituti Energjitik), arrita që ndër vite të realizoj ato programe dhe qëllime që i vura vetes në profesion.
Disa vite pas meje, në Dibër erdhën të tjerë kuadro të lartë si Asllan Pata e Ilir Shahinaj në Bulqizë; Përparim Zhulali; Fetije Kapxhiu; Hasije Horeshka; Abdulla Neli; Xhevdet Kacani e të tjerë që kanë vazhduar të vijnë, pasi unë ka 25 vjet që jam larguar nga Dibra.
-A i kujton të gjitha vendet e punës? Cili vend pune të ka pëlqyer më shumë? Ku i keni arritur rezultatet më të larta?
Natyrisht që po. Në vitin 1973 u emërova inxhinier në ndërmarrjen komunale elektrike Peshkopi pas një ndërhyrje deri në Komisionin e Planit të Shtetit, sepse isha planifikuar për në hidrocentralet e Bistricës. Një pjesë të madhe të këtij viti e kalova në kursin ushtarak 5 mujor në Tiranë dhe pjesën tjetër pranë Ndërmarrjes Elektrike Komunale Tiranë, meqë përgatita temën e diplomës, të cilën e mbrojta në maj 1974, pranë komisionit Shtetëror duke marrë vleresimin me notën nëntë. Gjatë qëndrimit pranë Ndërmarrjes Elektrike Komunale në Tiranë u njoha me përvojen e kësaj ndërmarrje, konkretisht me degën teknike të saj që kishte experiencë që nga periudha para çlirimit të vendit, kur Tirana furnizohej pjesërisht me energji elektrike nga shoqëria italiane SITA dhe kishte specialistë të vjetër që kishin punuar me italianët.
Pas kthimit në Peshkopi, vazhdova punën si inxhinier në degën teknike të ndërmarrjes dhe pas dy vitesh u emrova Kryetar i kësaj Dege.
Duke qenë inxhinieri i vetëm që kishte kjo ndërmarrje, isha i detyruar të merresha me të gjitha problemet teknike, jo vetëm ato të profesionit tim, por edhe me problemet profesionale të mekanikës; ndërtimit etj., si dhe me problemet organizative, si për hidrocentralet Tomin, Kallavere, Tucep e Homesh e të tjerë që u shtuan në vitet në vazhdim, edhe me grupet diesel që ishin të instaluara në h/c Kallavere dhe që shërbenin për emergjencat, kur kishte avari sistemi. Dibra ishte pikë fundore në sistemin energjitik kombëtar dhe pa unazim në 110kV. Vetëm tani para tre-katër vitesh është bërë unazimi me 110 kV me Kuksin.
Si rezultat i disa riorganizimeve në kohë të ndryshme, kam kaluar disa herë në pozcione të ndryshme pune si përgjegjes i repartit të fshatit, ku Dibra kishte 182 fshatra dhe një ndër shtrirjet më të mëdha territoriale të vendit; përgjegjës i repartit të hidrocentraleve, ku Dibra kishte numrin më të madh të hidrocentraleve të vegjël. Si rezultat i këmbënguljes sime, duke qenë bashkëautor pranë Byrosë së Studimeve dhe Projektimeve të Ministrisë së Ekonomisë Komunale dhe më vonë, pas ndryshimeve demokratike, tek Instituti Energjitik pranë Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, numri i hidrocentraleve të vegjël në Dibër është rritur në çdo vit deri ne 10 objekte (h/c) me 16 hidroagregate deri në vitin 1985.
Disa herë, me periudha mujore jemi dërguar nga organet egzekutive të rrethit në minierën e Bulqizës, duke kryer punë të vështira si futja dhe shtrirja në kollonën e pusit tek zona D të kabllit 6 kV, të armuar dhe me vaj deri në nivelin e tetë të Minieres; linjat elektrike të dishanterisë në nivel të tretë etj. Në periudhën e mëvonëshme, që nga viti 1982 kam kryer detyrën e drejtorit të një nga ndërmarrjet më të mëdha të Dibrës, asaj që mbulonte elektrikun, ujësjellsin, banesat, rrugë trotuare, kanalizime, gjelbërim dhe riparim shërbime dhe repartet e prodhimeve artizanale me shtrirje në të gjithë territorin e Dibrës, duke mbuluar qytete, fshatra dhe qendrat e ndërmarrjeve bujqësore me rreth 1700 punonjës, ku mu deshën një përpjekje shumë të mëdha, por dhe i mbështetur nga një ekip i shkëlqyer specialistësh si inxhinieri i vjetër i ndërtimit Remzi Cera, ekonomistët Agim Haliti dhe Astrit Kuka, si dhe kostoisti rigoroz Ylvi Kuka etj., pa harruar bashkëpuntorin tim të vjetër që në fillimet e punës sime, financierin e pakrahasueshëm Hajri Shehu, arrita në kohë rekord që nga një ndërmarrje me probleme të mëdha ta rendis ndër ndërmarrjet pararojë të Dibrës dhe mbarë vendit.
Sukseset u arritën me mbështetje të fortë nga dikasteri dhe këtu dua të përmend dy drejtues të Ministrisë në ato vite Kudret Arapi, një kuadër dhe burrë i rrallë dhe tiransin e paharruar, shpirtmadhin Xhemal Tafaj.
Zhvillimet e sollën që për nevojat e qytetarëve të Bulqizës dhe të punëtorëve të Minierës të formohej një ndërmarrje e re për të gjitha shërbimet që do të kishte nevojë Bulqiza në të ardhmen. Kjo detyrë mu ngarkua mua dhe atëherë u detyrova që unë, babai i tre fëmijve, me gruan dhe dy prindërit, të shkoja për rreth dy vite në Bulqizë, 54 km larg nga Peshkopia ku unë banoja me familjen. Mu desh të përballoja të gjitha vështirësitë por besoj se e kreva me nder dhe sukses edhe këtë detyrë.
Nga Bulqiza u emërova me detyrë shef i Seksionit të Ekonomisë Komunale në Komitetin Ekzekutiv të rrethit të Dibrës; deri në ndryshimet demokratike të viteve 1990, ku me riorganizimet e bëra, u riktheva në detyrën e përgjegjësit të Repartit të Hidrocentraleve, tani të riorganizuara në Ndërmarrjen Elektrike Dibër, filial i Koorporates Elektroenergjitike Shqiptare, ku vazhdova deri në vitin 1994, kur së bashku me familjen erdha në Tiranë dhe fillova punë pranë kompanisë “Lura”, të themeluar dhe administruar nga z. Dod Doçi, ku vazhdoj të punoj edhe sot.
-Keni bërë karrierë, drejtor ndërmarrje dhe shef seksioni? Ka ndodhur rastësisht apo e prisje?
Po edhe kështu mund të quhet rritje në përgjegjësi, sepse unë i kam kaluar të gjitha shkallët e detyrave dhe përgjegjësive në ndërmarrjet e asaj kohe, duke filluar nga detyra e inxhinierit të thjeshtë; në detyra si përgjegjës repartesh që kishin madhësi sa një ndërmarrje e vogël deri mesatare, inxhinier në degën teknike; kryetar i degës teknike dhe kryeinxhinier i ndërmarrjes elektrike, dy herë drejtor në Peshkopi dhe Bulqizë dhe pastaj Përgjegjës Seksioni në Komitetin Egzekutiv të rrethit Dibër. Mendoj se të gjitha këto përgjegjësi në punët që kam kryer nuk kanë qenë synim egoist apo personal i imi, por kane ardhur natyrshëm duke më vlerësuar në të gjitha punët e kryera për rezultatet që kam arritur, por edhe nevojë e kohës, sepse i gjithë brezi ynë i arsimuar në ato vite duhet të merrte stafeten e drejtimit të vendit dhe në Dibër. Kjo periudhë qe momenti kur një pjesë e mirë e atyre që kishin përfunduar arsimin e lartë në fusha të ndryshme u vunë në drejtimin e ndërmarjeve ekonomike dhe institucioneve të ndryshme të Dibrës. Natyrisht unë, i përgatitur tani me edhe nga eksperienca në punë; përveç arsimimit të kompletuar, nuk kishja përse tu ikja sfidave të kohës.
-Në cilin vend pune ke arritur rezultatet më të mira në punë?
Pa dashur të mburrem, sepse këto janë probleme dhe fakte që njihen deri edhe nga publiku i gjërë në qarkun e Dibrës, përgjithësisht në të gjitha pozicionet që kam patur, janë arritur rezultate të mira dhe shumë të mira. Në çdo sektor ku kam punuar, si në atë që e kam nxjerrë nga prapambetja e gjetur ose e kam ngritur disa shkallë më lart, kjo ka ndodhur falë punës në ekip, sepse sado të përpiqesh, i vetëm nuk mund të arrish rezultate kurrë.
Kudo që kam punuar, kam mbledhur rreth vetes një ekip, me të cilin me shumë përgjegjësi kemi përballuar të gjithë ngarkesën e punëve. Në ato vite kam punësuar rreth 100 specialistë me arsim te mesem profesional elektrik, ndërtimi, hidroteknik; floriculture etj. dhe me dhjetra specialistë të lartë të fushave që nevojiteshin.
Kjo gjë bëri që niveli i punës në zbatim dhe organizim të rritej ndjeshëm. Kam qenë shumë kërkues në punë, duke qëndruar vetë në krye të çdo pune; por gjithmonë i drejtë dhe i ndershëm, duke fituar besimin dhe respektin e puntorëve dhe të personelit drejtues e atij teknik, pavarësisht nga kërkesa shumë e madhe e llogarisë në punë. Jam krenar sot për ato marrdhënie të krijuara, të cilat më kanë sjellë dhe më sjellin në çdo rast vetëm kënaqësi; respekt dhe nderim kudo dhe kurdo, në çdo rast e vend me njerëzit. Kur këto të percillen nga e gjithë Dibra, nderi është shumë i madh.
-A jeni vlerësuar deri më tani për punën që keni bërë dhe si? A ka rëndësi vlerësimi i punës së një kuadri që ka dhënë kontribute për rrethin dhe më gjërë?
Mendoj se vlerësimi nuk më ka munguar, sepse për rezultatet e arritura në çdo vend pune unë kam marrë edhe rritje në përgjegjësi deri në drejtor ndërmarrjesh të mëdha dhe Komitetin Ekzekutiv të rrethit Dibër, si dhe jam zgjedhur për një periudhë të shkurtër kohe në forumet drejtuese të Partisë në rreth.
Disa herë jam kërkuar nga Ministria deri dhe Kryeministria për pozicione drejtuese, por rrethi ka këmbëngulur se na duhet për nevojat tona si rreth. Natyrisht, jo çdo gjë ka shkuar si në vaj, sepse jeta është me pengesa dhe vështirësi, të cilat nuk kanë qenë të pakta në veprimtarinë time në Dibër.
Jam krenar se figura ime si njeri dhe si kuadër ka mbetur e pastër dhe e nderuar. Respekti dhe nderimi në rradhë të parë nga opinion publik i Dibrës është vlerësimi më i madh që unë kam marrë në jetë. Për këtë i jam borxhli përjetë Dibrës. Jam i lumturuar me vlerësimin për babain tim Lek Zef Rajta, i shpallur “Qytetar Nderi i Bashkise Dibër” në vitin 2017.
-Si u bë menaxhimi i industrisë së prodhimit të elektricitetit pas viteve nëntëdhjetë? Çfarë duhej bërë më mirë? Po t’ia nisje karrierës nga fillimi çfarë profesioni do të zgjidhje. Po të kaloje nëpër të njëjtat vende punë, çfarë do të bëje më mirë?
Pas ndryshimeve demokratike në Shqipëri, gjatë viteve 1990, i gjithë organizimi dhe drejtimi në fushën e indrustrisë energjitike ndryshoi. U bënë gjëra shumë pozitive, p.sh organizmi i të gjithë aktivtetit të studimit, projektimit, prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes në një organizëm të vetëm, Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare. Kjo mblodhi në një vend të gjitha energjitë krijuese dhe zbatuese të vendit, si dhe të gjitha asetet kombëtare të kësaj fushe.
Por, në gjithë këtë përqendrim ndodhi që shumë gjëra nuk u zbatuan mirë, si p.sh u nënvleftësua ajo që më parë ishte pjesë e ndërmarrjeve elektrike komunale dhe bënte shitjen direkt tek konsumatori dhe kjo si në vlerën e investimeve që jepeshin për këtë pjesë të aktivitetit, ashtu edhe në mbështetjen llogjistike. Në një pjesë të madhe të rrjeteve dhe kabinave të TM 6 e10 kë si dhe të rrjeteve TU nuk është vënë dorë që nga elektrifkimi i vendit në vitin 1970.
Për fat të keq, me gjithë riorganizimet në vite dhe me krijimin Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), përseri problemi i furnizmit me energji elektrike në zonat rurale mbeti dhe është me shumë probleme. Situata dimërore dhe dëbora që ka rënë e vërtetoi këtë në shumë zona të Shqipërisë si në Veri, Veri-Lindje, Jug etj.
Niveli i humbjeve teknike dhe rezultatet financiare të këtyre organizimeve kanë dështuar disa herë duke provuar riorganizime që akoma nuk kanë dhënë rezultatet e duhura.
Për mendimin tim i gjithë rrjeti i TM dhe TU duhej privatizuar menjëherë, siç u veprua me dyqanet tregetare duke ua dhënë punonjësve kundrejt detyrimeve dhe përgjegjësive ligjore për furnizimin e konsumatorëve dhe, sipas mendimit tim, nuk do kish ndodhur asnjë dëmtim dhe vjedhje të energjisë, pasi investimet do të ishin kryer nga privatët shumë më mirë se nga shteti.
Edhe qëndrimi i diferencuar ndaj specialistëve të fushës solli dëme të mëdha. Atë armate të shkëlqyer inxhinieresh nuk do të mund ti kemi më, sepse të detyruar nga këto qëndrime ata ose morën rrugët e mërgimit ose i hynë aktivitetit privat dhe nuk kthehen më në profesion.
Një nga qëndrimet më të gabuara dhe të dëmshme është mënyra e administrimit të tenderave gjatë gjithë kohës dhe për çdo investim; ku shpërdorimet dhe vjedhjet janë të shifrave astronomike. Këtë e vërtetoi edhe tenderi për linjen 220 kw Burrel – Peshkopi, tani së fundmi, ku u pa qartë se kishte vjedhje të pastër.
Problemet në këtë fushë janë të shumta dhe do të duhej një material i veçantë; por unë po prek shkurt punën e instituteve shkencore-projektuese që u shkrinë këtu te ne.
Është një nga dëmet më të mëdha që i është shkaktur këtij vendi, pas shkatërrimit të plotë të sistemit arsimor.
Po të nisja nga fillimi më pyesni se cilin profesion do të zgjidhja. Po, ju përgjigjem me kërkesën time për të studjuar në shkollë të lartë pas gjimnazit tri herë inxhinieri elektrike.
Nëse do të kisha mundësinë të rikaloja nëpër të gjitha vendet e punës ku kam qenë, do ti isha përkushtuar shumë më tepër familjes dhe fëmijëve të mi, ndaj të cilëve jam shumë borxhli në shumë aspekte. Falenderoj pa kufi prindërit dhe gruan time Fitneten për mbështetjen që më kanë dhënë !
Komentet