Gazment Bardhi ka mbajtur sot një konferencë urgjente për mediat.
Ai ka treguar fakte që sipas tij lidhin vëllain e kryeministrit Edi Rama, Olsi Ramën me laboratorin e drogës në Xibrakë.
Ai tha se Olsi Rama ka përdorur të njëjtin automjet të paktën në 7 raste, që përdornin dhe anëtarë të tjerë të grupit kriminal. Asokohe sipas Bardhit, Olsi Rama ishte 45 vjeç.
“Pra, sipas dosjes penale policia ka identifikuar çdo person të përfshirë, përveç një personi që shoqërohej me drejtuesit kryesorë të grupit. Ajo i di pamjen personit, i di fiks moshën, por nuk i ka gjetur dot emrin!
Ky person i paidentifikuar nga policia, një ditë përpara operacionit për arrestimin e grupit, pra më 13 janar 2015, ka qenë prezent në bazën e grupit kriminal, në një nga zonat e Tiranës, sëbashku me drejtuesit kryesorë të grupit kriminal. Nga raportet e shërbimit të grupeve policore të vëzhgimit personi pa emër përshkruhet, po citoj: “personi i moshës 45 vjeç me flokë të shkurtra”, përdorues automjetit me targa AA653DM.
Vëllai i kryeministrit Edi Rama është i datëlindjes 09.09.1969 dhe në vitin 2014-2015 ka qenë ekzaktësisht 45 vjeç. Por do të ishte qesharake të akuzosh dikë vetëm për shkak të moshës dhe të pamjes.
Nuk do ta bëja nëse nuk do të disponoja të dhëna se Olsi Rama, sipas provave të sistemit TIMS, është ekzaktësisht përdorues i automjetit me targa AA653DM.
Nga të dhënat e sistemit TIMS rezulton gjithashtu se Olsi Rama, vëllai i kryeministrit dhe anëtarët kryesorë të grupit kriminal të Xibrakës, Genci Xhixha, Ermal Hoxha dhe Gentjan Gjonaj kanë përdorur disa herë, së bashku dhe veç e veç, automjetin me targa AA653DM.
Gjatë periudhës Prill – Dhjetor 2014, kur u planifikua dhe u zbatua plani për ngritjen e laboratorit të kokainës, automjeti me targa AA653DM është përdorur për hyrje-dalje nga Shqipëria nga Olsi Rama, Genci Xhixha (bosi i grupit kriminal), Ermal Hoxha (anëtar i grupit kriminal) dhe Gentian Gjonaj (anëtar i grupit kriminal). E ndërsa tre të tjerët janë identifikuar nga Policia, duke përshkruar edhe automjetet me të cilët kanë lëvizur gjatë takimit me grupin kriminal në bazën e tyre në Tiranë, 45 vjecari, përdorues i automjetit me targa AA653DM nuk është identifikuar me emër. Pra, policia dhe prokuroria, i vendosin në dosje moshën fikse të personit, por jo emrin!
Përdorimi i një automjeti nga i njëjti grup personash, tregon ndër të tjera besimin dhe miqësinë e ngushtë që kanë katër personat e sipërcituar me njëri-tjetrin”, tha Bardhi.
Kreu i Grupit Parlamentar i PD-së së Rithemelimit, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat, i ka bërë thirrje kreut të SPAK Altin Dumanit, që të rihapë dosjen e Xibrakës.
Gazment Bardhi ka zbuluar emrin e një individi, që thotë se ka qenë mik i Olsi Ramës dhe policia nuk e ka përmendur, edhe pse kishte lidhje me laboratorin e kokainës në Xibrakë.
Bardhi deklaroi se Genci Xhixha nuk është identifikuar, sepse ka qenë mik i Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.
“Nuk u arrestua për dosjen e Xibrakës Genci Xhixha, që u kthye nga rruga ditën kur u kryen arrestimet. Të gjithë të arrestuarit morën dënime minimale. Genci Xhixha nuk u gjend asnjëherë nga policia dhe është në kërkim. Ka një arsye. Kreu i organizatës të trafikut të kokainës ishte mik i Olsi Ramës, vëllai i Edi Ramës. Këto janë fakte që ndodhen në dosjen e Xibrakës.
Në dosje provohet marrëdhënia e besimit mes Olsi Ramës dhe kreut të organizatës kriminale që merrej me trafik droge. Policia ka identifikuar çdo person, përpos një personi. Policia di pamjet e personit, di moshën, por nuk e ka identifikuar. Policia e identifikoi të dyshuarin si person që ka një makinë që i është identifikuar targa”, deklaroi Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PD, ka deklaruar se dyshohet se ka qenë vetë Olsi Rama ai që ka nxjerrë jashtë territorit shqiptar, Genci Xhixhën.
“45 minuta pas arrestimeve, makina me të cilin udhëtonte nuk është regjistruar në të dhënat e TIMS duke lënë dyshimin se mund të ketë nxjerrë Genci Xhixhën jashtë kufirit. Asgjë nga këto nuk është rastësi. Nuk ka rastësi kur me detaje e planifikuan transportin nga Kolumbia të drogës dhe laboratorin në Xibrakë.
Makina me targa AA653 DBM nuk është e vetmja makinë që Olsi Rama përdori bashkë me të dhënat e grupit kriminal. Ata përdorën edhe dy automjete të tjera”, tha ai.
Bardhi shprehet se pjesëtari i organizatës kriminale në Xibrakë, që është i paidentifikuar, është Olsi Rama. Kjo, sepse në dosje është një 45-vjeçar, që ngjan me Olsi Ramën dhe ai ka përdorur të njëjtën makinë me trafikantët e që nuk është identifikuar nga policia.
“Të hapet sërish dosja Xibraka, të hetohet roli i Olsi Ramës për laboratorin e drogës. I drejtohem kreut të SPAK Altin Dumani, prova është dosja. Ndërsa për Edi Ramën kam një pyetje se përse krerët e organizatës kriminale përdorën me Olsi Ramën të njëjtën makinë.
Thelbi i çështjes është se çfarë bën Olsi Rama në të njëjtën makinë, ku kanë udhëtuar edhe kriminelët. Është koha që kryeministri të provojë mjerimin e së vërtetës dhe të çlirohet nga banditët dhe trafikantët”, deklaroi Bardhi.
(Balkanweb)