Me thirrje e duartrokitje është pritur para gjykatës ish-deputeti i PD-së Bardh Spahia i cili do të njihet sot me masën e sigurisë nga Gjykata e Shkodrës pasi akuzohet për ngjarjet e ndodhur në KZAZ, ku iu vu flaka materialeve zgjedhore.
Gazetari Senad Nikshiqi raportoi për “BalkanWeb” se qindra mbështetës janë mbledhur para gjykatës, ku gjithashtu ka një numër të madh efektivësh të policisë.
Me nisjen e seancës, ish-deputetit Bardh Spahia i është komunikuar akuza, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”. Prokuroria ka deklaruar se disponon prova e pamje filmike që tregojnë se Spahia ka qenë aktiv gjatë përplasjeve në KZAZ dhe nuk i është bindur urdhrit të policisë.
Më pas Spahia ka marrë fjalën dhe ka deklaruar se arrestimi i tij është një prapaskenë politike.
“Ngjarjet për të cilat po diskutojmë sot. Po bëj një parantezë sot jemi përballë një përplasje të fortë politike e sociale. Protestuesit kanë vepruar sepse nuk mund të lejojnë që të uzurpojnë një objekt publik pronë e bashkisë Shkodër.
Për këtë kemi marrë informacion nga ana e policisë dhe njerëzve të paautorizuar dhe jemi drejtuar nga pallati i Sportit tek shkolla. Morëm informacion se kishte tension dhe u drejtuam atje për të qetësuar situatën.
Duke kërkuar qe situata të qetësohej sepse ishte e tensionuar. Materialet zgjedhore ndodheshin në një ambient të pambrojtur dhe aty ka pasur njerëz të paautorizuar. Ne kishim detyrë për të qetësuar njerëzit. Veprimet e arrestimit tim kanë prapaskenë politike. Mendoj që gjykata duhet ta shohë dhe vlerësojë siç duhet dhe bazuar në ligj”, ka thënë Spahia.
Seanca në ngarkim të ish-deputetit zhvillohet me dyer të mbyllura. Spahia ka qëndruar më shumë se 48 orë në izolim, ndërkohë që u ndalua ‘live’ nga policia.
Në mbledhjen e natës së kaluar, pas protestës së nëntë kombëtare të opozitës, u vendos që të gjithë ish-deputetët do të jenë sot në Gjykatën e Shkodrës për të protestuar kundër ndalimit të tij. Partia Demokratike e quajti ish-deputetin Bardh Spahia të burgosur politik dhe i kërkoi prokurorisë urdhërimin e menjëhershëm të lirimit të tij.
Kujtojmë se mbrëmjen e kaluar qytetarë nga Shkodra kanë protestuar para Policisë së Tiranës aty ku mbahet ish-deputeti Spahia, i arrestuar pas ngjarjeve në KZAZ në Shkodër. Protestuesit kërkuan lirimin e Spahisë dhe personave të tjerë të arrestuar dhe paralajmëruan protesta të përditshme.
Komentet