Do të mjaftonte vetëm ky fakt rrëqethës që kryetari i Bashkisë të Tiranës të inkriminohej: për dy mandate, ka lënë një lagje të Tiranës me 70 mijë banorë pa asnjë çerdhe. Të inkriminohej, sepse e ka transformuar jetën e 70 mijë banorëve të Tiranës në periferi në një ferr të vërtetë.
Pretendimi i Erion Veliajt për mandat të tretë është në vazhdën e degradimit të sistemit në Shqipëri, vjedhjes së votës, betonimit të Tiranës me beton mafioz.
Tirana sot nuk njihet më, ajo ka një qendër monstrum me rrokaqiej që ia kanë zhdukur tërësisht kryeqytetit identitetin, ky fakt është një tjetër argument që do ta inkriminonte kryetarin e bashkisë, sepse në asnjë vend të botës së qytetëruar nuk preket zemra e qytetit, përveçse konservohet, mbrohet dhe kur ndonjë ndërtesë rrezikohet, ajo restaurohet duke i mbetur besnik historisë së jetës së qytetit.
Cinizmi dhe pashpirtësia e Erion Veliajt ndaj popullsisë së Astirit me 70 mijë banorë është e frikshme. Astiri sot është transformuar në një geto. Mjafton të shihet një reportazh i shkurtër, tepër i kursyer për të ndjerë mizorinë e kryebashkiakut për të shkatërruar psikën e banorëve, të cilët gjithë kohën jetojnë në tmerr e ankth se një kalim rruge mund t’ju shkaktojë vdekjen, apo merrni me mend prindërit në punë, të cilët gjithë kohën rrinë me zemër të ngrirë pasi mungesa e infrastrukturës së Astirit është një incident i paralajmëruar në çdo çast të ditës, pa u ndalur kurrë dhe pa fund.
Lagjia e Astirit, e ndërtuar me një stil barbar për të torturuar 70 mijë banorë, është e krahasueshme thjsht me burgjet dhe tmerret e diktaturës, pasi banorët, përveçse varfërisë, jetojnë në frikë dhe nën stress nga një trafik i çmendur pa rregulla, pa parkingje, pa asgjë.
Përse Erion Veliaj shpërfytyroi qendrën e Tiranës duke ia betonizuar qiellin me mijra e mijra tone beton dhe e barbarizoi e nuk urbanizoi Astrin?!
Për ta vënë në spikamë fajësinë e Erion Veliajt ndaj qytetarëve të Astirit, po sjell infrastrukturën e një qyteze të vogël në Zvicër, ku jetojmë. Nuk po e përmend emrin, por kushdo mund të hyjë në google për të parë shkollat e kopshtet apo strukturat e tjera në ndihmë të familjeve, të grave nëna etj. etj në çdo bashki nga 2’255 që ka syresh Konfederata Helvetike, të ndara e përqendruara në 26 kantone.
Qyteza për të cilën po ju shkruaj ka rreth 20 mijë banorë. Ajo përshkohet nga një tram i cili vjen çdo 7 minuta e të çon në Bazel në Stacionin e Trenit, SBB. Duke ndryshuar tram e bus pastaj mund të shkosh në Aeroport e kudo në kantonin e Bazelit apo Basel Landit, në një hapësirë prej rreth 560 kilometër katrorë. Përveç tramit, qyteza për të cilën po iu flas, në ndihmë të qytetarit ka edhe dy linja autobuzi që gërshetohen. Me këtë infrastrukturë kur respektohen oraret me përpikmëri shmanget domosdoshmëria e përdorimit të makinave personale.
Zebrat e verdha në qytezë, për të kaluar nga njëri krah i rrugës tek tjetri, nuk kanë semaforë, pra, automatikisht automjetet ndalin dhe presin deri sa kalimtarët t’i kalojnë vizat e verdha.
Qyteza rrethohet nga pyje, parqe e drurë që janë mushkëria e qytezës, ku hapësira e gjelbër të rrethon kudo, është një dimension relaksues, por edhe për të siguruar cilësinë e ajrit.
Shkollat dhe kopshtet janë të ndara në të gjithë hapësirën prej 7 km katrorë, ku shtrihet e gjithë qyteza, e cila ka mbi 20 çerdhe e kopshte si dhe 4 shkolla nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, po ashtu ka edhe struktura për të mikpritur fëmijët edhe pas orareve normale, kur prindërit punojnë deri në pasdite vonë.
Pra, llogarisni: një qytezë me 20 mijë banorë, në një hapësirë 7 km kartorë ka të paktën 20 struktura për fëmijët e mitur dhe parashkollorë, ndërsa një lagje e Tiranës me 70 mijë banorë jeton në mënyrë barbare, pa kopshte e shkolla, dhe fëmijët jetojnë në presionin e shëmtimit estetik dhe stresit.
Në fund dua të bëj një pyetje: këta 8 vjet çfarë ka bërë opozita?