Për një gjendje të qëndrueshme ekonomike, banorët e këtyre fshatrave besojnë se do të ndikonte shumë pozitivisht ri-vitalizimi i Trepçës, me shpresën se një proces i tillë do të mund të hapte vende të reja pune.
Haxhi Peci nga fshati Zhazhë, punon si roje në shkollën fillore “Isa Boletini”.
Ai thotë se gjithë jetën e ka kaluar në këtë fshat.
Sipas tij, dikur aty kishte infrastrukturë për të jetuar, por viteve të fundit atë e shqetëson fakti që në mungesë të perspektivës, të rinjtë po largohen.
“Të rinjve nuk u pëlqen ta punojnë këtu tokën, ata preferojnë të dalin jashtë shtetit. Shpresojmë se do të bëhet më mirë, por njerëzit duhet ta kuptojnë se duhet të punojnë”, thotë Haxhi Peci.
Mejdi Kelmendi nga fshati Lipë, thotë se ky fshat po përballet me shumë probleme, kurse banorët, në mungesë të përkrahjes institucionale janë lënë që të kujdesen vetë për të gjithat.
“Kemi probleme me ujë e më të gjithat. Sa rregullohet [furnizimi], menjëherë prishen pajisjet. Nuk ka përgjegjësi, sidmos me furnizim me ujë. Thonë se ka reduktime e prishje, por kujt s’i intereson”, thotë Mejdi Kelmendi.
Ndërkohë, kryetari i komunitetit në fshatin Lipë, Agron Kelmendi, thotë se ka disa investime në këtë fshat, në furnizim me ujë e rrymeë, ndërkaq po punohet edhe në një projekt rrugor për lidhjen e fshatrave mes vete.
Aktualisht, Kosova është në procesin e zgjedhjeve të përgjithshme, kurse në vjeshtë do të mbahen edhe zgjedhjet komunale, andaj Kelmendi pret që të ketë disa lëvizje pas formimit të institucioneve të reja.
“Presim që faktori politik i Kosovës t’i zgjidhë shumë çështje që kanë mbetur pezull, pikë së pari për liberalizimin e vizave dhe punësimin, çka na intereson më së tepërmi”, thotë Agron Kelmendi.
Sa i përket veriut të Kosovës, ai pret që të dyja nivelet e pushtetit të krijojnë kushte për lëvizje të lirë në drejtim të jugut dhe veriut të Kosovës.
Pjesa veriore e Kosovës, përbëhet nga katër komuna me shumicë serbe.
Ndërkaq shqiptarët, të cilët në pjesët tjera të Kosovës përbëjnë shumicën, në veri banojnë në numër më të vogël nëpër disa fshatra të këtyre komunave.
Komentet