Auklandi është qyteti i parë i madh që mirëpret vitin 2025, me mijëra njerëz që numëruan sekondat deri sa mbërriti mesnata dhe shijuan fishekzjarret shumëngjyrëshe që u lëshuan nga ndërtesa më e lartë e Zelandës së Re, ‘Sky Tower’ dhe një shfaqje spektakolare dritash në qendër të qytetit. Festimet pasojnë një vit që është shënuar nga protestat për të drejtat e fisit indigjen ‘Maori’ në vendin me 5 milionë banorë.
Dy orë pas Zelandës së Re, më shumë se 1 milion njerëz ndoqën shfaqjen tradicionale të fishekzjarreve në Sidnei të Australisë. Ylli britanik i muzikës pop, Robbie Williams udhëhoqi programin dhe ceremonitë që këtë vit iu kushtohen fiseve indigjene australiane.
Ndërkohë, edhe qytetet e tjera anembanë botës po përgatiten të mirëpresin Vitin e Ri, me festime që nxjerrin në pah kulturat dhe traditat e ndryshme lokale, pas një viti të trazuar me konflikte të vazhdueshme dhe paqëndrueshmëri politike.
Azia përgatitet për ‘Vitin e Gjarprit’
Pjesa më e madhe e Japonisë është mbyllur në prag të festimeve më të mëdha në vend, me tempujt dhe shtëpitë që iu nënshtruan një pastrimi të plotë. Ky ‘Vit i Ri i Gjarprit’, siç njihet në kulturën aziatike, është thënë se është viti i rilindjes – duke iu referuar ndërrimit të lëkurës së gjarpërinjve.
Për shkak të kësaj feste, dyqanet në Japoni po shesin objekte zbukuruese të ndryshme që lidhen me gjarpërinjtë. Vendet e tjera në Azi do të nisin kremtimet e ‘Vitit të Gjarprit’ më vonë, me Vitin e Ri Hënor.
Në Korenë e Jugut festimet u ndërprenë ose u anuluan, për shkak të zisë kombëtare pas rrëzimit të dielën të një avioni të kompanisë ‘Jeju Air’ në Muan, ku si pasojë humbën jetën 179 persona.
Rivalët e perëndimit demonstrojnë marrëdhëniet mes tyre
Mediat shtetërore kineze njoftuan një shkëmbim urimesh për Vitin e Ri mes Presidentit të Kinës, Xi Jinping dhe atij rus Vladimir Putin, një tregues i marrëdhënieve gjithnjë e më të afërta të dy udhëheqësve që kanë raporte të tensionuara me Perëndimin.
Presidenti Xi i tha homolgut të tij rus Putin se vendet e tyre “gjithmonë do të përparojnë krah për krah”, njoftoi të martën agjencia e lajmeve ‘Xinhua’.
Kina ka ruajtur lidhje të forta dhe ka zhvilluar tregti me Rusinë që nga sulmi rus kundër Ukrianës në vitin 2022, duke e ndihmuar Moskën në kompensimin e dëmeve për shkak të sanksioneve dhe përpjekjeve të Perëndimit për ta izoluar Putinin.
Meshë mesnate, dolli me shampanjë
Në qytetin e Romës, festimeve tradicionale të Vitit të Ri i shtohet edhe fillimi i Vitit të Shenjtë të Papa Françeskut. Festa që shënohet në çdo çerek shekulli, pritet të sjellë rreth 32 milionë pelegrinë në kryeqytetin italian, që njihet edhe si ‘qyteti i përjetshëm’.
Të martën nisin kremtimet me ceremoni lutjesh në bazilikën e Shën Pjetrit, pasuar me meshën e së mërkurës, ku pritet që Papa Françesku të përsëris thirrjet për fundin e luftërave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.
Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, Katedralja e Shën Palit në Minesota organizon një meshë që fillon një orë para mesnatës dhe një dolli për shënimin e Vitit të Ri.
1 janari është një ditë detyrimi për katolikët, që shënon ‘Solemnitetin e Marisë’, ndërsa shumë kisha që do të zhvillojnë mesha pasditën e së martës dhe në mbrëmje.
Festa me fishekzjarre në Paris dhe Londër
Parisi shënon Vitit e Ri me numërimin tradicional të sekondave deri në mesnatë dhe fishekzjarret në bulevardin e njohur ‘Champs-Elysees’.
Organizimi i Lojërave Olimpike Verore dhe Lojërave Paraolimpike nga korriku deri në shtator ka transformuar kryeqytetin francez në një vend gëzimi, vëllazërie dhe arritjeve sportive, një tjetër moment historik që shënon rimëkëmbjen e qytetit nga sulmet vdekjeprurëse ekstremiste islamike më 2015.
Kryeqyteti anglez do ta presë Vitin e Ri me një shfaqje fishekzjarresh përgjatë lumit Thames dhe një paradë me 10 mijë interpretues në qendër të qytetit të mërkurën.
Për shkak të motit të ligë në pjesë të tjera të Mbretërisë së Bashkuar, ceremonitë e planifikuara në Edinburg të Skocisë u anuluan.
Në Rio do të festojnë 2 milionë njerëz
Në plazhin Copacabana të Rio de Zhaneiros do të zhvillohet ceremoinia kryesore e pritjes së Vitit të Ri, me 10 tragete në det që do të ofrojnë një shfaqje 12 minutëshe fishekzjarresh. Mijëra turistë në gjashtë anije do të shohin nga afër këtë shfaqje.
Më shumë se 2 milionë njerëz pritet të mblidhen në Copacabana, të cilët do të shijojnë koncertin e artistëve të njohur brazilianë si këngëtarja e muzikës pop, Anitta dhe fituesi i çmimit Grammy, Caetano Veloso.
Traditat e reja dhe të vjetra amerikane
Në qytetin e Nju Jorkut, kompania që menaxhon sheshin e njohur ‘Times Square’ testoi rënien e topit të famshëm, simbolin e vitit 2025, numrat, dritat dhe mijëra kristale,t që janë pjesë e traditës së njohur të pritjes së Vitit të Ri që ka nisur nga viti 1907. Festimi i këtij viti do të përfshijë një shfaqje muzikore ku do të performojnë artistë të njohur si Rita Ora, TLC, Jonas Brothers dhe Sophie Ellir-Bextor.
Fstimet në ‘Times Square’ pritet të mbledhin turma të mëdha njerëzish, pavarësisht parashikimeve për reshje shiu dhe motit të ftohtë.
Ndërkohë, në Las Vegas të Nevadës do të ketë tradita të vjetra dhe të reja të pritjes së vitit të ri. Shfaqja vjetore tetë-minutëshe e fishekzarrjeve nga çatitë e nëntë kazinove pritet të mbledhë rreth 340 mijë njerëz.
Aty pranë, objekti masiv i njohur me emrin ‘Sphere’ do të shfaqë për herë të parë numërimin mbrapsht deri në mesnatë në zona të ndryshme kohore.
Muzikë, futboll, vrap në mesnatë
Qyteti Pasadena në Kaliforni është përgatitur për ‘Paradën e Trëndafilave’, një traditë e përvitshme amerikane që filloi 134 vjet më parë. Parada i paraprin një ndeshje futbolli amerikan mes klubeve ‘Ohio State Buckeyes’ dhe ‘Oregon Ducks’ më 1 janar.
Mijëra njerëz pritet të marrin pjesë në një garë vrapi.
Rreth 200 mijë njerëz do të festojnë në Nashvill të Tenesisë, në një koncert pesë-orësh të disa prej yjeve më të mëdha të muzikës ‘country’.
Samoa Amerikane është ndër të fundit që mirëpret vitin e ri, plot 24 orë pas Zelandës së Re.
Komentet