Banka Botërore paralajmëron se rritja e pandalshme e sektorit të ndërtimit në Shqipëri po shndërrohet në një risk për sistemin bankar.
Në raportin e fundit ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor, BB vëren se bankat shqiptare kanë ekspozimin më të lartë në rajon ndaj sektorit të ndërtimit duke u sugjeruar autoriteteve që të kenë kujdes të shtuar në këtë drejtim.
Sipas të dhënave zyrtare, pesha e kredive për ndërtimet rezidenciale është sa 37 për qind të totalit të huave që kanë dhënë bankat shqiptare. Vendi i dytë më ekspozimin më të lartë të sistemit bankar në sektorin e ndërtimit është Maqedonia, ku pesha e kredive për ndërtimet rezidenciale është sa 33 për qind e totalit. Në të gjitha vendet e tjera, ky tregues është nën 25 për qind.
Çmimet e banesave janë rritur me shpejtësi në të gjithë rajonin, veçanërisht në tre vitet e fundit duke regjistruar rritjen më të lartë në dekada. Paralelisht kjo rritje është shoqëruar edhe me zgjerim të kredisë hipotekore që bankat japin për konsumatorët. “Kjo situatë ka shtuar shqetësimet për mbivlerësim të çmimeve të apartamenteve, por edhe për rritjen e borxhit të familjarëve,” vëren Banka Botërore.
Sipas Bankës, ekspozimi i bankave në klasën e aseteve të pasurive të paluajtshme është i lartë për të gjitha vendet e rajonit. Kjo ka ardhur për tre arsye. Së pari, vitet e fundit pjesa më e madhe e kredidhënies vjen nga kredia për banesa. Së dyti, aktualisht ndërtimet përbëjnë pjesën dërrmuese të kolateralit bankar dhe së treti, aktualisht bankat kanë në bilancet e tyre miliona euro pasuri të paluajtshme të sekuestruara, të cilat nuk likujdohen.
Për shkak të këtij ekspozimi të lartë, sektori i ndërtimit mbetet faktori kryesor i riskut për sistemin bankar në vend. Por pavarësisht këtyre shqetësimeve, ndërtimi në Shqipëri vazhdon të zgjerohet me ritme të shpejta, veçanërisht në kryeqytet dhe zonat bregdetare të vendit. /Oligarkia.al