Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dihet se fillojnë diku nga vitet 1908. Forcimi i diasporës shqiptare në tokën e lirisë Amerikë është një fatmbarësi për popullin shqiptar. Ishin vështirësitë ekonomike shoqërore që i shtynë shqiptarët e viteve 1910-1920 e më tej që të linin atdheun për një jetë më të mirë në “Tokën e re”, pikërisht në ishullin Long Ajlend në këmbë të Statujës të Lirisë, pranimi nga ana e amerikanëve pavarësisht nga paligjshmëria e hyrjes të tyre në Amerikë është fakt i kryer. Kështu është nisur edhe Themistokliu i ati i Eftim Dodonës autorit të librit “Historiku i Bandës Kombëtare “Vatra” 1916-1924”.
Themistokliu u nis nga porti i Pireut me vaporin “Themistokle”. Ata kanë lënë shënime udhëtimi dhe shtojnë se kanë kaluar edhe pa bileta, por edhe duke u fshehur në dhomën e motorëve, mjaftonte që të paguanin (biletën e udhëtimit me vapor), për të mbritur mbas dy javësh në Amerikë. Të grupuar si një koloni drenovarësh në qytetin e Uster (Worcester), të ardhur vit pas viti prisnin këdo që vinte nga Drenova e Korça. Krahas punëve të lodhshme shpesh mbas saj ata mblidheshin në konaqe, ku qanin hallet e familjes dhe të atdheut. Kjo u bë burimi i fillimit në shoqëri të ndryshme të emigrantëve shqiptarë të Amerikës. U kurorëzua me sukses më 12 prill të vitit 1912 në Boston.Mass, u vendos bashkimi i shoqërive. Shkrirja dhe bashkimi i tyre krijoi Federatën Pan- Shqiptare “Vatra” të Amerikës e udhëhequr nga kollosët e mendimit të kombit shqiptar Fan Noli dhe Faik Konica. Federata “Vatra” zhvillon një sërë aktivitetesh politike në ndërkombtarizimin e çështjes shqiptare, bëhen takime të ndryshme me qeveritarë të ndryshëm shtetesh e me presidentë në kuadrin e Lidhjes së Kombeve për çështje të Ballkanit në përgjithësi e në veçanti për Shqipërinë, Kosovën dhe Çamërinë. Bëhen fushata të ndryshme, mblidhen ndihma për Shqipërinë, kulmi arrin më 3 qershor të vitit 1917, e cila u quajt “Dita e shpëtimit të Shqipërisë”. Thirrjen e shqiptarëve të Amerikës ku thuhet: “Çlirimi dhe e ardhmja e Shqipërisë varen nga shqiptarët e Amerikës”. Nga malli, por edhe për të përmbushur jetën e tyre, u krijuan grupe të vogla (artistike), muzikore dhe teatrale. Në qytetin e Xhejmstaun (Jamaestown) në vitin 1915 u formua Banda muzikore me emrin “Mbretëresha Sofia”, për nder të bashkëshortes së Princ Vidit, e cila drejtohej nga dardhari Thoma Vishnja. Më 28 nëntor të vitit 1916 kjo bandë dha koncert në qytetin e Usterit, me muzikë e këngë atdhetare. Sipas Eftim Dodonës ky aktivitet u bë shkaku që shqiptarët e Usterit të mendonin për të patur një “Bandë muzikore” në mënyrë që të festonin 5 vjetorin e pavarësisë pas një viti. Duhej një muzikant profesionist që t’i mësonte dhe t’i drejtonte ata.
Një dardhar i quajtur Thoma Nashi, ishte duke vazhduar Konservatorin e Muzikës Nju Ingland të Bostonit, këtij talenti që do të mbaronte shkollimin me vlerësimin më të lartë ia besuan organizimin e bandës së Usterit. Më 3 dhjetor të 1916 në klubin “Adriatik” ishin mbledhur ata që ndjenin dëshirë për të marrë pjesë në çfarëdo vepre e cila do i sjellë dobi çështjes kombëtare. Fjalët e z Nashi shtuan dhe rrënjosnë dëshirat e djemve të cilët menjëherë me zë të përgjithshëm e zgjodhën zyrtarë fuqiplotë mbi organizimin e Bandës, – citon Eftim Dodona këtë paragraf nga një shkrim i zotit Zisi Morcka në gazetën “Dielli”. U zgjodhën Kosta Pano kryetar, Vangjel Sotiri arkëtar, Zisi Th.Morcka sekretar, Tajar Çami anëtar, Luis (Ilia) Treska anëtar, Zisi A.Stavre inspektor. Data 17 dhjetor mbahet si data e themelimit të Bandës Kombëtare “Vatra” në qytetin e Uster të shtetit Massachuests, – Ne të nënshkruarit, sot më datë 17 të muajit dhjetor të vitit 1916 duke dëshiruar përparimin e atdheut tonë, edhe duke marrë ndër sy se fillimi i një Bande është një nga mënyrat e përparimit, vendosmë të formojmë Bandën me emrin Vatra”. Pas përgatitjeve dy mujore, shfaqjen e parë e dha më 7 mars të vitit 1917 në qytetin e Usterit. Kur ngjarjet zhvillohen në Luftën e Parë Botërore dhe Kryqi i Kuq Amerikan hap një fushatë për të kërkuar ndihma dhe me këtë nismë bashkohet mandolinata “Dodona” dhe Banda Kombëtare “Vatra”, – shkruan gazeta “Dielli”. U shkruajt në gazetat e shqiptarëve të Amerikës për shqiptarin e famshëm Thoma Nashi i cili ishte një flautist virtuoz në Orkestrën e Bostonit e që luajti në Symphony Hall, Boston, pjesën me flaut, Sinfoninë e nëntë të Beethoven-it. Kjo orkestër mbahej nga më të mirat në botë, në të bënin pjesë palca e muzikës botërore prej shumë kombësish. Thoma Nashi kompozoi “Fantazia shqiptare” dhe shumë pjesë të tjera me motive shqiptare. Në të gjitha aktivitetet e saj Banda Kombëtare “Vatra” i fillonte me interpretimin e dy himneve kombëtare, atë të Amerikës dhe të Shqipërisë. Në programin e saj zunë vend dhe vënia në skenë e dramës së Kristo Floqit “Vdekja e Pirros”.
Eftim Dodona në kujtimet e të atit citon ndër të tjera se si ai u mobilizua në ushtrinë amerikane me emrin Peter Thomson nga emri i vërtetë Petro Themistokli, e krahas tij ishin edhe shumë shqiptarë të tjerë që bënin stërvitje në Camp Devens Mass. ishin edhe Thoma Nashi. Në këtë kamp ushtarak organizohet një takim i At Fan.S. Nolit me ushtarët shqiptarë në të cilin ai me fjalën e tij kumbuese dhe prekëse lidhi në mënyrë të shkëlqyer Shqipërinë me Amerikën. Ky fjalim pati jehonë në shtypin amerikan të kohës, madje dhe gazetën javore të qendrës ushtarake në Camp Deves “The Trench and Camp”. Ushtari Thoma Nashi organizoi bandën muzikore me ushtarë shqiptarë dhe dha një koncert me pjesë të zgjedhura në Camp Devens i cili u mirëprit nga komanda dhe u gradua me gradën “first sergeant”, reshter i parë e më vonë kapter në muzikë duke drejtuar bandën e repartit. Ndihet një kërkesë e kohës, dhe për situatën që po kalonte Shqipëria, ndjenja e atdhedashurisë ishte rritur tek shqiptarët e Amerikës të cilët gjithmonë e më shumë shprehnin dëshirën për t’i ardhur në ndihmë atdheut edhe si vullnetarë me ç’të mundnin. Banda Kombëtare “Vatra” kishte shprehur e para këtë dëshirë dhe kish filluar përgatitjet. Në një shkrim të Thoma Nashi në gazetën “Dielli” e mbyll kështu atë, – Nëse doni të çani rrugët e Shqipërisë, duke udhëhequr shqiptarët, ja ku është rasti i fundit, – bëhet fjalë për një thirrje të fundit atdhetarëve muzikdashës që dëshirojnë të hyjnë në këtë trupë. Niveli artistik i Bandës Kombëtare u rrit në dy vjet dhe në 14 qershorin e vitit 1919 u luajt në Worçester Theatre, Worçester Mass, për të parën herë drama kombëtare “Fe e Kombësi” e Kristo Floqit. Kishin ardhur më shumë se 500 spektatorë të cilët u kënaqën edhe me muzikën që shoqëronte dramën në piano ku luante atdhetarja Katherina Sotiri dhe në flaut Thoma Nashi. I paharrueshëm në historinë e kësaj bande mbetet aktiviteti i saj me rastin e paradës së 4 korrikut, ku marshuan përmes Mai Street me dy flamujt të mëdhenj përpara, një të Amerikës dhe një të Shqipërisë e nuk mbaronin duartrokitjet e të pranishmëve dhe me ftesë të chairmanit të paradës ftohen të japin një koncert në Parkun e Saco-s.
Veprimtaria e Bandës Kombëtare “Vatra” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisi që nga dita e themelimit të saj më 17 dhjetor 1916 e deri më datën 10 mars të vitit 1920 kur ata nisen për Shqipëri me një mision tjetër. Do të përfshihet në cilësinë e një Bande Ushtarake e cila me marshet e saj do të lartësojë frymën dhe ndjenjën kombëtare. Kjo Bandë Ushtarake do të vijë të marrë pjesë në çlirimin e vendit në bazë të vendimeve të Kongresit të Lushnjes. Një nga organizatorët e trupës ushtarake ishte kapiteni Aqif Përmeti. I vetmi dëftimshkrim për udhëtimin e kësaj trupe ushtarake dhe i Bandës Kombëtare “Vatra” është i Llambi Jorgjit, shkruan Dodona. Banda Kombëtare “Vatra” niset nga Usteri më 10 mars dhe mbërrijnë në New York më 13 mars 1920. Para nisjes për në Shqipëri ajo dha një koncert në “Theatre Broadway Central Hotel dhe një ditë më vonë dhanë disa koncrte klasike për koloninë e New Yorkut ku këndoi dhe baritori me origjinë arbëreshe nga Italia, Mauro Barbaçi. Udhëtimi zgjati 2 javë dhe çdo ditë kishte koncerte të cilat i dëfrenin udhëtarët. Më në fund mbërrijnë në Durrës pas disa peripecive në doganat italiane, sepse për ata ishim “persona non grata”, – kujton Th. Nashi. Lajmin e mbërritjes së Bandës “Vatra” e jep gazeta “Drita” e Gjirokastrës me botues Veli Harshovën. 200 vullnetarët i komandon kapiten Aqif Përmeti dhe bandën e udhëheq profesor Thoma Nashi nga Dardha, – shkruhet ndër të tjera. Në kujtimet e Petro Themistokliut kemi këtë përshkrim, – Në mes të rrugës për në Tiranë na doli Afiz Ali Korça me 200 qeleshe e na tha se duhej të hiqnim kapelet me strehë dhe t’i zëvendësonim me qeleshet, gjoja se populli ishte fanatik. Por, populli i Tiranës na priti me dashuri të madhe duke thirrur, – rrofshin vullnetarët, rroftë Shqipëria. Ardhja e Trupës dhe e Bandës formuan më tepër besimin e popullit tek Qeveria e Tiranës dhe përkrahja që i jepej kësaj qeverie nga Federata Pan Shqiptare “Vatra” tashmë ishte e dukshme, e prekshme. Mbi të gjitha pas kësaj Trupe Ushtarake dhe Bandës së saj shprehej dhe përkrahja e një shteti të madh, siç ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që lejuan nisjen e kësaj trupe ushtarake për të marrë pjesë në luftë. E siç del nga kërkimet e profesor Eftim Dodonës, ky udhëtim i kombëtaristëve shqiptarë të ardhur nga Amerika, ishte jo vetëm një sakrificë e detyrë për kombin, por edhe përcolli shumë mesazhe shprese, besimi, emancipimi drejt një Shqipërie perëndimore. Elbasani, Berati, Gjirokastra, Delvina, Saranda e Vlora e më pas Korça qytete ku i shkelën këta patriotë, përbëjnë një pasuri të pashembullt për historinë e Shqipërisë me fakte ende të pazbardhura nga kujtimet e tyre.
Eftimi me durim shkencor ka gërmuar krahas shtypit të kohës edhe kujtimet e dëshmitarëve sa ishin gjallë. Ai e nisi këtë libër prej 434 faqesh në kërkim të rrënjëve të familjes, si për t’u kushtuar babait nga i biri dhe e trajtoi si një fjalë e përdorur nga Faik Konica në veprën madhore “Albania” “dëftimshkrime” në vend të fjalës dokumente. E përkrahur nga e gjithë Shqipëria, lufta e Vlorës mori përmasa kombëtare aty u gjendën edhe vullnetarët e Amerikës së bashku me Bandën. Thoma Nashi kompozoi këngën “Vlora Vlora” me tekst nga poeti Ali Asllani. Banda Kombëtare ishte vendosur në Drashovicë, – citon Eftim Dodona fjalimin e Thoma Nashit mbajtur në Organizatën e Studentëve shqiptaro-amerikanë në Universitetin e Harvardit, në dhjetor 1960. “Ne ishim në vijën e parë të frontit për të ngritur moralin e luftëtarëve. Vinin në spital tek të plagosurit tanë, por edhe italianë infermieret e Kryqit të Kuq Amerikan. Ne luajtëm marshe patriotike për t’u dhënë fuqi të reja luanëve vlonjatë dhe të tjerë të cilët shtrnguan armikun që të lerë Vlorën, atë Vlorë që është kujtimi i gjithë shqiptarëve, – kujton ndër të tjera edhe Petro Themistokliu i ati i Eftimit”. Gërshetimi materialit historik si Tefteri i Bandës “Vatra” i mbajtur nga Zisi Morcka dhe i dhuruar nga kompozitori Llazar Morcka i biri i Zisit autorit të librit “Historiku i Bandës Kombëtare “Vatra”, profesor Eftim Dodonës me shtypin e kohës dhe libra të tjerë të periudhës ka qenë një punë këmbëngulëse me plot pasion e atdhedashuri prej shkencëtari. Detajet i japin këtij libri pjesën emocionale. Përshkrimi i tyre na përcjell, sa faktin, si tek nisja e emigrantit dhe ardhjen e tij në atdhe, apo transformimin e mbiemrit Themistokliu në Dodona për shkak të hapjes së një restoranti në Korçë pranë Liceut francez, në nderim të tempullit të Dodonës. Vlerësimi i lartë që i bën Faik Konica Bandës Kombëtare “Vatra” e cila po luante me dinjitet kryeveprat botërore të Bachut, Schubert, Shopen, Verdit, Moxart e Bethoven e shumë të tjerëve, përbën lajmotivin patriotik të kësaj bande, e cila po bën të njohur muzikën e mirë në Shqipëri. Një bandë që ka kurajon të interpretojë një muzikë aq të lartë meriton simpatinë dhe respektin e çdo njeriu që kupton”. Po ndërsa qeveria e Sulejman Delvinës e shpalli me ligj fondin prej 40000 franga ari në vit për Bandën Kombëtare “Vatra”, qeveria e Ahmet Zogut e vitit 1924 nuk mundi ta mbante, – siç shprehej ajo, – i kushtonte shumë mbajtja e kësaj bande, pa harruar faktin se ata ishin mbështetësit e deputetëve Fan Noli e Faik Konica të Korçës. Jeta e shumë anëtarëve të asaj bande muzikore ndryshoi në kahje të ndryshme. Vetëm tre persona arritën të vazhdonin profesionin e muzikantit. Ata kur kalonin në qytete njiheshin si amerikanët e Bandës “Vatra”, sepse kurrë nuk e hiqnin kapelen republike. Për çdo rast përvjetor të pavarësisë ata ishin të ftuarit e nderit në Vlorën e Flamurit. Shumë prej tyre janë dekoruar me urdhra e medalje të ndryshme, si shenjë vlerësimi për veprimtari patriotike.
Profesor Eftim Dodona ka mbaruar 3 vjet në Universitetin e Moskës dhe 2 vjet në atë të Tiranës. Profesioni Gjeolog, Palenteolog (mikropaleontolog) Statigraf. Ka botuar krahas librave me tekste mësimore, artikuj të shumtë shkencorë në vend dhe jashtë, si në Itali, Francë, Greqi, Rusi. Ka botuar jashtë profesionit librin “Noli i panjohur”, ka botuar me 3 vëllime “Faik Konica” shkrime nga “Albania” (1897-1909). Ka shkruar artikuj për shqiptarët që kanë studiuar në Universitetin e Havardit. Faik Konica (1912), Kostë Çekrezi (1918), Koço Tashko (1920).