Dhurata më e madhe që mund ti bësh dikujt është koha jote, sepse kur i dhuron kohën tënde, i dhuron një pjesë të jetës tënde, që nuk do të kthehet kurrë mbrapa….
Më 29 Nëntor, në ditën e festës së veçantë për popullin shqiptar, Shoqata Shqiptare Për Personat Në Vështirësi, nën drejtimin e humanistes Ëngjëllushe Mërtiri zhvilloi një veprimtari të veçantë. Ajo i dorëzoi shtëpinë e rindërtuar familjes së Vasil Doko në Pishë-Poro, Fier, që i ka vdekur bashkëshortja dhe i ka lënë tri vajza, që jetonin në kushte të mjerueshme, në shtëpinë e shkatëruar. Ishin të pranishëm bashkëpuntorë të kësaj Shoqate, Ambasadorët për Paqe – Lulzim Brahja e Kozeta Zavalani, njëkohësisht edhe përfaqësuese e Fondacionit Nermin Vlora Falascki, së bashku me Koordinatoren për Diasporën Vitore Stefa Leka ardhur nga Trieste dhe kryetarja e deges së këtij Fondacioni për Gratë Intelektuale Myzeqare, Lida Goga. Edhe rrezet e diellit, ndriçonin e ngrohnin zemrat e të gjithëve në këtë fund të vjeshtës së tretë, duke i uruar mbarësi me rastin e festive të 28 e 29 nëntorit.
Kryetarja e Shoqatës Shqiptare për Personat në Vështirësi
Kjo Shoqatë ka në krye të saj ka një grua të mrekullueshme si Ëngjëllushe Mërtiri, e cila me zemrën e saj të madhe, shpirtin human e të çiltër ndihmon me shumë dashuri e mirësi të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë.
Me të u njoha para dy vitesh në Bon të Gjermanisë, në Konferencën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut IGFM. Më la mbresa mirësia me të cilën fliste ajo dhe djali i saj Fationi, me të cilin punojnë në drejtimin e Shoqatës, për të ndihmuar njerzit në nevojë. Një ndër qëllimet e veprimtarisë së Shoqatës është mbledhja e ndihmave monetare, në ushqime, në veshmbathje, etj., nga anëtarët e shoqatës, persona të tjerë apo donatorë, dhe shpërndarja e tyre për personat në vështirësi. Ëngjellushja lindi e u rrit në familjen Kanani në Bishan të Fierit. Pas martesës me Ligor Mërtirin dhe lindjes së tre fëmijve, ajo pasi shpëtoi nga kthetrat e vdekjes, iu përkushtua familisht ndihmës ndaj njerëzve në nevojë. Veprimtaritë në vazhdimësi kanë qenë me ndihma në veshmbadhje, batanie, këpucë e ushqime për festën e 1 qershorit dhe fillimit të vitit të ri shkollor. Ndihmat u përqendruan kryesisht tek pëmijët por dhe për familjet e përmbytura nga lumi Vjosë, me dëme të konsiderueshme në bageti, bujqesi, pajisje e orendi shtëpiake..Për këtë veprimtari ajo së bashku me stafin e shoqatës falenderojnë Kryqin e Kuq të qytetit Arta në Greqi, që me humanizëm gëzuan shumë fëmijë dhe njerës që ishin të pashpresë e në momente të vështira. Falenderimi u takon edhe të gjithë antarëve e vullnetarëve, që punojnë pa shpërblim, në çdo veprimtari të këtij lloji. Personalisht kam marrë pjesë në disa të tilla, si ishte ajo e 8 marsit, në ndihmë të grave në nevojë e nënave me fëmijë jetimë, ku jam mrekulluar jo vetëm nga përkushtimi i Luçit, por edhe vajzës së saj Mimoza Mërtiri dhe dy djemve. Ashtu si kanë bukurinë e pamjes e kanë edhe bukurinë e shpirtit…
Krenari për ndihmën e ofruar në banesën e rindërtuar.
Humanistja Ëngjëllushe Mërtiri, apo Luçi, si e thërrasin të gjithë, duke hapur derën e shtëpisë së rindërtuar, uron vajzat e familjes Doko
– E gëzofshi shtëpinë dhe uroj ta mbushni vetëm me të mira e gëzime!…Një falenderim të veçantë e bëj për antarët dhe vullnetarët e shoqatës, që u përkushtuan në rindërtimin e kësaj shtëpie. Është një arritje e madhe dhe realizim i një dëshire të kahershme, nga ana jonë, thotë Luçi, ndaj dua të përgëzoj në emër të shoqatës dhe bordit drejtues të gjithë sponsorat, që u treguan humanë për nismën në rindërtimin e shtëpive, që sot është bërë realitet me përfundimin e shtëpisë së gjashtë në Pishë Poro të Fierit. Për pak kohë dhe në mot të keq u rindërtua kjo shtëpi, e cila ishte në kushte extreme jetese, kur gjithçka binte mbi trupat e njomë të këtyre vajzave jetime dhe tani jemi krenare, që kjo familje, do të jetojë në kushte normale, për të qenë edhe ajo si gjithë familjet e zonës ku ata janë banorë.
Engjëllushe Mërtiri pohoi se, bamiresitë e Shoqatës që ajo drejton, do të vazhdojnë gjithmonë ndaj kësaj shtrese të shoqërisë në nevojë. Unë dua të theksoj se, kur bën bamirësi, nuk ndihet mirë vetëm ai që përfiton, por edhe ai që dhuron, ndaj mos nguroni të dhuroni jo vetëm kohën tuaj, por edhe artikuj shtëpijakë apo veshje, që për ju ndoshta janë të tepërta e të panevojshme, por për shumë familje janë të domosdoshme e ju ndryshojnë jetesën…
Përshëndetje nga bashkëpuntorët e të ftuarit
Në këto veprimtari të pranishmit u përshëndetën me poezi nga autorja Aferdita Balilaj, e cila ka shkruar librin “Gruaja ëngjëllore”, pasi Luçi ka aftësi të rralla e të jashtëzakonshme. Ja si shprehet njëra prej tyre:
“Kur hyn brenda tek Luçi, menjëherë çlirohesh, merr frymë lirisht, tamam sikur je në një majë mali, ku era pranverore të ledhaton fytyrën dhe qetësohesh shpirtërisht. Ndaj Luçi është e rrethuar me njerëz përherë, sepse jetën ua bën pranverë…”
Falenderimet nuk i kanë munguar asnjëherë. Ja si shprehet një familje që jeton në Itali: “Trupin e zemrën na e ke shëruar, jetën na e ke rinuar,
fëmijët na ke gëzuar. Për ty Luçi, zemrën ta japim si dhuratë…”
Një nënë tjetër shkruan:
“Zemra ime u qetësua,
se fëmija im u shërua,
sepse ti erdhe me nxitim,
si dallëndyshja kur niset në fluturim.
Me fjalën tënde të ëmbël më bëre më të fortë
Ngrohtësia jote më dha shpresë
Që asnjë ëndërr të mos vdesë…”
Nga fjala e zonjës Vitore Stefa Leka
– Jam shumë e emocionuar, fillimisht dua të falënderoj Kozeta Zavalanin, që më bëri pjesë të kësaj veprimtarie, me të cilën së bashku jemi në Fondacionin Nermin Vlora Falascki, që drejton Zenepe Luka. Ne të gjitha jemi pasuese të Nënë Terezës, sepse ecim në gjurmët e dashurisë njerëzore dhe unë po gjej këtu një nënë Terezë të vërtetë. Edhe mua më është vënë ky epitet qysh në vitet 90-të kur shkuam në eksodin-emigracion dhe shumë bashkatdhetarë të mi i kam strehuar në shtëpinë time në Trieste, ku jetoj, midis së cilëve edhe shumë drejtues të partive politike e të shtetit shqiptar, por kjo nuk ka rendësi, rëndësi për mua ka kush e ndihmon Shqipërinë time. Ja ku kam para syve të mi, një grua, që pa asnjë ndihmë nga shteti, ndihmon me forcat e veta të familjes dhe të antarëve të shoqatës, këto familje në nevoje, me këto vajza jetime, që o u fshin lotët dhe po u kthen buzëqeshjen. Unë jam koordinatore dhe presidente nderi e shumë shoqatave në emigracion, me të cilat do të krijoj lidhje me ju për tju ndihmuar.
Nga fjala e zonjës Lida Allkaj Gogaj
Lida Goga është Kryetare e Degës “Myzeqeja” të Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, e cila po këtë muaj zhvilloi aktivitetin kulturor “Nderim gruas artiste të Myzeqesë” me rastin e 85 vjetorit të lindjes të Artistes së Merituar zonjës Marika Kallamata, në Fier më 16 nëntor, me mbështetjen e kryetarit të Qarkut Fier z. Vangjel Ndreka. Në fjalën e saj ajo theksoi
– Fondacioni ynë ka objektiv promovimin e vlerave të grave intelektuale, dhe kjo veprimtari për familjet në nevojë sot është një vlerë për kombin. E falenderoj këtë zonjë e pëerulem para këtij akti kaq human që zonja Ëngjëllushe Mërtiri, një zonjë e thjeshtë por me zemër të madhe prej Nëne, bën për këta njerëz në skamje dhe mjerim, vetëm me mbështetjen e familjes dhe të miqve të saj, pa përkrahjen e askujt nga politika dhe komuna, ku këta njerëz jetojnë. Ajo bën këto bamirësi, që rrallë gra i bëjnë. Ky është një veprim që duhet të na sensibilizojë të gjithëve, përpara këtij realiteti mizerje që përjetojnë këta njerës në vitin 2015…Nuk jam ndjerë kurrë kaq sensibël si sot. Duhet ta prekësh këtë realitet që ta besosh. Bashkohem me miken time znj.Kozeta e cila thotë që, ato sende që për ne mund të jenë pa vlerë, për një kategori njerëzish kanë shumë vlerë. Ndaj, ju lutem bashkohuni nismës për të ndihmuar vullnetarisht këtë kategori njerëzish.
Momenti më prekës
Një moment mjaft prekës ishte ai kur njëra nga vajzat jetime të familjes Doko, të cilave u mungon shumë e ëma, foli me këto vargje zemre:
“Sot mbushen dhjetë vite o mami pa ty
Na thuaj vallë, a gjete paqe në përjetësi?
Dije se Nëna Luçi kujdeset për ne ashtu si ti
Eja pesë minuta të na shohësh sa jemi rritur e zbukuruar
Të shohësh shtëpinë që bamirëse Luçi na ka ndërtuar
E ka bërë të bukur, si pranverë të gjelbëruar
Ah moj mami, që nuk jetove dot gjatë
Të njihje bamirëse Luçin me zemër të madhe
që njerëzve u ndodhet pranë në nevojë e halle…”
Është ndihma e vullnetarëve të kësaj Shoqate, që nën drejtimin e Luçit, sot bënë të mundur përurimin e kësaj banese, që është shtëpia e gjashtë e rindërtuar brenda dy viteve, me orenditë e nevojshme, duke u kthyer buzëqeshjen e munguar kësaj familje, nga shteti të harruar…
Përgëzime për punën tuaj, nga e cila duhet të marrin shembull edhe organizata të tjera të shoqërisë civile…
![03-12-2015 07-42-40](https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2015/12/03-12-2015-07-42-40.jpg)
![03-12-2015 07-43-31](https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2015/12/03-12-2015-07-43-31.jpg)
![03-12-2015 07-44-02](https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2015/12/03-12-2015-07-44-02.jpg)
![03-12-2015 07-44-44](https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2015/12/03-12-2015-07-44-44.jpg)
Komentet