Nuk janë vetëm Lindja e Mesme dhe Ukraina që shqetësojnë Evropën, por edhe tensionet në rritje ndërmjet Sërbisë e Kosovës, të ashpërsuar nga ndeshja e zjarrit e 24 shtatorit, kur serbë t’armatosur në autoblinda janë futur në një fshat të veriut të Kosovës, në Banjska dhe kanë përballuar policinë duke u ngujuar në një monastir. Një nga episodet më të këqija të dhunës të njëzet viteve të fundit.
Qëndrueshmëria e rajonit është themelore për BE. Kjo gjëndje ndërlikon pritshmërinë e hyrjes në Bashkim të Sërbisë, e angazhuar në bisedime prej gati dhjetë vitesh, por edhe të Kosovës, që ka bërë kërkesë hyrjeje në dhjetor 2022. Përpjekja evropiane për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy Vëndeve nuk po ka përfundime. T’enjten e kaluar orvatja e ndërmjetësimit e çuar përpara nga udhëheqësit e Italisë, Francës e Gjermanisë – Meloni, Macron e Scholz – me presidentin e Këshillit evropian Michel dhe shefin e diplomacisë së BE Borrel, mbas samitit të BE, nuk ka funksionuar. Kanë takuar veçmas kryeministrin e Kosovës Kurti dhe presidentin sërb Vuçiç, por të dy palët nuk kanë pranuar marrëveshjen që i kërkonte Prishtinës të fillonte proçedurën për krijimin e Asociacionit të Komunave sërbe dhe Beogradit të proçedonte në njohjen faktike të Kosovës.
Dje presidentja e Komisionit të BE Ursula von der Leyen shkoi në Prishtinë, ku ka pohuar se është qenësor normalizimi me Beogradin. Është një etapë e një vizite prej katër ditësh në Ballkanin perëndimor, e filluar të djelën në Maqedoninë e Veriut e që do të ndalohet edhe në Malin e Zi, në Sërbi e në Bosnjë-Hercegovinë. Pritet për në 8 nëndor raporti për Komisionin mbi kandidatët për hyrje në BE dhe Ballkani perëndimor ndruan se do të kalohet nga Ukraina dhe Moldavia.
“Corriere della Sera”, 30 tetor 2023 Përktheu Eugjen Merlika