Më shumë se çdo hapësirë tjetër e Evropës, rajoni i saj juglindor, Ballkani, i hapur ndaj kontinentit dhe ndaj botës, ndodhet i dyzuar midis Lindjes dhe Perëndimit, midis së shkuarës dhe të ardhmes së tij. E shkuara e lidh Ballkanin e epokës globale me periudha sundimesh të Perandorisë Bizantine, të Perandorisë Otomane, të sferave të ndikimit të periudhës së Luftës së Ftohtë. Këto periudha sundimesh sot vijnë me tre faktorë bashkëkohorë: Rusia, Kina, Turqia.
E fillojmë nga e treta: Turqia është, krahas Italisë, fuqi e madhe rajonale dhe evropiane. Është një ndër 20 ekonomitë më të mëdha të botës. Synon të hyjë në 10 ekonomitë më të mëdha të botës. Është nga anëtaret më të vjetra të NATO-s. Synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërkohë që është anëtare e Këshillit të Evropës, e OSBE-së, e PABSEK-ut e tjerë. Është trashëguese e drejtpërdrejtë e Perandorisë Otomane. Perandoria Otomane, nga ana e saj, ishte trashëguese e drejtpërdrejtë e Perandorisë së Bizantit.
Vijmë tek e dyta: Kina, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, është ndërkohë ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe, krahas SHBA e Rusisë, faktor me peshë të madhe botërore. Në vitet ’60-’70 të shekullit të kaluar Kina e shtriu ndikimin e saj në vendet komuniste që e kundërshtuan ose i rezistuan Bashkimit Sovjetik. Në vitet ’80-’90 e zgjeroi praninë në vendet e ashtuquajtura të Botës së Tretë, të përfshira këto kryesisht në Lëvizjen e Vendeve të Paangazhuara në blloqet e mëdha të kohës. Në fillim të shekullit Kina e zgjeron praninë e saj shumë më përtej këtyre hapësirave.
Dhe tek e treta: Rusia, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurmit, anëtare e Këshillit të Evropës, OSBE-së e tjerë, është trashëguese e Bashkimit Sovjetik, njërës nga dy supërfuqitë e Luftës së Ftohtë, ka ringjallur ambicjet revanshiste sovjetike dhe të Rusisë Cariste, e cila e mbante veten trashëguesen e vërtetë të Perandorisë së Bizantit, pra ia njihte vetes të drejtën e zgjerimit në territoret e dikurshme të kësaj perandorie.
E kam permendur edhe herë të tjera rolin e komonueltheve (commonwealth), përkatësisht bashkësive të pavarura të shteteve në gjeopolitikat bashkëkohore. Ato shfaqen në forma të zyrtarizuara apo jo të zyrtarizuara dhe përbëhen nga vende ish koloni të një sundimi të gjatë përkatës. Më klasiku është Komonuelthi Britanik, i cili ka funksionuar edhe gjatë Luftës së Ftohtë. Pas Luftës së Ftohtë komonuelthi më funksionues është ai që krijoi Putini me një numër të madh të ish republikave sovjetike. Synimet e Moskës janë të qarta për ta shtrirë dhe fuqizuar ndikimin e saj me përparësi të veçantë edhe në hapësirën e dikurshme të influencës sovjetike, pra në gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore, por edhe në vendet ku ka pasur parti të fuqishme komuniste të varura nga Moska. Për arsye strategjike gjeopolitike, ajo e përqëndron infrastukturën e saj të gjithanshme ushtarake, ekonomike e tjerë sidomos në Ballkan, ku ka pasur një rol dhe prani të veçantë e vendimtare që nga koha e luftërave Ruso-Turke. Ka një prani tejet të sofistikuar e të gjithanshme në Serbi, ku Rusia e ka ruajtur terrenin e saj edhe në periudhat e marrëdhënieve më të acaruara me Jugosllavinë e kohës së Luftës së Ftohtë. Rusia, sidomos ajo e Putinit, është sfiduesja më e madhe e integrimeve evro-atlantike të rajonit të Ballkanit, duke arritur të vonojë, të pengojë dhe të vërë në pikëpyetje këto integrime dhe, nëpërmjet disa lëvizjeve populiste në kontinent, të sabotojë edhe vetë projektin e Bashkimit Evropian.
Nga periudha e Luftës së Ftohtë, Kina ka trashëguar një prani të drejtpërdrejtë të fuqishme në Shqipërinë e viteve ’60-’70 të shekullit të kaluar dhe në vitet ’70-’80 në ish Jugosllavi. Kina nuk ka nguruar të ripërtërijë rolin e saj ekonomik, kulturor e tjerë në këto dy hapësira dhe më gjerë në rajon.
Krahas Rusisë dhe Kinës, Turqia ka shfaqur interesim fill pas Luftës së Ftohtë në rajonin që ishte pjesë e Peandorisë Otomane. Dhe kjo bën pjesë edhe në interesimin e saj për të ripërtërirë praninë në hapësirën e dikurshme të kësaj perandorie. Zhvillimet e ashtuquajtura Pranvera Arabe e kanë cënuar këtë interesim të saj në Afrikën e Veriut (Magreb) dhe në Lindjen e Mesme, ndërsa në Ballkan, sidomos në ish Jugosllavi dhe në Shqipëri, ajo e ka shtuar praninë e saj me investime në rritje.
Ndërkohë edhe Serbia ka shfaqur haptas dhe vrazhdë synimin e saj për të ripërtërirë praninë e saj në vendet e ish Jugosllavisë. Kjo është tejet e dukshme në Kosovë e në Bosnjë (sidomos Republikën Serbe), ishte e dukshme edhe në Maqedoninë e periudhës së Gruevskit.
Pas mbarimit të Luftës së Ftohtë premtimet dhe pritshmëritë e një pranie të madhe të Perëndimit në Ballkan mbeten larg ëndrrës së popujve të rajonit të sapo dalë nga zgjedha komuniste. Dy nga pengesat kryesore vendimtare ishin luftërat në ish Jugosllavi gjatë viteve ’90 dhe përqëndrimi i Bashkimit Evropian dhe Perëndimit në parandalimin e falimentimit të Greqisë nga kriza ekonomike evropiane dhe botërore që e përfshiu këtë vend më rëndës se çdo vend tjetër. Ato që mund të kishin qenë investime për integrimet perëndimore të Ballkanit Perëndimor u shndërruan në kredi për mbijetesën e Greqisë. Pengesa kryesore e tretë ishte kriza që përfshiu vetë BE-në si pasojë e zhvendosjeve të mëdha të popullsive drejt kontinentit tonë nga vendet e së ashtuquajturës Pranvera Arabe.
Tashmë Perëndimi e konstaton se prania e tij në rajon, sidomos në Ballkanin Perëndimor, është duke u sfiduar nga Rusia, Kina dhe Turqia, fuqi të cilat nuk nguruan të investojnë gjatë kësaj periudhe. Të tria përdorin përparësinë e traditës së marrëdhënieve me rajonin. Rusia dhe Turqia kanë përparësi edhe religjionin, përkatësisht atë ortodoks dhe atë mysliman. Në Perëndim e shohin me shqetësim të veçantë rritjen e ndikimit të Turqisë myslimane në Shqipëri, ndërsa nuk e shikojnë me ndonjë shqetësim të dukshëm rritjen e këtij ndikimi në Maqedoni apo sidomos në Serbi, dy vende që konsiderohen ortodokse, ku investimet e saj janë shumë më të mëdha.
Perëndimi mund ta fitojë sfidën, bashkë me Ballkanin, duke e rritur praninë e tij të gjithanshme në rajon dhe, duke e integruar, pa humbur më kohë, për asnjë arsye, në hapësirën evro-atlantike.
Nje spjegim i argumentuar me fakte reale,te bazuara ne historine e zhvillimeve dhe ambicjeve te fuqive te medha botrore.Sigurisht se ketu eshte me vlere spjegim i dhe filozofia diplonatike.Suksese I nderuar Skender.