I
Fryn veriu në mal të thatë,
Thotë vasha lele ngriva.
Duro, vashë, të durojmë,
Si duron mali dëborën
Në të shtënça moj në dorë,
Do të ngroh si top dëborë.
II
Fryn një erë-e shkundërmuar,
Thotë vasha çeli molla,
Çeli, vashë, le të çelë,
Si çel malli mun në zemër.
Në m´a dhënç moj bel´ e hollë.
Do të thyej si mënjollë,
Do të shtryth posi një mollë
III
Vjen e bën një vap´ e rëndë,
Thotë vasha bubu plasa.
Duro, vashë, të durojmë,
Si duron kallir´ i pjekur.
Në më arthç o moj në hije,
Do t´i puth prej dhemshurije,
Do t´i skuq t´i ndes qirije,
Do t´i nxi t´i bëj mavije
Ato buzë gjak-qershije.
IV
Zun´ e shkojnë delëndyshet,
Thotë vasha po venitem.
Venitu, vashë, venitu,
Siç venitet zemra ime.
Në të marça moj përherë,
Do të shtroj të parën herë,
Do të ngroh të dytën herë,
Do të puth të tretën herë
Buzë-e gushë-e gjinë-e mjerë
Dh´ atë shtatin që mban erë
Posi luleja në verë:
Gjer sa gjumi të m´të zerë,
Të m´të zerë-e të m´të flerë
Syr´ i urtë si mëshqerë.
V
Vate dimri, vate vera,
Vate vjeshta përngahera.
Trim më more-edhe më shtrove,
Trim më ngrove-e më pushtove,
Trim më puthe-e më mbarove,
Trim o trim seç trimërove!
VI
Atje lart në mal të thatë
Zoti-Krisht bëke një kishe.
N´atë kishe ç´paske brenda!
Qënke trimi edhe vasha:
Trimi ç´paske dhëndëruar,
Vasha ç´paske nusëruar,
Zotin ç´paskan lavduruar,
Jetën ç´paskan trashëguar,
Shpirtin ç´paskan shentëruar.
Komentet