Historinë e baladës së “Kostandinit dhe Doruntinës” e kam mësuar që kur isha nxënës në shkollën 7- vjeçare “Naim Frashëri” në Gjirokastër mbi 70 vjet më parë kur zonjusha e leximit nga tregonte për këtë ngjarje befasuese, të veçantë dhe të paperceptuar nga ne fëmijët e asaj kohe.
Nuk e kuptonim se çfarë ishte besa dhe fjala e dhënë që i kishte thënë nënës Kostandini se: “Edhe i vdekur do të ngrihej nga varri dhe do t’ia sillte Doruntinën motrën e tij kurdo që do ta kërkonte ajo. Dhe ja besa e dhënë bëhet realitet.
Kostandini 3 vjet i vdekur ngrihet nga varri shkon tek shtëpia e motrës e merr atë e hipën në kalë dhe 3 male kaptuar i vdekuri me të gjallë dhe e sjell Doruntinën tek nëna e plakur që e priste ta shikonte të bijën.
Tani që po shkruaj këto rreshta nuk e përfytyroj dot se si e kuptonim ne fëmijët e shkollës këtë histori surrealiste. Kjo baladë përgjithësisht është kënduar në trevat e pjesës veriore të vendit por bën pjesë edhe në pjesën jugore madje është histori me shtrirje ndërballkanike me nuancat dhe identitetin e çdo vendi.
U zgjata në këtë rrëfim për të treguar se me këtë emocion dhe këtë përfytyrim e ndoqa këngën e vajzave të Zagories paraqitur në Festivalin e Gjirokastrës. Ishte një interpretim magjepës në motivin muzikor e strukturën tonalo – modale në timbrikën, harmoninë dhe intonacionin prefekt e komunikimin befasues të 3 korifejve që i përcillnin variantet melodike jo të ndara në tre marrëse por si një unifikim profesional të një kori “Acapela”.
Ky realizim befasues në skenën e festivalit e ka zanafillën në mesin e muajit maj kur ky grup polifonik u mblodh në Tiranë nën kujdesin dhe mbështetjen e bisnesmenit të njohur zagorit fisnik Andon Pango për të përgatitur këngën që këta këngëtarë do të përfaqësonin trevën e Zagories në skenën madhështore të kalasë historike të qytetit të gurtë.
Isha ftuar edhe unë për ta dëgjuar këtë grup polifonik dhe si studiues i trashëgimisë dhe dashamirës i grupeve të trevës së Zagories të ndihmoja me mendimet e mia modestisht në realizimin sa më mirë të këngës së tyre.
Ndonëse ishte hera e parë që e dëgjoja këtë variant muzikor dhe interpretimi ishte në fazën fillestare e ndjeva se ishte një këngë interesamte dhe siç e kishin menduar këta këngëtarë dukej se do të paraqiste interes në skenën e festivalit. Përpara se të analizoj në detaje motivin dhe strukturën e kësaj kënge po citoj fjalët që e përbënin atë:
Kostandin të ardhtë gjëma
Martove Dhoqinën larg
Larg e larg mërguar- o
Tre male patuar- o.
Besa jote gur i rëndë
Ditë e natë të pres në këmbë
Tre vjet pa dëgjuar-o
Shpirt i përvëluar-o
Bir o bir ku je.
U ça toka u drodh mali
Kostandini u ngrit nga varri
Nëpër natë porsi era
I gjëndet motrës tek dera.
Refreni:
Trok e trok kali nën hënë
Mbi shalë mban fjalën e dhënë
Një i gjallë e një i vdekur
Amaneti i pa tretur.
Me kë erdhe moj Dhoqinë
Ç’thua ardhçë me Kostandinë
Kostandini më ka vdekur
Ç’bën ai tre vjet pa tretur.
Sa çel drita ndaj të gdhirë
Ngrijnë të dyja nën e bijë
Një në prag e një në derë
Plasën si qelqi me verë.
Vargjet e kësaj balade të përshtatur nga Androkli Nika i kthen në këngë këngëtarja e talentuar e këngës zagorite Drita Ballo e cila nga pasqyron historinë tradicionale në një këndvështrim interesant dhe emocionues duke i dhënë intionacion dhe individualitet trevës së Zagorisë.
Drita Ballo është edhe krijuesja e motivit muzikor të kësaj balade e cila përzgjodhi nga variantet e këngëve zagorite nektarin e kësaj tradite që pastaj i organizoi si një muzikante profesioniste këtë këngë që përbëhet nga tre pjesë siç janë pjesët e muzikës klasike që me tërësinë e saj ky krijim është i përkryer.
Në strukturën e ndërtimit të këngës ndihet përbërja e tre motiveve të ndara nga njëra- tjetra e të kënduara nga tre marrëse të këngës që përfaqësonin nënën e Kostandinit dhe dy marrëset e tjera, rrëfimtaret e kësaj historie të veçantë dhe vlerë në folkloristikën tonë kombëtare.
Përshkrimi letrar është tashmë i njohur dhe i shprehur dhe analizuar nga mjeshtra e studiues të trashëgimisë tonë kombëtare por ajo që dua të evidentoj se kjo baladë në interpretimin e grupit polifonik të trevës së Zagorisë ishte befasues, i bukur në zërat brilantë të tre këngëtareve që emocionuan gjithë publikun në sheshin e kalasë së festivalit që u duartrokit me shumë dashuri.
Nëse e krahasojmë ndërtimin e kësaj kënga me ato të kënduara më parë nga grupet polifonike të Zagorisë por edhe më gjërë në gjithë trevat e polifonisë së jugut kjo baladë ishte e paekspozuar më parë të kënduar nga tre marrëse dhe të treja gra.
Duke u nisur nga teksti kënga fillon me fjalët: “Kostandin të ardhtë gjëma,/ Martove Dhoqinën larg”, që i këndon marrësja Anila Pina e cila përfaqëson nënën e Kostandinit në një monofoni monostrofike deri elegjiak me zë të dridhur që mbaron me fjalët: “Bir o bir ku je”, që duket si një piskamë që nëna i dërgon djalit të vdekur që t’i sjellë vajzën e martuar shumë larg në një mbretëri tjetër dhe të mbajë fjalën e dhënë- Besën.
Kjo paraqitje e këtij motivi nga këngëtarja Anila Pina ishte emocionues, i dhimbshëm dhe prekës. Marrësja e dytë Drita Ballo si krijuese e tekstit dhe motivet muzikore të kësaj kënge si këngëtare e këngës zagorite me një zë melodioz plot emocion na paraqiti motivin kur Kostandini ngrihet nga varri dhe shkon të marrë motrën për ta çuar tek nëna e saj.
Ky motiv që ngjan me këngët zagorite dhe rritmet e valles sustë apo çalthi siç i quajnë ata në kohën 2/4 shpreh udhëtimin e Kostandinit: “Nëpër natë porsi era/ I gjendet motrës tek dera. Një moment ky suralist që këngëtarja Drita Ballo e përcolli me një interpreim të bukur dhe me zë brilant.
Ndërsa motivi i tretë këndohet nga marrësja Florika Suli e cila me një zë të fuqishëm të karakterit epiko- deklamativ e të rrokëzuar me një rritëm allegro, paraqet trokun e kalit që mban mbi shalë: “Një të gjallë e një të vdekur”.
Kjo baladë u paraqit nga grupi polifonik miks i Zagorisë që përveç tre marrëseve gra kishte edhe dy djem: Kthyesin Sotir Ballo dhe hedhësin Llambro Ballo që mbështeteshin nga isua e unifikuar. Të dy këngëtarët Sotri dhe Llambrua janë vëllezërit e motrës Drita Ballo që si fis e familje përbëjnë një dukuri pozitive të kalimit të traditës në breza dhe brenda familjes.
Sotiri në rolin e hedhësit ishte një zë gurgullimë që ngjasonte dhe pasonte këngëtarët veteranë të traditës si Sotir Mekshi duke i qëndruar besnik atij interpretimi që tashmë është simbol në këngën zagorite.
Sotiri ka mbaruar shkollën e mesme të Muzikës në Gjirokastër gjë që ka ndikuar në edukimin e tij që dallohej në mënyrën e të kthyerit të këngës.
Ndërsa Llambrua në rolin e hedhësit me pritjet e motivit muzikor të parashtruara nga marrëset dhe kthyesi i jepte një ndërhyrje therrëse duke i lidhur korifejtë e këngës në një atmosferë që në tërësinë e saj kënga me ison stërgjatur të krijonte përshtypjen e një moto-perpeto që i sillte rrotull gjithë motivet e baladës.
Me këto emocione e ndoqa këngën e grupit polifonik të Zagorisë që në tërësinë e interpretimit të saj ishte një risi si një krijim muzikor folklorik i veçantë nga këngët me dy marrësa që janë në traditën e polifonisë së jugut si tek grupi i Bënçës, i grupeve të Pilurit e Himarës dhe në trevën e Labërisë.
Nëse do të kishte çmime në festival balada e “Kostandinit dhe Doruntinës”, e këngëtarëve të Zagorisë do të merrte çmimin e parë.