Bajrush Behrami i njohur si njëri nga organizatorët e demonstratave studentore të pranverës së vitit 1981, plot dy dekada me tërë qenien e tij, luftoi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ai ishte edhe themelues i celulës “Liria “anëtarë të së cilës ishin; Kadri Hysen Llugaliu,Shaqir Hasani, Xhafer Spahiu, Hakif Mehmeti, Çun Hajdini dhe Avdi e Fatime Gjata.
Jetën e bujshme dhe të përshkuar me plotë dallgë të Atdhetarit dhe luftëtarit të paepur për çlirim dhe mëvetësi të Kosovës, Bajrush Behrami, është e pamundur ta përmbledhim në një shkrim gazete.
Ne do të bëjmë përpjekje që lexuesit t’i ofrojmë kujtime të shkurtra të familjes, shokëve dhe miqve me të cilët Bajrushi, ndau të mirën dhe të keqën.
Bajrushi lindi më 9 gusht të vitit 1956 në fshatin Gegaj të Besianës ( ish-Dobratin i Podujevës) Viti kur ai lindi konsiderohet si njëri nga vitet më të rënda, jo vetëm në Llap, por në mbarë Kosovën.
Tito udhëheqës i Jugosllavisë komuniste pozitën e Ministrit të Punëve të Brendshme në Qeverinë e tij, ia kishte besuar serbit monstruoz Aleksandër Rankoviq, i njohur me nofkën Leka.
Rankoviq me idetë e tij fashiste dhe urrejtjen e paparë ndaj shqiptarëve në dimrin e ashpër të viteve 1955-1956, vetëm në Kosovë, sajon Aksionin famëkeq të kërkimit të armëve.
Shqiptarët e zhytur në varfëri për armët që si posedonin fare, vriteshin dhe keqtrajtoheshin në mënyrën më mizore. Përveç kësaj ata në numër të madh burgosën dhe dëbohen në Turqi.
Odat në Llap, e regjione të tjera të Kosovës, në atë përudhë luanin edhe rolin e mësonjëtoreve.
Në ato në mungesë objektesh zhvillohej edhe mësimi me klasa të kombinuara si; I- dhe III- e- II e IV.- Kjo formë mësimi nëpër shumë fshatra malore të Kosovës, është zhvilluar deri kah mesi i viteve të 60-ta.
Po ashtu në oda trajtoheshin edhe tema të cilat i preokuponin shqiptarët ,e ballafaquar me varfëri e tortura të llojllojshme nga pushteti sllavo-komunist i Jugosllavisë.
Bajrushi një fëmijë i shëndosh dhe i pashëm që ishte pagëzuar me emrin e gjyshit të tij, porsa i mbush 7-vjet, kishte privilegjin të qëndroj në odë, kur vinin miq e shokë të babait të tij, Fazliut.
Ai edhe pse i njomë incizonte si në shirit magnetofoni të gjitha bisedat e zhvilluara . Këtu edhe mëson për vuajtjet dhe historitë e përgjakshme të popullit të tij.
Mësues të parë të Bajrushit, në shkollën e fshatit Gegaj, që asokohe i kishte vetëm klasat -I- II- III-dhe IV-do të jenë Xhafer dhe Nazmi Ajvazi.
Bajrushi pas përfundimit me sukses shembullor të katër klasave, vitet tjera të mësimeve do t’i vazhdojë në shkollën 8-vjeçare “Emin Duraku”të fshatit Bajçinë të Besianës.
Ai edhe këtu do të jetë njëri nga nxënësit më të mirë të shkollës . Madje,” Rilindja” në rubrikën e saj “Këndi i fëmijëve” që redaktohej nga shkrimtari ynë i mirënjohur Vehbi Kikaj, ia kushton një artikull ekskluziv Bajrushit, ku flitet për sukseset e tij, të arritura në mësime dhe aktivitete të lira.
Më 1 shtator të vitit 1971,Bajrushi i fillon mësimet në gjimnazin “8 Nëntori “tani “Aleksandër Xhuvani” të Besianës.
Si çdoherë i sjellshëm, i qetë dhe korrekt edhe në mjedisin e rinj, adhurohet nga shokë, shoqe e mësimdhënës.
Meqenëse kishte prirje të theksuara për Artin-vizatimin, bashkëpunonte ngushtë me Arsimtarin e kësaj lënde z.Nexhmi Hamit Sejdiu.
Me rastin e organizimit të ekspozitave në ambientet e gjimnazit dominonin pikturat dhe portretet e Bajrush Behramit, të punuara me pendë e tush të zi.
Rreth temave historike me bartës të ngjarjeve dhe autorë të ndaluar në Kosovë, e matanë pjesës tjetër të Atdheut-Shqipëri, Bajrushi jashtë orarit të mësimeve bisedonte me z. Bajram Blaku, mësimdhënës shumëvjeçar i lëndës së Historisë në gjimnazin e Besianës.
Z. Bajram Blaku ishte shumë i afërt me nxënës dhe kolegë. Andaj,me të drejtë respektohej nga të gjithë.
Bajrushi bashkëpunim mjaft korrekt pati edhe me arsimtarët e tjerë si: Ramadan Salihu,Abdullah Vokrri, Tefik Mehmeti, Ahmet Çitaku, Hazir e Rifat Raçi, Shyqeri Hasanxhekaj, Xhafer Visoka, Jahir Bahtiri, Nazif Lepaja,etj.
Në vitin e parë të mësimeve në Shkollën e Mesme, Bajrush Behrami, Drejtor të Përgjithshëm të gjimnazit të Besianës, do ta gjejë z. Zeqir Muçolli .
Pastaj, kjo detyrë prej vitit 1972 e deri në shtator të vitit 1974,me votën unanime të Këshillit të arsimtarëve të gjimnazit”8 Nëntori” do t’i besohet z. Fetah Rrushtem Sheholli, profesor i diplomuar i Gjuhës shqipe.
Me gjithë kushtet e rënda Bajrushi edhe gjimnazin e përfundon me sukses. Mirëpo, kur vije koha e regjistrimit në ndonjërin prej Fakulteteve apo Shkollave të Larta të Universitetit të Kosovës, tek ai nisin të shfaqen dilema .
Z. Behrami sikur ta kishte gjendjen e mirë materiale pa u hamendur fare do ta studionte Artin figurativ.
Studimet në këtë degë e kishin edhe koston e vet . Të gjitha materialet e nevojshme për punë shumica e studentëve që s’ kishin bursë duhej t’i paguanin nga xhepi i tyre .
Kjo ishte edhe arsyeja që Bajrushi Behrami, vendosi të studioj në Fakultetin Juridik të Prishtinës.
Fazliu dhe Fetija si prindër të shtatë djemve dhe një vajze me dëshirën e flaktë që t’i arsimojnë ata, më 1980, shpërngulën nga fshati Gegaj ( ish-Dobratin) në Besianë.
Meqenëse babai i Bajrushit, dikur minator i Kombinatit Metalurgjik “Trepça” në Stantërg e kishte ndërprerë punën në mungesë të qarkullimit të mjeteve në linjën Podujevë-Mitrovicë dhe anasjelltas, gjendja ekonomike në familjen Behrami, ishte rënduar tepër.
Bajrushi edhe pse i vetëdijshëm që do të jetë e vështirë të vazhdohet me studimet krahas punës, në vjeshtën e vitit 1980, krijon marrëdhënie pune si faturist në “Kosovatrans” OTHPB në Podujevë.
Në këtë periudhë në Kosovë, kishte rënie të dukshme të ekonomisë. Edhe ato pak fabrika që ishin plaçkiteshin nga Beogradi . Kudo ndihej mungesë e artikujve të domosdoshëm ushqimor .
Kosova edhe pse ishte pjesë konstituive e Federatës së Jugosllavisë, ishte lënë në harresë.
Asaj nga Beogradi sikur në etapat e më hershme i merreshin të gjitha produktet e xeheve të Trepçës, Kishnicës dhe Goleshit. Deri në palcë shfrytëzoheshin edhe Kombinatet Energjetike në Kastriot (ish-Obiliq) dhe ai në Drenas (dikur Gllogoc) i njohur për prodhimin e nikelit dhe kobaltit.
Këtij sundimi dhe shfrytëzimi të egër të Kosovës nga Jugosllavia, veçanërisht Serbia, studentët e Universitetit të Kosovës, mendonin që duhej dhënë fund. Ata më 1 prill të vitit 1981, në të gjitha qytetet e Kosovës organizojnë demonstrata.
Dihet që demonstrata në Prishtinë ishte shumëfish më e fuqishme, sepse aty ishin të gjithë studentët, duke përfshirë edhe ata nga Maqedonia e Veriut, Kosova lindore, Ulqini e Kraja.
Në këto protesta kërkohej që Kosovës t’i njihej statusi i Republikës, në mënyrë që edhe shqiptarët të jenë të barabartë me popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë .
Vërtetë pabarazia dhe diskriminimi kishin arritur zenitin. Malazezët, maqedonasët, dhe sllovenët edhe pse në numër ishin dyfish më pak se shqiptarët statusin e Republikës e gëzonin kaherë.
Këto demonstrata edhe pse ishin të qeta dhe pa eksesin më të vogël Beogradi, i tmerruar nga guximi i të rinjve tanë do të ndërhyjë në mbarë Kosovën, me egërsi të paparë.
Nga e gjithë ish-Jugosllavia do të zbarkojnë në Kosovë, policë e ushtarë. Ata nën urdhrat e eprorëve të tyre fashist dhe të armatosur deri në dhëmbë do të keqtrajtojnë dhe burgosin mijëra të rinj e të reja të Kosovës.
Po ashtu me “fajin” e vetëm pse ishin shqiptarë vetëm brenda muajve prill e maj të vitit 1981,vriten : Asllan Pireva, Naser Hajrizi, Ruzhdi Hiseni, Rizah Matoshi, Ibrahim Krasniqi, Xhelal Maliqi, Sherif Frangu, Salih Maloku, Salih Abazi, Nesimi Dana, Tahir Meha, Nebih Meha dhe Sinan Bajrami.
Vrasja e këtyre të rinjve që asnjëri me përjashtim të Nebih e Tahir Mehës, s’ kishte arritur t’i kaloj të 28-tetat e pezmatojnë në kulm Bajrush Behramin dhe shokët e tij.
Ai edhe pse ishte në ballë të këtyre demonstratave për fat të mirë mbetet jashtë grilave të burgjeve jugosllave.
Këto demonstrata merren si pretekst dhe në Kosovë ushtrohet dhunë çnjerëzore . Në Universitetin e Kosovës, nis diferencimi, burgosja dhe përjashtimi nga puna i profesorëve të konsideruar si ajka e kombit tonë.
Masa të njëjta u shqiptohen edhe mësimdhënësve dhe nxënësve të shkollave të Mesme të Kosovës.
Kjo barbari e sllavëve i godet edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Kosovës lindore, Ulqinit e Krajës. Një numër i madh i tyre dënohen me burgim të rëndë, vetëm pse kishin marrë pjesë në demonstratat e Prishtinës.
Çmenduria serbo-sllave mbërrin deri në Universitetin e Sarajevës, ku me tri vite burgim të rëndë dënohet Behxhet Shala-Bajgora,i cili si student i Fakultetit të Mjekësisë, hapur i kishte përkrahur demonstratat e kolegëve të tij në Kosovë.
Nga ky moment Bajrush Behrami me shokët e tij, që emrat nuk po ua lakojmë nga frika që mund ta harrojmë ndonjërin prej tyre, punon pandërprerë.
Ai me bukur shkrimin e tij do t’i shkruaj dhe shpërndaj qindra afishe, nëpërmjet të cilave kërkohet liri dhe barazi me popujt tjerë të ish-Jugosllavisë.
Jugosllavia nga frika ç’ s’do të ketë sukses në frenimin e Kryengritjeve të njëpasnjëshme të shqiptarëve, mobilizon edhe policë të rinj, edhe nga radhët e shqiptarëve.
Bajrush Behrami, shënjestër e UDB-ës, jugosllave edhe më herët arrestohet në shtëpinë e tij, në Podujevë, në fund të dhjetorit të vitit 1983.
Kurse më 2 janar të vitit 1984, e deri kah fundi i qershorit të këtij viti, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, do t’ua shqiptoj me procedurë të përshpejtuar Bajrush Behramit dhe nëntë shokëve të tij, dënimin me shumë vite burgim.
Behrami dënohet me 10 vite burgim sipas nenit 136 /1-114 të Ligjit Penal të ish-Jugosllavisë.
Bajrushi do ta vuajë dënimin në burgun e Prishtinës, Gjilanit, Shabacit dhe Pozharevcit të Serbisë.
Me gjithë trajtimin prej skllavi ai, do të qëndrojë porsi Bungu i Dyzit, përballë rrebeshesh dhe stuhish . Bile, ai do të dalë nga burgu edhe më i fortë.
Dëshirë e nënës së tij Fetijes dhe insistim i vazhdueshëm i saj, ishte që Bajrushi të martohej.
Mirëpo, ai ishte betuar që pa e parë Kosovën të lirë dhe të pavarur, as që mendon për martesë.
Zaten, këtij premtimi i mbetet besnik deri në çlirimin definitiv të Kosovës nga Serbia.
Bajrushi pas daljes nga burgu do të angazhohet dy-tre muaj në KMDLNJ, Nënkëshilli në Podujevë.
Ai në këtë shoqatë joqeveritare u inkuadrua me insistimin e zotit Adem Demaçi dhe z. Behxhet Shala -Bajgora.
Bajrushi çmohej shumë nga Behxheti dhe bashkëshortja e tij Fexhrije Bilalli – Shala, po ashtu e burgosur politike.
Me formimin e UNIKOMB-it ,që programi i tij, synim të vetëm kishte bashkim e të gjitha trojeve shqiptare, Bajrushi, do të aktivizohet me tërë potencialin e tij
Ai në verën e vitit 1993, në Kuvendin e mbajtur të kësaj Partie, dega në Besianë, zgjidhet kryetar i këtij subjekti politik.
Behrami në të njëjtën kohë kryen edhe funksionin e zëvendëskryetarit të UNIKOMB-it, në
shkallë vendi.
Bajrushi bashkëpunoi ngushtë me dy intelektualët e mirënjohur Halil Alidemaj dhe Ukshin Hoti, ideatorë dhe ideologë të kësaj partie.
Aktiviteti i tij kombëtar merret si pretekst dhe në fund të korrikut të vitit 1993,Bajrushi arrestohet nga Sigurimi i fshehtë i Serbisë . Ai mbahet dy javë në burgun e Prishtinës.
Pas lirimit nga burgu gjatë vizitës që i bëjnë në shtëpinë e tij, anëtarët e KLMDNJ-së, Nënkëshilli në Podujevë, z. Nexhmi Adem Balaj dhe autori i këtyre rreshtave, Bajrushi do ta rrëfejë tmerrin e përjetuar.
Në arrestimin e tij kishte dorë Millosh Nikoliq, i njohur më tepër si i biri i Dragçit, inspektor i lartë i Sigurimit shtetëror të Serbisë.
Meqenëse, bënte vapë e madhe Bajrushit, në dhomën ku po mbahej i vendoset edhe një aparat, që ngrit temperaturën.
Nga temperaturat e lartë ai, ishte alivanosur disa herë . Kjo shihej edhe nga rënia e tij, e madhe në peshë.
Me rastin e z.Behrami, një grup gazetarësh të huaj që gjatë atyre ditëve po qëndronin në Kosovë, i njofton z. Sylejman Blaku, anëtar i Kryesisë së KMDLNJ-së, Nënkëshilli në Podujevë.
Pas vitit 1995, Bajrush Behrami, do të jetë në ballë të UNIKOMB-it. Ai më 17 maj të vitit 1995, do të shkojë së bashku me Nuhi Bunjakun,Sami Muçollin dhe Jusuf Ejupin në Tiranë.
Nuhiu,Samiu dhe Jusufi, pas një jave kthehen në Kosovë . Ndërkaq, Bajrush Behrami, do të qëndrojë në Tiranë, deri kah mesi i qershorit të vitit 1995, në banesën e bashkëvendësit të tij, Arif Ejupi.
Bajrushi në cilësinë e zëvendëskryetarit të UNIKOMB-it, do të zhvillojë takime të shumta me udhëheqës shtetëror dhe partiak të Shqipërisë.
Ai kërkonte unitet dhe bashkim forcash ndër shqiptarë, sepse ishte i sigurt që Lufta me Serbinë, ishte vetëm çështje ditësh.
Opinionin e tij mbi zhvillimet në Kosovë, z. Behrami e shpreh më 1 dhjetor të vitit 1995. Ai, i intervistuar nga shkrimtari dhe publicisti Merxhan Abyli, një ish- i burgosur politik thotë; “ Pa sakrifica s’ ka fitore” ( Zëri i Kosovës, nr.23 )
Paraqitjes publike të UÇK-ës, në varrimin e mësuesit Halit Geci, në Llaushë të Skenderajt, z. Behrami i gëzohet pamasë.
Ai edhe më herët njihej me disa prej themeluesve të celulave të para të UÇK-së. Bajrushi pa u kursyer për asnjë çast do të punojë në rritjen dhe masivizimin e saj.
I njohur si njeri i guximshëm dhe besnik, gjatë viteve 1998-1999, kur z. Adem Demaçi, e kryente në zemër të Prishtinës, detyrën e zëdhënësit politik të UÇK-ës, z. Behrami, do të qëndrojë pranë tij.
Z. Behrami i besohet edhe funksioni i Përgjegjësit për Informim në këtë Zyrë . Ai së bashku me z. Adem Demaçi dhe z Albin Kurti, do të kenë takime të shumta edhe me diplomatë të njohur ndërkombëtarë, me ndikim në vendimmarrje.
Në mënyrë që kjo Zyrë, të jetë sa më funksionale dhe sa më e suksesshme z.Behxhet Shala-Bajgora, Sekretar ekzekutiv i KMDLNJ-së, një kompjuter me të gjitha pajisjet donacion nga Gjeneva, do t’ua japë përfaqësuesve të saj.
Patjetër duhet theksuar edhe guximin e zonjës, Raza Kelmendi nga Lipa e Mitrovicës, e cila nëpër krisma e flakë pushkësh, kishte arritur që këtë kompjuter ta çojë nga Zvicra në Kosovë.
Pas çlirimit të Kosovës, z. Bajrush Behrami, do të ndihmojë në ndërtimin e institucioneve të vendit, sidomos të atyre në Besianë . Ai me prirje edhe në gazetari më 21 qershor të vitit 2000, e themelon mediumin lokal “Radio Llapi”.
Po ashtu me z. Afrim Fusha, i burgosur i ndërgjegjes në vitet e 80-ta, do të japin kontribut të jashtëzakonshëm në Shoqatën e të Burgosurve Politik të Kosovës, dega në Besianë.
Bajrushi që të gjitha ia kishte falur çlirimit të Kosovës, martohet më 7 korrik të vitit 2002,me zonjën Gyltene Rrustemi, nga Bardhoshi i komunës së Prishtinës, edukatore në shkollën 9-vjeçare“Enver Maloku”në Besianë.
Ajo që zgjon indinjatë dhe rrit zemërimin, është se z. Bajrush Behrami, deri më 1 maj të vitit 2016,nuk kishte vend fikës të punës.
Vetëm dy vjet para se të vdiste punoi me orar të plotë, si përfaqësuesit ligjor, në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Kosovës.
E, po ashtu kulm mbi kokë siguroi falë ndihmës së shokut dhe mikut të tij, të hershëm z. Murat Xhemaili .
Z. Xhemali një mjeshtër i mirë i ndërtimit punoi në shtëpinë modeste,të Bajrushit, derisa ajo u bë e gatshme për banim.
Ajo që befason për të mirë është që edhe pse kanë kaluar goxha vite, bashkëshortja e Bajrushit dhe fëmijët e tij, i janë përjetësisht mirënjohës z. Murat Xhemaili, dhe të gjitha atyre që ndihmuan në ndërtimin e kësaj shtëpie, qoftë edhe me vënien e një tulle.
Andaj, thirrjet në emër të Bajrushit dhe thurja elozhe nga disa njerëz që pas Luftës, u bënë milionerë janë djallëzore dhe të pamoralshme.
Z. Bajrush Behrami, që vdiq papritmas më 30 qershor të vitit 2018,ka lënë pas vetes gruan dhe fëmijët; Dalmanën 20 vjeçe, Olsën 19 vjeçe, Arilën 17 vjeçe dhe Dastidin 12 vjeç.
Në bisedë me vajzën e tretë të Bajrushit, e cila këto ditë i ka përfunduar me rezultat të shkëlqyer mësimet në gjimnazin “Aleksandër Xhuvani “ të Besianës, Arila Behrami , mësojmë që edhe pse në moshën 87 vjeçare, nëna e Bajrushit, gëzon shëndet të mirë dhe kujtesë të kthjelltë.
Ajo mungesën e Bajrushit e kompenson duke u dhuruar dashuri të pafundme fëmijëve të tij, të cilët në mësime dhe sjellje janë shembull për të mirë.
Bajrushi, i ra zjarrit shtatë pashësh për çlirimin e vendit, kur ishte vetëm 23 vjeç, pa menduar asnjëherë se çfarë do të ndodhë me Te, dhe familjen e Tij.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës martire, sepse disaherë dëshmoi që ishte njëri prej bijve të saj, më të devotshëm dhe më të guximshëm !
ARIF EJUPI