1879-1923
Personalitet i shquar kombëtar me histori të bujshme atdhetarie, i shuar pabesisht dhe zhdukur pa gjurmë as varr
Hero dhe prijës besnik popullor, ardhur në jetë rreth vitit 1879,në një familje patriotike shqiptare, zbritur kohë më parë nga Malësia në Gjakovë.
Luftëtar i mirënjohur kombëtar me një të kaluar të veçantë flijimi, për të cilin u thurën shumë këngë, mite e legjenda, por u përmend rrallë e shkrua edhe më pak, për të mos thënë fare, dhe atë vetëm tërthorazi dhe në kontest të ngjarjeve e biografive të personaliteteve të tjera historike.
Njëri nga kryengritësit më të dalluar të këtyre trojeve, udhëheqës i denjë dhe rilindës përparimtar, i shuar tradhtisht, në fshatin Rogovë të Hasit, nga shqiptarë të shitur e tradhtarë, të cilët pa menduar gjatë, u kthyen në vrasës të heronjve më të mirë kombëtar dhe renegat të përbetuar të pushtuesve të huaj.
Heroi Bajram Daklani, qysh i ri, u dëshmua për guxim e trimëri dhe atdhetarizëm të zjarrtë, i cili ndër të parët iu bashkua çetave luftarake të kohës.
Atdhetar i vrarë në pabesi- nga shërbëtor të Serbisë, që për pak para dhe pushtet fiktiv, likuiduan njërin nga personalitetet më të shquara kombëtare,
kundërshtar të përhershëm të çlirimit të atdheut, të cilët , siç vrisnin ata vet dje, patriotët më të mirë të kombit, vranë edhe bijtë e tyre në luftën e fundit, luftëtarët më të denjë të lirisë së vendit.
Ai megjithëse atëbotë gati fëmijë, dhe siç i thonë fjalës popullore, ende pa i rënë “brisk fytyrës“, edhe në atë moshë, u bë pjesëtarë i çetës së Sahit Mulës e cila qysh atëherë ishte aktive në Gjakovë e rrethinë.
Sahit Mula, thuhet se ishte kryengritës kombëtar dhe dashamirë e bashkëpunëtor i Bajram Currit, por që më 1902, edhe ai do të vritej me para, nga shqiptarët.
Sipas këngës së rapsodit, personi që porositi vrasjen e tij, ishte Murtez Aga nga Gjakova, kurse dorasi- Hazir Syla;
Murtez Aga duel në shkallë,
Hazir Sylës po i qon fjalë
****************************
Një hyzmet Hazir ta due
Sahit Mulën prema mue
(https://youtu.be/cVgE7fKV4Iw)
Pas vrasjes së Sahit Mulës, në krye të çetës, do të vinte luftëtari më i mirë që ajo pati, heroi Bajram Daklani.
Ai si luftëtar i zoti, trim i dalluar e atdhetar i denjë që ishte, edhe pse ende relativisht i ri, nga ai vit, u bë udhëheqësi kryesor i saj.
Heroi i ardhshëm, që nga vendosja në krye të çetës, besimin e fituar nga bashkëluftëtarët, do ta kurorëzonte me shumë sukses në përpjekjet e pareshtura për çlirim dhe pavarësi kombëtare të atdheut të cilin e donte aq shumë.
Ai u dëshmua aq kryengritës i guximshëm dhe patriot i përkushtuar, sa që kur ishte në pyetje populli i tij dhe çështja kombëtare, refuzonte me vendosmëri edhe vendimet e vet Sulltanit (mbretit) i cili sa herë bëhej gati ti sulmonte shqiptarët, aq herë kërkonte edhe dorëzimin e armëve nga kryengritësit kombëtar.
Madje, kur forcat turke sulmuan dhe rrëzuan me topa artilerie kullën e Bajram Daklanit, në përpjekje që ta demoralizonin dhe kapnin të gjallë heroin, ai me bashkëluftëtar, nuk u dorëzuan as ligësuan, por rezistuan aq fort dhe bënë qëndresë të tillë trimërie, sa që ngjarja e lartcekur historike do të përjetësohej nga populli liridashës edhe në këngën si kjo:
Në Stamboll po thërret tellalli
********************************
Na u rrethu Bajram Daklani
Se ja theu mbretit fermanin
Bajram Daklani me bashkëluftëtarët e vet, të mllefosur nga sulmi dhe shkatërrimet e agresorëve otoman, do të vërsuleshin rreptë, mu si reja në mejdan, kundër nizamëve turq.
Janë dal trimat për mejdan
Krisi reja për nizam
Në këtë ngjarje lavdie, heroi me çetën e tij, qëndruan aq trimërisht, sa që jo vetëm përballuan me sukses sulmet edhe me topa e artileri, por ata thyen keq nizamët e çaushit turk dhe detyruan ata të tërhiqeshin me turp.
Ndërsa, me të kuptuar Bajram Curri se miku dhe bashkëluftëtari i tij besnik, Bajram Daklani ishte rrethuar nga çaushi turk, pa vonuar edhe ai do të vihej në ndjekje të halldupëve otoman, të cilët siç thuhet edhe në rreshtat vijues të këngës, do ti binin mes për mes lumit, duke mos ditur më as nga të iknin.
Nis po ik asqeri lumit
I ndjek çeta e Bajram Currit
Madje Plaku i Maleve, ishte mllefosur aq shumë nga sulmi i papritur otoman, kundër heroit Bajram Daklani, sa që vetëm kënga di ti ri-prodhojë, në mënyrën më origjinale të gjitha porositë luftarake të tij, drejtuar çaushit anadollak;
Ndal çaush, kah po shkon
Këtu nuk je në Anadoll
Ta laj trupin krejt me gjak
Në gjoks nishanat ti kalli flak
Duke mos harruar ti rikujtonte atij edhe traditën e vendlindjes së përbashkët të të dy kryengritësve kombëtar, Bajram Currit dhe Bajram Daklanit, se:
Kështu Gjakova e ka adet
Nga një çaush me vra për vjet
(https://www.youtube.com/watch?v=YfahONXZmFI)
Përveç aksioneve dhe betejave të përbashkëta me Bajram Currin, Bajram Daklanin jo vetëm një herë, e gjejmë edhe në luftimet e udhëhequra nga Zeqir Halili, siç do të shkruante, Dr. Jusuf Bajraktarit, në librin historik: “Gjakova me rrethinë në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, 1878-1912, Prishtinë, 1998”)
Kontributi i heroit në luftën e Malësisë
Bajram Daklani, që nga fillimi i veprimeve luftarake, mori pjesë aktive në të gjitha kryengritjet e mëdha dhe betejat vendimtare kudo që ato ndodhën në Kosovë e Shqipëri dhe trojet tjera shqiptare, për liri dhe çlirim kombëtar.
Jehona e luftës së tij u dëgjua fort edhe shkoi deri në Stambollin otoman, pikërisht në kohën kur forcat e Perandorisë turke më 13 maj të vitit 1911, me rreth 40 mijë trupa dhe artileri të rëndë të udhëhequra nga Turgut Pasha, filluan një ofensivë të gjerë kundër Malësisë së Madhe dhe malësorëve kryengritës të cilët udhëhiqeshin nga Dede Gjon Luli e Isa Buletini.
Bajram Currit me forcat e veta, u vërsulej turqve nga Krasniqja,ndërsa Bajram Daklani i ndiqte ato që nga Dukagjini me çetën e tij.
Kështu,forcat e bashkuara kombëtare të lirisë u shkaktuan forcave të Turgut Pashës humbje aq të mëdha, sa që përveç kapjes së shumë armëve e municioneve, thyen përfundimisht edhe trupat turke.
Ndaj, Porta e lartë (Perandoria turke) e dëshpëruar me dështimet në fushëbetejë , shkarkoi nga funksioni udhëheqës dhe largoi me urgjencë nga Shqipëria Turgut Pashën.
Ndërsa, ndihmësi i tij Ethem Pasha, gjatë tërheqjes në drejtim të Gjakovës, u plagosë rëndë nga çeta e Bajram Daklanit dhe vdiq nga plagët, në spitalin e Shkupit.
“Fermani” i Adil Beut
Kryengritjet e pareshtura të viteve 1909,1910,1911 acaruan në atë masë gjendjen politike në trojet shqiptare, sa që më 12 Janar të vitit 1912,kur shumë fshatra e qytete tanimë ishin çliruar dhe rënë në duart e kryengritësve vendor, qeveria turke shpërndau parlamentin dhe vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në trevat më kryengritëse shqiptare, siç ishte Kosova.
Madje, në mars të vitit 1912, vet ministri i brendshëm turk Haxhi Adil beu, provoi të vizitonte qytetet kryesore të Kosovës në përpjekje për të bindur shqiptarët që edhe më tej,të pajtoheshin me robërinë dhe nënshtroheshin Perandorisë otomane.
Por luftëtarët kombëtar të udhëhequr nga patriotët si Bajram Daklani e ndoqën me armë në dorë ministrin turk, ngado që ai shkonte.
Kurse gjatë rrugëtimit të konvojit të tij, që me gjithë betejat e ashpra, kishte arrit në Gjakovë prej nga ai planifikonte të vijonte udhëtimin për në Prizren, tri ditë luftime u zhvilluan vetëm në trevën 7-8 kilometërshe hasjane, sa duhet të ketë përafërsisht gjatësi frontale, hapësira nga Raça e Moglica deri te Ura e Fshejtë.
Udhëheqës të këtyre aksioneve liridashëse, ishin Bajram Daklani dhe Zeqir Halili.
Haxhi Adil beu, nën mbrojtjen e trupave të shumta ushtarake turke, përpiqej të shpërthente rrethimin dhe ikte për në Prizren.
Por, Bajram Daklani dhe Zeqir Halili, i prenë atij rrugën, me të arritur te Ura e Fshejtë, dhe e detyruan(që aty) ministrin e brendshëm turk, të nënshkruante vendimin (fermanin) për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe…..(,Dr. Masar Rizvanolli “Zhvillimi i arsimit shqip në Gjakovë deri më 1918” gjakovapress 6 mars 2014
Ndërsa kur në muajt prill e maj të vitit 1912, të gjitha krahinat shqiptare, kishin filluar lidhjen e Besës ndërmjet veti, me qëllim të përgatitjes sa më efektive të Luftës së Përgjithshme Kombëtare për çlirim, Bajram Daklani në krye të kryengritësve nga Krasniqja, Hasi dhe Reka, në prill të vitit 1912, sulmoi Gjakovën.
Aksioni i tij, detyroi organet okupuese turke, që përveç grumbullimit të trupave tjera nga rajoni edhe Korparmata e shtatë e ushtrisë otomane, nga Ferizaj, të nisej drejt Gjakovës.
Kjo strategji rezultoi e suksesshme dhe krijoi kushte të favorshme për mbajtjen e Kuvendit të Junikut, në të cilin u mor vendimi historik për fillimin e Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare dhe çlirimin e Shqipërisë Etnike.
(https://kk.rks-gov.net/gjakove/City-guide/History.aspx
Të entuziazmuara nga vendimet e Kuvendit të Junikut, forcat kryengritëse nga muaji-Maj, deri në fillim-gushtin e vitit 1912,çliruan vendbanimet më të mëdha shqiptare dhe qytetet kryesore të Kosovës.
Më 9 gusht të vitit 1912, Prijësit e Kryengritjes së Përgjithshme, i dorëzuan Memorandumin e fundit, komisionit të qeverisë perandorake turke, me një ultimatum prej 48 orësh, për aprovimin e kërkesave të shqiptarëve për autonomi, para se ata, ta çlironin Shkupin.
Ngritja e Flamurit Kombëtar nga Bajram Daklani
Pasi që qeveria turke edhe pas kalimit të afatit të parashtruar, nuk mori mundimin tu kthente asnjë përgjigje kryengritësve shqiptar, me urdhër të Bajram Currit, si kryekomandant i forcave të Kryengritjes së Përgjithshme, më 11 gusht nga Gjakova në Ferizaj do të vinte Bajram Daklani me luftëtarët e tij.
Ai, përveç se ishte udhëheqës i luftëtarëve nga Krasniqja, Hasi e Reka dhe bënte pjesë në grupin e prijësve madhor të Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare, ishte edhe njeriu më i besueshëm i Bajram Currit.
Ndaj vet Plaku i Maleve, zgjodhi pikërisht Bajram Daklanin, pajisi atë me një Flamur të Madh Kombëtar dhe ngarkoi heroin me detyrën më të shenjtë patriotike, që në krye të 200 luftëtarëve pararojë të hynte i pari në Shkup dhe ngrinte Flamurin Kombëtar mbi ish kryeqytetin e lirë të Kosovës.
Dhe, siç do të shkruante edhe gazeta “Shkupi” e datës19 gusht të vitit 1912, më 12 gusht të atij viti, nga Ferizaj, Bajram Daklani do të futej triumfalisht në kryeqytet dhe pas 500 vjetësh sundimi turk, ai i pari do ta ngrinte lart dhe me krenari, Flamurin Kombëtar të fitores në Shkupin e çliruar.
Po-ashtu, gazeta ”Shkupi”e të njëjtës datë,19 shtator 1912, shkruan se në radhitjen, e hyrjes së forcave kryengritëse shqiptare në Shkup, i pari ishte: ”Bajram Daklani me 200 pushkë, Bajram Curri me 5000 pushkë; Isa Boletini me 3000 pushkë; Ahmet beu nga Kumanova me 1000 pushkë, etj.
Por, sipas Dr.Hakif Bajramit, vetëm tri dit pas valëvitjes së Flamurit Kombëtar, të ngritur nga ky hero në ish Kryeqytetin Dardan, më 15 gusht të vitit 1912,nga Beogradi në Shkup do të arrinin tre diplomat të lartë evropian me një ultimatum në dorë, me të cilin kërkonin demobilizimin e kryengritësve shqiptar dhe tërheqjen e menjëhershme të tyre nga Shkupi, me arsyetimin se nga Fuqitë e Mëdha nuk do të pranohej ndryshimi i kufijve të Perandorisë osmane me forcën e armëve.
Ndaj, Kryengritësit Kombëtar me në krye Hasan Prishtinën,Bajram Currin, Bajram Daklanin etj., të dëshpëruar tej mase me qëndrimin e paprecedent të Fuqive të Mëdha dhe të zhgënjyer thellë nga tradhtitë e pareshtura të Perandorisë Osmane, shpallën gjendjen e jashtëzakonshme për 4 ditë me radhë mbi Shkup e rrethinë, dhe nuk u tërhoqën pa marrë përgjigjen mbi fatin e atdheut të tyre.
E vënë nën presion të madh nga kryengritësit, më 18 gusht të vitit 1912, do të arrinte një përgjigje thuajse gjysmake e qeverisë perandorake turke, e cila nuk pranonte kërkesën as për autonomi të shqiptarëve, por vetëm12 nga 14 pikat e parashtruara nga Hasan Prishtina
Sidoqoftë, kryengritësit shqiptar megjithëse të rrethuar me armiq nga të gjitha anët, nuk u dorëzuan as lanë luftën në gjysmë siç kërkohej prej tyre, nga Fuqitë e Mëdha, por nën udhëheqjen e patriotëve Bajram Curri, Bajram Daklani, Isa Buletini etj., vazhduan rezistencën kombëtare, si ditën e mundën deri në dëbimin përfundimtar të pushtuesve otoman nga trojet shqiptare dhe krijimin e kushteve që më 28 Nëntor 1912, të shpallej Pavarësia e Shqipërisë!
Pa kaluar 4 muaj të plotë nga akti i Pavarësisë Kombëtare, do të mblidhej Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e cila më 22 mars të vitit 1913,do të shënonte kufijtë aktual, ndërsa më 29 korrik të atij viti, vendosi përfundimisht, vetëm për njohje të pjesshme të tokave kombëtare si Shtet të Pavarur, duke lënë jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, mbi gjysmën e trojeve etnike shqiptare, përfshi edhe Kosovën e Çamërinë të cilat u pushtuan, copëtuan dhe aneksuan me forcë nga shtetet hegjemoniste fqinje.
Heroizmi në mbrojtjen e Flamurit
Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe tërheqjes së forcave Austro-Hungareze, nga trojet shqiptare, duke zënë shkas nga “Traktati i fshehtë i Londrës, të 26 prilli 1915, i cili parashihte copëtimin definiv edhe të asaj pak Shqipërie që kishte mbetur nga njohja ndërkombëtare e vitit 1913, në verën e vitit 1919, forcat pushtuese italiane okupuan Shqipërinë nga jugu deri në fshatrat e para të Kukësit dhe anën e poshtme të lumit Drin, kurse forcat pushtuese serbe përveç Kosovës okupuan dhe Shqipërinë Veriore deri në brigjet e epërme të këtij lumi.
Në këto kohë të vështira, i pa pushtuar edhe më tej, mbetej Vau i Spasit, i cili si pikë strategjike që lidh rajonin e Kukësit, Pukës dhe Mirditës, mbrohej me vendosmëri nga Bajram Daklani me 10 bashkëluftëtar të çetës së tij, ku kishte ngritur edhe Flamurin Kombëtar, dhe vetëm aty, ai ende valonte i lirë.
Por, sipas shkrimeve të gazetës “Populli” që asokohe botohej nga Salih Nivica në Shkodër,më 24 korrik të vitit 1919, forcat pushtuese italiane, qysh në orët e hershme të asaj dite, filluan një sulm të ashpër me të gjitha llojet e armëve, mbi luftëtarët dardan.
Megjithëse beteja zgjati gjatë gjithë ditës, “10 komitët”- trima të Kosovës së robëruar me në krye Bajram Daklanin, bënë qëndresë aq të fortë e vetëmohuese sa që nuk lejuan për asnjë moment, të pushtohej Vau i Spasit, as binte simboli i shqiptarizmës, para se ata të vdisnin të gjithë.
Kështu që, edhe pse i tejshpuar nga plumbat e armikut, Flamuri Shqiptar jo vetëm se vazhdonte të qëndronte lartë dhe valëvitej krenar e i pamposhtur, mbi kokat e luftëtarëve të paepur të kombit, por edhe ushtarët italianë u detyruan që të tërhiqeshin, tejet larg nga posta e Vaut të Spasit.
Vijimi i rezistencës në Kosovë
Fatkeqësisht e ashtuquajtura Konferencë e Paqes,(18-21 janar 1919), në Paris, la Kosovën përsëri edhe pas Luftës së Parë Botërore, nën pushtimin serb.
Ndaj menjëherë pas ri-okupimit të saj në vjeshtën e vitit 1918,Serbia filloi sërish terrorin e pafund shtetëror mbi shqiptarët.
Më 1919, në emër të “reformës agrare”ajo filloi tu merrte atyre tokat, nga 1920, nisi kolonizimin masiv të Kosovës me ardhacak serbo-malazez, dhe paralel me këto, filloi dëbimi me dhunë të shqiptarëve nga trojet e veta stërgjyshore.
Sidomos Krusha e vogël, por edhe ajo e madhe, gjithmonë mbetën lakmi e përhershme e pushtuesve serb, për faktin se që të dyja ishin të banuara plotësisht me shqiptar, zotërojnë tokë shumë prodhuese dhe ndodhen njëra pas tjetrës, në pozita tejet të lakmueshme strategjike, buzë rrugës Gjakovë Prizren.
Por përkundër prezencës së shtuar të xhandarmërisë dhe numrit të madh të forcave pushtuese serbe, falë patriotëve të shquar Bajram Daklani e Azem Bejta, luftëtarët e “Komitetit për Çlirim” të cilët atdheun e donin më shumë se jetën, ishin të pranishëm kudo dhe vepronin në tërë Kosovën.
Ndaj kur banorët e pambrojtur shqiptar, binin pre e sulmeve të grupeve çetnike serbe, Bajram Daklani me bashkëluftëtar, i cili asokohe qëndronte në Has dhe Anadrini ,pa vonuar u vinte atyre në ndihmë.
Ndërsa në fund të korrikut të vitit 1920,kur trupat serbe sulmuan në drejtim të Shkodrës dhe pushtuan Kastratin, luftimeve kundër agresionit sllav, të cilat i udhëhiqte Bajram Curri, ju bashkua edhe Bajram Daklani me kryengritës nga Kosova.
Fjalimi impresionues në Konferencën e Triestes
Sipas shënimeve të Eqrem bej Vlorës, në vëllimin e II-t, të kujtimeve të tij, botuar më 2001 në Tiranë, intelektuali dhe ushtaraku patriot italian, Gabriele D’Annunzio, në vitin 1920, do të organizonte në Trieste të Italisë edhe një tubim të madh të të gjitha organizatave kombëtare, me përfaqësuesit e popujve të rënë nën pushtimin jugosllav, të cilët ishin të gatshëm të luftonin për lirinë e vet dhe çlirimin e tokave të tyre nga ky shtet okupues.
Kështu që, me vendimin e “Komitetit të Kosovës” dhe pëlqimin e Bajram Currit, përfaqësues të shqiptarëve në konferencën e lartcekur, do të dërgoheshin pjesëtarët e zgjedhur të këtij komiteti, si nipi i Sylejman Vokshit të famshëm, Beqir Vokshi dhe Bajram Daklani i cili do të mbante edhe një fjalim të zjarrtë para pjesëmarrësve të asaj konference, mbi shkeljet e rënda të të drejtave të shqiptarëve nga pushtuesit sllavo-grek.
Zona Neutrale e Junikut
Pas përpjekjeve të pareshtura të kryengritësve shqiptar të Kosovës, me vendimin e Fuqive të Mëdha, nga 9 nëntori i vitit 1921,u krijua Zona Neutrale e Junikut.
Ajo, në territorin e saj të lirë, përfshinte një numër fshatrash përreth dhe niste nga Qafa e Morinës e përfundonte në grykën e Deçanit.
Udhëheqës i saj, ishte emëruar Beqir Vokshi.
Por fatkeqësisht, krijesa e sapoardhur në jetë, qe tejet jetëshkurtër dhe që në fund të janarit të vitit 1923, pas pak më tepër se dy vitesh ekzistence, forcat e Zogut nën udhëheqjen e Prend Jakut, do të pushtonin Zonën e Lirë të Junikut, dëbonin me dhunë kryengritësit e Kosovës nga aty, dhe më 21 shkurt të vitit 1923, Qeveria e Ahmet Zogut, Zonën Neutrale të Junikut, do t`ia falte okupatorit serb.
Në përpjekje për mbrojtjen e kësaj zone, ishte plagosë edhe Hamdi Zajmi, njëri nga bashkëluftëtarët e ngushtë të Bajram Daklanit.
Ndaj edhe pse dimër e acar i madh, çeta e Bajram Daklanit me Hamdiun e plagosur, ishte detyruar të tërhiqej me shpejtësi në drejtim të Anadrinisë dhe pjesëtarët e saj do të vendoseshin përkohësisht tek familja Domi në fshatin Radostë, ku Hamdiu e kishte të motrën të martuar
Haraçi i Gani bej Kryeziut
Menjëherë pas okupimit të Zonës së Lirë të Junikut, Prefektura e pushtetit okupues serb në Kosovë, kishte shpallë me shpejtësi vendimin për shuarjen e forcave kryengritëse dhe eliminimin e të gjithë udhëheqësve kombëtar, në brendi të Kosovës dhe jashtë saj.
Kështu që, jo vetëm mjekimi i Hamdiut por edhe strehimi i thjeshtë i pjesëtarëve të çetës së Bajram Daklanit, ishte vështirësuar aq shumë, sa që nuk dinin nga t`ia mbanin, nga përndjekja e okupatorit dhe spiunëve e bashkëpunëtorëve të tij, të cilët shpesh herë dinin të ishin edhe më të këqij se vet pushtuesi.
Derisa Cena beg Kryeziu me të vëllain Hasanin, përndiqte kryengritësit e Kosovës, në Shqipëri, vëllai i tyre, Gani bej Kryeziu, vazhdonte gjuetinë këmba këmbës, ndaj luftëtarëve të lirisë, në Kosovë.
Ndaj, si shumë familje kryengritësish, që asokohe, në gjendje të tilla të jashtëzakonshme, për të shpëtuar bijtë e tyre nga duart e pushtuesit, detyroheshin që “begut-kryezi” ti paguanin haraç të rëndë, edhe Familja Zajmi nga Gjakova, u detyra që të lidhte një marrëveshje tejet të kushtueshme me Gani beg Kryeziun.
….qe te mos ngucet ky grup, Shaban Zajmi ben marreveshje me Gani Beun ti paguaj nga nje sheke drithe ne dite per te ruajtuar vellaun dhe grupin e shokeve te tij. Per 90 dite deri ne sherimin e Hamdiut, Shaban Zajmi i jep Gani Begut vleren e 72 napoleonave. (Pjesë nga shkrimi i profesor Agim Zajmit, dërguar nga Tirana).
Madje, “kryezinjtë” i kushtëzonin “klientët” edhe me “vendstrehimin” se ku ata nga momenti i pagesës duhej të qëndronin, duke i dërguar herë pas here tek “Jatakët” e vet, me të cilët kishin marrëveshje, që kryengritësit të cilët ishin në gjendje të paguanin haraç, ti “strehonin” ndonjë ditë “dimri”, kurse për udhëheqësit më të dalluar, bashkë me të zotët e shtëpisë, në ato vende, përgatisnin fundin e tyre me tradhti.
Një përfundim të tillë makabër, begu kryezi, i kishte përgatitur në qetësi të trishtë edhe heroit Bajram Daklani
Vrasja me tradhti e heroit
Pas marrjes së parave (72 napolona) nga Shaban Zajmi, vëllai i Hamdi Zajmit, Bajram Daklani bashkë me Hamdiun e plagosur dhe ndonjërin nga pjesëtarët e çetës së tij, u “këshilluan” që të strehoheshin përkohësisht në familjen e Dan Dobroshit në Rogovë të Hasit.
Heroi vet dhe bashkëluftëtarët e çetës së tij, pasi që përveç marrëveshjes së arritur, kishin marrë betimin e “dobroshëve” edhe mbi kanun si dhe u ishte premtuar nga ta, “siguri e plotë” me “Be e Rrëfe” (veresie),tanimë shtëpinë e familjes Dobroshi e konsideronin të “garantuar” për qëndrim kalimtar, para se ata të merrnin rrugën drejt Pashtrikut, lartësi në të cilat vetëm shqipet lindin dhe trimat e lirisë ndërtonin foletë e qëndresës.
Ndaj, mbrëmjen e mallkuar të 3 shkurtit 1923, kryengritësit pa parandjenjë të keqe, i drejtohen shtëpisë së Dan Dobroshit në Rogovë, pa e ditur se pikërisht aty ishte ndalesa e fundit e patriotit Bajram Daklani dhe pika fatale, nga e cila për heroin më nuk kishte kthim prapa.
Rogova e prishi Hasin
Siç thuhet e dëshmohet qindra herë edhe nga kronikat shekullore, Hasi që nga lashtësia, konsiderohej si hapësira më e qetë kombëtarisht, Besë-mbajtës i përmbaruar, kulm i sigurt për hallexhinj dhe mikpritësi më shembullor për kryengritësit popullor, në rajon e më gjerë.
Kjo trevë, tradicionalisht ishte dhe mbeti vatër e përhershme sinqeriteti, sofër e shtruar bukëdhënëse për këdo dhe secilin, si dhe oaza më e preferuar, për qëndrimin e udhëheqësve dhe atdhetarëve më të shquar të kombit nga të gjitha trojet.
Hasi njihej edhe si hapësira më zemërgjerë, dëshmuar për, mbajtjen e fjalës së dhënë dhe ruajtjen e palëkundur të Besës shqiptare.
Kështjellë e shenjtë në të cilën, deri atëherë, kurrë nuk kishte ndodhur që të ngitej a keqtrajtohej dikush, qoftë ai edhe një bari i thjeshtë a udhëtar i largët e i panjohur i rastësisë, e lëre më të vriteshin e tradhtoheshin pas shpine luftëtarët e lirisë dhe patriotët kombëtar.
Në Has edhe në vitet më të vështira të okupimeve të huaja, qëndruan, rrugëtuan, vepruan dhe mbajtën në Besë, të ruajtur më mirë se në cilindo vend tjetër, personalitetet më të larta kryengritëse të kohës, që nga Bajram Curri e Azem Bejta deri te Bajram Daklani e Sadik Rama dhe shumë të tjerë.
Deri me vrasjen e Bajram Daklanit, kurrë nuk kishte ndodhur, të tradhtohej a pritej kush në besë, qoftë edhe në një skaj të Hasit.
Për herë të parë në fshatin Rogov, organet okupuese të Serbisë dhe rrogëtarët e Gani bej Kryeziut, më në fund kishin mbërri të infiltronin spiunët e vet dhe krijonin bashkëpunëtorë të përbetuar, me të cilët, përgatitën edhe kurthin ogurzi, për eliminimin mizor të heroit dhe prijësit të dalluar kombëtar, Bajram Daklanit.
Ata, siç kishin vendosur bashkërisht për vendin dhe mënyrën, kishin zgjedhë djallëzisht edhe shenjëtarët më të sprovuar, të cilët jo vetëm se likuiduan Bajram Daklanin, pa vrarë as plagosur askënd tjetër, por edhe u zhdukën ashtu siç kishin ardhur të “pa-emër” e të pa gjurmë, duke “humbur” pa asnjë shenjë dhe mbetur të pa zbuluar kurrë.
Kështu që para tradhtisë së përgatitur nga renegatët, heroin, nuk kishin si ta shpëtonin marrëveshjet, nuk mundën ta mbronin kanuni as tradita kombëtare për mos-prerjen e mikut në Besë, si përbetime obligative sigurie ndër shqiptarët.
Spiunët e Serbisë,kishin vendos ta vrisnin, ndaj, kot fare ishin mbajtur të gjitha ato takime dhe zhvilluar aq shumë biseda të gjata, për tu marrë vesh mirë e në detaje me të zotin e shtëpisë Dan Dobroshin dhe meshkujt e familjes së tij, për personat që duhej tu bënin konak, kohën kur ata do të arrinin atje,si dhe derën që trimat duhej ta përdornin për të hy në oborrin e “dobroshëve”.
Të gjitha ato, ishin bërë me shpresën se heroi dhe shoqëruesit e tij, nuk do të priteshin në Besë, por ngjarjet pasuese nuk u zhvilluan në atë mënyrë.
Dhe, siç u dëshmua jo më larg se natën kritike, çdo gjë kishte qenë e inskenuar dhe kurth i ngritur për tradhti.
Sipas versionit i cili edhe sot tregohet, nga pasardhësit e Hamdi dhe Shaban Zajmit, dobroshët e njihnin mirë Bajram Daklanin, kurse marrëveshja ishte që kryengritësit në shtëpinë e “Jatakut” të lidhur këmbë e krye me Kryezinjtë e Gjakovës, të shkonin pasi që të binte terri.
Madje, kinse që të mos binin në sy të njerëzve të “dyshimtë“, kryengritësit kishin marrë porosi se nuk guxonin të futeshin përmes dyerve kryesore në anën e përparme të oborrit, por të kalonin kopshtit dhe përmes derës së prapme e cila kishte dalje në kopsht, të hynin në oborrin e shtëpisë së familjes Dobroshi.
Meqenëse Hamdi Zajmi i plagosur nuk mund të ecte, ata bartnin atë mbi një vig.
Dobroshët me arsyetimin se atë e njihnin më mirë se të tjerët, kishin insistuar me këmbëngulje që medoemos i pari në derën e tyre, duhej të paraqitej Bajram Daklani.
Meqenëse Hamdi Zajmi i plagosur nuk mund të ecte, atë e bartnin mbi një vig dhe heroi sipas marrëveshjes, mbante pjesën e përparme të vigut.
Ndaj, me të mbërritur para derës së prapme, e cila ishte e ngushtë dhe përmes saj nuk mund të kalonte më tepër se një njeri, ai lëshoi vigun për të hapë ngadalë derën.
Por, që në përpjekjet e para për ta stabilizu derën si duhet,dhe me të hyrë vetëm me gjysmën e trupit të vet brenda oborrit të mik-vrasësit, pa i dhënë kohë as të ulej e kapte vigun, nga kulla e Dobroshëve, flakërojnë krismat kobzeza të pushkës.
Dhe, si të porositura enkas për të, ato qëlluan vetëm mbi trupin shtatlartë të heroit, duke shpuar tej për tej, gjoksin e tij prej luani dhe lënë në vend të vdekur udhëheqësin e sa e sa kryengritjeve kombëtare, Bajram Daklani.
Kështu, u shkelën të gjitha parimet shekullore të Besës shqiptare, ra poshtë çdo premtim i dhënë rrejshëm, zhgënjyen marrëveshjet hileqare dhe kthyen në tradhti, krejt garancitë e dyshimta për siguri, të kamufluara me “Be e Rrëfe” mashtruese nga “dobroshët”.
Për herë të parë dhe pa-prit e pa kujtua, ndodhi edhe në një skaj të Hasit, ajo që nuk do duhej dhe që nuk kishte ndodhur kurrë deri atëherë në këto troje.
Në Rogovë, nga njerëz të pa erz, u pre në Besë një Hero dhe shua me tradhti edhe një pushkë e lirisë dhe shpresës së shqiptarëve të robëruar.
Nga ajo ditë, jo vetëm u zhgënjyen, por dhe dëshpëruan “për të hy të gjallë në dhe” të gjithë banorët hasjan.
Për herë të parë në historinë e kësaj treve, u thye tradita qindravjeçare e mikpritjes hasjane, lartësuar kudo e ngado që flitet e jetohet shqip dhe vra prapa shpine nga Besë-prerësit e pështirë njëri nga heronjtë më të shquar shqiptar.
Njerëz të shitur të këtij fshati futën këtë metodë të urryer likuidimi edhe në këto troje dhe thyen Besën, e cila për qindra vjet mbeti, e veçantë, u ruajt me nostalgji dhe përcoll me fanatizëm brez pas brezi, si përbetim i paprekshëm kombëtar në Has.
Ndaj, precedenti i vrasjes me tradhti të njërit nga patriotët më të njohur të kombit tonë, si heroi Bajram Daklani, bëri që në të gjithë fshatrat e kësaj treve, të përhapej fjala, se me atë ditë- Rogova e prishi Hasin!.
Dhe, qëkur u pre në Besë Bajram Daklani nga “Dobroshët”, shprehja “Rogova e ka prish Hasin” u bë shprehja më dëshpëruese popullore në këto anë.
Është mjaft enigmatike vrasja e Bajram Daklanit dhe tentim vrasja e grupit të Hamdi Zajmit, thotë nipi i Hamdiut Naim Zajmi në një koment të tij. Pse Dobroshi gjuan pa paralajmërim kur e dinte se atë nate do të vinin mysafirët me Bajram Daklanin, citon komentin e kushëririt të tij-Naimit, profesori i historisë, z. Agim Zajmi, nga Tirana
Kurse për vrasjen pa paralajmërim të Bajram Daklanit nga familja Dobroshi ,Dr. Shkelzen Zajmi, specialist i rëntgenologjisë në Gjakovë, shton se paraardhësit e tij dhe gjithë familjes Zajmi, nuk e falën gjakun e heroit, madje vrasjen e tij, e konsideruan si prerje në Besë, dhe për këtë shkak, me familjen Dobroshi do të ngelnin, për dhjetëra vite të gjakësuara ndërmjet veti.
Sipas tij, vetëm në vitin 1939, Hysni Zajmi, fali kokë më vete dhe pa konsultim me familjen e vet, gjakun e heroit, në emër të pajtimit kombëtar, me rastin e sulmit italian mbi Shqipërinë.
Zhdukja e eshtrave të heroit
Pas vrasjes së Bajram Daklanit,askush nuk do të hynte më në shtëpinë e “dobroshëve”.
Bashkëluftëtarët e mbetur të çetës së Bajram Daklanit, edhe pse natë, Hamdiun e plagosur do ta dërgonin në Kullën e familjes Zajmi në fshatin Fshej,ku ata kishin edhe tokat e veta, kurse kufomën e Bajram Daklanit, në drejtim të fshatrave të Hasit, afër kufirit shqiptaro-shqiptar.
Sado që me saktësi të plotë,sot nuk mund të thuhet, pasi që tash e atëherë siç dihet edhe eshtrat e heroit janë zhdukur, sipas asaj që pasardhësit e familjes Zajmi kanë mund të marrin vesh, dhe fjalëve të dëgjuara nga njerëzit e vjetër të këtyre anëve, Bajram Daklani, do të varrosej rreth një kilometër larg rrugës kryesore që lidh fshatrat e Hasit, dhe pikës prej ku ndanë rruga transite e njohur si “Rruga e Demjanit” besohet në anën e majtë të saj, të mbuluar me drunjë të vegjël, vend në afërsi të të cilit edhe sot ka varreza.
Megjithëse varrimi i heroit u krye në fshehtësi të madhe dhe nën errësirën e thellë të natës, në mënyrë që vendi ku ai prehej në amshim, të mos binte në sy të armikut, të vetëdijshëm se pushtuesi dhe shërbëtorët e tij,as për së vdekuri nuk do ta linin të pushonte i qetë, siç duket pa kaluar shumë kohë, mercenarët e Gani beg Kryeziut,do ta hetonin vendin e varrimit të tij,dhe për ta vrarë edhe një herë për së vdekuri, ata vepruan njëjtë me heroin, siç veproi edhe Serbia me të vrarët për liri dhe çlirim të Kosovës, duke bërë edhe këta zhvarrosjen e kufomës dhe zhdukjen e përhershme të eshtrave të Bajram Daklanit.
Dimri i gjatë dhe rënia e herë pas hershme e borës, do tu ndihmonte tradhtarëve, ta zhvarrosnin trupin e pajetë të këtij udhëheqësi të shquar kombëtar dhe gati pa u hetuar, me dheun e shprishur dhe grumbullimin e borës, të ngrinin në atë vend, një si varr të improvizuar.
Me shkrirjen e borës dhe ardhjen e Pranverës, edhe dheu i shprishur do të njëjtësohej me tokën përreth. kështu që përveç zhdukjes së eshtrave, do të shuheshin përgjithmonë edhe gjurmët e varrit të tij.
Ndaj, megjithëse kushedi sa e sa herë, bashkëluftëtar dhe dashamirë, më kot kishin kërkuar dhe provuar pareshtur ta gjenin vendin ku pushonin eshtrat e këtij trimi, nga atëherë e deri më tani, thuhet se nuk u gjet asnjë gjurmë e trupit të heroit.
Kështu dhe në këtë mënyrë, hapat e këtij burri, ndaluan përgjithmonë më 3 shkurt të vitit 1923,nga plumbat e tradhtisë, duke rënë për të mos vdekur kurrë, në kohën kur mosha e tij, nuk kishte arrit as në të 50-t, e jetës dhe pritej të bënte ende shumë për lirinë e atdheut dhe popullin e robëruar shqiptar.
Në Rogovë, ai do të vritej barbarisht, jo nga serbët as Serbia, por nga shqiptarët e shitur dhe tradhtarët e kombit, të cilët atëherë dhe sot, sikur ende janë me bollëk, aty dhe vendet tjera kudo.
Madje ata sikur vazhdojnë edhe më teje të mbajnë çështjen e heroit “konfidenciale”, dhe edhe pas kaq vitesh, përkujdesen me fanatizëm që ende të mos gjenden as eshtrat e tij.
Renegat të tillë, nuk u mjaftuan me shuarjen e këtij prijësi të shquar, që pati Kosova dhe Shqipëria etnike, por thyen të gjitha tabut, duke bërë të “pa-bërën” deri atëherë, dhe zhdukë përgjithmonë edhe trupin e një personaliteti -historikisht të dëshmuar dhe institucionalisht nga më meritorët, që u vlerësua me mirënjohjet më të larta kombëtare edhe nga Shteti Shqiptar
Dekorimi i Bajram Daklanit
Ky hero, sikur ishte i lindur pikërisht për ngjarje të mëdha e mote të vështira dhe periudhat më të rëndësishme historike, nëpër të cilat, pothuajse e gjithë elita kombëtare u dashtë të kalonte, për sigurimin e mbijetesës dhe ekzistencën mbarëkombëtare të shqiptarëve
Lufta dhe kontributi i gjithanshëm kombëtar i Bajram Daklanit në momentet vendimtare për trojet tona etnike,bënë që ai si prijës i shquar të nderohej me medaljen më të lart të Atdheut, si dhe emri i tij, të shkruhej me germa të arta në lartësitë kulmore të Historisë së Popullit Shqiptar.
Falë burrave si Bajram Daklani edhe pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorve në Londër,që me gjithë shpalljen e Pavarësisë kombëtare, Kosovën dhe viset e tjera etnike, pa të drejtë, i lanë jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, përpjekjet historike shqiptare të nisura, që nga Lidhja e Prizrenit, nuk u ndalën por vazhduan.
Ai dhe idealistët kombëtar të kohës, mbetën gjithmonë heronj dhe kryengritës të pa-penduar, të cilët luftuan me vendosmëri edhe për ruajtjen e tokave të shtetit të pavarur kombëtar, çlirimin e Kosovës e trojeve tjera shqiptare nga pushtimet e huaja dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë.
Për këto dhe shumë bëma të tjera të mëdha, me rastin e jubileut të 100 vjetorit të Pavarësisë, më 23 nëntor të vitit 2012, “Për shërbime të shquara dhe kontribut të çmuar për liri dhe Pavarësi Kombëtare” në periudhat më të vështira të historisë së fundshekullit XIX, dhe mbi dy dekada të fillimshekullit XX, heroi i kombit-Bajram Daklani, u dekorua në mënyrë të merituar me medaljen më të lartë që jep Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë.
Sado që ky hero, nuk kishte as fëmijë dhe rriti vetëm një vajzë, edhe atë të falur nga i vëllai Emini, sa për ta thirrur edhe atë dikush baba, Bajram Daklani megjithëse pa trashëgimtar fizik, i cili do të mund ta vazhdonte rrugën e tij patriotike, si atdhetar i flakët dhe kryengritës stoik që ishte, dha gjithçka që pati dhe luftoi që nga vitet më të hershme të rinisë me pushkë në dorë, duke sakrifikuar edhe jetën për liri e bashkim kombëtar, deri në momentin që u vra me tradhti.
Vepra e tij, madhëroi përpjekjet e të gjithë shqiptarëve dhe ngriti e lartësoi kudo, kryengritjet popullore për liri e çlirim si vlerën më të çmuar kombëtare.
Shkëlqimi i emrit dhe veprës së Bajram Daklanit, arriti piedestalin e rrezatimit dhe kthye në legjendë atdhetarizmi, që nga momenti historik i 12 gushtit të vitit 1912,kur ai i pari- ngriti Flamurin Kombëtar, në Shkupin e çliruar.
Sakrificat e tij për Flamur dhe çështjen Kombëtare, nuk mbaruan këtu.
Atdhedashuria dhe respekti i pakufishëm i heroit ndaj Flamurit Kombëtar, u dëshmuan edhe më 24 korrik të vitit 1919, kur në betejën e njohur të Vaut të Spasit,ai me vetëm 10 bashkëluftëtar të çetës së tij, luftuan heroikisht me një ushtri të tërë pushtuese, për të mos e dorëzuar pikën që mbanin as hequr për asnjë çmim, Flamurit e ngritur Kombëtar, që për ta ishte më i shtrenjtë se vet jeta e tyre.
Këto dhe shumë vepra të tjera atdhetarie, të cilat është e pamundur të numërohen dhe përfshihen të gjitha, në vetëm një shkrim, bënë që vendimi i “Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, për dekorimin e Bajram Daklanit, të mbetet vërtet një ndër veprimet më të qëlluara dhe më i drejti që mund të jetë bërë kohët e fundit, në historinë më të re shqiptare.
Sot e atëherë, trojet tona etnike, janë përmalluar shumë, që në gjirin e tyre, të kenë të paktën edhe një herë burra të tillë dhe personalitete si ato të Rilindjes Kombëtare, apo të njohin qoftë edhe një hero si Bajram Daklani dhe atdhedashësit e tjerë si ata të periudhave të; para e pas Pavarësis së Shqipërisë, të cilët ishin figurat më të ndritshme patriotike, të merituar në shkallën sipërore për dekorime të shumfishta, jo vetëm në 100 vjetorë-pavarësie.
Bajram Daklani dhe trimat e Rilindjes Kombëtare, si bijtë më të denjë të çështjes shqiptare, bënë që populli ynë nga një popull i shtypur dhe i nënshtruar për shumë shekuj, të cilit intenzivisht i refuzohej emri, identiteti etnik dhe hapësirat territoriale nga pushtuesit e egër, të ngritët e ndërgjegjësohet si komb i njëmendët, dhe rreshtohet mes kombeve të nderuara të Evropës.
Pa personalitetet legjendare si Bajram Daklani nuk mund të ishte e tillë e bujshme dhe heroike, as historia jonë kombëtare.
Emri dhe vepra e tij e përndritësuar, u kthyen përjetësisht në dëshminë më të ndritshme të heroizmit mbarëkombëtar dhe ai do të mbahet mend gjatë për sublimim flijimesh atdhetare.
Ndaj, është koha e fundit që edhe pasardhësit e atyre të cilët patën dorë në vrasjen mizore dhe zhdukjen e trupit të këtij heroi kaq sublim, ti kujtohen mallkimit të historisë e cila nuk harron dhe përfundimisht të reflektojnë, duke treguar anën e tyre njerëzore dhe ndihmuar përfundimisht për gjetjen e eshtrave të këtij Burri të Kombit ,në mënyrë që ato të rivarrosen në vendin e duhur.
Të varrosen aty ku vepra e tij, ua ka bërë atyre vendin dhe pranë tyre të ngritët një lapidar meritor kushtuar heroit Bajram Daklani, para të cilit të gjithë dashamirët e luftës kombëtare dhe përpjekjeve për liri, do ti bënin nderimet më të mira dhe shprehnin mirënjohjen e pafund, për shqiptarizmin e çiltër dhe veprën plot lavdi.
Këtij Burri i mbeti borxh edhe historia, patriotët, intelektualët, dashamirët e atdheut dhe pasardhësit, sado të largët qofshin ata, të cilët të “mbuluar” nga fuqia e bijve të atyre që vranë dhe zhdukën gjurmët fizike të këtij burriu, “akraballakut” të gjerë tyre, formave të ndryshme të korruptimit apo edhe ndikimit direkt, heshtën edhe ata që nuk do duhej.
Heshtën të gjithë dhe heshtën pa të drejtë. Heshti edhe vet historia kaq gjatë.
Ndaj, për heroin u shkrua aq pak, për të mos thënë fare, dhe atë vetëm në kontest ngjarjesh e personalitetesh të tjera historike, duke u përmendur aty-këtu kalimthi dhe vetëm me dy-tri fjalë apo ndonjë fjali të shkurtër, vendosur ndërmjet rreshtash, të cilat paraqesin pjesërisht, por nuk mund ta pasqyrojnë as persë afërmi gjithë kontributin e madh dhe veprën e tij të bujshme kombëtare.
Bajram Daklani, përkundër heshtjes dhe përpjekjeve për hijezim, nga cilido, qoftë edhe nga ata që edhe sot kanë frikë, se mund të turpërohen publikisht ,për atë që të parët e tyri i bënë jetës dhe trupit të heroit, duke e lënë atë edhe pa varr, ai ishte dhe mbeti njëri nga heronjtë më sublim dhe luftëtar i pazëvendësueshëm motesh e ëndrrash lirie për të gjithë ne.
Emri i tij, që atëherë me krenari vijon të shpalos para brezave, plotë kompetencë argumentet e pashtershme të historisë dhe patriotizmave tradicionale shqiptare, si dhe përçoj para Botës liridashëse, kronikat e pafundme të atdhedashurisë gjithëkombëtare, të cilat falë edhe veprës së madhore të heroit, përjetësisht ngritin kombin shqiptar, tash e përgjithmonë, në piedestalin e lavdisë.
P.S. Në përfundim, falënderojë përzemërsisht profesorin e historisë z. Agim Zajmi nga Tirana dhe dr. Shkelzen Zajmin nga Gjakova, për të dhënat dhe fotografitë e ofruara.
Komentet