Veprimtari dhe afaristi shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, e sheh me përparësi përmbylljen sa më parë të procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për t’i hapur rrugë zhvillimit të mëtejshëm të Kosovës.
Në një bisedë me Zërin e Amerikës, gjatë një vizite në Kosovë me një delegacion te drejtuar nga ligjvënësi amerikan, Ritchie Torres, zoti Bajraktari tha se ka mungesë të vullnetit politik në Serbi për të përmbyllur këtë proces.
“Mendoj se do të ishte shumë mirë për Kosovën të përfundojë bisedimet përfundimtare me Serbinë, ku Serbia e njeh Kosovën dhe Kosova e njeh Serbinë dhe jeta vazhdon. Unë mendoj se populli i Kosovës po e kërkon këtë, do të ishte mirë të përfundoj por Kosova nuk e ka në dorë këtë, është Serbia që e ka në dorë. Serbia po luan ato lojërat që i ka luajtur një kohë të gjatë”, tha ai.
Zoti Bajraktari e sheh angazhimin e shtuar amerikan si të domosdoshëm për të garantuar përmbyllje sa më të shpejtë të këtij procesi.
“Amerika duhet të jetë më e përqendruar në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Amerika duhet të jetë në tavolinë, Amerika duhet ta shtyjë për arsye se ka një besueshmëri në Kosovë më shumë se disa shtete tjera. Ta zëmë kur e shikon zotin Lajcak, vendi i tij nuk e njeh Kosovën, pastaj Bashkimi Evropian thotë e bëjmë këtë e atë por ata nuk kanë arritur katër shtete anëtare të tyre ta njohin Kosovën. Kemi pastaj zotin Borrell i cili vjen nga Spanja, ai nuk ka arritur vendin e vet ta bind për njohje të Kosovës, ende kanë dilema a jemi shtet i pavarur apo jo”, tha ai.
Zoti Bajraktari, i cili njihet për angazhimin e tij të vazhdueshëm për çështjen e Kosovës, tha se është koha që komuniteti shqiptar në Amerikë të punoj më fort në ruajtjen e partneritetit të Shteteve të Bashkuara me Kosovën.
“Ka qenë mirë komuniteti jonë ta zëmë në Michigan, Boston apo kudo që ka shqiptarë të përqendrohet për të zënë miq në senat apo kongres amerikan. Nuk kemi nevojë për një shumicë të madhe, por për një pakicë të vogël që janë të përkushtuar për cështjen shqiptare, të mbajmë orientimin e Uashingtonit për cështjet shqiptare në Ballkan”, tha ai.
Harry Bajraktari, i lindur në fshatin Vranoc të Pejës, rreth 80 kilometra larg Prishtinës, u zhvendos në Amerikë në vitet e 70-ta. Ai sot njihet për suksesin e tij në fushën e biznesit në Bronks të Nju Jorkut, si dhe për ndihmën që ai dhe familja e tij kanë dhënë për Kosovën, duke krijuar miqësi në qarqet e politikës amerikane në favor të Kosovës.
Komentet