Në rrjetin social janë shpërndarë projekte përbindësha rrokaqiejsh 3 D me destinacion për t’u ndërtuar në zemrën e Tiranës. Fushata e kryeqeveritarit është të përfshijë sa më tepër klientë dhe shkelës ligji, që ta rrisi rrezen e ligjshkelësave.
Sepse qendra e Tiranës është e paprekshme. Në qendrën e saj nuk mund të ndërtohen rrokaqiej. Në asnjë qendër qyteti Europian nuk ndërtohen rrokaqiej. Qendrat mbrohen, ruhen, restaurohen.
Këto rrokaqiejt e reklamuar nga qeveria, bashkia, oligarkët dhe të interesuarit nuk kanë asnjë lloj bukurie veç shëmtimit, por kryesore është se janë të jashtëligjëshme.
E përsëris, janë të jashtëligjëshme.
Ndërtimi është biznesi më profitabël i Tiranës, ku lahet jo vetëm pare e pistë e drogës.
Pronarët autoktonë të Tiranës po tërhiqen si me magnet nga ofertat e rrokaqiejve. Natyrisht i kanë pronat e tyre, por ato nuk mund të rrënohen që mbi to të ngrihet një përbindësh i rradhës.
Është shumë ndjellëse që nga 500 metra katrorë për një truall e pronë mbi të përfitohen nga rrokaqielli 15.000 apo 50.000 metra katrore që të shitet me 6.000-10.000 Euro metër katrori.
Familjet që, para 80 vitesh, kishin një bërthamë të vetme e që kjo bërthamë tashmë është shumëfishuar (uroj që të shtohen) u duket interesante që nga vilëzat e tyre të ngrihen rrokaqiej dhe kështu të mendohet edhe për të gjithë brezat. Kjo është e pamundur. Ose është e mundur por e jashtëligjëshme. Pronarët legjitimë kanë shumë të drejta të shkelura, kur mendohet se pronat e tyre, për 80 vjet, ose kanë mbetur të shtetëzuara, ose të papërdorura për interesin e familjeve. Kanë shumë të drejtë në parim. Duhet t’i kërkojnë të drejtat që u takojnë. Por qendra e Tiranës është e paprekëshme. Pronat t’i gëzojnë por sipas kuadrit ligjor. Mbi to nuk mund të ndërtohen rrokaqiej, sepse kështu qytetari tiranas nuk do të ndihet më banor i qytetit të tij e kësisoj është varrosur historia, identiteti, tradita.
Të shesin pronën është e drejta e pronarëve, por asnjë lloj blerësi nuk mund ta tjetërsojë, veç ta mbrojë, restaurojë dhe ruajë.
Në çdo qytet në Perëndim, qendrat nuk preken, konservohen dhe mbrohen me ligj, duke përbërë edhe atraksion turistik dhe për vendasin. Është historia e qytetit, historiku i traditave, i qytetërimit. Në qendër të qyteteve të Zvicrës ka rrugica me kalldrëm, ka ndërtesa qindravjeçare që nuk guxon askush t’i rrënojë as sot dhe as pas qindra vjetësh.
Kush është pronar i tyre nuk mund që në ato hapësira të ndërtojë rrokaqiej apo vila moderne. Është e ndaluar me ligj.
Koloseu është 2000 vjeçar, mbrohet dhe konservohet si thesar i kulturës së Romës, Italisë dhe gjithë njerëzimit. Nuk guxon askush as ta prekë me dorë, as shkruajë inicialet e emrave në muret e tij se dënohet me ligj. Dhe kur ndodh diçka e tillë gjithë mediat e botës i bëjnë jehonë, që ta dëgjojnë vizitorët e ardhshëm që të mos përsëritet faji.
Pra, duhet të ndalet ky tërbim që e ka kapur qeverinë e Tiranës, bashkinë, oligarkët dhe ata që shesin pronat me qëllim që prej tyre të përfitojnë miliona.
Është duke u shkelur ligji dhe ata janë duke u bërë pjesë në rrënimin e gjithë trashëgimisë, kulturës dhe traditës të Tiranës.
E mjerueshme është se katrahura e zhbërjes së Tiranës mbulohet me heshtje nga teknicientët, elita, elita e Universiteteve, intelektualët dhe mediat.
Shpërqendrim dhe trushplarje ka jo vetëm nga televizionet, portalet klientë nën kontrollin e Edi Ramës, që sikur të mos i dalin gjithë shtyllat e shtetit, tani si në serialet turke i ka shtrirë sezonet e podkasteve ER, ERTV dhe nuk ngopet duke iu fryrë barku, fry e fry si tullombace.
Por edhe opozita nuk po bën asnjë përpjekje të ndalë këtë tërbim shkatërrues kundër Tiranës. Natyrisht opozita është në kushte të vështira, por një nga fokuset e saj, një arsye edhe e unifikimit opozitar është mbrojtja e Tiranës nga shpërfytyrimi i saj antiligjor, çka ka bërë që Tirana sipas Anketës të kryer nga IPSOS me kërkesë të Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politika Rajonale dhe Urbane, është një nga dhjetë qytetet më të këqinj për të jetuar, kur vetëm fakti se ka 300 ditë me diell në vit dhe 20 minuta distancë larg detit dhe plazheve, do të duhej të ishte qyteti më i jetueshëm në Europë.
Nëse pronarët legjitimë që janë të interesuar të shesin tokën, e drejta e tyre, atëhere i interesuari që mund të jetë privati, shteti, bashkia duhet ta blejnë me të njëjtin standart që shiten pronat në qendër të Romës, Parisit, Londrës, Zürich-ut, por pa e prekur, duke e mbrojtur dhe vetëm duke e restauruar për t’i ruajtur e konservuar identitetin e saj dhe të qytetit.
Babëzia që 500 metra katrorë t’i kthejnë me rrokaqiej në 20.000-50.000 metra katrorë me nga 10.000 Euro metri katror duhet të ndalet.
Opinioni publik duhet ta mësojë se qendra e Tiranës është e paprekëshme dhe se rrokaqiejt, këto përbindsha të shëmtuar janë pushtues të hapësirave të qytetarëve dhe shkatërrues të identitetit të qytetit, por kryesorja janë shkelës ligji, bashkë me të gjithë të përfshirët.
Shkelësit e ligjit do të dënohen për dëmin që i shkaktojnë qytetit, historikut të saj dhe qytetarëve, kush do qoftë shkelësi: qeveria, bashkia, oligarkët dhe të tjerët.