Ragip Behrami thotë se populli shqiptar duhet ta shfrytëzojë ndeshjen e Kampionatit Evropian ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës për t’i treguar vlerat evropiane që i posedon.
Babai i futbollistit shqiptar të Zvicrës, Valon Behrami, sikurse djalin e vet i këshillon edhe lojtarët e tjerë shqiptarë të Zvicrës dhe të Shqipërisë të përqafohen ndërmjet vete në “Euro 2016”
Futbollistët e Kombëtares Shqiptare, posaçërisht lojtarët shqiptarë të Zvicrës, mund ta ndiejnë të vështirë përballjen ndërmjet tyre, e cila do të zhvillohet më 11 qershor në Kampionatin Evropian “Franca 2016”.
Por, shqiptarët duhet ta shfrytëzojnë maksimalisht këtë ndeshje për të treguar vlera evropiane në ngjarjen më të madhe të futbollit evropian. Kështu thotë në një bisedë me gazetën “Zëri” Ragip Behrami, babai i yllit të përfaqësueses zvicerane Valon Behramit. Ragipi është i bindur se djali i tij do të ketë emocione në ndeshjen ndaj Shqipërisë sikurse që do të kenë edhe Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Admir Mehmedi, Blerim Xhemaili e Pajtim Kasami, por edhe lojtarët e tjerë shqiptarë të ekipit kuqezi. Por, Ragipi thotë se e mira e kësaj ndeshjeje do të jetë fakti se populli shqiptar do ta ketë një shans fantastik për t’i treguar vlerat e veta në një ngjarje të madhe sportive, kah e cila do të jetë me sy e gjithë bota. “A ka diçka më të mirë sesa që populli ynë t’i ketë në Kampionat Evropian 30 lojtarë shqiptarë? Cili popull tjetër do t’i ketë kaq lojtarë?! Asnjëri. Rekord botëror që s’ka ndodhur asnjëherë”, thotë Ragip Behrami për “Zërin”.
Sipas tij, gjithë shqiptarët duhet të japin kontribut që ndeshja e 11 qershorit të zhvillohet në një ambient festiv, sikurse ndeshja e pak muajve më parë në Prishtinë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. “Të tregojmë vlera si popull, të tregojmë maturi e dituri, njohuri për sportin. T’i tregojmë Evropës se edhe ne si popull jemi evropianë të vërtetë”, vazhdoi ai.
Kjo nuk do të jetë hera e parë që Shqipëria do ta takojë Zvicrën e pesë apo gjashtë futbollistëve shqiptarë, me të cilët janë takuar edhe dy herë më moti: një herë në Luzern e një herë në Tiranë. Në ndeshjen e parë pati pasur fishkëllima nga tifozët shqiptarë në drejtim të lojtarëve nga Kosova e Maqedonia që luajnë për Zvicrën. Por, në ndeshjen kthyese në kryeqytetin shqiptar ato ishin minimizuar.
Ndërsa në Lens të Francës, Ragip Behrami shpreson se fishkëllimat nuk do të ekzistojnë fare, porse shqiptarët do ta shfaqin krenarinë e tyre me pjesëmarrje masive në “Eruo 2016”. “Unë besoj se gjithçka do të jetë në nivelin sportiv dhe vëllazëror. Jemi një popull që nuk duhet të na ndajë sporti, por të na fuqizojë. Sportin duhet ta shfrytëzojmë për t’u lidhur me botën. Njohja e Kosovës dhe e Shqipërisë me botën duhet të bëhet akoma më e madhe përmes sportit, të cilin duhet ta shfrytëzojmë si marketing”, tha ai.
Ragipi këshillon që në Lens shqiptarët të bashkohen në një festë futbolli. “Unë i lutem gjithë popullit shqiptar, pavarësisht vendeve se ku jetojnë apo ku gjenden, që ndeshjen ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës ta shndërrojmë në një spektakël futbolli. Si publik ta marrim si një lojë miqësore, kurse lojtarët në fushë e kanë punën e tyre profesionale”, vazhdoi Ragipi.
Behrami: Futbollistët të përqafohen
Ragip Behrami thotë se djali i tij, Valoni, me kënaqësi do t’i takojë futbollistët e Shqipërisë në Lens të Francës. Ragipi e këshillon djalin e tij dhe futbollistët tjerë shqiptarë të Zvicrës dhe ata të Kombëtares Shqiptare të përqafohen në mes vete kur takohen në Lens, sepse ashtu i tregojnë botës se shqiptarët po paraqiten me numër rekord të futbollistëve në një garë të madhe, siç është Kampionati Evropian.
“Lojtarët i lus që të jenë korrektë në fushë, të sillen si sportistë të mëdhenj, si profesionistë, ashtu siç edhe janë në fakt. Nëse lojtarët janë korrektë në fushë, besoj se edhe te publiku gjithçka do të jetë në rregull. Por, nëse ata nuk janë në rregull, atëherë publiku me sjelljet e tyre do t’u tregojë lojtarëve që nuk e kanë mirë dhe të kërkojnë përmirësim nga ta”, u shpreh Behrami, duke u lutur që Shqipëria dhe Zvicra ta kalojnë Grupin A, ku do të marrin pjesë edhe Franca dhe Rumania.
Komentet