Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë për Bashkinë e Rrogozhinës, Shkëlqim Hoxha ka hedhur akuza në drejtim të drejtorit të burgut se ka manipuluar kutinë e të burgosurve në favor të rivalit socialist Edison Memolla, vota të cilat përmbysën dhe rezultatin përfundimtar.
Në intervistën e dhënë për SYRI TV me moderatoren Armela Ferko, Hoxha e ka kontestuar këtë kuti të të burgosurve, pasi është një kuti që ka qënë jashtë kontrollit dhe është totalisht e manipuluar.
Hoxha ka renditur një sërë faktesh flagrante dhe në konflikt interesi të kutisë së të burgosurve, ku sipas tij, babai i rivalit socialist Edison Memolla është shef regjimesh të jashtme në policinë e burgut.
Gjithashtu, Hoxha sqaroi se edhe kryetari i komisionit të QV-së është punonjës edukator në burg dhe njëkohësisht gruaja dhe babai i punojnë në bashki.
Hoxha: Në fund fare isha 57 vota para rivalit tim dhe në momentin që u hap kutia e burgut u përmbys rezultati duke kaluar para 23 vota rivali im. Kjo kuti për mua dhe e kontestoj plotësisht këtë kuti pasi është një kuti që ka qënë jashtë kontrollit dhe është totalisht e manipuluar.
Pyetje: Çfarë dihet për mënyrën se si zhvillohet votimi brenda burgut?
Hoxha: Unë personalisht nuk di asgjë pasi nuk kam pasur asnjë kontakt me burgun. Kam tentuar të mar një kontakt me drejtorin e burgut por nuk kam marrë asnjë përgjigje.
Pyetje: Nuk ka asnjë vëzhgues aty në procesin e votimit?
Hoxha: Ka pasur komisioner por ajo qendër votimi është në konflikt të pastër interesi pasi babai i rivalit tim Edison Memollës është shef regjimesh të jashtme në Policinë e Burgut. Së dyti kryetari i komisionit të QV-së është punonjës edukator në burg dhe njëkohësisht gruaja dhe babai i punojnë në bashki. Së treti kandidati rival e kishte luksin të shkonte në zyrën e drejtorit të burgut dhe ti thërriste të burgosurit një e nga një dhe të bënte fushatën dhe manipulimet që i bën, ndërkohë që ne nuk kemi pasur asnjë kontakt për fushatë dhe asnjë lloj kontrolli.
Një tjetër fakt është se në zgjedhjet e 2021 kanë votuar 56 veta në atë burg, ndërkohë që këtë radhë kanë votuar 110 veta. Ne nuk dimë kush ka votuar si e ka emrin kujt i takon etj. pra nuk dimë asgjë. Ka zero transparenc.