Po e filloj pak ndryshe, pak personale. Im atë, inxhinieri Xhevat Najdeni, iu dedikua elektro-mjeksisë shqiptare për plot 44 vite. Pa përdor fjalë bombastike, për efekt se do të më qortonte, ai bashk me disa kolegë krijuan të parin repart të tillë në Shqipëri. Punë nga e cila nuk lanë cep të Shqipërise pa vajtur, montuar aparatura, rregulluar, ndihmuar etj. Prej tim eti kam mësuar thellësisht shumë, personazhet e para që kam mësuar prej tij në fëmiri ishin emra si Rongeni (Wilhelm Conrad Röntgen), zonja Kuri (Maria Curie) dhe doktor Tartari (Ismail Tartari).
Dr. Ismail Tartari lindi në Durrës nga një familje e hershme tiranase një degë e së cilës u zhvendos në qytetin fqinj bregdetar. Lidhjet e tyre midis Tiranës dhe Durrësit janë sinonimi i dashurisë dhe respektit që egziston midis banorëve të Shqipërisë së Mesme. Lëvizje të tilla reciproke ishin mëse normale nga mundësitë e kohës. Në këtë familje të dëgjuar intelektuale tiranase-durrsake lindi dhe Dr. Ismail Tartari, të cilin historia do ta njihte si themeluesin e Radiologjisë Shqiptare. Ishte pikërisht një plejadë doktorësh si Dr. Hobdari, Dr. Mara, Dr. Jonuzi, Dr. Tartari, Dr. Pojani, Dr. Tefiku, Dr. Zyma, Dr. Jorgoni, Dr. Ali Deliallisi, Dr. Qemoran Toptani etj. që në vitet ’20-’40-të të shekullit të kaluar sollën frymën moderne në mjeksinë shqiptare. Për të mësuar më shumë mbi jetën e Dr. Ismail Tartarit duhet t’i referohemi një tjetër doktori të shquar të kësaj familje, Dr. Prof. Flamur Tartari, i cili citon:
“Dr. Ismail Tartari fitoi një bursë në shkollën e mesme në Shën Miter të Coronë-s në Kalabri. Aty mbaroi gjimnazin me nota të shkëlqyera, prandaj në vitin 1914 me ardhjen e Princ Vidit në Durrës, Ismaili u vendos në krye të rinisë durrsake të jepte një fjalim përshëndetës. Mbas kësaj Dr. Tartari do të diplomohej nga Universiteti i Romës në Fakultatin e Mjeksisë në vitin 1926. Me mbarimin e studimeve u kthye në Durrës ku po atë vit u vendos nga Bashkia e Durrësit drejtor i Përgjithshëm i Shëndetësisë. Kur më 1 shtator 1932 u përurua spitali modern i Tiranës, ku Dr. Ismail Tartari bashk me mbështetjen e biznesmenit tiranas Ali Begesë, Dr. Tefikut, Dr. Jonuzti etj, ishin nismëtarët e këtij eventi madhor për Shqipërinë. Dr. Tartari u emërua drejtor i parë i Institutit të Rontgendiagnostikës. Ky spital ishte nga më të mirët në Ballkan. Dr. Ismaili ishte i pari doktor shqiptarë që i bëri mbretit Zog një skopi. I pëlqente shpesh doktor Tartarit të thoshte “Pa zhvillimin e radiologjisë në Shqipëri, nuk ka zhvillim të shkencave të mjeksisë.” Ai punoi pa u lodhur, pa u mbrojtur nga rrezatimi. Vetëm në periudhën kohore ‘45-’48-të mendohet se ai ka bërë mbi 700,000 grafi në të gjithë vendin duke shkuar dhe në zonat më të thella. Dr. Tartari gëzonte jo vetëm popullaritetin e qytetarëve të Tiranës, por falë mundit dhe devotshmërisë ai do të njihej në gjithë Shqipërinë. I shërbeu të gjithëve barabartë pa dallim klasash.”
____
Ky është prezantimi që në vitin 2022 i bëra këtij intektuali në kalendarin e Vit të Ri prodhuar dhe sponsorizuar nga “Shoqnia Tirona Autoktone”. Një kalendar me 12 figura të ndritura të mjeksisë shqiptare përpiluar nga unë pa asnjë përfitim financiar thjesht dashuri, dizenjuar nga mikesha ime, Alesia Drazhi.