Le ta qartësojnë – ata – që i kanë dy dërhem tru,
enigmën të zbardhin: a është bliri lule ose dru?!
Thekut të stinës së acartë, mnertë ëndrron gjelbërim
natyrisht si çdo dru gjakon të stoliset në lulëzim!
– Kur pranvera para verës shprushet me ngazëllim, –
bliri mbushet lule – kurora të magjepste me amësim…
Atëherë kurora – dukat shndërrohet në ëmbëltore,
mbushen kosheret pjalmim, ëndërroi mjaltë blete;
buzët e vashave, shëmbëllejnë n’bletë punëtore,
në pesë bjeshkë e, në shtatë fshatra fama ju vete…
Tevona bliri molepset nga vapa përcëlluese e verës,
bliri si gjethet e shpendrës i lënduar rri n’pikëllim
dhe vjeshta në kurorën e blirit e zbraz gofin e erës
futet si finoke gjetheve dhe degëzave në dëshpërim…
Bliri sërisht me rrudha, s’i trembet kobit, gjatoshi dru
me ngricen e stinës rroket fytafyt, ngadhnjyes përherë!
Dielli me rrezet e vakta blirit i futet deri në gju –
vjen stinë e mrekullueshme – tërheqës në pranverë!
Për këtë arsye dritë e fanarit le të rrezojë në tru,
enigmën ta zgjidhim: a është bliri lule ose dru?!
Komentet