Ayn Rand vazhdon të kujtohet dhe vlerësohet maksimalisht. Në këtë fillimshekulli të ri XXI, viti 2005 që korrespondonte me 100-vjetorin e lindjes së saj, dhe viti 2007 që përkujtonte 50-vjetorin e botimit të veprës kryesore të saj, “Revolta e Atlasit”, në shumë mjedise akademike, politike, letrare, liberale dhe të shoqërisë civile u cilësua si “vitet Ayn Rand”. Në disa vende të botës janë krijuar shkolla, fondacione apo qendra studimore që mbajnë emrin “Ayn Rand”, ndërkohë që lëvizja më e madhe e opinioneve dhe qëndrimeve anti-Obama në SHBA e quajtur Tea party dhe e pozicionuar si “e djathtë radikale anti-Shtet dhe anti-taksa” mbështetej gjerësisht në filozofinë e Ayn Rand dhe librin e saj “Revolta e Atlasit”. Friedman, Hayek, Thatcher, Reagan, Greenspan, Mit Romey etj., e kishin Rand pikë referimi.
Në emër të konceptit të saj të preferuar, “egoizmit racional” dhe teoricienit më të dashur, ekonomistit dhe filozofit liberal austriak, Ludwig von Mises, Rand u identifikua dhe i dha jetë e dinamizëm “vizionit libertarian”, filozofi që kërkon të favorizojë në maksimum liritë individuale të konceptuara qoftë si “një e drejtë natyrore”, qoftë si rezultat i “parimit të eliminimit të çdolloj agresioni”, duke ecur në gjurmët e Wilhelm Humbolt, Hebert Spencer dhe Gustave Molinari nën moton: “Njerëzit duhet të bashkëpunojnë në mënyrë të lirë dhe vullnetare ndërmjet tyre … pushtetet dhe fuqia e Shtetit të jenë sa më të kufizuara, që Shteti të jetë sa më minimal dhe i zvogëluar në limitet e legjitimitetit të tij”. Si partizane e liberalizmit libertarian, Rand e ka parë dhe vendosur veten jashtë dikotomisë politike “e majtë apo e djathtë”, pasi një pjesë e qëndrimeve të saj për lirinë individuale, si liria e të shprehurit, liria seksuale, liria e lëvizjes së lirë dhe emigracionit, liria e përdorimit individual të drogave, liria e abortit etj., e vendoste atë “në të majtë”; ndërkohë, liritë ekonomike që ajo evokon me shumë forcë, si “e drejta e pronës private”, “liria ekonomike”, “tregtia e lirë”, “domosdoshmëria për taksa sa më të ulëta”, “kundërshtimi i politikave shtetërore të rishpërndarjes së pasurisë” etj., e vendosin atë “në të djathtë”.
Duke iu referuar Platonit dhe Aristotelit, Ayn Rand dhe libertarianët preferojnë “demokracinë direkte”, pasi mendojnë se “përfaqësimi nacional apo demokracitë përfaqësuese” përmbajnë demagogji e klientelizëm dhe dhunojnë të drejtat e disa individëve në kurriz të disa të tjerëve. Interesant është qëndrimi i libertarianëve në lidhje me “të drejtën dhe lirinë e padiskutueshme të mbrojtjes së jetës dhe pronës nga çdo individ kur ajo cenohet”, dhe për pasojë, “të drejtën që ka çdo individ për të zotëruar një armë, jo për të kërcënuar apo ushtruar presion mbi të tjerët, por për të mbrojtur të drejtat e tij kundër atyre që nuk ia respektojnë ato”. Ky korrent është shumë i përhapur në SHBA, falë dhe kontributit dhe veprës së Ayn Rand.
Personazh shumëdimensional, i adhuruar nga dishepujt dhe fansat e saj të shumtë të liberalizmit ekstrem, por po kaq dhe e kundërshtuar apo anatemuar si “personalitet sociopatik”, duke i gjetur bile dhe një “vend nderi” në Biblën e Satanit, duke e portretizuar si gurunë e një sekti që adhuronte vetëm paranë. Antikomunizmi radikal dhe përbuzja e mospranimi i çfarëdo forme subjektivizmi konstruktivist që i ngjate sadopak socializmit, diktaturës, fashizmit apo autoritarizmit i Ayn Rand i ka rrënjët në eksperiencën politike, ekonomike e sociale bolshevike traumatike që ajo njohu dhe provoi mbi shpinë në Rusinë e Leninit dhe Stalinit. Nga Rusia, vendlindja dhe vendi i adoleshencës saj, Rand u largua e shokuar, me gjurmë të së keqes dhe fantazma diktatoriale e skllavëruese të cilat e munduan dhe e “formatuan” për gjithë jetën në luftën e saj titanike në favor të lirisë, liberalizmit dhe kapitalizmit.
Më 1926, kur ishte vetëm 21 vjeç, braktis Rusinë, tashmë nën egërsinë çnjerëzore staliniste bolshevike, për t’u vendosur në New York, e verbuar nga ky qytet simbol i lirisë dhe kapitalizmit liberal. E rënduar nga pesha e realitetit dramatik bolshevik, mendon se gjëja më e mirë që mund të bëjë është të shkruajë dhe ta demaskojë këtë sistem çnjerëzor antihuman dhe mbi të gjitha antiliberal, antipronë private dhe anti të drejta njerëzore themelore. Tentativat e para të konkretizuara në romanet We the living (Ne të gjallët, 1936) për të cilën Rand shprehet se “është një lloj biografie në kuptimin e gjerë të fjalës, një biografi e letrarizuar dhe treguar në mënyrë intelektuale, dhe Anthem (Himni, 1938) në të cilin ngjarjet zhvillohen në një të ardhme të largët, në të cilën individët kishin humbur çdo lloj lirie dhe individualiteti në emër të kolektivitetit, nuk i bindën sa duhet amerikanët që tashmë kishin provuar në zemër të kapitalizmit të tyre “Depresionin e madh” të viteve 1929-‘33, krizën më të rëndë të kapitalizmit liberal që nga origjina e tij. Në këto momente liberalizmi ndodhet në ditët e tij më të këqija, ortodoksia liberale ndodhej në agoni të plotë përballë opinionit publik. SHBA nën drejtimin e presidentit Roousvelt dhe politikave të “New Deal” krejt të kundërta me praktikat liberale, dukej si një vend që vlerësonte ndërhyrjen e shtetit në ekonomi, planifikimin, kontrollin e tregut dhe bankave, politikat keynesianiste të punësimit të plotë. Për romanin, “Ne të gjallët”, Harol Strauss, kritik i njohur në New York në atë periudhë shkruante se “Rand zotëron kapacitete të mira narrative dhe stil të kënaqshëm, por romani i saj reflekton një urrejtje të verbër për Bashkimin Sovjetik, duke i dhënë librit një natyrë të pastër propagandistike”.
U desh viti 1943 dhe libri i saj The Foutainhead (burimi i mrekullueshëm) që talenti letrar dhe filozofia liberale e Ayn Rand të njihej dhe vlerësohej në “Amerikën e madhe”. Titulli i librit është referencë e një thënieje të vetë Ayn Rand, sipas së cilës “egoja e njeriut është burimi më i mrekullueshëm, më special për progresin njerëzor”. Në libër përshkruhet jeta e një arkitekti individualist radikal në New York-un e viteve 1920, i cili refuzon çdolloj kompromisi, presioni apo autoriteti për të ndryshuar projektet dhe krijimet e tij. Filmi me të njëjtin titull dhe me skenar të Rand, i realizuar më 1949 me Gary Cooper, Patricia Neal dhe Raymond Massey, ishte një sukses i vërtetë në mesazhet dhe dilemat që transmetonte: lufta e dëshpëruar e individit të lirë kundra kolektivit mbytës, lufta ndërmjet një projekti novator dhe krijimi të lirë kundrejt presionit të shoqërisë dhe mediave për t’ia përshtatur atë “frymës sunduese” apo “mendimit dominues kolektiv”, lufta ndërmjet instinktit, lirisë, xhelozisë dhe integritetit përballë presionit të rrugës, medias apo politikës etj. Vepra më e spikatur e Rand, “Revolta e Atlasit” erdhi në vitin 1957. Ultraracionalizmi i Rand, që dominonte këtë libër në tri vëllime, i hapi asaj dyert dhe auditorët e disa prej universiteteve më prestigjioze amerikane si Yale, Harvard, MIT etj.
Në vitet 1950, Ayn Rand filloi të bëhej e famshme në New York. Në krah të miqve të saj, Alan Greenspan (“Magjistari i financave” që për 18 vite rresht do të ishte Presidenti i Federal Reserve, por dhe që do të kritikohej si një nga provokuesit e krizës globale financiare të shpërthyer pikërisht në New York në vitin 2008) dhe Nathaniel Branden, shkrimtari amerikan i shquar për teoritë e tij në filozofinë individualiste dhe psikologjinë e vetëvlerësimit, Ayn Rand filloi të hidhte hapat e mëdhenj të saj në skenën e njerëzve të famshëm partizanë të zjarrtë të liberalizmit. Paralelisht me Rand, një ekonomist austriak, pak i njohur deri në këtë kohë, i quajtur Friedrich Hayek, gjithashtu nxënës dhe dishepull i Ludwig von Mises-it, por që kishte guxuar të sfidonte hapur “mbretin e ekonomistëve” të kohës së quajtur John Keynes dhe teoritë e tij etatiste e intervencioniste, botoi librin “Rruga drejt skllavërisë” që tërhoqi vëmendjen e mbarë SHBA-së. Pak vite më vonë, Hayek ndërmori iniciativën për krijimin e “Mont Pélérin society”, nëpërmjet së cilës do përpiqej të vinte në vend legjitimitetin dhe vlerat e ideve dhe praktikave liberale si thelbi i vetë civilizimit perëndimor. Hayek u cilësua si “Papa i liberalizmit”, ndërsa Rand si “teoriciene e kapitalizmit dhe lirisë”. Roli i Ayn Rand në përhapjen e ideve dhe koncepteve të kapitalizmit liberal, sidomos në SHBA, konsiderohet po aq i fuqishëm e ndikues sa i baballarëve të liberalizmit, von Mises dhe Hayek.
Idetë dhe mënyra apo këndvështrimi filozofik i Ayn Rand, i përkufizuar si “filozofi objektiviste”, si “racionalizëm radikal”, “interesi personal racional” apo “individualizëm intrazigjent”, me gjithë gjerësinë e tij shumëdimensionale mund të përmblidhet në katër postulate, me anë të së cilave kuptohet qartë përse Rand zë një vend nderi në plejadën e personaliteteve mbrojtës të zjarrtë të kapitalizmit liberal: “Realiteti ekziston në formë absolute. Faktet janë fakte, pavarësisht ndjenjave njerëzore, dëshirave, shpresave apo frikërave të ndryshme”; “arsyeja është mjeti i vetëm për të perceptuar realitetin, është burimi i vetëm i njohurive tona, është udhërrëfyesja e vetme e veprimeve dhe mjeti i vetëm i mbijetesës sonë”; “çdo njeri është në vetvete një qëllim dhe jo një mjet në shërbim të të tjerëve. Çdo njeri ekziston për vetveten dhe nuk duhet të kërkohet të sakrifikohet për të tjerët, ashtu siç nuk duhet të sakrifikojë të tjerët për qëllimet e veta. Ndjekja dhe plotësimi i interesit dhe mirëqenies së tij personale është qëllimi më i lartë moral i jetës së gjithkujt”; “sistemi politiko-ekonomik ideal për të realizuar qëllimet e mësipërme është kapitalizmi liberal i tipit laissez-faire”.
Sipas Ayn Rand, vullneti i çdo individi të lirë nuk mund të pranojë asnjë kufizim që vjen “nga të tjerët” ose “nga jashtë tij”, qoftë kjo doktrinë fetare, arsyetim politik, moral i përgjithshëm, politikë qeveritare etj. Ky pozicion i saj shpjegon qartë ateizmin e Rand, megjithëse në origjinën familjare rridhte nga një familje hebreje me tradita të forta fetare, shpjegon atë që mjaft kritikë të veprës dhe mendimit të saj e kanë cilësuar si “revolta e Nices mishëruar tek filozofia e Rand”, si dëshirë dhe bindje e saj që “çdo individ duhet të jetë një hero në vetvete, jo duke ushtruar pushtetin apo imponuar atë të tjerëve, por duke kërkuar të zgjerojë në maksimum kapacitetet dhe ëndrrat e veta në liri të plotë”. Rand e sintetizon kapitalizmin si “një sistem në të cilin individët bashkëveprojnë me njëri-tjetrin jo si xhelati me viktimën, jo si padronët me skllevërit, por thjesht si tregtarë, si shkëmbyes të lirë në kërkim të përfitimit reciprok. Është një sistem në të cilin asnjë individ nuk mund të përfitojë duke u bazuar te forca fizike, asnjë nuk mund të ushtrojë dhunë kundra të tjerëve”. Problemi qëndron te “cilësia e kapitalizmit”, te “zbatimi sa më korrekt dhe etik i tij”.
Ayn Rand nuk pranoi kurrë të bënte kompromis as me spiritualistët dhe as me materialistët, duke i cilësuar të dy këto arsyetime si “vargonj që e lidhin njeriun me një instrument torture” që e pengon të jetë vetvetja në lirinë e tij, që në të dyja rastet ndajnë shpirtin e njeriut nga trupi i tij duke preferuar vetëm njërin prej tyre: spiritualistët- shpirtin, ndërsa materialistët- trupin. Armiku i tyre i përbashkët, që ndërkohë është dhe miku më i madh i Ayn Rand, është lufta ndaj “egoizmit personal në emër të sakrificës për botën e përtejme apo interesit të përgjithshëm”, ndërkohë që njeriu në thelbin e tij “është një qenie e jashtëzakonshme që nuk duhet të ndeshë asnjë pengesë subjektive apo autoritare në realizimin e qëllimeve dhe objektivave të tij. Personazhet dhe shpirti i “Revoltës së Atlasit” janë mishërim i kësaj filozofie. E frymëzuar nga Friedrich Nietzsche dhe vepra e tij “Kështu foli Zarathustra”, Rand nënvizon se “për shekuj të tërë, lufta në emër të moralit u zhvillua ndërmjet atyre që mbështesnin idenë se jeta i përket Zotit dhe atyre që besonin se jeta i komunitetit njerëzor, ndërmjet atyre që predikonin se e mira, e drejta dhe sakrifica duhej bërë në emër të botës së përtejme dhe atyre që predikonin se e mira, e drejta dhe sakrifica duhej bërë për komunitetin dhe gjithë jokompetentët dhe dembelët e kësaj bote. Askush nuk ka thënë se jeta i përket individit dhe ai duhet ta jetojë sa më mirë atë në funksion të dëshirave të tij”.
“Revolta e Atlasit”, e përkthyer shpesh dhe si “Atlasi i habitur dhe i revoltuar”, apo nëntitulli i supozuar i tij “Roli i arsyes dhe mendjes njerëzore në shoqëri”, është romani më i rëndësishëm i Ayn Rand. Sipas një studimi të bibliotekës së Kongresit Amerikan dhe Book of the month club të realizuar në vitet 1990, në SHBA ky është libri i konsideruar si më influencuesi pas Biblës. I botuar që më 1957, libri ka në thelb analizën dhe mendimin kritik ndaj abuzimeve me modelet dhe praktikat e demokracisë sociale, me intervencionizmin dhe etatizmin në emër të konstruktivizmit social e socialist, me pasojat e rënda që bota dhe njerëzimi mund të përballet nëse liberalizmi dhe kapitalizmi i vërtetë nuk kuptohen dhe respektohen siç duhet. Rand “bërtet”; Atlasi, titani legjendar grek nuk ka më fuqi e besim ta mbajë mbi shpinë dhe ta çojë botën në majë, ajo rrezikon të rrokulliset në greminë dhe të shkatërrohet.
Kritika dhe opinioni i gjerë publik vazhdojnë ta konsiderojnë këtë libër tepër të veçantë dhe shpesh “të paklasifikueshëm” në gjinitë bazë letrare, si “revoltën e liberalizmit”, si protestën “e filozofisë dhe shpirtit të vërtetë të kapitalizmit liberal”. Që në faqet e para të librit, Ayn Rand e bën të qartë se filozofia e saj përmblidhet në një frazë të vetme: “Thelbi i filozofisë sime është koncepti i individit si një qenie heroike, është lumturia e tij individuale si qëllim moral i vetë jetës, është suksesi prodhues dhe eficenca si aktiviteti më fisnik i tij, është fuqia e arsyes njerëzore fuqia më e madhe e tij”. Gjithçka fillon nga misteriozi John Galt, që përmendet vazhdimisht pa u shfaqur kurrë deri në mes të romanit, por duke e bërë shumë familjare pyetjen: Kush është John Golt? Është pikërisht Ai, që nuk u dëshpërua përballë fatalitetit, që pati forcën t’i thotë Jo autoritarizmit qeveritar, që i vetëm vendosi “të ndërpresë motorin e botës”. Ky inxhinier i talentuar kishte zbuluar një teknikë apo teknologji të re, me anë të së cilës mund të zgjidheshin problemet energjetike të botës. Por, ditën kur korporata ku ai punonte, Twentieth Centry Motor Company vendos të adoptojë një mënyrë socialiste veprimi me moton “kontributi-secili sipas mundësive dhe përfitimet-secilit sipas nevojave”, John Galt braktis funksionet e tij dhe zhduket në një vend të panjohur. Rreth kësaj “fantazme” veprojnë një sërë personazhesh të tjerë, si Dagny Taggart, Hank Rearden etj., të cilët e bazojnë sjelljen jo vetëm në marrëdhëniet ekonomike, financiare e sociale, por mbi të gjitha në filozofinë e revoltës spontane të John Galt, e cila i shtyn mjaft njerëz të sabotojnë karrierën e tyre dhe të braktisin gjithçka në emër të refuzimit kategorik të praktikave dhe ideve socialiste e komuniste, të sjelljeve autoritare etatiste.
Mesazhi i Ayn Rand është i qartë: “Kemi të bëjmë me revoltën e elitave dhe biznesmenëve të suksesshëm kundër grabitjes etatiste socialiste të kompetencave, arritjeve dhe pasurisë së tyre”. Traumatizmi që mbizotëron në mendimin e Rand në këtë libër buron nga frika e saj për të jetuar përsëri një regjim autoritar komunist, si ai që kishte braktisur në Rusinë sovjetike staliniste, të cilin e konkretizonte vazhdimisht me fjalët “kasaphanë njerëzore në qiell të hapur”. Në faqet e librit ndihet ankthi i Rand për kërcënimet që ndeshte SHBA, “toka e lirive” në raport me modelet dhe praktikat socialiste autoritare.
“Utopia” e Rand te “Revolta e Atlasit” shkon deri në krijimin e një race të re njerëzish “të pastër”me shpirt disident, të aftë të kenë një kulturë dhe mendim cilësor, të jenë prodhues, investues, zhvillues e sipërmarrës të aftë të zbresin nga froni apo shkurorëzojnë “Mbretin Shtet”, që zhvat në emër të popullit dhe modelit social socialist. Kulti që duhet të ndjekim është vetëm kulti i arsyes, besimi i verbër te rezultatet e saj. Sipas Rand, njerëzit nuk duhet të mendojnë e gjejnë një zgjidhje që t’i japin sens jetës, por të veprojnë të lirë që t’i japin një sens “jetës së tyre personale”; të pajisen me mjetet intelektuale, shpirtin dhe idetë e duhura për të mbijetuar në një mjedis agresiv që vepron në emër të kolektivitetit dhe shoqërisë së barabartë. Rand e servir John Galtin, alteregon e saj, si një guru që i bën dishepujt e tij të besojnë se ai është i vetmi njeri që mund t’iu tregtojë atyre përmbajtjen dhe vlerat e lirisë, virtytit, mirëqenies dhe cilësitë e domosdoshme për t’i arritur ato, integritetin, ndershmërinë, drejtësinë, produktivitetin etj.
Edhe sot, në 2015-n, 30 vjet mbas vdekjes së saj, Ayn Rand mbetet një ikonë e lirisë dhe konsiderohet si “Profete e lirisë së njeriut”. Bota dhe idetë e saj për “fuqinë e egoizmit si virtyti më suprem” dhe “njeriun-hero” të kohëve moderne është ëndrra e çdo sipërmarrësi amerikan, dhe jo vetëm. Antoine Bello, biznesmen dhe romancier, shprehet se “Rand ka një kuptim të thellë intim për botën e biznesit dhe mënyrat e marrjes së vendimeve. Ngjashëm me heronjtë e saj, edhe unë kam jetuar të njëjtën metamorfozë, e kam parë botën nën një prizëm të veçantë. Sipërmarrësit dhe kapitalistët shpesh konsiderohen si shfrytëzues e gjakpirës, ndërkohë që ata mund të jenë dhe viktima në syrin e cikloneve. Ata janë heronj që marrin mbi vete rreziqe të larta, që guxojnë dhe sakrifikojnë maksimalisht ndaj mundësive të dështimit dhe shkatërrimit të tyre që iu rri si shpata e Demokleut mbi kokë çdo çast. Përpara se të kërkohet rishpërndarja e pasurisë është mirë të reflektohet sesi është krijuar ajo, është mirë të vlerësohet sakrifica që e krijoi atë”. Gary Weiss, gazetari amerikan që ka publikuar një studim të plotë mbi idetë e Rand, shkruan se “inxhinieri misterioz John Galt hyri në grevë për të luftuar kundër etatizmit dhe arbitraritetit qeveritar. Në romanin e Rand, që duhet parë si një version invers i “Kohët Moderne” të Carli Chaplinit, janë të varfërit që shfrytëzojnë të pasurit dhe jo e kundërta”. Gary Weiss nënvizon se, Rand vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes dhe debatit në SHBA: “Ndizni televizorin dhe do shihini se Mad Men, Simpson, South Park, Daily Show etj., flasin për të; lexoni shtypin dhe do konstatoni se New York Times, Wall Street Journal etj., diskutojnë vazhdimisht idetë e saj”. Është thelbi i luftës për shpjegimin e shpirtit amerikan dhe përmbajtjen e lirisë njerëzore që kalon detyrimisht nga vepra dhe idetë e Ayn Rand.
Në ekstremizmin dhe egocentrizmin e saj ekstravagant, Ayn Rand e cilësonte altruizmin si ide apo veprim të dëmshëm e të rrezikshëm që “e bënte njeriun një qenie që varej nga të tjerët…si morali i kanibalëve që hanin njëri-tjetrin”. Ayn Rand krijoi bazat morale e antropologjike të një individualizmi frenetik pa asnjë limit. Ekstremizmi i saj provokues nuk njihte limite: Emanuel Kant-in e quajti “iluminist të frikshëm”, sepse mbronte altruizmin dhe kolektivizmin, Friedrich Hayek-un e cilësonte si “të çmendur dhe bastard të rrezikshëm” sa herë që ai guxonte të përdorte fjalët ndërhyrje shtetërore apo politikë qeveritare; Reagan-in e quante një “liberal të ndrojtur” edhe pse “Reaganomics” i tij së bashku me “Thatcherismin” ishin simbol i kapitalizmit liberal; Victor Hygo-in “një gjeni” me shumë pikëpyetje, Kennedy-n “një fashist”; presidentët amerikanë, që urdhëruan angazhimin në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, luftën në Kore e Vietnam, i cilësonte si “agresorë e fashistë”, dhe ante factum, edhe kundra luftës në Afganistan apo Irak. Çdo gjë që cenonte sadopak egoizmin dhe lirinë individuale të kujtdo qoftë, ishte e papranueshme për Ayn Rand.
Komentet