Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, në fjalën e saj në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, tha se Shqipëria ka numrin më të lartë të të burgosurve për frymë banori.
Sipas Ballancës, problem mbetet fakti që në vendin tonë jepet në shumë raste masa më e ashpër e sigurisë, ajo e arrestit me burg.
Erinda Ballanca: Në Shqipëri ka numër të lartë të të paraburgosurve. Kemi numër tmerrësisht të lartë të paraburgimit. Këshilli i Europës thekson se personat që janë dënuar me burg përjetë nuk kanë shpresë që nëse sillen mirë, do të mund të dalin ndonjë ditë nga burgu. Çështjet e të drejtave të njeriut duhet të avancojnë në Shqipëri.
Samir Korreshi: Të burgosurit duhet që të kenë më shumë kohë që të takojnë të afërmit e tyre. Edhe shoqërimet e protestuesve nuk duhet të jenë kaq të dhunshme. Edhe kur dikush kapet se ka vrarë, nuk torturohet aq sa protestuesi. Besoj se kjo gjë duhet të hetohet. Edhe për LGBT, ligji funksionon ndryshe për ta? Sepse nëse ne dalim pa brekë në pazar nuk na lejohet. Atyre çfarë s’po ju lejohet. Shqetësuese për mua është si lejoni që dy vajza puthen në TV në mes të ditës, kur kemi fëmijë nëpër shtëpi e na thonë si puthen dy gra me njëra-tjetrën.
Dhurata Çupi: Do të doja t’i referohesha raporteve të Këshillit të Europës, të Komitetit për parandalimin e Torturës në KiE. Kushtet e strehimit në disa burgje janë të papërshtatshme me mbipopullim dhe në mungesë të higjenës. Keqtrajtimi fizik dhe psikologjik i të burgosurve nga stafi i burgut ose nga të burgosur të tjerë. Shërbimet shëndetësore të pamjaftueshme dhe me mungesë të stafit mjekësor dhe të pajisjeve të nevojshme. Programet e rehabilitimit dhe të edukimit për të burgosurit janë të kufizuara duke reduktuar mundësitë për integrimin e tyre në shoqëri pas lirimit. Kushtet e sigurisë kanë nevojë për pëmirësimin e masave të sigurisë për të mbrojtur të burgosurit nga dhuna dhe kërcënimet e brendshme. Lexova këto 5 që janë problematika që i hasim në burgje. Ju si institucion i keni ngritur si shqetësime, por në mënyrë që ne të mos jemi në raporte e CPT në mënyrë të vazhdueshme me këto standarde, duhet ta ngremë si Komision Ligjesh, ju si Avokat i Popullit dhe i bëj thirrje edhe mazhorancës të mos kthejë sytë nga kritikat që bëjmë ne këtu, por të bëhemi të gjithë bashkë për të adresuar këto shqetësime.bw