– Para 19 vitesh, studenti Ylber Dauti, pa histori krediti, i lutej biznesmenit shqiptaro-amerikan Viktor Gjonaj t’i jepte një banesë me qera, …sot, përmes një beteje të vështirë ligjore 5 vjeçare në katër gjykata, arrinë t’i shpëtojë 1 Milion Dollarë me 9 përqind interes në vit si dhe të shmangë sekuestron e biznesit dhe bllokimin e llogarive bankare …
– Viktor Gjonaj: Kjo histori njohje me ish studentin, sot avokat i elites amerikane dhe ligjerues ne Universitete te Europes, Azise e Amerikes,, më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme dhe po mendoj që në bashkëpunim me biznesmenë të tjerë Shqiptarë këtu në Amerikë të hapim një fondacion për të ndihmuar studentë nga Shqipëria dhe Kosova, që ata të gjejnë një derë ku të trokasin…
Historia e ka fillesën në vjeshtën e vitit 2000. Studenti Ylber Dauti sapo kishte ardhë nga Shqipëria në SHBA me ëndrrën që të thellonte studimet, të fitonte testin dhe të bëhej avokat.Si shumë emigrantë fillestarë e pat të vështirë. Nuk kishte njeri ku të mbështetej, nuk kishte histori krediti për të siguruar një banesë. Endej nëpër lagjet e Bronksit, trokiste nëpër zyra të real estate, lodhej nga mëngjesi në darkë, por nuk ia dhanë banesën për mungesë historie krediti.
Tregon Viktor Gjonaj:- Nuk e besova atëherë kur trokiti në zyrat tona në Gun Hill Road, në Bronks. Se si më dukej, sikur po më tregonte një përrallë, kur më tha plot vendosmëri: Kam ardhë që të bëhem avokat. Dua një banesë.Unë po qeshja me vete. Ç’thotë ky kështu!? Vjen nga anë e anës, nuk ka askënd këtu dhe ka bindjen e plotë se do të bëhet avokat!
Ne, të lindur e rritur këtu, nuk na mungonte asgjë, kishim familjet që kujdesishin për të mos na munguar asgjë, na dukej e vështirë realizimi i një ëndrre të tillë…Nuk mund ta besoja se si ky njeri pa njeri, që ende nuk njihte rrugët e Nju Jork-ut, nuk dinte akoma se ku ishte Universiteti, nuk ka asgjë dhe askënd këtu, por ka bindje se do të bëhet avokat. Duhet të jetë i veçantë, mendova atë kohë. Më kujtohet se i thashë: Urdhëro çelsat, po nëse nuk bëhesh avokat do të kemi probleme bashkë.Natyrisht ia thashë me të qeshur, tregon jo pa emocion Viktori me atë shqipen e bukur të mësuar nga prindërit në familje dhe vazhdon: Në të vërtetë, plani i tij për tu bërë avokat më dukej i pamundshëm por bindja me të cilën fliste më dha disi shpresë, se ai do ta realizonte.
…. Ja kështu ia dhashë banesën avokatit Dauti, por nuk mendoj se kam bërë ndonjë mirësi të madhe, unë thjesht i besova fjalës së tij, edhe pse nuk kishte histori krediti për të përfituar banesë, ai e fitoi besimin tim me sinqeritetin e kërkesës dhe me besimin se do të bëhej avokat, e mbyll rrëfimin Viktor Gjonaj.
Në bisedë ndërhyn avokati: – Viktori po tregohet pak modest, unë i jam shumë mirënjohës që më besoi dhe ma dha banesën përkundrejt pagesës pa paser histori krediti. Më besoi pa më njohë fare. Unë kisha trokitë në disa zyra real estate, por duke mos pasë histori krediti nuk ma dhanë banesën. Në fakt , për shkak të statusit si student, Karta e Social Security që kisha nuk më lejonte të punoja pa autorizimin e emigracionit, kështu që ata nuk më besonin se mund ta paguaja banesën. Dhe një ditë me shi, ndërsa ndjeja lodhjen dhe brengën që nuk kisha mundë ta zgjidhja problemin e strehimit, tek hyrja e një ndërtese në Gun Hill Road, në Bronks, pashë tabelën me emrin “Gjonaj Realty” dhe thashë me vete: Do Zoti këta të jenë shqiptarë dhe do t’më besojnë se do t’i paguaj rregullisht, prandaj shkova dhe trokita. E sqarova që në fillim: – Mos më kërko histori krediti se nuk kam. Po më besove si shqiptar, unë të jap besën e ti ma jep banesën, unë do të paguaj.
Viktori u mendua një grimë, pastaj qeshi dhe më pyeti me mosbesim: – Ti do të bëhesh avokat?
E përsëriti dy herë pyetjen.
-Po i thashë, prandaj kam ardhë…
Ai më dha çelsat në mirëbesim.
… Ne, tregon Viktori, ia dhamë apartamentin dhe nuk u pamë për shumë kohë. Ne në punët tona, ky më shumë në shkollë se në banesë. Veçse kur na vjen pas rreth një viti më vonë dhe na thotë: -Urdhëroni çelsat. Nuk më duhet më banesa. E kam kaluar provimin e avokatisë. Faleminderit edhe një herë për banesën. Nuk do t’ua harroj!
U gëzuam që ai ishte bërë avokat e na erdhi mirë që e kishim ndihmuar duke ia dhënë banesën. Kështu u ndamë pa e ditur se një ditë do të ishim ne në rrugë të vështirë dhe do të kërkonim avokatin për të na mbrojtë, ndërkohë që shumë të tjerë na patën thënë: “Jeni të humbur; paguani 1 Milionshin sa me shpejt se interesi rritet çdo dite.”
AVOKATI, BETEJË LIGJORE NË KATËR GJYKATA
Në vitin 2010, Gjonaj Realty (kompania e Gjonaj family) ishte hedhur në gjyq nga një paditës i cili kërkonte dëmshpërblim rreth 1milionë dollarë. Me të marrë akt-padinë, Viktori ia dërgon agjentit të kompanisë së siguracioneve pasi Gjonaj Realty kishte siguracion që duhej ta mbulonte këtë lloj dëmi dhe normalisht ata duhej të punësonin një avokat që ta mbronte Viktorin dhe kompaninë e tij. Por agjenti i kompanisë së siguracioneve gabimisht i dërgon letrat tek një adresë e gabuar dhe jo tek kompania e siguracioneve kështu që asnjë avokat nuk caktohet për të mbrojtur Viktorin dhe kompaninë e tij. Në këto rrethana gjykata jep vendim në mungesë dhe urdhëron që Viktori dhe kompania e tij duhej t’i paguanin 1 milionë dollarë palës tjetër brenda 30 ditësh.
Me të marrë vendimin e gjykatës Viktori kontaktoi kompaninë e tij të siguracioneve, por ata refuzojnë të paguajnë 1 milionshin pasi ata nuk ishin lajmëruar në kohë për pretendimet e palës tjetër dhe nuk u ishte dhënë mundësia të mbroheshin me avokat.
Në bazë të ligjit, Viktori duhej ti kishte dërguar letrat e akt padisë vetë direkt tek kompania e siguracioneve dhe jo tek agjencia e siguracioneve. Për shkak të këtij gabimi, që fatkeqësisht Viktori e kishe bërë 4 herë, ai duhej ti paguante palës tjetër 1 milionë dollarë brenda 30 ditësh ose përndryshe pala tjetër do t’i bllokonte llogaritë bankare dhe do t’i sekuestronte pasuritë e kompanisë së tij.
Viktori tregon se si ai kishte kontaktuar disa avokatë në Nju Jork, por ata i kishin thënë se çdo gjë kishte marrë fund dhe se ai duhej të paguante 1 milionshin sa më shpejt që të evitonte akumulimin e interesit 9 përqind në vit. Ata i thonë se është e pamundur që vendimi i gjykatës të zhbëhej.
Çfarë të bënte? Kur asnjë avokat nuk kishte rënë dakort ti merrte përsipër çeshtjen, Viktorit i kujtohet qiraxhiu që donte të bëhej avokat shumë vite më parë dhe kështu kontaktoi avokatin Ylber Dauti.
Nuk kishte shumë kohë. Tregon avokati Dauti: Viktori më kontakton rreth 10 ditë para se atij ti bllokoheshin llogaritë bankare dhe t’i sekestroheshin pasuritë. Pasi Viktori më solli vendimin dhe dosjen duhej të veproja shpejt se afatet ligjore për të luftuar vendimin po mbaronin. Brenda 10 ditësh bëra tre gjëra:
- I bëra kërkesë gjykatës të rishikonte vendimin e marrë dhe të rihapte çështjen pasi Viktoi gabimisht kishte besuar se agjenti i kompanisë së siguracioneve i kishte dërguar letrat në adresën e duhur;
- Apelova vendimin;
- Hapa padi kundër agjencise së siguracioneve.
Gjykatësi që kishte lëshuar vendimin për 1 Milionë u bind nga argumentat e avokatit Dauti dhe ra në dakortësi që të prishte vendimin dhe të rihapte çështjen për ti dhënë mundësi Viktorit që të mbrohej. Kjo ishte fitorja e parë.
Sapo mori këtë vendim, avokati Dauti i bëri presion kompanisë së siguracioneve që të merrnin përsipër mbrojtjen e Viktorit.
Argumenti: Tani që çështja ishte rihapur ju duhet të mbroni Viktorin pasi pretendimi juaj se jeni të paragjykuar nga vendimi në mungesë, nuk kishte më vlerë tani që çështja ishte rihapur.
Fatmirësisht kompania e siguracioneve ra në dakortësi që të merrte përsipër çështjen dhe të punësojë avokatët e saj për të mbrojtur Viktorin….
Ky ishte rezultat perfekt pasi Viktori jo vetëm që nuk do t’i paguante asgjë palës paditëse, por edhe tarifat e avokatit do të paguheshin prej kompanisë së tij të siguracioneve ….
– Po, a mbaroi këtu beteja?- e pyes avokatin.
Përgjigja e tij: Ashtu mendova dhe unë. Kujtova se i lava duart me çështjen….por fatkeqësisht, pala paditëse apeloi vendimin që ne fituam tek gjykata e Bronksit, që kishte zhbërë vendimin 1 Milion dollarëve dhe kishte rihapur çështjen. Vendimi që u lëshua në favorin tonë nga gjykata e Bronksit, u modifikua nga gjykata e Apelit në Manhatn me argumentin se Viktori duhej të kishte bërë atë që i kërkohet në bazë të ligjit: T’i kishte dërguar letrat direkt tek kompania e siguracioneve dhe jo tek agjencia e siguracioneve. Fakti që Viktori e kishte përsëritur këtë gabim 4 herë ndikoi negativisht dhe i bëri gjyqtarët e apelit që të mos e falnin Viktorin për gabimi e pësëritur….por duhet thene se vendimi ishte pjesërisht i favorshëm për ne, pasi ata ranë në dakort me ne se shuma 1 Milionë dollarë nuk duhet paguar dhe se duhej bërë një gjyq i ri ku juria të përcaktonte Shumën e dëmshpërblimit. Ky vendim ishte një nga vendimet më të gjata të shkruara ndonjëherë nga Gjykata e Apelit e Manhatanit (plot 33 faqe) dhe reflektonte debatin mes 4 gjyqtarëve të Apelit, ku 3 prej tyre ishin shprehur pjesërisht kundër dhe një në favorin tonë.
Beteja bëhet edhe më e komplikuar. Me të marrë vendimin e apelit, kompania e siguracioneve hapi padi kundër Viktorit, ku kërkonte që të tërhiqej nga çështja dhe i kërkoi gjykatës së Westchesterit të urdhëronte Viktorin që të gjente dhe te paguante Avokatin e vet për të vazhduar mbrojtjen pasi ata do të tërhiqnin avokatët e tyre….Gjykata e Weschesterit jep vendim në favor të kompanisë së siguracioneve dhe urdhëron që Viktori duhet të gjejë dhe të paguajë avokatët e tij për tu mbrojtur pasi kompania e siguracioneve nuk kishte për detyrë ta mbronte më.
Viktori nuk ka rrugë tjetër, shkon sërish tek zyra e avokatit Ylber Dauti me letra në duar.
Avokati e sheh se nuk ka shumë kohë për të humbur. Ka vetëm një muaj kohë. Vepron shpejt.
Tregon vetë avokati: – Me të marrë këto letra unë përsëri duhej të veproja shpejt dhe brenda 30 ditësh bëra 4 gjëra: 1. I bëra kërkesë gjykatës së Westchesterit të rishikonte dhe zhbënte vendimin e marrë; 2. Apelova vendimin e gjykatës së Westchesterit tek Gjykata e Apelit në Brooklyn; 3. Rihapa në Gjykatën e Bronxit padinë kundër agjencise së siguracioneve që kishte dërguar letrat në adresë të gabuar dhe jo tek kompania e siguracioneve; 4. Mora përsipër mbrojtjen e Viktorit në çështjen para jurisë së Bronxit ku sipas vendimit të Gjykatës së Apelit duhej bërë një gjyq i ri për të llogaritur shumën ekzakte që Viktori duhej ti paguante palës tjetër.
Pas shumë peripecish dhe manovrash të komplikuara ligjore nëpër 4 gjykata të ndryshme të Nju Jork- ut, që zgjatën rreth 5 vjet, në Shkurt të këtij viti në momentin e fillimit të gjyqit para jurisë së Bronksit për të përcaktuar shumën që Viktori duhej të paguante palës që kërkonte mbi 1 Milionë dollarë, pala paditëse ra në dakortësi që të tërhiqte padinë ndaj Viktorit dhe ata ranë dakort që të vazhdonin vetë direkt odisenë ligjore kundër kompanisë së siguracioneve dhe agjencisë së siguracioneve.
Ky është rezultat perfekt – thotë avokati – pasi është edhe i pa apelueshëm. Viktori jo vetëm që nuk do paguajë asnjë qindarkë palës paditëse që fillimisht kishte sigururar një vendim për 1 Milionë dollarë, por nuk ka nevojë të paguajë më avokatë për tu mbrojtur në 4 gjykata të ndryshme në Bronx, Brooklyn, Manhattan dhe Weschester,- spjegon avokati i çliruar nga një betejë e pazakontë dhe shumë e komplikuar që zgjati për pesë vjet me përplasje në katër gjykata të ndryshme. Ai ndjehet i çliruar nga barra e një detyrimi moral ndaj ish bamirësit të tij, Viktor Gjonaj.
VIKTOR GJONAJ: Një fondacion për të ndihmuar studentë nga Shqipëria dhe Kosova…
Në fund Viktori shton: dua të jem i sinqertë se ashtu si nuk e besoja para 19 vitesh kur Ylberi trokiti tek unë duke kërkuar banesë me qira, se ai vërtetë do të arrinte të bëhej avokat – unë nuk kisha besim as para 5 vitesh kur trokita tek zyra e tij se ai do fitonte çështjen që shumë avokatë më kishin thënë ishte e humbur. Por thashë ta provoj se një njeri që arrin të bëhet avokat brenda një viti në Amerikë ndoshta mund të bëjë edhe mrekullira të tjera. Kjo histori njohje me studentin/avokatin më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme dhe po mendoj që në bashkepunim me biznesmenë të tjerë Shqipëtar këtu në Amerikë të hapim një fondacion për të ndihmuar studentë nga Shqipëria dhe Kosova që kur ata të vijnë këtu të mos bredhin rrugëve të Bronksit duke kërkuar banesa si Ylberi por të kenë një derë ku të trokasin. Kjo eksperiencë me avokatin më ka inspiruar të ndihmojë dhe të bëj mirë sa më shumë sepse në jetë nuk I dihet: mund të rrezikosh ti japësh me qira një qiraxhiu hallexhi që nuk e njeh një apartment për 500 dollarë në muaj – por ndodh që qiraxhiu më vonë bëhet avokat dhe të kursen mbi 1 milionë dollarë!
Komentet