Avokati i deputetit socialist Armando Prenga, Maks Haxhia ka sqaruar sot përse u lirua klienti i tij.
Avokati i socialistit Prenga nënvizoi se nuk ekzistonin dyshimet e arsyeshme që deputeti duhet të rrijë në burg.
“Kontradiksion lidhur me provat, të cilat bënë që të pranohej argumentimi jonë. Kemi parashtruar argumentet tona që në bazë të të dhënave të deritanishme, s’duhet të ishte në këtë masë sigurimi të rëndë sic është arresti me burg.
Nuk ekzistonin dyshimet e arsyeshme që ky person duhet të rrijë në burg… Do vijojë apo mund të pushohet cështja është një gjë që i përket të ardhmes”,- tha avokati.
Deputeti i Partisë Socialiste Armando Prenga është arrestuar mëngjesin e 5 shtatorit 2015, nën akuzën e “plagosjes së rëndë, me dashje”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kanosje serioze për vrasje”.
Deputeti ishte njëri prej 6 të arrestuarve në flagrancë pas një përplasjeje me armë zjarri e mjete të ftohta mes disa pjesëtarëve të familjes Cali dhe familjes Prenga, që ndodhi mbrëmjen e 4 shtatorit dhe që përfundoi me 7 të plagosur. Mes të plagosurve ishte dhe i vëllai Eduard Prenga.
Sherri nisi fillimisht në Patok, aty ku dy familjet janë në gjyq për Lagunën, më pas vijoi para komisariatit të policisë së Kurbinit ku dhe njëri prej pjesëtarëve të familjes Cali, Gjok Cali kishte shkuar për të bërë kallzim se është goditur nga deputeti.
Komentet