Çdo vit i ri paralajmëron fillime të reja dhe mundësi të reja, dhe 2025-shi nuk ka sesi të jetë ndryshe.
Me zgjedhje e udhëheqës të rinj në njërën anë dhe me luftëra e konflikte të vazhdueshme në anën tjetër, shumëçka është në lojë – vendet do të përballen me sfida që do t’i testojnë aftësitë e tyre për të bashkëpunuar dhe për të garantuar stabilitet global.
Në këtë artikull, fjalën e kanë gazetarët e Radios Evropa e Lirë në vende të ndryshme të botës – çka parashohin ata në 12 muajt e ardhshëm?!
Arton Konushevci, Prishtinë
Që në ditët e para të 2025-shit, Kosova do të hyjë në fushatë zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Nëse rezultati i tyre do të sjellë edhe një mandat të kryeministrit aktual, Albin Kurti, apo udhëheqje të re, mbetet të shihet.
Por, cilido që ta formojë Qeverinë – krahas politikave të brendshme – do të ketë para vetes edhe detyrën e vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Kosova është nën trysni gjithnjë e më të madhe nga bashkësia ndërkombëtare për të bërë hapa në këtë drejtim – më konkretisht për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Me një lidership të ri si në Bashkimin Evropian, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara, gjasat janë që të shohim lëvizje në këtë proces.
Në vitin 2025, në Kosovë do të mbahen edhe zgjedhjet lokale, gjatë të cilave, një vëmendje e posaçme pritet t’u kushtohet komunave me shumicë serbe në veri, të cilat aktualisht udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë.
Në maj do të bëhet një vit prej se Kosova ka dështuar të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, ndaj me interesim do të pritet edhe vendimi nëse do të arrijë të futet sërish në agjendë.
Në aspektin e pranimit ndërkombëtar, Kosova ka vite që ka ngecur. Gjatë 2025-ës, me BE-në do të kryesojnë Polonia dhe Danimarka dhe prej tyre do të varet nëse aplikimi i Kosovës për anëtarësim në këtë bllok, do të shqyrtohet ose jo.
Me inflacionin që vazhdon, çmimet e rritura, papunësinë mbi 10%, Kosovën padyshim se e presin punë edhe në rrafshin e brendshëm.
Jetmira Delia, Tiranë
Në fillim të vitit 2025, Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë dhe kreu i saj, Altin Dumani, marrin edhe kompetencat e procesit të vettingut. Në gjashtë vjet janë kontrolluar mbi 800 prokurorë dhe gjyqtarë, nga të cilët më shumë se 300 kanë dalë jashtë sistemit.
Dumani ka deklaruar se vendimet e vettingut kanë qenë indicie për të hetuar pasurinë e tyre dhe ka paralajmëruar se shqetësim i madh nuk janë vetëm ata që e kanë kaluar vettingun, por edhe ata që janë pjesë, duke premtuar luftë ndaj korrupsionit në radhët e drejtësisë.
Po në fillim të 2025-shit, Shqipëria do të nisë regjistrimin e diasporës, që do të votojë për herë të parë në zgjedhjet që do të mbahen më 11 maj.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kërkon mandatin e katërt, përballë opozitës së përçarë. Partia Demokratike drejtohet nga Sali Berisha, i shpallur i padëshirueshëm nga SHBA-ja dhe nën hetim për korrupsion. E, një grup i vogël deputetësh mbështesin grupin e drejtuar nga Lulzim Basha.
Nga ana tjetër, kreu i Partisë së Lirisë drejtohet nga Ilir Meta në paraburgim, ndërsa partitë e reja tentojnë t’i largojnë politikanët e vjetër, të cilët prej më shumë se 30 vjetësh i lënë vend njëri-tjetrit në pushtet.
Shqipëria tashmë ka hyrë në një proces të rëndësishëm – atë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Janë hapur 6 grup-kapitujt e parë dhe Qeveria pretendon t’i hapë të gjithë kapitujt brenda vitit 2025.
Për Qeverinë, 2025-shi do të jetë edhe viti i Shqipërisë turistike, duke premtuar më shumë arritje në këtë sektor.
Çështje që presin zgjidhje janë papunësia kryesisht te të rinjtë, kriminaliteti dhe dhuna te të miturit, si dhe mbyllja apo jo e rrjeteve sociale, si TikTok dhe Snapchat, për shkak të ndikimit që kanë pasur në akte dhune mes të miturish.
Enis Shaqiri, Shkup
Urat bashkojnë njerëzit, por… Maqedonia e Veriut, në vitin që po shkelim, pritet të përballet me sfida e probleme të ndryshme, si në rrafshin e politikës së jashtme, ashtu edhe atë të brendshme.
Ndryshimi i Kushtetutës dhe përfshirja e minoritetit bullgar mbeten ende parakushte për zhbllokimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Qeveria e kryeministrit Hristian Mickoski dhe partia e tij, VMRO-DPMNE, ngurojnë ta bëjnë këtë, duke kërkuar garanci shtesë nga Brukseli, nga droja se Bullgaria fqinje mund të dalë me kërkesa të reja.
Në anën tjetër, përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në interpretimin e disa zgjidhjeve ligjore që kanë të bëjnë me shqiptarët, si kur është fjala për abrogimin e Balancuesit – mekanizmit që mendohet se mbante llogari për përfaqësimin e jomaqedonasve në administratën shtetërore e publike – e pastaj edhe vendosja në pikëpyetje e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, pritet të riakutalizohen në mars të vitit të 2025.
Suksesi ose jo i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit e të tjera pritet ta bëjnë edhe më interesante fushatën për zgjedhjet lokale që mbahen në vjeshtën e vitit 2025.
Vojisllav Stevanoviq, Beograd
Pasiguria do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2025. Para së gjithash, ajo politike.
Tragjedia në Novi Sad, ku humbën jetën 15 njerëz, si pasojë e rrëzimit të një strehe betoni në stacionin e trenave, shkaktoi valë protestash.
Ato nisën fillimisht me grupe qytetarësh, ndërsa më vonë iu bashkuan edhe një numër i madh studentësh, që protestojnë gati çdo ditë, duke kërkuar përgjegjësi për tragjedinë – edhe politike, edhe penale.
Në rrafshin ndërkombëtar, gjatë vitit 2024, nuk kishte lëvizje. Serbia ngeci në rrugën evropiane, marrëdhëniet e saj me Kosovën mbetën të pazgjidhura dhe sanksione Rusisë nuk i ka vënë. Por, këto pozicione nuk janë të qëndrueshme, ndaj duhet pritur zhvillime gjatë vitit 2025. E, ajo që nuk është e sigurt, është kahja që do të marrin ato zhvillime.
Në to do të mund të ndikojë edhe rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
Todd Prince, Uashington
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, dhe ekipi i tij paralajmërojnë ndryshime të mëdha në politikën e jashtme, përfshirë bisedimet e paqes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, presionin maksimal ndaj Iranit për të ndalur programin e tij të pasurimit bërthamor dhe tarifat për importet kineze.
Por, a po vendoset ish-manjati i pasurive të paluajtshme në një pazar të vështirë negocimi, me shpresën për të arritur një marrëveshje më të mirë për Shtetet e Bashkuara?
Trump ka thënë se do t’i japë Ukrainës gjithçka që i nevojitet, nëse Rusia nuk është e gatshme të negociojë. Nëse kjo do ta shtyjë Putinin t’i ndalojë armiqësitë në linjën aktuale të kontaktit, mbetet për t’u parë.
Ndërkohë, ekipi i Trumpit është duke bërë thirrje për zbatim më të ashpër të sanksioneve kundër Iranit, sidomos në eksportet e tij të naftës, për ta dobësuar ekonominë e vendit.
Nafta mbetet burim jetësor i buxhetit të Iranit dhe është e rëndësishme për financimin e ushtrisë.
Së voni, Trump ka thënë vazhdimisht se do të vendosë tarifa të larta për importet kineze, për të reduktuar fuqinë në rritje politike, ushtarake dhe ekonomike të Pekinit.
Kina ka thënë se do të kundërpërgjigjet me tarifat dhe kufizimet e veta në eksportet kritike në SHBA, duke krijuar një përballje të mundshme midis dy fuqive më të mëdha ekonomike dhe ushtarake në botë.
Natalie Sedletska, Kiev
Ukrainasit shpresojnë që presidenti i ri amerikan t’u ndihmojë për t’i dhënë fund luftës. Por, këtu ka shqetësime në rritje se Ukraina mund të ngarkohet me kushte që nuk janë në favor të saj, përfshirë lëshime të mëdha territoriale dhe politike ndaj Rusisë.
Ekziston gjithashtu frika se një marrëveshje e tillë mund t’i mundësojë Rusisë t’i shpëtojë përgjegjësisë, se krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit mund të mbeten të pandëshkuara, duke i minuar kështu sakrificat që kanë bërë ukrainasit.
Një shqetësim tjetër është se marrëveshja e paqes mund të çojë në heqjen e sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, duke i mundësuar Kremlinit ta rindërtojë ekonominë dhe forcën e tij ushtarake, për agresion të ardhshëm.
Në frontin e brendshëm, në Ukrainë ka një dakordim të gjerë se zgjedhjet duhet të mbahen vetëm pasi të përfundojë lufta. Pra, nëse ato ndodhin, Ukraina do të përballet me një organizim të madh politik.
Hulumtimet, gjithashtu, tregojnë se më shumë se gjysma e ukrainasve që janë larguar nga vendi, ka të ngjarë të kthehen në shtëpi pasi të përfundojë lufta, por vetëm nëse mendojnë se i pret një perspektivë e sigurt dhe e qëndrueshme.
Për Rusinë – Ksenia Sokolyanskaya, Pragë
Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka intensifikuar sulmet e tij kundër Ukrainës – si sulmet ajrore në qytetet e Ukrainës, ashtu edhe ofensivat tokësore në Ukrainën lindore.
Buxheti i Rusisë për vitin 2025 ka shpenzime rekorde për mbrojtjen dhe sigurinë. Kjo mund të sugjerojë se udhëheqja e Rusisë nuk e ka ndërmend t’i japë fund luftës. Ose së paku nuk ka pasur plane të tilla derisa Trump i fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Analistët tani po diskutojnë nëse Putin është vërtet duke kërkuar rrugëdalje nga lufta, me shpresën se Trump mund ta ndihmojë në ndërmjetësimin e një daljeje sipas kushteve të Rusisë.
Ndërkohë, brenda vendit, Rusia ka vazhduar të miratojë ligje represive kundër qytetarëve të saj dhe të huajve. Në gusht, Human Rights Watch ka publikuar një raport që thotë se të drejtat civile janë shkatërruar në mënyrë sistematike në Rusi.
Fatkeqësisht, nuk kemi absolutisht asnjë arsye të besojmë se ky trend do të ndryshojë vitin e ardhshëm.
Për Lindjen e Mesme – Kian Sharifi, Pragë
Le të fillojmë me Iranin. Mbrojtja e tij ajrore dhe objektet e prodhimit të raketave janë varfëruar keq nga sulmet izraelite. Kjo mund të bëjë që Teherani ta rimendojë strategjinë e tij të mbrojtjes në muajt e ardhshëm. Disa frikësohen se ajo mund të përfshijë zhvillimin e një bombe bërthamore.
Ajo që e bën të besueshme këtë, është fakti se përfaqësuesit iranianë janë dobësuar gjithashtu nga Izraeli. Kryesori mes tyre është Hezbollahu, i cili është degraduar nga Izraeli pas një fushate disajavore për të ndaluar lëshimin e raketave kundër Izraelit verior.
Një armëpushim, i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, është i brishtë, por ka të ngjarë të mbahet, sepse Hezbollahut i duhet kohë për t’u rikuperuar dhe Izraeli do të përqendrohet më mirë në Gazë dhe te vetë Irani.
Por, kjo është Lindja e Mesme dhe kur përfundon një konflikt, fillon një tjetër. Pas hyrjes së armëpushimit në fuqi, rebelët sirianë – disa prej të cilëve mbështeten nga Turqia – kanë nisur një ofensivë që i ka dhënë fund sundimit të Bashar al-Assadit në Siri.
Kjo do ta ndryshojë balancën e pushtetit në Lindjen e Mesme, sepse Siria, nën Assadin, ka shërbyer si lidhje midis rrjeteve të Iranit në rajon.
Se çfarë do të ndodhë me vetë Sirinë në të ardhmen, është vështirë të thuhet. A do të luftojnë grupet rebele për pushtet apo do të pajtohen për të formuar një qeveri gjithëpërfshirëse? Edhe nëse pajtohen, është e paqartë sesi do të përshtaten në aspektin ndërkombëtar.
Reid Standish, Taipei
Në vitin 2025, pyetja për Tajvanin është e njëjta që ka qenë me dekada: çfarë po planifikon Pekini?
Kina është duke modernizuar ushtrinë e saj dhe duke i rritur shpenzimet e mbrojtjes – gjë që e lë Tajvanin masivisht të paarmatosur. Kjo rrit frikën për një pushtim të mundshëm kinez. Disa zyrtarë amerikanë thonë se Pekini mund ta bëjë një lëvizje të tillë në vitin 2027. Pavarësisht nëse është kështu ose jo, këtu ka një ndjesi urgjence.
Kësaj ndjesie i shtohet edhe rikthimi i presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Trump ka të ngjarë ta vazhdojë mbështetjen e fortë të Amerikës për Tajvanin, por ai gjithashtu e ka kritikuar atë. Ai ka thënë se Taipei ka nevojë t’i rrisë shpenzimet e mbrojtjes dhe ka sugjeruar që Tajvani t’i paguajë SHBA-së për mbrojtjen e tij. Zyrtarët tajvanezë thonë se ata i kanë rritur tashmë shpenzimet dhe se kanë vendosur ta rrisin buxhetin në një nivel rekord.
Por, derisa Tajvani përshtatet me Trumpin, zyrtarët këtu po vëzhgojnë nga afër edhe fushëbetejën në Ukrainë. Zyrtarët tajvanezë kanë thënë se fitorja e Ukrainës kundër Rusisë do të ishte mbrojtja më e mirë kundër çdo agresioni kinez.
Ndërsa hyjmë në vitin 2025, Tajvani po përgatitet për çdo mundësi.
Të dashur lexues të REL-it, këto janë disa nga ngjarjet kryesore të 2025-shit, por, sigurisht, jo të gjitha. Në këtë vit padyshim se pritet të ketë një agjendë të ngjeshur globale, të cilën do ta përcjellim te ju hap pas hapi.
Radio Evropa e Lirë
Komentet