Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka njoftuar të martën se ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala, dhe Sabit Januzi kanë pranuar akuzën për frikësimin e një dëshmitari dhe pengimin e drejtësisë, në marrëveshje me këtë zyrë për pranimin e fajësisë.
“Të pandehurit janë akuzuar për frikësim gjatë procedurave penale dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, thuhet në njoftim.
Në një reagim lidhur me marrëveshjet, Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka deklaruar se “arritja e zyrës sonë për t’i përfunduar këto marrëveshje është dëshmi e forcës së hetimeve tona lidhur me çështjet e frikësimit dhe pengimit të drejtësisë”.
Dhomat e Specializuara, po ashtu, konfirmuan këto dy marrëveshje për pranimin e fajësisë, ku “secila bazohet në ‘faktet e pranuara’, me çka të akuzuarit pranojnë se disa fakte të paraqitura në aktakuzë do të vërtetoheshin jashtë dyshimit të arsyeshëm dhe janë të vërteta dhe sakta”.
Sipas tyre, “Rregullorja e procedurës dhe e provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës lejon që Prokurori i Specializuar dhe mbrojtja të arrijnë marrëveshje për pranimin e fajësisë, e cila duhet të miratohet nga trupi gjykues para se të hyjë në fuqi”.
“Trupi gjykues, aktualisht, është duke i shqyrtuar marrëveshjet për pranimin e fajësisë në këtë çështje gjyqësore”, thuhet në komunikatën e Dhomave të Specializuara.
Kushtet e marrëveshjes sipas Rregullores
Sipas rregullës 94 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Trupi Gjykues miraton marrëveshjen vetëm nëse gjykatësit binden se janë përmbushur disa kushte:
• se ekziston bazë faktike e mjaftueshme që vërteton faktet thelbësore të nevojshme për vërtetimin e veprës penale dhe pjesëmarrjen e të akuzuarit;
• se avokati e ka diskutuar marrëveshjen me të akuzuarin dhe se i akuzuari i kupton kushtet e marrëveshjes;
• se i akuzuari pranon fakte në lidhje me akuzat në marrëveshje dhe se pranimi është bërë pa kërcënime ose detyrim;
• se i akuzuari i kupton pasojat e marrëveshjes dhe heq dorë nga e drejta për t’u gjykuar me procedurë gjyqësore të zakonshme
• se janë marrë parasysh si duhet interesat e drejtësisë.
Seanca për marrëveshjet për pranimin e fajësisë është caktuar më 18 dhjetor.
Gjyqi ndaj Shalës dhe Januzit, së bashku me Ismet Bahtijarin, ishte planifikuar të hapej më 14 nëntor 2024. Në vendimin për caktimin e seancës së nesërme për këtë çështje, thuhet se marrëveshja për pranimin e fajësisë e lidhur ndërmjet ZPS-së dhe z. Bahtijari nuk i përmbush kërkesat.
Aktakuza kundër Haxhi Shalës u konfirmua më 4 dhjetor 2023 nga gjykatësi i procedurës paraprake. Ai u arrestua më 11 dhjetor 2023, dhe një ditë më vonë u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Prokuroria në Hagë e ka ngarkuar Shalën me aktakuzë me tri pika: tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, tentim për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe për frikësim gjatë procedurës penale.
Sipas aktakuzës, në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023, Shala, bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin (të dy të akuzuar nga Specialja), kontaktuan një dëshmitar.
Aktakuza thotë se ata, veçmas, takuan dëshmitarin, në dy raste, “për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime”.
Më 15 dhjetor 2023, Shala ishte deklaruar i pafajshëm për pikat me të cilat e akuzon prokuroria në Hagë.
Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi u arrestuan më 5 tetor 2023 në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK).
Prokuroria, në dhjetor të vitit të kaluar, kishte propozuar që çështja Januzi dhe Bahtijari të bashkohej me çështjen Shala në një gjykim të vetëm.
Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.
Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.
Ndërkaq, më 6 dhjetor 2024 Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi një aktakuzë të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kundër katër personave të tjerë për vepra penale që lidhen me “pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.
Dhomat e Specializuara të Kosovës thanë se aktakuza u konfirmua kundër Hashim Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut.
Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.
Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Aktualisht, në Dhomat e Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. REL
Pershendetje
E nderuara Kosovare, për herë të par ta lexova emrin. Sëpari të prshendes dhe t’uroi çdo të mir, por, edhe pas shum viteve të shprehi ngushllimet më të sinqerta për baben Bajramin, vëllëzrit dhe nënen Nekiben. Të përgëzoi për shkrimin. Gjatë të 1970-tave, zyren time dhe të lavdishmes Nekibe i ndante muri, ndërsa Bajrami ishte avokat i shquar në Prishtin. Veprimet serbe nuk më befasuan por privimi nga jeta i Bajramit më shkaktoi dhimbje e mos të flasim edhe për vëllëzrit. Kuptohet e dhimbëshme ishte edhe shkuarja e Nekibes. Këtu, në SHBA, heren e fundit i takova Nekiben dhe Bajramin, me nji grup te cilit i printe Anton Qeta. Bile per vizitë më erdhen Antoni, Ramiz Kelmenti, Nekibja dhe Azem Shkreli. Ma von, gjatë nji bisede, këtu në SHBA, bisedoja me Ibrahim Rugoven, te cilin e kisha njoftuar ne Prishtin, fliste për kontributin e Bajramit dhe Nekibes. Unë u largova nga Kosova me 1980. Shkak ishte nga se edhe familja ime kishte konflikt me serbët e fshatit (Dollc-Klinë). Sëpari u largua axha, i cili më erdhi në zyre dhe më tha: nuk po muj me i duru ma këta shki. Ma kollaj paska qen me i vra se sa me i duru tani – per çdo ditë padisin fëmij dhe të tjer, gjoja per kundërvajtje….. Më von edhe babi i im insistoi të shkon pas vllaut. Kuptohet edhe un pas babit. Me 1989 u shperngula ne SHBA. Më fal e qova gjat por edhe njiher të pershendes dhe uroi çdo te mir oj bija e Bajramit dhe Nekibes.
Duhet te dini qe krimet kane qene te orkestruara nga elita globale.
Pérshéndetje zonja Kosovare Kelmendi dhe I bashkangjitem dhimbjes suaj té madhe pér humbjen e pothujse gjithé familjes. Zoti ju méshirofté se me té vérteté e véshtiré!