Vështrim historik, rreth kësaj vepre të lartë atdhetare, nën dritën e opinioneve të Eqrem bej Vlorës, Mustafa Krujës, Sefulla Malëshovës, Reshat Këllicit, Esat Dishnicës dhe studiuesit Jusuf Alibali.
“Një djalosh i quajtur Avni Rustemi, një nga studentët më të pasuksesshëm, të cilët tentojnë të shfryjnë me heroizma politike dëshirën e tyre për hakmarrje …me anë të një vrasjeje të pabesë i dha një fund të beftë jetës aventurore të Esatit. Ky djalosh që me këtë vrasje donte të bënte emër në Shqipëri, nuk ishte vecse një vegël në duart e kundërshtarëve të Esat pashës”.
Kështu shkruan Eqrem bej Vlora, veprimtar dhe diplomat i njohur shqiptar, (1885-1964), në veprën e tij “Kujtime”, (Tiranë, 2004, faqe 106)). Dhe, sic shihet, shkruan me përcmim për aktin e Avni Rustemit, sidoqë koha ka treguar me fakte se nuk ka pasur asnjë herë të drejtë. Mirëpo, po në këtë vepër ai nënvizon dhe këtë pohim kuptimlotë: “Që Esat pasha në ccdo vend të qytetëruar do ta kishte hak trikëmbëshin, kjo nuk diskutohet”.( Po aty, faqe 166).
Ishte koha kur qeveria e ligjshme e Tiranës, e dalë nga Kongresi i Lushnjës, ( janar 1920), në kushte shumë të vështira po përpiqej të vendoste regull në tërë vendin.. Dhe Eqrem bej Vlora, nuk mjaftohet me kaq, dhe duke përshkruar këtë situatë, rrëfen se esadistët “zgjeruan lëvizjen e tyre…nga Rogozhina deri në lumen e Matit, duke e vënë në mes Tiranën…Nuk mjafton vetëm kjo, por esadistët filluan befas të ndërmarrin veprime të dhunshme. Ata prenë linja telefonike dhe telegrafike, vendosën njerëz të armatosur në ura dhe qafa dhe kur qeveria nisi të merte masa të rrepta, ata nën komsndën e Osman Balit rrethuan madje dhe Tiranën”. (po aty).Pra ,Eqrem bej Vlora , me këto fakte, dashur padashur pohon se Esat pasha ishte armik i pashembullt në historinë e i Shqipërisë, që duhej eleminuar me cdo kusht.
Duke u mbështetur në të dhënat e deritanishme historike , atentati i Avni Rustemit mbetet jo vetëm një vepër e madhe atdhetare, por, në të njejtën kohë, një ndër atentatet më të bujshme dhë më të rralla në botë, për mënyrën si u krye, si dhe për enigmat që bart dhe për të cilat do të flasim më poshtë. Për këtë qëllim do t’u drejtohemi opinoneve, qoftë edhe kundërtore, të Eqrem bej Vlorës, që përmendëm më sipër, Mustafa Krujës, Sejfulla Malëshovës, Reshat Këllicit,Esat Dishnicës dhe së fundi, të pr. Jusuf Alibalit.
Mustafa Kruja,(1887-1958), veprimtar politik, studiues, në një letërkëmbim me at Paulin Markgjokajn, duke iu referuar këtij fakti, shkruan kështu për Avni Rustemin:
“Ishte student në magistero të Romës, por s’i epej jo me studime,por as me hangër e as pimë si gjithkush, kur ka vendosun me vramë Esatin.” (Revista “Albanica”,.faqe 91, nr. 72, 2010).
Në shkurt të 1956, Tiranës, kam pasur rast të marr pjesë në biseda që xhaxhai im, Reshat Këllici, zhvillonte më mikun e tij më të ngushtë, Sefulla Malëshova. Së bashku me Avni Rustemin, Llazar Fundon, Tajar Zavalanin, Selim Shpuzën dhe të tjerë kishin qenë shokë, anëtarë të shoqërisë “Bashkimi”, të themeluar nga i pari në vitin 1921. Madje Reshati, sic e përshkruan në librin e tij “Me djemtë e “Bashkimit”, (1964), ka qenë së bashku me Avniun në castin kur Isuf Reci, vegël e Zogut, më 17 prill të vitit 1924 shtjeu pas shpine dhe e plagosi atë për vdekje. Avniu pas disa ditësh dha frymën ef undit në spitalin e Tiranës. Pastaj, të mësipërmit, me anëtarë të tjerë të Shoqërisë “Bashkimi” pas ngjarjeve të dhjetorit të vitit 1924 që sollën Zogun në fuqi, së pari president e pastaj mbret, mërguan në Bashkimin Sovjetik dhe pa disa vjetësh u kthyen të zhgënjyer nga atdheu i parë komunist në botë.
Eshtë e habitshme,- pohonin të dy midis të tjerash, Malëshova dhe Këllici, kur kujtonin atentatin e Avni Rustemit në Paris,- se si ai disa ditë përpara se të nisej për në Romë,- ai nuk u kishte kurrë se cfarë vendimi të guximshëm kishte marrë.”
Ishte koha kur pas formimit të qeverisë se Tiranës shumë qytete dhe krahina shqiptare kishin njohur këtë qeveri, kurse vise të tjera të vendit ishin ende nën pushtimin e huaj,- Korca dhe Pogradeci nën francezët, Shkodra nën sërbët,Vlora në italianët, kurse bandat e Esat pashë Toptanit, që ndodhej në Paris, me urdhërin e tij, sic e pamë më sipër, kërkonin ta rrëzonin atë qeveri dhe të mundësonin kështu kthimin e tij si sundimtar i Shqipërisë.”
Në maj të vitit 1974, kur po hulumtoja në Arkivin e Shtetit në Tiranë dokumente që do të më vlenin për të shkruar romanin”Atentat në Paris”, kam pasur rast të bisedoj me atdhearin Esat Dishnica, i cili më 1920 studionte së bashku me Avniun në Universitetin e Romës.
“E pata takuar Avniun ato ditë maji të vitit 1920, kur sapo erdhi nga Tirana dhe mbeta i habitur kur më tha se po shkonte në Paris.”Përse ?”- e pyeta me habi. ”Për të studiuar në disa kurse që atje janë më të mira se këtu në Romë”, -m’u përgjigj. Dhe mua as që më shkoi ndërmend se c’vlonte në mëndjen e tij.”
Pra, Avniu nuk ia ka rrëfyer askujt, duke përfshirë këtu edhe studentë shqiptarë në Romë, për aktin heroik që do të kryente.
Në bisedën e mësipërme Esat Dishnica pati shtuar:”Gjashtë muaj pas këtij takimi në Romë, pra në ditët e para të dhjetorit të vitit 1920, pasi Avniu doli i pafajëshn në gjyqin që iu bë në Paris, duke u kthyer për në Shqipëri, ai u ndal përsëri në Romë, ku ne studentët e tjerë e pritëm me brohori. ”Sa i fshehtë paske qenë! – i thashë duke e përqafuar.- Po si nuk më the se për c’qëlloim shkoje në Paris?”
“Ishte vërtet punë e fshehtë dhe me zarar, – m’u përgjigj.- Dhe kishte të drejtë”.
Nga këto të dhëna të parashtruara nga Sefulla Malëshova, Reshat Këllici dhe Esat Dishnica, del qartë se Avni Rustemi nuk i ka treguar askujt se cii ishte qëllimi i tij i vërtetë udhëtimit të tij në Paris.
Ashtu si Eqrem bej Vlora, edhe Mustafa Kruja në leterkëmbimin me at Paulin Markgjokajn pohon: “Krejt Shqipnia e Mesme kishte hymë kryekëput nën influencën e esadistëve. Qeveria e Tiranës me Sulejman Delvinën kryeministër dhe Ahmet Zogun ministër të Brendshëm, kishte mbetun e pafuqishme kundrejt cetave esadiste që bridhshin lirisht deri te muret e kryeqytetit”. (“Albanica”, nr. 72 faqe 91, 2010).
Kur lexova këto radhë solla ndërmend një bisedë që pata zhvilluar shumë vite më parë me akademikun Kristo Frashëri. ”Ato ditë, fundmaji të vitit 1920,- më rrëfente ai,- Mytesim Këllici, kryemyftiu i Tiranës, që gëzonte respekt midis tiranasve, me poosi të kryeministrit Selejman Delvina, shkoi në kodrat jugore të Tiranës, aty ku sot shtrihet Liqeni Artificial dhe u takua me kacakët e Osman Balit që vërtitëshin si bisha dhe pritnin një të urdhër Esatit që t’i suleshin Tiranës.
“Kjo qeveri mezi mbahet e ka për të rënë vetevetiu.- i shpjegoi Mytesim Këllici Osman Balit dhe larove të tij.- Kështu mos bëni vëllavrasje”. Dhe ata , si besimtarë fanatikë, e dëgjuan fjalën e kryemyftiut.
Dhe sic e pamë, më 4 qershor, ia behu në Tiranë Bajram Curri me trimat e tij, që shpartalluan forcat esadiste dhe dogjën kullat e Toptanasve.Vec këtyre fakteve duhet theksuar seatentati i Avniut kundër Esat pashës ishte i bëshkërenditur me ultimatumin që Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare më 3 qershor i dërgoi gjeneral Piacentinit, në të cilin thuhej se “…Populli shqiptar nuk mund të pranojë ndarjen e Shqipërisë sipas Traktatit të fshehtë të Londrës të vitit 1915,..” dhe caktohej mbrëmja e 4 qershorit si afati maksimal që i jepej komandës italiane për të plotësuar kërkesat e tij”. (Jusuf Alibali,”Avni Rustemi para organeve hetimore franceze, faqe 216,”Studime historike”, nr.4 1964).
Pra, sipas këtij ultimatumi ushtritë italiane duhej të largoheshin nga krahinat e Vlorës,Tepelenës dhe Himarës. Dhe ja, si pasojë e këtyre veprimeve, më 13 qershor të vitit 1920 Avni Rustemi kreu atentatin e tij të bujshëm, me të cilin rrëzoi të vdekur përdhe Esat pashën.Të mbetura pa kokë, bandat esatiste që përbënin rrezik të madh për pavarësinë e Shqipërinë,u asgjësuan plotësisht.
Nga sa shihet, në të gjitha këto veprime, duke përfshirë edhe atentatin e Avni Rustemit, duhet të ketë pasur dorë qeveria e Tiranës. Këtë e dëshmon edhe Mustafa Kruja që në letrën e e mësipërme nënvizon:
“Avniu donte me shkue në Paris e kishte damë me vet veti. Por ishte i papasun e s’kishte pare a shpenzime rruge, as për banim etj., deri sa të vinte ora e gjestit që kishte damë me krye. Shpresonte se nji shoq mund t’i ndihmonte.Por as as ky s’paska pasun, a për arsye tjetër, s’e di , edhe paska vojt e ia ka kallzue punën mikut të vet politik në në kohë, ministrit të Brendshëm, Ahmët Zogut. Ky pa tjetër epka aty për Avniun 4000, s’di a lira italiane, a franga France”.
Në këto radhë ka hamendësime, sidomos kur shkruhet se Avniu ka shpresuar që “…nji shoq mund t’i ndihmonte”. Por duket pak e habitshme që ai t’i shfaqte hapur qëllimin e vet Ahmet Zogut, me të cilin vështirë të ketë pasur miqësi, sepse vështirë që ata të kënë pasur takime midis tyre më 1920. Aq më tepër që Avniu nuk ka pohuar të ketë pasur me të njohje nga afër. Por, të mos harrojmë se Zogu ishte ministër i Brendshëm i një qeverie atdhetare, që përpiqej të ruante dhe forconte pavarësinë dhe qëndrueshmërinë e Shqipërisë. Kështu, ai ishte i interesuar që Esat pashë Toptani, armiku i pavarësisë së Shqipërisë, ndonëse e kishte dajë, të eleminohej në Paris, ku ndodhej që më 1918 dhe në krye të një delegacioni ku bënte pjesë dhe një farë Pal Terka, kinse ministër të Jashtëm, kërkonte që Fuqitë e Mëdha, fituese të Luftës së Parë Botërore, që atëherë quhej Lufta e Madhe, me të cilat kishte qenë “aleat simbolik”, ta njihnin për kryetar të shtetit shqiptar. Dhe me arsyen se ai me rreth 200 ushtarë, shumë syresh edhe të hurit dhe litarit, sic shkruan gazetari francez Gaston Rishar në një artikull, të botuar më 14 qershor 1920 në gazetën “Lë Pëti Parizien”, pra një ditë pas atentatit, pra me këtë tabor, krahas forcave franceze Esat pasha kishte marrë pjesë në disa luftime në Frontin e Lindjes. (Në këtë artikull Rishari thekson seai i kishte bërë Esat pashës nëj vizitë në vilën e tij, në Selanik, qytet në të cilin ndodhej dhe shtabi i Armatës së Lindjes, dhe kishte kuptuar se nga qyeteërimi ky pasha, që ngjante gjysmë turk dhe gjysmë persian, njihte vetëm rumin, pushkën automatike, dhe kumarin, me të cilin u zhvaste ushtarëkëve të lartë francezë shuma të mëdha parash, dhe kishte dëgjuar prej tij, se priste sa më shpejt ditën që Franca ta bënte të parë në Shqipëri).
Si pasojë, pra, nuk përjashtohet edhe kjo mundësi, që Zogu t’i këtë dhënë Avniut shumën e parave e cila i duhej për të kryer këtë akt shumë të guximshëm. Që ai të ishte mbështetës i vrasjes së Esat pashës, këtë e dëshmon edhe Eqrem Vlora, i cili që në kujtimet e tij, kur thekson se i interesuar për eleminimin e pashait të Toptanasve ”…në radhë të parë ishte edhe Ahmet Zogolli”. (“Kujtime”, faqe 166).
Edhe sot e kësaj dite me të drejtë shtrohet pyetja: “Kush e caktoi Avni Rustemin të merrte përsipër vrasjen e e Esat pashës?”. Rreth këtij problemi ka shumë hamendësime, ndër të cilat njera se gjoja në një mbledhje ku u rrah kjo ceshtje, dolën disa vullnetarë, ndaj u hodh një short… dhe Avniut i ra një letër me vrimë, që përcaktonte atë që do të ndërmerrte këtë akt të lartë atdhetar…Por e vërteta duhet të jetë krejt ndryshe: Logjikisht Rustemi u zgjodh, sepse së pari zotëronte shumë mirë frengjishten që e kishte mësuar, në kolegjin francez të Lozanës, (1912-13), në kolegjin italo-arbëresh në Shën Mitër Koronë në Kalabri, të cilin e mbaroi më1919 dhe me sa duket edhe në Universitetin e Romës, ku studioi një vit dhe e ndërpreu në mesin e vitit 1920, për t’u kthyer në atdhe. Eshtë e kuptueshme se frengjishten do ta përdorte gjatë qëndrimit në Paris dhe proceseve hetimore e gjyqsore, kudo do të mbronte veten dhe do të demaskonte Esat pashën, sic ndodhi njëmend. Dhe, ajo më e rëndësishmja, Avniu u zgjodh, sepse ishte ishte shumë trim, cilësi që e kishte dëshmuar kur marrë pjesë në luftime kundër bandave shoviniste greke dhe esatiste në vitet 1914-15, sic e ka dëshmuar në hetuesi.
Vazhdojmë tani me rrugëtimin e Rustemit për të kryer atentatin. Duhet vënë në dukje se kur kur arriti në Paris, pasi kishte lënë pas Tiranën, Durrësin dhe Romën, Avniu kishte me vete rreth 9 mijë franga franceze, shumë tepër e madhe për një student. (Arkivi Qendror i Shtetit, fondi “Avni Rustemi”, dosje nr.2, procesverbal hetimor pas atentatit, mbajtur në zyrat e e hetuesisë së burgut Santé në Paris, të cilit do t’i referohemi heë pas here).
“Ceshtjen e shumës së madhe të të hollave që kishte në përdorim,- shkruan Jusuf Alibali në artikullin e tij studimor “Avni Rustemi para organeve hetimore franceze, (“Studime historike”, nr. 2 1964, f aqe 215),- të cilën akuza e përdorte si element fajësie, ai e shpjegon kështu:”Me rastin e nisjes për studime dhe duke marë parasysh vështirësitë e transportit dhe vonesat e postës, ai ka mundur të merrej vesh me qeverinë që bursa t’i jepej për gjashtë muaj mënjeherë…Pjesën tjetër të të hollave,- dëshmon Avniu,- e kam marrë nga vëllai, Fejzoja, i cili qe kthyer nga Amerika në mars të vitit 1920”. Pastaj ai dëshmon edhe se se ka vajtur në Napoli për të takuar atë dhe ka kërkuar ta ndihmonte për udhëtimin e tij në Paris”. Hetuesit francezë, të cilët shikonin edhe në shumën e tij “një corpus delicti”, ishin të shtrënguar të ngrinin supat.”(po aty). Sajim i mencur i Avniut,që ishte përgatitur për cdo pyetje të hetuesve, që me sa duket dysonin se ai ishte vrasës me pagesë.
Përse Avniu kishte me vete një shumë kaq e madhe, po të marrim parasysh se për të blerë një kostum në rrobaqepësinë Ribulet Puasonie, meqe ai që mbante, ishte i vjetër, Avniu ka përdorur 375 franga dhe ka parapaguar 210 franga për një muaj një dhomë në Hotel de Tuileri, nga ku mund të vëzhgonte lëvizjet e Esat pashës që bujtte në hotelin “Kontinental”, në rrugën Kastilione dhe jo në hotel “Ritz”, sic dëshmon gabimisht Mustafa Kruja në letrën e tij?..
Kjo shumë e madhe iu dha Avniut, sepse casti kur do të kryente atentatin nuk varej prej tij, por nga rrethanat që do të krijoheshin, të cilat për fat të mirë, falë edhe zgjarsisë dhe trimërisë së tij, u krijuan në jo më shumë se dy javë nga casti i arritjes së tij në Paris.
Po të kthehemi përsëri te letra e Mustafa Krujës drejtuar at Paulin Markgjokajt.
“Me këto pare,- shkruan ai,- niset Avniu prej Tirane në Romë, ku ndalet pak ditë dhe ku i bien në erë punës edhe 3-4 nacionalistëv e mandej shkon në Paris…” Por Esat Dishnica, sic e përmenda më sipër, pohon të kundërtën: Kështu pohon edhe Reshat Këllici:
“Atë mbrëmje dhjetori të vitit 1920, kur Avniu kishte ardhur nga Vlora, ku ishte pritur si hero nga vlonjatët, – më thoshte xhaxhai një ditë të vitit 1963, kur po përfundonte librin e tij me kujtime “Me djemtë e “Bashkimit”,- me plot shokë e takova Avniun në përballë Sahatit të madh të Tiranës. E përqafuam dhe e përshendëtëm edhe ne si hero. Isha njohur dhe miqëuar me të që në bangat e kolegjit italo- arbëresh të Shën Mitër Koronës në Kalabri, ku kishim kaluar katër vjet së bashku me Sefulla Malëshovën e shokë të tjerë. Por, as përpara atentatit, as gjatë atij takimi dhe as më pas, Avniu nuk foli as edhe një llaf se si u përgatit dhe kush e ndihmoi që të kryente bëmën e tij të pa shembullt”.
Në vazhdim të letrës së tij Mustafa Kruja e përshkruan kështu atentatin e Avni Rustemit kundër Esat pashë Toptanit: “I avitet Esatit me anë të sekretarit të tij Stavri s’dij kushit prej Kavaje, kinse për një bursë studimi n’atë kryeqytet. Kështu nxuni banimin e viktimës së tij, (hotel “Ritz”, në mos gabofsha), dhe vojt e e priti poshtë në holl e kur Esat pasha duel jashtë tue iu hudhë automobilit, e ndoq prapa e briti: ”Ndal, tradhtar i atdheut!”. Atëherë edhe qiti mbi të nuk dij sa herë revolverin a pistolën që kishte pas ble, nuk dij në Romë apo në Paris. Kto janë fakte që di mbi vrasjen e Esat pashë Toptanit.”. (“Albanica”nr.72 faqe 92, 2010).
Dhe kjo dëshmi e tij përkon thuajse plotësisht me të vërtetën historike të këtij atentati, që Avniu, sic dot shohim dëshmon në hetuesi, pavarësisht se emri i sekretarit të Esat pashës nuk ishte Stavri, por Gjergj Goga, nga Durrësi.
Vemë në dukje më këtë rast se pas vdekjes, kufoma e Esat pashës mbeti per 14 muaj në morgun e Bashkisë së Parisit në pritje që të varrosej. Dhe, sic vihet në dukje në një artikull të botuar më 7 gusht të viit 1921 në gazetën amerikane “Nju Jork Tajms”, mbeti atje, sepse: ”…asnjë nga pjesëtarët e familjes, fisit dhe vendit të tij nuk tregohet i gatshëm të ndërmarrë nje telash të tillë, për të vendosur se ku do të jetë varri i Esat pashës së madh”. (Sipas gazetës “Dita”, 8 maj 2017, botuar nën kujdesin e pr. dr. Sadik Bejkos).
Megjithatë, u gjend qeveria sërbe që të kujdesohehej që ky farë pashai të prehej “i qetë” në varrezat e ushtarëve serbë, në Paris, të cilët kishin rënë gjatë Luftës së Parë Botërore. Dhe kjo, sepse, sic dihet botërisht ai ishte nga miqtë më të mirë të serbëve, me të cilët kishte nënshkruar shumë marrëveshje, ku u kishte premtuar krahina të veriut të Shqipërisë. Jo më kot edhe qeveritarët serbë, kur vizitojnë Parisin, nuk harrojnë të vizitojnë edhe varrin e tij, sic ka bërë Vulini, ministri për ceshtje Sociale i Serbisë, i shoqëruar dhe nga personalitete të tjera të larta serbe . Duke vendosur kurora mbi varrin e kësaj figure të neveritshme për popullin tonë, ai me cinizëm deklaroi: “Serbia i kujton edhe miqtë e saj dhe ne nuk do të harrojmë Esat pashën, i cili në momente të vështira ishte pranë nesh.… Ai ishte shembull se si shqiptarët dhe serbet duhej të bashkëpunonin… Ne nuk duhet të harrojmë Esat pashën, padrejtësisht i harruar dhe anatemuar nga historia, qoftë dhe jona”. (Shqiptarja.com, 16 nëntor 2014)
ATENTATI HEROIK I AVNI RUSTEMIT DHE DISA ENIGMA TE TIJ
(Paris, 13 qershor 1920)
Pjesa e dytë
Cituam në pjesën e parë të këtij punimi një letër të Mustafa Krujës që lidhet me atentatin e Avni Rustemit. Duhet të vemë në dukje se Mustafa Kruja ka qenë më 1919 sekretar i delegacionit shqiptar të qeverisë së Durrësit në Konferencën e Paqes në Versajë, (FESH 2, 2008, faqe 1362), që pas janarit të vitit 1920 u zëvendësua, sic shkruam më sipër, me qeverinë e Sulejman Delvinës, të dalë nga Kongresi i Lushnjës.
Nga sa kuptohet , të dy janë njohur më 1921, kur u zgjodhën deputetëtë të Kosovës, (kështu quhej krahina e Hasit), në zgjedhjet e para parlamentare. Më pas kjo miqësi duhet të jetë bërë në e ngushtë, kur Mustafa Kruja ishte tashmë anëtar i Federatës “Atdheu” që drejtohej nga Avniu. Dhe, ndonëse kaq të njohur, duket qartë se as atij, ashtu si tërë shokëve të tij, Avni Rustemi nuk i është shprehur rreth atentatit, për të cilin gjatë procesit hetimor dëshmon kështu::
“Kalova një dy herë para portës së hotelit në rrugën “Kastilione”, kur pashë se po dilte Esat pasha, që e njihja mirë pasi e kisha takuar shpesh në Shqipëri dhe pikërisht në Durrës. Esat pasha ecte ndadalë dhe tërë krenari.Me ta parë atë, tërë historia e Shqiërisë m’u ngjall në shpirtin tim. Një turbullirë e madhe më pushtoi. Atëherë rrëmbeva nga xhepi i djathëtë revolen me gjashtë fishekë që mbaja me vete dhe qëllova shumë, pa ditur sa herë mbi Esat pashën që ishte dy hapa larg meje. Esat pasha ra me një herë dhe unë hodha armën time për tokë. Unë pohoj se veprimi im ka qenë krejt spontan dhe nuk e kam paramenduar.” (Arkivi Qendror i Shtetit, fondi “Avni Rustemi”, dosja 2, faqe 73).
Sekretari për të cilin shkruan Mustafa Kruja në letrën tij, sic e pamë në pjesën e parë, nuk quhej Stavri, por Gjergj Goga dhe ishte nga Durrësi, ku kishte punuar si drejtori PTT-së më 1919. Avniu merr informata për të nga Mithat Frashëri, pjesëtar i delegacionit shqiptar që tashmë përfaqësonte qeverinë e Tiranës në Konferencën e Versajës. Aty Mithat Frashëri e porosit Avniun “…të shkojë në një ekspozitë shqiptare në Paris, ku mund të takojë ndonjë shqiptar, i cili mund ta ndihmonte të gjente adresa shkollash, ku ai të përfeksiononte dijet e tij”. (“Avni Rustemi para organeve hetimore dhe gjyqsore franceze”, Jusuf Alibali, ”Studime historike” nr.2, 1964, faqe 216).
”Kështu Avni Rustemi gjeti rast të shkojë në këtë ekspozitë, të njihej me Gjergj Gogën, të mësonte prej tj se ishte sekretar i Esat pashës dhe se banonte së bashku me të në hotelin “Kontiental”, në rrugën “Kastilione”, ( po aty).
Nuk po zgjatem në hollësi të tjera të këtij atentati, sepse vitet e fundit, përvec romanit tim “Atentat në Paris”, mbi motivet e tij skecisto-rrëfenjëtari dhe publicisti i dalluar Pëllumb Kulla, ka shkruar dhe vënë në skenë dramën modeste “ Dy krisma në Paris”. Por ka rëndësi të vecantë ky fakt: Avni Rustemi, si gjatë procesit hetimor, ashtu edhe gjyqsor, i përmbahet tezës së vrasjës së Esat Toptanit pa paramendim, vrasje e kryer nga ai vetë, pa asnjë shtytje tjetër, sidomos nga qeveria e Tiranës, e cila, nga sa pamë, ishte e interesuar që të eleminohej fizikisht ky tradhtar, tepër të rrezikshëm për fatet e Shqipërisë në atë periudhë.
Jo më kot një ditë pas atentatit, pra, më 14 qershor, kur jo vetëm shtypi francez, por edhe ai botëror shkruante për këtë atentat, duke e cilësuar gabimisht Esat pashën kryeministër të Shqipërisë, në gazetën “Ymanite”, botohej ky njoftim:
”Zyra e shtypit shqiptar, është e autorizuar të deklarojë se Esat Toptani nuk kishte ndonjë funksion zyrtar, për më tepër, kurrë nuk ka qenë kryetar i shtetit shqiptar ose kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes, sic e kanë quajtur gazetat franceze. Të drejtat e popullit shqiptar i mbron delegacioni i qeverisë së ligjshme, i zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës, i cili prej kohësh ndodhet në Paris”.
Por të kthehemi përsëri te procesi gjyqsor kundër Avni Rustemit që u zhvillua ne Paris në fund të nëntorit dhe fillimit të dhjetorit të vitit 1920. Në librin e tij ”Kujtime” Eqrem bej Vlora shpreh habinë se si ”…Drejtësia franceze me një manipulim të habitëshëm të ligjit e nxori te pafajshëm Avni Rustemin dhe se qeveria shqiptare e shpalli hero dhe e bëri deputet, kur ky vrasës i pabesë pra, kapardisej nër Tiranë dhe brohoritej si ndonjë shpëtimtar i atdheut. Ky shembull u tregonte gjithë djemv shqiptarë se si me anë të një plumbi të shkrehur nga prapa shpinës si burracakët, mund të bëhesh njeri i madh”. ( faqe 215).
Eshtë për të ardhur keq se si Eqrem Vlora, të bëjë një gabim kaq të trashanik, kur nënvizon fjalëm “manipulim të ligjit nga drejtësia franceze”. Për sqarim, prokurori Blosh Larok në pretencën e tij kërkoi qëAvniu të dënohej me vdekje, sipas neneve përkatëse të Kodit Penal, sepse kishte krye një veprim tërësisht të vullnetshëm, pra me paramendim. Por ishte mbrotja që Rustemi i bëri vetes me guxim dhe gjakftohtësi, pastaj edhe mbrotja e avokatit dë Monzi, dhjetëra e dhjetëra letra dhe telegrame që ishin drejtuar Ministrisë se Drejtësisë së Francës dhe gazetave franceze nga tërë anët e Shqipërisë, madje dhe nga mërgimtarët shqiptarë në Amerikë, ku kërkohej lirimi i Avni Rustemit, këtij biri të shtrenjtë të popullit shqiptar, që kishte vrarë një përbindësh tradhtar, të cilat ndikuan te juria, sic dihet e përbërë nga njerëz të profesioneve të ndryshe midis të cilëv dhe të thjeshtë, që kështu Avniu të dilte i pafajshëm dhe të lirohej që në sallën e gjyqit. Po citoj vetëm njërin prej këtyre telegrameve:
”Populli i Vlorës në një miting madhështor të mbajtur sot, vendosi t’i bëjë thirrje ndërgjegjes së së lartë të Gjykatës së Parisit. Ai pret që të merret parasysh dëshira e flaktë e popullit shqiptar, që të lerë të lirë studentin tonë, Avni Rustemi, i cili bëri një vepër patriotike duke qëlluar Esat Toptanin dhe duke cliruar atdheun tonë nga një e keqe shkatërrimtare. (“Dokumente dhe materiale historike”, Tiranë1959).
Por edhe më dërmuese ndaj pohimeve shumë të gabuara të Eqrem bej Vlorës është një dorëshkrim që ruhet në Arkivin Qendror Historik të Shqipërisë, ku nënvizohet:
“Verdikti i pafajësisë që u dha është dëshmi e drejtësisë që i bëhet ceshtjes shqiptare, të njohur keq deri tani, si dhe një përgjigje e mirë e thirrjes së një populli që lufton me dëshpërim për lirinë dhe pavarësinë e vet”. (AQSH, fondi “Avni Rustemi”, dosja 19, faqe 2-4.)
Lind më të drejtë pyetja: “Po si nuk u dërgua nga mbështëtësit e Esat pashës”, të paktën në Tiranë, qoftë një telegram, a dy gisht letër, ku të kërkohej dënimi me vdekje i Avniut, që kishte vrarë këtë “atdhetar” të madh shqiptar, si nuk nuk u ngrit nga populli shqiptar qoftë dhe një këngë për të. Ndryshe ndodhi me Avni Rustemin, të cilit kudo, anembanë Shipërisë u ngritën këngë si kjo:
“O Avni Rustem Marina, / Shkove burra, shkove trima, / Qëllove si vetëtima, /
Si vetëtima qëllove, / Esat pashën c’e rrëzove!/ Shqiperinë c’e shpëtove!”
Ja dhe vargje nga një këngë kosovare:
“Po lyp hanmi ni fidai, /N’Paris t’Francës për me hi, /Esat pashës me i ra n’allti,/ Se po e shet ate Shqipni”.
Dhe theksoj se këto këngë kushtuar bëmës së madhe historike të Avni Rustemit nuk u krijuan në kohën e mbretërimit të Zogut, as në kohën e pushtimeve nazi-fashiste, as në periudhën e diktaturës komuniste, por fill pas vrasjes së Esat pashës më 1920.
Sic e pamë më sipër, Mustafa Kruja shkruan: “Avniu tue shkue në Paris, e kishte damë me vet veti, por ishte i papasun e s’kishte pare a shpenzime rruge, as për banim etj, deri sa të vinte ora e gjestit që kishte damë me krye….” Dhe më poshtë tregon se ato para i ishin dhënë nga Ahmet Zogu..
Për saktësi, sic kam venë në dukje më sipër, kur arriti në Paris pas udhëtimit nga Tirana në Romë, Avniu kishte me vete një shumë rreth 9000 frangash franceze, tepër e madhe për një student. (AQSH, fondi “Avni Rustemi”, dosje nr.2, proces-verbali hetimor pas atentatit mbajtur në zyrat e e hetuesisë së burgut “Santé” në Paris, të cilit do t’i referohemi herë pas here).
Të vazhdojmë përsëri me letrën e e Mustafa Krujës drejtuar at Paulin Markgjokajt.
“Me këto pare niset Avniu prej Tirane në Romë ku ndalet pak ditë dhe ku i bien në erë punës edhe 3-4 nacionalistëve mandej can në Paris…”.
Por Esat Dishnica, sic përmenda më sipër gjatë takimit që kam pasur me të më pati pohuar të kundërtën:
“Ne, studentët në Romë, kur morën vesh bëmën e Aviut, të cilën e përshkruanin tërë gazetat franceze dhe italiane, mbetem të habitur. Ndaj, kur ai pas gjashtë muajve të kaluara në burgun, ku i rrinte mbi kokë aktakuza për vrajse me paramendim, që do të thoshte se do t’i pritej koka në gijotinë, u kthye në Romë e që andej në Tiranë, e pyetëm: ”Mirë që ti, Avni,nuk na the as edhe një llaf se c’akt do të kryeje në Paris, por edhe neve nuk na shkoi ndërmend se për cfarë po përgatiteshe”.
Po kështu, nga sa kujtonin Sejfulla Malëshova dhe Reshat Këllici, e kishin pyetur edhe ata Avniun kur ishin takuar me të në Tiranë.
“Në një nga bisedat tona, – më thoshte xhaxhai, kur po përfundonte librin e tij “Me djemtë e “Bashkimit”, botuar, sic thashë në pjesën e parë më 1964, së bashku më Sejfullain e kemi takuar shpesh Avniun. Jemi njohur me të në bangat e Kolegjit Italo-Arbëresh të Shën Mitër Koronës në Kalabri, ku kemi kaluar katër vjet së bashku më shokë të tjerë.Ai kurrë nuk ka folur me hollësi rreth këtij atentati dhe as për gjashtë muajt e kaluar në burg ..”.( Kjo,vec tëtjerash, dëshmon se ai kërkonte lavdi nga ky akt, nuk kërkonte bujë gazetash, se ai ruajti deri ne vdekje një vendim kaq të madh për fatet e popullit tonë, që ende nuk ishin zgjidhur plotësisht).
Nuk po zgjatem në hollësi të tjera të këtij atentati, sepse për të është shkruar gjatë. Por një fakt ka rëndësi: Avni Rustemi i përmbahet tezës së vrasjes pa paramendim, të kryer nga ai vetë pa asnjë shtytje tjetër, sepsë nuk donte në asnjë mënyrë që autoritetet hetimore e pastaj gjyqsore franceze të dyshonin së mos ai ka qenë i shtyrë dhe financuar prej qeverisë së Tiranës, fakt i cili mund të jetë i vërtetë, po t’i referohemi letrës së Mustafa Krujës, ku nga sa pamë, ai shkruan se paratë për të shkuar në Paris ia ka dhënë Ahmet Zogu, pra ministri i Brendshën i qeverisë së Tiranës.
Nëse Avniu e mbrojti veten me tezën se e vrau rastësisht Esat pashën, pa paramendim, këtë natyrisht e bëri, pse jo, që edhe t’i shpëtonte dënimit me vdekje. Dhe bëri mirë, aq me tepër që e mbrojti veten me dinjitetin e një trimi të rallë. Herozmin e tij e përforcon edhe fakti se ai ishte i ndërgjegjshëm se sado që të mbrohej me këë tezë, vështirë t’i shpëtonte dënimit me vdekje. Dhe, sic e pamë, kështu ndodhi.
Atentatorët politikë që ka njohur historia, vërtet kanë kryer akte të tilla ndaj personave kundërshtarë, por qoftë vetëm ose me ndihmën e të tjerëve, kanë arritur të humbasin gjurmët, ose janë kapur më pas.
Avni Rustemi mund ta kryente atentatin e tij edhe me ndihmën e ndonjë ose disa mërgimtarëve që jetonin dhe punonin në Francë. Nuk ishte e pamundur që të tillë mërgimtarë të gjenin një makinë, qoftë dhe me qira, në të cilën pas atentatit Avniu të futej në të e bashkë me ta të zhdukej e të humbte gjurmët në Parisin gjigand, ku atëherë jetonin rreth 5 milionë banorë. Mirëpo ai nuk pati në ndihmë askënd, qëlloi, vrau një tradhtar dhe qëndroi, i bindur se do të kallej në burg, por edhe do të dënohej me vdekje, sado që do të mbrohej me tezën e vrasjes pa paramendim të një tradhtari shumë të rrezikshëm ndaj fateve të atdheut. Dhe kishte një arsye shumë objektive që veproi në këtë mënyrë. Sikur ta kryente atentatin në bashkëpunim me shqiptarë të tjerë, kishte shumë gjasa se do të zbulohej se ai ishte ndihmuar për të kryer atë nga njerëz me ndikim në qevërinë e ligjshme në qeverinë e Tiranës, në mos nga ajo vetë.
Një akt të tillë heroik, mund ta bëjë vetëm një njeri që nuk njeh vdekjen. E kanë bërë këtë akt me hara-kiri besnikët fanatikë të perandorit japonez gjatë Luftës së Dytë Botërore. E kanë kryer dhe e kryejnë sot edhe fondamentalistët islamikë, por për qëllime terroriste. Kurse Rustemi, e kreu atë për hir të atdheut.
Por të përmendim raste atentatesh të tilla bujshme historike, ku atentatorët, ndryshe nga Avni Rustemi, ia kanë mbathur dhe kanë humbur ose janë përpjekur të humbin gjurmët:
Xhon Bushi më 14 prill 1865 vret në teatrin “Ford” të Uashingtonit presidentin amerikan Linlkoln. Arrin të zhduket, për t’u kapur dhe vrarë më vonë.
Më 28 qershor të vitit 1914 studenti boshnjak, Gavrillo Princip, vret në Sarajevë Franc Ferdinandin, princin trashigimtar të Austro-Hungarisë. Përpiqet të largohet, por kapet.
Më 30 qershor të vitit 1918 Fania Kapllan qëllon dhe plagos Leninin në një miting të mbajtur në Petrograd. Kërkon të të humbasë gjurmët, por kapet.
Më 22 nëntor të vitit 1963 Li Osvoldi qëllon dhe vret nga catia e një godine në Dallas presidentin amerikan Kenedi. Kërkon të largohet, por kapet.
Nga atentatet e kryera në Shqipëri:
Në mars të vitit 1913 Osman Bali, me urdhër të Esat pashës vret Hasan Riza pashën, komandantin turk të garnizonit të Shkodrës që po mbronte këtë qytët nga rrethimi serbo-malazez dhe humbet gjurmët.
Në pril të vitit 1924 Isuf Reci vret Avni Rustemin pas shpine në Pazarin e ri në Tiranë dhe fshihet. Vritet më 1944 nga forcat partizane.
Më 1931 Aziz Cami me shokë kryen në Vjenë atentat kundër Zogut, por në vend të tij vritet adjutant, Llesh Topallaj . Azizi bën përpjekje të largohet, por kapet nga policia austriake.
Më 1926 Myslym Peza vret në fushën e Namasgjasë në Tiranë Osman Balin dhe zhduket.
Gjatë Luftës Nac .CL. Lym Keta dhe të tjerë guerrilas kanë kryer atentate kundër gjerarkëve fashistë dhe u kanë shpëtuar ndjekjeve të pushtuesve italianë dhe gjermanë.
Kurse Avni Rustemi pasi vrau Esat pashën, për arsyet që janë shpjeguar më sipër, nuk lëvizi nga vendi, edhe pse e dinte se po shkonte drejt vdekjes së sigurtë.
Sidoqoftë, disa nga enigmat, për të cilat u shkrua më sipër, mbeten, sidomos enigma më e madhe: Kush e mbështeti Avni Rustemin të shkonte në Paris për të vrarë Esat pashë Toptanin dhe cili, ose cilët qenë ata që i dhanë shumën e parave që do t’i duhej për të qëndruar në Paris, deri ditën që do të kryente këtë vepër të madhe atdhetare?…
Si i kaloi Avni Rustemi gjashtë muajt e burgimit, sidomos pas datës 10 shtator 1920, kur atij iu dorëzua në qeli aktakuza e vrasjës së Esat pashës prej tij me paramendim? Cilët ishin shqiptarët që morën pjesë në procesin gjyqsor kundër Avni Rustemit, në ditët fundit të nëntorit dhe fillimit të dhjetorit të vitit 1920? A u takua Avniu me shqiptarë, pasi u lirua nga burgu?A u shoqërua me ta ato ditë?
Cfarë itinerari zgjodhi ai për t’u kthyer nga Parisi në Shqipëri? Udhëtoi vetëm, apo me ndonjë shok? Ku përfundoi revolveri “Smith&Uesën”, që përdori Avni Rustemi për të vrarë Esat pashë Toptanin dhe që shërbeu si “corpus delicti” gjatë procesit gjyqsor?
Kur do të kemi në Arkivin e Shtetit dosjen e procesit gjyqsor të Avni Rustemit? A mund të bëhen sot përpjekje nga ambasada jonë në Paris që kjo armë të gjendet, të sillet në Shqipëri dhe të vendoset në një stendë të Muzeut Historik Kombëtar?
Sa shumë enigma e mbështjellin atentatin e Avni Rustemit më 13 qershor të vitit 1920…
Komentet