Stërgjyshi Antonio dhe gjyshi i Zbuluesit të madh, Xhovani Kolombi, qenë fshatarë nga Mokonezi, një fshat në malin Kiavari, ku vinte gruri i bartur me mushka nga Pianura Padana, nga Piaçenca.
Mullinjtë e Mokonezit dhe të fshatrave për rreth e bluanin grurin, duke shfrytëzuar ujërat e një lumi të bollshëm. Po me mushka mielli transportohej pastaj në Kuinto. Në ditët tona Kuinto është një nga rrethinat e qytetit të Gjenovës. Në ato kohëra ai ishte një fshat në breg të detit, pesë milje në lindje të qytetit (prandaj dhe quhet Kuinto, që do të thotë pesë milje).
Ka mundësi që paraardhësit e largët të Kolombit të kenë ardhur në Mokonezi nga Piaçenca, duke përshkuar rrugën e mushkave, që për shkak të transportimit të grurit quhej Rruga e Bukës. Nëpër Rrugën e Bukës Xhovani u shpërngul në Kuinto, ku vazhdoi të mirrej me punimin e tokës. Këtu lindi i biri, Domeniku, i cili mësoi mjeshtrinë e leshpunuesit dhe u shpërngul pastaj në Gjenovë.
Nga viti 1439 deri në vitin 1447 Domeniku e ushtroi zanatin e leshpunuesit në Gjenovë, ku lufta midis partive të Adornëve dhe të Fregozëve ishte shumë e mprehtë.
Le të dëgjojmë dëshminë e një historiani, pothuajse bashkëkohor. “Në vitin 1447, – shkruan Xhustiniani i shquar, – me 4 janar, u zgjodh Dozhë Barnaba Adorno, gjë që ishte kurdisur e gjitha nga tarafi i Adornëve. Por sundimi i Barnabasë qe shumë i shkurtër, sepse me 30 janar Xhani da Kampo Fregozo, i cili për katër vjet me rradhë i kishte nxjerrë shumë telashe partisë së Adornëve, provoi të bënte një aventurë. Dozha Barnaba Adorno kishte një numur të madh ushtarësh, midis të cilëve ndodheshin gjashtëqind luftëtarë të zgjedhur që ia kishte dërguar mbreti Alfons i Aragonës. Xhani vjen natën me një galerë të vetme, futet në qytet dhe me tetëdhjetë e pesë luftëtarë shumë trima sulmon pallatin dukal. Atje i bënë një rezistencë burrërore dhe u zhvillua një përleshje e egër, aq sa të gjithë ata që ishin me Xhanin u plagosën, por megjithatë trimëria dhe vendosmëria e Xhanit qe aq e madhe, sa doli fitimtar dhe pushtoi selinë e dozhës”.
Domenik Kolombi ishte një nga ata të shumtët që, brenda mureve të qytetit, morën pjesë në përleshje në anën e Fregozës. Ai ishte, siç jemi mësuar të themi sot, një aktivist. Një aktivist i vendosur dhe i sprovuar. Dhe në fakt, me 4 shkurt, domethënë pesë ditë më vonë, dozha i ri Xhani emëroi “si roje të kullës dhe të portës së Olivelës të përzgjedhurin e tij Domenik Kolombin”.
Detyra e rojes së portës, një detyrë delikate dhe e pagueshme, zgjaste sipas zakoneve të atëhershme trembëdhjetë muaj. Me 5 nëntor të vitit 1448 kulla e Olivelës nuk i besohet më kujdesit të Domenik Kolombit.
Në verën e vitit 1450 një Fregozë tjetër, Pjetri, zuri postin e dozhës dhe e riemëroi aktivistin besnik Domenik Kolombi në detyrën e rojes së portës. Kjo ndodhi me 1 tetor të vitit 1450.
Ndërkohë Domeniku qe martuar me Suzana Fontanarozën, që i pati sjellë si pajë një shtëpi dhe një copë tokë në Kueci.
Në vitin 1451 lindi Kristofor Kolombi në shtëpinë që ndodhej
në rrugën Olivela ose mbase në Kuinto, po qe se e ëma pati shkuar për të lindur, sikundër ishte zakoni atëherë, në shtëpinë e vjehrrit.
Në vitin 1455 Domeniku u shpërngul në një shtëpi tjetër në rrugën Viko Dirito, që gjithashtu ndodhej në famullinë e San Stefanos, në lokalitetin e Sant Andrea di Pontiçelos.
Gjatë pesë shekujve që na ndajnë nga ato kohëra shtëpia është meremetuar dhe rikonstruktuar, por ka mbetur po në atë truall që ka qenë, pesëdhjetë metra nën Portën e Sant Andreas, e cila ruan pamjen që ka patur në ato kohëra. Në katin e poshtëm ndodhej dyqani i babait për punimin e leshit, në katet e sipërme ndodheshin kthinat për banim. Drita ishte e pakët, sepse shtëpia ishte e ngjitur me godina të tjera, që vinin rradhë njëra pas tjetrës në një rrugë të ngushtë. Prapa, midis vargut të pandërprerë të ngrehinave dhe të mureve të qytetit, kishte ca hapësira të vogla: këta ishin rripa të ngushtë toke, që quheshin kopshte. Një copë tokë ishte e Kolombëve. Kjo copë tokë përkon me truallin ku qe rindërtuar Kuvendi i vjetër i Sant Andreas.
Fantazia e një fëmije të zgjuar duhet të ketë vuajtur shumë nga një ngushtësi kaq e madhe midis dyqanit dhe kthinave të banimit, ku e ëma përkujdesej për fëmijët e tjerë më të vegjël. Mbase dhe mund të jetë tronditur.
Ja, pra, përfytyrimi i parë që kemi për Kristofor Kolombin: ai mësoi të kuptonte lumturinë e paarritshme të ëndërrave. Që në fëmini ëndërroi pafundësinë e hapësirave në një cep të dhomës së errët, në të njëjtën mënyrë sikundër një tjetër italian i madh, Leopardi, do të përjetonte horizontet e pakufishme dhe të largët nga një qoshe e kopshtit të rrethuar me gardh.
Përtej mureve të shtëpisë, përtej kopshtit ishte qyteti: Gjenova ose Gjena, sikundër e quanin bijtë e saj dhe, si rrjedhim, edhe Kristofor Kolombi.
Gjenova, bukuroshja, e cila e detyron të lëshojë pasthirrma mrekullimi atë që e sheh për herë të parë nga deti.
Gjenova, krenare për kishat, shtëpitë dhe pallatet e saj. Për shkallën monumentale të mbisunduar nga fortesa e Kasteletos. Gjithmonë e pasur, e pasur edhe sot e kësaj dite.
Gjenova, shtriga që të magjeps dhe të robëron, por që nuk mund të të japë asgjë, e mbyllur në mes të maleve, pa tokë, që duke mos qenë krejt shpërnjohëse, pllenohet vetëm me disa barëra thatanikë dhe shkurre të shtrembëruara nga erërat e detit. Nuk mund të të japë asgjë dhe prandaj të shtyn drejt detit, që është gjithçka për të, prej të cilit merr çdo gjë dhe i jep vetëm punën, këmbënguljen, zellin dhe zgjuarësinë e bijëve të saj.
Gjenova, kjo zanë me gratë e saj të druajtura, por të zgjuara dhe të pakursyera në dashuri; me detin e saj pa plazhe, që të fton dhe të detyron të futesh në thellësi; me qiellin e saj të kulluar, plot dritë gjatë ditëve të shumta kur fryn tramontana, një qiell që të mbush me gëzim; me faltoret e saj në majë të maleve që të shkëpusin nga dashuritë, deti, qielli dhe të kujtojnë Zotin.
E tillë është Gjenova edhe sot e kësaj dite, megjithëse e shpërfytyruar pak nga punishtet dhe nga ndonjë zhgarravinë arkitektonike. E tillë ishte Gjenova edhe në ato kohëra. Kanë mbetur shumë nga ato që ishin, sepse malet e kanë mbrojtur nga molepsjet e mëdha dhe deti nuk ka pësuar asnjë ndryshim.
Është krenare po ta shikosh nga deti, janë krenarë pallatet, kishat, rrugët dhe sheshet e saj kryesore. Dhe çfarë labirintesh në mes tyre! Rrugë e rrugica të mbajtura keq, të lëna pas dore, ku në çdo hap të pengojnë harqet, urat, trarët, shkallët, bankat dhe më në fund ngrehina të vërteta prej druri të mbeshtetura pas godinave të mëdha që arrijnë deri në lartësinë e katit të parë, duke të kujtuar tavernat në Romën para Augustit.
Krenare, por e mbyllur dhe e ngushtë.
I tillë ka mbetur për shekuj karakteri i gjenovezëve, i tjetërsuar dhe i thellë për gjëra të mëdha: për muret, kullat, portat, pallatet, kishat, portin në det; i kursyer dhe nopran për gjërat e jetës së përditshme, që ata e kalojnë nëpër rrugica të errëta, të thepisura dhe dredha-dredha.
Në këtë Gjenovë u lind dhe u rrit Kolombi.
Nëpër rrugët e ngushta të kësaj Gjenove ai pati bërë hapat
e parë bri të ëmës dhe të atit. Në këto rrugica qe ndeshur me aventurat e
para të fëminisë.
Nga Viko Dirito, që ndodhej mu nën portën e Sant Andreas, nga njëra anë, dhe në rrëzë të kodrës së Molçentos, në anën tjetër, Kristofori fëmijë shkonte shpesh në kishën e Santo Stefanos, në famulli. Shpesh kalonte para Pallatit Dukal, ku vinin kaluar mbi kuaj prijësit e familjeve të Fregozëve, Adornëve, Spinolëve dhe Fieski. Shpesh shkonte në Via Rexhia për të parë baldakinët e zonjave.
Nuk ka të ngjarë që Kristofori të ketë provuar ndonjë kënaqësi nga përjetime të tilla. Nuk ka të ngjarë as që këto përjetime t’i kenë ngjallur ndonjë interes të veçantë. Ai mësonte në shkollën fillore të Korporatës së leshpunuesve. Mësonte në gjuhën gjenoveze fenë, arithmetikën, gjeografinë dhe merrte konceptet e para të artit të lundrimit. Shkruante në latinishten e asaj kohe, që kishte ndryshuar shumë në krahasim me atë të Jul Çezarit dhe të Ciceronit, por që sidoqoftë ishte gjuha zyrtare e Kishës dhe e dokumenteve të Republikës së Gjenovës.
Që në moshë të njomë, sikundër e pohon edhe vetë, Kristofori filloi të lundronte, por me siguri, dhe kjo ka më shumë të ngjarë, ai do të ketë patur kontakt edhe më parë me detin. Por ku?
Në port dhe në plazh.
Në port: nuk ishte e vështirë për një fëmijë të futej pa u vënë re dhe pa rënë në sy në turmën shumëngjyrëshe të njerëzve. Anije dhe marinarë që flisnin gjuhë të ndryshme vinin nga të gjitha viset e Mesdheut – nga Lindja dhe Perëndimi, si edhe nga Portugalia, nga Flandra dhe Anglia. Sa shumë vela që kishte! Sa kallumna hepoheshin, lëkundeshin, haseshin e përplaseshin.
Dhe mbi të gjitha e kudo kundërmimi i detit, një kundërmim ngacmues dhe tërheqës.
Ja dhe përfytyrimi i dytë: Kolombi, shtatë apo tetë vjeç, duke u sorollatur nëpër kalatat e portit, duke ndalur herë pas here për të parë lëvizjet e anijeve me vela, manovrimet e velave, të timonit, të ankorës, për t’u larguar apo për t’u ankoruar në port. Dhe ëndërron. Ëndërron të ndodhet një ditë prej ditësh në një nga këto anije që po largohen nga porti në drejtim të detit të largët, ku kundërmimi i kripur nuk është i ndotur, në drejtim të porteve të tjerë, drejt qyteteve të tjerë, drejt njëqind qyteteve, ku jetojnë dhe nga vijnë të gjithë këta njerëz të shumtë të ndryshëm dhe të çuditshëm.
Nuk ka të ngjarë që Kristofori të ketë shkuar në detin e Albaros apo dhe vetëm në zallishten e grykës së Bisanjës. Nuk ka të ngjarë, sepse për të bërë një gjë të tillë duhej të dilje nga qyteti dhe të bëje disa kilometra në fushë të hapët. Në ato kohëra të dilje nga qyteti ishte problem për një të rritur dhe jo më për një fëmijë.
Pjesa më e madhe e grave dhe madje edhe mjaft burra në atë kohë lindnin, jetonin dhe vdisnin brenda rrethit të mureve të qytetit. Kështu ndodhte në Gjenovë, sikundër edhe në qytete të tjera të Italisë, Provansës, Francës dhe Flandrës.
Natyrisht, nuk ështja fjala për Domenik Kolombin, artizan dhe tregtar, aq më tepër aktivist partie. Nuk bëhet fjalë as për Suzana Fontanarozën që kishte lindur në Kueci.
Megjithatë, po qe se Kristofori do të ketë dalë jashtë mureve të qytetit, këtë do ta ketë bërë i shoqëruar nga i ati ose e ëma, ose nga të dy prindërit sëbashku. Po për të shkuar ku?
Në Kuinto.
Në Kuinto ishte akoma shtëpia e gjyshit. Një nga shtëpitë tipike të fshatarëve liguras: katër mure të ndarë në një farë lartësie nga një tavan prej dhogash. Një shkallë e ngushtë prej dhogash që të shpie nga kati përdhesë në katin e sipërm. Në katin përdhesë ndodhen porta e hyrjes, vatra e zjarrit, shpesh ndonjë lopë, ndonjë viç, ndonjë gomaricë, disa vegla pune dhe zaire ushqimesh të përkorme. Këtu nëna përkujdesej për fëmijët duke tjerrur lesh apo duke thurur, në rast se nuk shkonte për të ndihmuar të shoqin në punët e rënda të bujqësisë. Vajzat që ishin pak më të mëdha i rrinin rreth e rrotull, duke punuar edhe ato apo duke zierë në zjarr kusinë plot me barishte të mbledhura, të gatuara me vaj dhe kripë, “prebuxhion”, sikundër e quanin këtë lloj gjelle. Në dhomën sipër ngjiteshin për të fjetur natën prindërit dhe fëmijët e të dy sekseve, duke u ndarë nga njëri tjetri me kallama.
Kristofori me siguri do të ketë jetuar në shtëpinë e gjyshit në Kuinto, në vitet e para të ekzistencës dhe më vonë gjatë verës apo gjatë të korrave të varfëra të vjeshtës. Nga kjo shtëpi nuk ishte e vështirë të zbrisje nëpër lëndina dhe gërxhe deri në det.
Në ditët e sotme e gjithë kjo zonë është mbuluar nga shtëpitë, asfalti dhe ngrehinat e mbishtuara. Por afërsia e detit me shkëmbinjtë, që herë janë të përhimë dhe herë të errët, ka mbetur po ajo që ka qenë.
Edhe sot e kësaj dite ai që qëndron sipër ndonjërit prej këtyre shkëmbinjve dhe arrin të përqëndrohet në vetëvete, duke harruar rrëmujën arkitektonike dhe zallamahinë e qytetit që e ka prapa krahëve, mund të ringjallë ndiesitë që pati provuar me siguri Kristofor Kolombi. Ndiesitë e një deti me horizont të pafundmë, rrallëherë të qetë, shpesh të trazuar, me ngjyra të ndryshueshme, me shirita të kaltërt, herë bojë qielli të hapët, herë në një blu të thellë, dhe nga një herë në një blu aq të thellë sa të duket sikur është në ngjyrë vjollcë apo krejt i errët.
Nuk janë kurrë ndiesi të ëmbla, as kur qielli është i pastërt dhe ujërat janë jashtëzakonisht të qeta. Janë gjithnjë ndiesi të forta, violente, që e kalisin karakterin, duke e shtrënguar të bjerë në meditime të thella dhe të heqë dorë nga çdo mendim i sipërfaqshëm dhe i lehtë.
Dhe pikërisht sipër këtyre shkëmbinjve më tepër se sa në portin e Gjenovës Kristofori do të jetë njohur për herë të parë me detin.
Dhe ja një përfytyrim i tretë për Kolombin fëmijë. Ai tashmë kishte mësuar të notonte në një det që është më mirë të mos i afrohesh, po nuk dite të notosh, kaq i ngushtë është plazhi. Ai tashmë e kishte njohur detin dhe e kishte dashuruar. Dhe e vështronte. Për një kohë të gjatë rrinte duke e vështruar ulur sipër ndonjë shkëmbi. Nuk ëndërronte më për horizontin, sepse e kishte para syve, e shihte. Endërronte për ditën kur do të shkonte më në fund ta prekte.
Komentet