Jeta e njeriut është shumë e shkurtër. Po edhe sikur të jetoja një mijë vjet, unë s’do ta harroja kurrë Marien.
Marie quhej mushka që na sillte ushqimin e drekës. Ajo tani ishte një mushkë e thyer në moshë dhe vinte e pakët, e dobët dhe e kërrusur. Sikur njerëzit të ishin disi më njerëzorë me kafshët, ajo duhej të ishte çmbrehur prej kohësh dhe të ishte lënë të ngryste e qetë ditët e fundit të pleqërisë së saj. Po ashtu, siç ishin shtazorë me njëri-tjetrin, njerëzit s’dinin se si të ishin njerëzorë me kafshët. Dhe mjerë ato kafshë të mjera që ishin më afër me ta.
Për fatin e saj të hidhur, Maria ishte shumë afër me njerëzit, e kish vënë perëndia drejtpërdrejtë në shërbim të tyre.
E mbrehur përpara karrocës, e lodhur dhe e mbërthyer me rrypa e litarë, e kërrusur dhe e tendosur nën peshën që tërhiqte, ajo u binte kryq e tërthor tërë rrugëve të fermës, nga furra e bukës në dyqanin e ushqimeve, nga menca e punëtorëve në brigadat e fushës, nga njëri sektor në tjetrin.

Ajo ish një personazh i njohur në fermë. Emri i saj ish një ndër emrat më popullorë.
– Erdhi Maria! Erdhi Maria! – dëgjohej anembanë fushës e thirrura jonë në kohën e pushimit të mesditës kur prinim të na vinte ushqimi i drekës.
– Erdhi Maria! Erdhi Maria! – përsëritej emri i saj nga brigada në brigadë.
Karroca me dy rrota gome përkundej e kërcente në gropat e rrugës. Mbi kryet e karrocierit, një copë katrema e rrëmbyer nga era, e shqyer përgjysmë nga streha e gjysmëkabinës, tundej ritmikisht sikur më përshëndeste.
– Erdhi Maria!
Ajo nuk nxitonte. Ajo s’kishte fuqi të nxitonte në atë moshë. Vrapi saj kishte mbaruar prej kohësh dhe tani të vinte keq tek e shikoje të merrte një turr të shkurtër prej plake, e detyruar nga fshikullimat e kamzhikut të karrocierit. Ai e rrihte kot të gjorën kafshë. Dreka jonë vinte me shumë vonesë, po se mos ishte faji i saj. Ajo nisej nga kuzhina kur e nisnin. Dhe vërtet ecte ngadalë, po ecte gjithnjë dhe atë që s’e arrinte dot me shpejtësi e fitonte në kohë. Po të varej prej saj, ajo do të mund të arrinte në kohën e duhur tek ne. Po nuk varej asgjë prej saj. Dhe ai e rrihte.
Komentet