Në një shkrim që pati mirsin të më botojë “Immigranti” në numrin e tij 24 me datë 18.II.926 ndën titullin: “Pyetjet e Faik Konicës e përgjegjet e mia” kisha thënë dy fjalë në P.S. edhe për profesorin italian nga fara shqiptare, sig. Francesco Argondizza. Duket se ky Zot tepër pak e kupton shqipen. Kur ka kënduar fjalët e mia q’ i përkisnin s’do të ketë pasur pranë ndonjê përkëthenjës të mirë si atë q’i shqipton artikujt e tij në gazetën “Dielli”. As është interesuar t’a gjejë më vonë.
Kisha thënë atëherë: “Kjo përgjegje e ime vlen edhe për korrespondencën e botueme në gazetën “Dielli” nr. 198 me datë 29.XII.925 prej z-it Argondizza, qi qênka informue aqë mirë mbi veprimet t’ona, sa mos me na dijtun as vêndin se ku ndodhemi. Si duket, Z. e tij do të vazhdojë të na shohë gjithnjë në Vjenë a ç’e dij un se ku nëpër qêndrat politike t’Evropës, edhe në qoftë se do të jemi n’atë jetë prej plumbit të ndonjê sikari të qeveritarvet të mirë të Shqipnís së sodshme apo prej vdekjes naturale!”.
As unë vetë s’isha aq’ i bindur, kur shkruaja, se me këto fjalë po bënja një gjysëm profetie! Teleskopi i sig. Argondizzës me të vërtetë vazhdon edhe, pas kaqë kohe, të më shohë gjithnjë në Vjenë, në shërbim të bolshevikvet e në rrogë të tyre dhe… ata bënë në “rrogë të majme” në “rrogë pa cak e pa kufi”! (Shiko gazetën “Dielli” nr. 564 me datë 8 Qershor 1925).
Besoj të mos ketë mbetur asnjê shqiptar nga ata që rrojnë n’ Evropë i cili të mos ketë marrë vesh se ku jam unë e si jetonj. Po mbushet viti që kam zënë vênd në këtê qytet të Dalmatís me gjithë fëmijë ku jeta kushton më lirë se në viset tjera t’Italís e ku, bashkë me një shok, kam hapur njê dyqan të vogël duhani e cigaresh për të fituar njê copë bukë me djersë e me nder. A ësht’e mundur që i vetmi sig. Argondizza të mos e ketë mësuar këtê? Do t’ishte njê informator shumë i keq për gazetën “Dielli” dhe Presidentin e Republikës së tij! Ç’është pra shkaku që ngul këmbë në çpifje aqë të poshtra dhe çpifje foshnjesh? Asgjë tjetër veç asaj që ka shtyrë dhe mjeshtrin e tij, Z. Faik Konica, të më shajë me të tërë agjektivat e tij duke heshtur kur unë i kam dalë në shesh të burravet me gjuhën e njeriut t’edukuar : La parola d’ordine, do të thoshte vetë sig. Argondizza! Krejt qëllimi i këtyre “mercenarve të pêndës”, si ç’i quan me arsye shoku Ali Këlcyra, është të çkreditojnë një nga një të gjithë kundrështarët e regjimit në sŷ të shqiptarvet të kolonive të largta që rrojnë ka kaqë kohë larg atdheut e që prandaj nuk janë mirë në rrjedhje të punvet. Dhe na, n’ungjemi nganjëherë të merremi me çpifjet e tyre aqë pa krypë, aqë banale dhe, në fund të fundit, aqë pa mjeshtrí, këtë e bëjmë, më shumë se për të mbrojtur vehten, për të mos lënë ata bashkatdhetarë zêmërbardhë të bien n’ atë rrjet intrigash.
Kush ësht sig. Argondizza që kërkon të bëhet Faiku i dytë në fushën e politikës shqiptare? Nuk do t’a përshkruaj unë. Se z. e tij tërthorazi fton në stilin e edukatës pa qênë aspak nevojë. Le t’a lêmë ta bëjë ay vetë apologjinë e bukur të tij. “Ne italianët rrojmë me shqiptarët në një përçarje të pashëruarshme… etj.” (F. Argondizza, gazeta “Dielli” nr. 561).
O Zot i math! Sa fort e ke dashur këtë Shqipërín t’onë të bekuar kur ke krijuar jo vetëm shqiptarë si Faik Konicën për t’a mbrojtur prej bijvet të saj bukshkaltë, por edhe italianë zêmërbardhë e shpirtmëdhenj si sig. Argondizzën!… Megjithëqë ky, natyrisht, e don dhe e çmon më shumë një Luigj Federconi sesa një Stavro Vinjau! “Një Federconi nuk është një Vinjau” thotë.
Dhe a dini se kush ia ka kallur gjithë këtë zjarr dashurie për Shqipërinë sig. Argondizzës? “Patrioti dhe idealisti i math, Faik Konica!”, do të thoni. Mirë, më të jeni; por jo vetëm ay. Ka pasur dhe një inspirator tjetër më të hyjnuarshëm, ndofta, se Faikun! Le t’a thotë prap ay vetë cilin. Ja: “… Veç kësaj, miku im i vjetër z. Gjergj Çakua të cilin pata rastin t’a kem dy vjet si mysafir të dashur, i di të gjitha hollësirat e ofertave që më ishin bërë… etj.”
E si të mos bëhet më filoshqiptar se shqiptarët vetë një italian që ka shkuar vite me radhë në shoqërí me Faik Konicën e Gjergj Çakon? Sidomos kur ay ndien edhe pak gjak shqiptari në dejt e tij!
Duhet të dini pastaj dhe një gjë tjetër. Që sig. Argondizza qënka dhe nga ata filoshqiptarët e mëdhenj, me famë e me zotsí mondiale! Sicuro, no? Ky êshtë (apo… qënka) ay q’ i ka çkulur rrënjët Castoldit nga Shqipria me një artikull në gazetën “Il Tempo”; ky sŷ që ka shporrur Vicenzin, q’i ka thyer qafën Ledit, me një fjalë që ka tundur Consultën nga themelet dhe të tëra këto i ka bërë për të mirën e Shqipërísë. Pra është dhe i madh, i fuqishëm sa… Don Kishoti! Lum na dhe lum Shqipëria! Ç’nevojë kanë patriotët shqiptarë të çajnë kokën për atdheun e tyre kur këtij i ka falur Perëndia miq të këtillë?…
Por ja ku shoh, m’a ndien zêmra, të dashur këndonjës, se në mes t’uaj ca po më këndojnë mjaft me shqeptiqizëm. Natyrisht unë, përsa thotë sig. Argondizza vetë për vehten e tij, nuk marr përgjegjësí. E ju në mos dashi të besoni ay ju nxier dhe shahidë. Këndojeni: “Kam lëftuar, pra, sipas fuqive të mia modeste, pa patur ndihmë as nga ndonjê anë, dhe kshu edhe sot; Kryetari i Republikës Zogu dhe njerzit që janë afër tij munt t’a dëshmojnë”. Vini re mirë, pra, që z. e tij, përveç shërbimit me shtyp që ia dijmë të gjithë, ka dhe prova të tjera shërbimi kundrejt Shqipërís që ia dijnë vetëm “kryetari i Republikës Zogu dhe njerzit që janë afër tij”! Ç’doni më tjetër?…
Dhe ky fatos i korvshës shqiptare (!) të tëra këto i bëka vetëm që t’arrijë të mbushë një ambicje. Cila është kjo ambicje? Ja dhe atë ku na e thotë vetë: “… ambicja ime është ajo që ka qênë: të bashkpunonj me Kryetarin e Republikës dhe të bênj ç’të munt duke i dhênë ndihmën time që të mundë të dalë nga zoret e sotme.”
Avanti, pra, sig. Argondizza puno si ia ke nisur pareshtur e pa u lodhur; se për së shpejti do t’ia arrijsh qëllimit të lartë, do të bêhesh collega i Sotir Martinit!…
Mustafa KRUJA
Gazeta “Liria kombëtare”, 14 korrik 1926
Komentet