Autoritetet ruse kanë hequr flamurin polak nga memoriali në Pyllin Katyn që shënon zonën ku ndodhën vrasjet masive të oficerëve polakë nga forcat sovjetike në prill-maj 1940.
Zyrtarët lokalë më 25 qershor konfirmuan se flamuri ishte hequr kur kanë nisur tensionet midis Rusisë dhe Polonisë, e cila ka mbështetur zëshëm Kievin dhe ka ofruar ndihmë pas vendimit të Kremlinit për të pushtuar Ukrainën.
Andrei Borisov, kryebashkiaku i Smolensk, tha në rrjetet sociale se vendimi është marrë nga Ministria e Kulturës.
“Unë do të shpreh mendimin tim të përgjithshëm: Nuk mund të ketë flamuj polakë në memorialet ruse! Dhe pas deklaratave të sinqerta anti-ruse të politikanëve polakë, aq më tepër”, postoi ai në platformën e mediave sociale VKontakte, së bashku me një foto.
“Ministria e Kulturës e Federatës Ruse mori vendimin e duhur duke hequr flamurin polak. Katyn është një memorial rus,” shtoi ai.
Pasi nazistët shkaktuan Luftën e Dytë Botërore duke pushtuar Poloninë më 1 shtator 1939, sovjetikët pushtuan pjesën lindore të vendit, duke masakruar përfundimisht më shumë se 20,000 oficerë polakë që kishin zënë rob në Katyn.
Bashkimi Sovjetik fillimisht fajësoi nazistët për vrasjet, por në vitin 1990 i dha fund dekadave të mohimeve dhe pranoi të vërtetën./REL/eng
Ka reaguar në Twitter Ian Brzezinski nga Këshilli Atlantik si më poshtë” Rusia heq flamurin polak nga Memoriali i Katinit ku gjatë Luftës së Dytë Botërore autoritetet sovjetike ekzekutuan mbi 20,000 oficerë dhe udhëheqës polakë të mbajtur si të burgosur. Kjo është një përpjekje tjetër e #Putin për të rishkruar historinë dhe fshehur mizoritë sovjetike.”

Bazuar në raportimin e AFP dhe The Telegraph
Komentet