PRISHTINE- Gazeta Express ka siguruar nga burimet e saj rezultatin e raportit të autopsisë, ku bëhen të ditura arsyet e vdekjes së aktivistit të VV-së Astrit Dehari, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Në raport thuhet se Dehari “ka vdekur si pasojë e dëmtimeve të vetëshkaktuara”.
Pas pak në konferencë për media pritet të dalë Kryeprokurori Sylë Hoxha i cili do të prezantojë gjetjet e autopsisë. Ndërkohë, avokati i Deharit theksoi se Astriti kishte vdekur nga asfiksia, i shkaktuar nga një mjeti i fortë. Tomë Gashi tha se: “Në raport thuhet se Astriti ka vdekur nga asfiksia i shkaktuar nga një mjet i fortë. Ne do ta studiojmë këtë raport dhe do të dalim me një komunikatë”, tha Gashi. Avokati i Deharëve ka shprehur pakënaqësinë e tij në lidhje me atë që Prokuroria nuk ka lejuar që provat dhe fotografitë nga qelia ku ishte Astrit Dehari t’i ketë në dispozicion.
I pyetur nëse në raport të autopsisë ceket edhe se kush e ka shkaktuar asfiksinë Gashi tha se Instituti i Mjekësisë Ligjore jep vetëm shkakun e vdekjes ndërsa me provat tjera do të merret Prokuroria. Gashi edhe njëherë ka kërkuar nga prokurori i çështjes që të gjithë materialin që posedojnë ta kenë edhe ekspertët e angazhuar nga familja e Astrit Deharit. Astrit Dehari ka vdekur në rrethana të paqarta më 5 nëntor derisa ishte në paraburgim në burgun e Prizrenit. Ai dyshohej për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës që ka ndodhur më 4 gusht.
Komentet