Poezia “Buzë lumit” e Mirko Gashit shpreh ndjenja universale me një finesë të veçantë- Nga TIMO MËRKURI
…ec e mos buzëqesh, titulli thoshte “Edi Rama si Kronos: po i ha të gjithë këlyshët e vet”, padyshim ky do jetë titulli më simpatik i fundvitit 2024, e paskan bërë Ramën Kronos, sipas Gjergj Zefit (autori i tekstit tek Pamfleti) Kryeministri Rama na qenka Kronos (dmth. Titan, vetë babai i Olimpianëve, ai Kronosi që kullufiste gjithçka… që i hante fëmijët e vet), mirëpo nëse e kujtojmë Kronosin e “vërtetë” nuk ishte i palajthitshëm as ai, psh. e pati “hëngër” gurin e mbështjellur si Zeus, ia patën hedhur dmth., vetë motër-gruaja e vet ia pati hedhur…
…sipas Hesiodit, Kronosi i gëlltiste fëmijët e vet menjëherë sapo lindnin, sepse profecia e parashihte që fëmijët e tij do ta rrëzonin nga froni hyjnor, njësoj siç dhe ai vetë e pati rrëzuar babain e vet – për ta shpëtuar Zeusin si foshnje, nëna perëndeshë Rea (motra e Kronosit dhe gruaja) e mashtroi Kronosin duke ia dhënë një gur të mbështjellur (që dukej si foshnjë) në vend të Zeusit, perëndesha Rea pastaj ia dha Zeusin nimfës Adamantea për ta ushqyer, nimfa do kujdesej për Zeusin, e fshehur diku në një shpellë të Kretës dhe Zeusi do rritej (ky është njëri nga versionet)…
…ndërsa sipas Apollodorit, Rea ia dha Zeusin jo nimfës Adamantea por nimfave Adrastea dhe Ida për ta ushqyer, dhe ato do e ushqenin me qumështin e dhisë Amaltea, nimfat Ida dhe Adrastea (së bashku me nimfën Amaltea) ishin vajzat e perëndisë akuatike, Oqeanit, kur Zeusi qe rritur do ta shpërblente “dhinë” (nimfën Amaltea) duke e vendosur mes yjeve si yllësia “Capra”, e që do t’thotë thjesht “dhia” – mirëpo Capra s’duhet ngatërruar me cjapin e detit, me Bricjapin e Zodiakut, i cili s’ka ndonjë lidhje me dhinë Amaltea….
…në këtë linjë paralelizuese, Tirana dhe mund ta kishte “mbështjellur” Zeus foshnjarakun, do kafshonte SPAK-u dhe çfarë pastaj, asgjë, do kërcisnin paksa dhëmbët dhe Kronosi do i fërkonte nofullat, nëse SPAK-u na qenka goja e Kronosit atëherë padyshim as vetë Kronosi s’do jetë i pagabueshëm, shumkush dyshon se vetë ai do jetë Krye-Kapoja… peshku i madh, jo peshkaqeni por qen-a-peshku i madh i politikës shqiptare…
…problemi është që Kronosi s’ka si e kullufit veten me gojën e vet, tani duket sikur i paprekshëm nga drejtësia e SPAK-ut, pa fakte s’ke si… kështu që thjesht duhet pritur, helbete, ku i dihet, mund ta ketë kafshuar dhe qen-a-peshku ndonjë “grep”, as Kronosi hyjnor s’mund ta llogariste secilin detaj të ardhmërisë, andaj dhe kishte frikë – nëse mbjell panxharsheqer sipas logjikës s’ke pse pret surpriza as korrje të hidhura…
…nga ana tjetër Kronosi s’ditka të ndalur, sa e sa kokat i paska hëngër, sa e sa Ali-Pashallarë paskan vajtur në tepsinë e Sulltanit, autori Zefi i kishte vargëzuar mjaft emra, siduket edhe Kronosit të Tiranës iu paska “mjegulluar mendja nga profecia” dhe i kullufitka gjithë të pafajshmit e politikës shqiptare, pakëz e çuditshme pse u brengoska autori Gjegj Zefi, pse duhet t’i dhimbsen, pse t’i dhimbset Zeus-Veliaj, le t’i kullufitë, pse të dhimbka ty, ku të dhimbka ty, le t’i hajë…
…nëse Rama na qenka Kronos atëherë i bie që s’paska as faj, as pikë faji (nëse “faji” t’na ishte i lëngshëm), aktet e tij qenkan legjitime deri në thelb, të arsyeshme deri n’bërthamë, gjithkush lufton për faqebardhësinë e vet, të shërbesh 3 mandate dhe në fund i baltosur, i përlyer, i njollosur… qebesa mjaft inat, edhe Kronosi s’pati bërë gjë tjetër por pandehte mbrojtjen e fronit të vet, qëkur aq i pafajshëm s’ishte as ai vetë, edhe ai vetë e pati rrëzuar babain e vet – mos vallë na paska frikë Rama nga Zeus-Veliaj… or something?!
…imagjinata e artikujve s’ka frerë, as gjuha s’ka eshtra, e tultë, mund t’i japim sa andej sa këndej, mirëpo s’ia vlen përhumbja, shtrohet pyetja vallë cili do jetë pra “motivi” i vërtetë i Titanit të Tiranës (natyrisht, mund t’ketë më shumë motive, 2-3-4 apo dhe më shumë, sidoqoftë prapë 1-ri nga motivet e Kronosit do jetë më i madhi, kryesori) derisa Kronosi dikur kishte frikë për fronin hyjnor (ky ishte dikur motivi kyç), atëherë çfarë na humbka Titani ynë, ky pothuaj se është “lodhur” duke qeverisur, tamam si ata Kryepleqtë e Sijuksve a të Apaçëve, nëse hajn… kuptohet keq, mos pyet, deri tani do i ketë mbushur me hejbe me hambarë, e mori dikur “fronin” si një Qemal djaloshar tani do ikën si një Qemal mjekërbardhë, Shqipëria s’do ketë Kronos më të madh, dihet… i tashmi Qemal dhe ai i dikurshmi, analet historike të Shqipërisë do i kenë 2 Mjekër-Qemala të mëdhenj…
…si një detaj më tepër i komentit tonë, sipas nesh paksa e çuditshme dhimbshuria e autorit Zefi, “pamfleti” i tij pakëz i paqartë, ehuuu… le t’i hajë, çfarë humbka Kronosi i Tiranës nëse i “hëngërka” ca këlyshër, mashtrues të popullit, nëse Tirana na paskësh qenë e verbër duke i zgjedhur kryebashkiakë vetë mashtruesit, vetë hajnat, vetë këlyshët e Kronosit, atëherë kujt i plas… le t’i kullufit ai vetë, pse të dhimbsen ty i dashur Gjergj : )
…shqiptari me një tym e komandon mbarë nëntokën dhe mbitokën e trafikut të kokainës, me një cigare dhe me rrotullamat e tymit, nga errësira e qelisë si një kryeplak i apaçëve e udhëheqë perandorinë e drogës… është e mundur, jo e pamundur, s’ka impossible, me kusht që t’jesh shqiptar : )
* democracy dies in darkness – moto, slogan i Washington Post
***
…Trumpi do duhej t’i fuqizojë tarifat për Kokainën – kishte shkruar dikush si parodi tek komentet e artikullit të Washintron Post, një dikush tjetër kishte shkruar “bujë e potere, gjithë ajo bujë pompoze, luftë drogës, vdekje drogës, por ja që droga e fitoi pra luftën, tani legalizoje, administroje, kontrolloje”, kishte aty rreth 140 komente në kohën kur iu qasa shkrimit, sipas shkrimit të “Washington Post”, Samantha Schmidt paska “raportuar” nga Ekuadori, kolegu Arturo Torres paska “raportuar” nga Kolombia, ndërsa Anthony Faiola paska udhëtuar në Shqipëri për ta dokumentuar rritjen e trafikimit me drogën kohëve të fundit gjatë bumit me kokainën jugo-verio-amerikane…
…është e vërtetë se dy Amerika-kontinentet, Jugu dhe Veriu, kurrë s’kanë qenë më prodhuese, më të begata, më “pjellore” sa i përket narko-industrisë, është marramendëse sa shumë drogash qarkullojnë andej… akoma pa dalur në oqean, akoma pa u nisur drejt destinacioneve globale, drejt Evropës, Azisë, Australisë… e vërtetë se janë kapur 22 tonelata nga autoritetet ushtarake-policore të Ekuadorit në Janar 2024, me të cilën video të “narko-bodrumit” dhe fillon artikulli i Washington Post, 22 tonelata është diç si rekord, kurrë s’janë kapur aq shumë gjatë historisë…
…e vërtetë se zyra e Kombeve të Bashkuara (UN) për Narkotikët dhe Krimin pati ardhur me shifrën rekord prej 2.757 tonelatave të kokainës prodhuar botërisht në v. 2022, 20% rritje krahasuar me v. 2021, e vërtetë se dhe shqiptarët dinë t’bëjnë tregti me drogat, amerikanët i prodhojnë… shqiptarët dhe narko-bosët e gjithë botës i tregtojnë, gjysmën e qarkullimit rishtas ua shesin vetë amerikanëve, dhe gjysmën tjetër kuptohet… botës, në ndonjë rast, në ndonjë rutë, në ndonjë “market” ndodhë shqiptarët mund t’jenë më të zotët se italianët, më të zotët se amerikanët, më të zotët se rusët, ukrainasit etj. por të shkruash shqiptarët e udhëheqin globin e narkotikëve, dhe atë nga qelia (si apaçët me sinjale tymi, mbase duke i ndezur cigaret)… sorry Washington Post, por është marrëzi, shkrimi juaj i ashtuquajtur “investigativ” nuk ka mbulesë dhe s’e ka besueshmërinë, as afër – vetë narko-tregtarët e Kolombisë kur ta lexojnë do qeshin e do shkoklohen me hamendësimet e “reporterëve” tuaj nga Kolombia e Ekuadori…
…të raportosh nga hoteli yt në Ekuador a Kolombi dhe të merresh me storie (ndoshta fiksionale) se shqiptari nga qelia e atjeshme e komanduaka rrjetin ndërkombëtar të kokainës amerikane, meksikane, jugo-amerikane, evropiane, aziatike, australiane, afrikane, thjesht qenka miqësuar me shefat e atjeshëm të drogës, gjithë kartelat e Latino-Amerikës unanimisht qenkan pajtuar që ky t’jetë “boss-i” të gjithëve, boss global, boss universal, (bosat e drogës e kanë këtë ves, kurrë s’kanë dëshirë t’jenë vetë krye-bosa, sapo dëgjojnë se fjala na qenka për 1 shqiptar, sakaq heqin dorë, i dorëzojnë me ambicje e me gjithçka, 1 shqiptar dhe përulet i gjithë globi, shqiptar i ngujuar në qeli por s’ka problem… OK, në rregull si teori, por SI, NA E SQARO SI?
…no problemos amigos, e ke aty brenda pultin e lidhur me gjithë satelitët, me gjithë Internetin, jo vetëm TV-pulti, jo vetëm antenat, tualeti yt ku ulesh është diç si antenë jep-e-marrëse, telekomandoja i dërgon valët dhe i pranon të cripto-kuantizuara, s’ka CIA a djall që i deshifron, jo vetëm pulti as jo vetëm iPhone (drogaxhi i rrezikshëm, shqiptar i rrezikshëm, por nuk ta sekuestrojnë as telefonin) në qeli si narko-boss i rrezikshëm ke qasje në big-data të AI sa u përket rrjeteve të Dark Web (njësoj si CIA, si FBI, si Interpol-i, si Europol-i etj)…
…tekefundit thjesht e ndez një cigare dhe me rrotullamat e tymit, nga errësira e qelisë si një kryeplak i apaçëve e udhëheqë perandorinë e drogës, narko-pernadorinë globale, mbarë bota e narko-bosave i kuptojnë sinjalet e tua – pa një pa dy i vëjnë direktivat në punë, urdhrat e tu zbatohen automatikisht amembanë globit, sidomos kolombianët janë fort të dëgjueshëm, amerikanët fort të devotshëm, meksikanët… kartelat e tyre rrinë gatitu në gjunjë, në co kohë në secilën sekondë, me 1 cigare nga qelia, me një tym e sinjalizon-komandon mbarë nëntokën dhe mbitokën e trafikut të kokainës, me kusht që t’jesh shqiptar, kudo që t’jesh, qoftë në Ekuador i ngujuar në qeli e qoftë në Turqi, duke qenë shqiptar je diç si superman i mbarë narko-trafikut botëror…
…të “raportosh” nga Kolombia është fort e besueshme, gazetari juaj (z. Drejtor i Washington Post, njësoj si Superman-i i filmave tuaj përnjëmend) duhet t’jetë edhe gazetar edhe superman, ndërsa si na e paska “dokumentuar” ky Faiola rolin e madh të shqiptarëve rreth “bumit” jugo-verio-amerikan me kokainën duke pyetur e hulumtuar në Shqipëri, as nuk është sqaruar nga vetë raportuesi juaj, nga i famshmi “raportuesi Faiola”, kuptohet as lexuesit anembanë botës të artikullit të Washington Post s’e kanë idenë, duhet t’merren me imagjinatën…
…natyrisht, ta pyesësh një polic italian, si artikullshkrues a si editor telefonon nga Washington-i dhe inspektori italian e konfirmon, patjetër, do thotë “shqiptarët janë më të rrezikshmit, më të mirët (varet nga përpsektiva), ua kalojnë Ndragheta-ve tona, brigadave t’kuqe… ua kalojnë të gjithëve, shqiptarët janë narko-mafiozër superiorë, thjesht janë të lindur me “superioritetin”, s’ka italianë që do thotë no nooo italiano sono buoni, per mangiare macaroni… jemi ne narko-mafiozët më të mëdhenj të botës, o ne o kolumbianët, jooooo shqiptarët, s’ka italian që thotë ashtu, askush i botës s’do thoshte nuk janë shqiptarët më të rrezikshmit, të dobët janë ata, as italianët, as holandezët, as kolombianët, as amerikanët askush i kësaj bote nuk thotë jemi ne supermanat e narkotikave, natyrisht klishe i përkryer, e dinë dhe filmat e Hollivudit madje, shqiptarët njihen botërisht tashmë, janë më të zotët me narko-zotësinë…
…shkrimin e Washington Post e paskan përkthyer dhe postuar pothuaj të gjithë mediatikët shqip (më dolen me dhjetra), me titullimat se shqiptarët qenkan bumi i trafikut global të kokainës, e paskan tejkaluar dhe Escobar-in etj. – ok, nëse ashtu thotë Samantha Schmidt, Arturo Torres dhe Anthony Faiola, padyshim atyre dhe u shitet, sepse punojnë për Washington Post, për mua NUK është shkrim bindës, s’ka bazë për të qenë “bindës”, nëse shkrimi i Washington Post na qenka “investigim gazetaresk” atëherë i bie se ne duhet besuar dhe filmin e Tom Cruise, gjoja si aksion-komedi (kam harruar si quhej ai filmi, nëse s’gabohem “American Made”, por Cruise e luan rolin kryesor), ku ai si pilot i angazhuar gjoja si “undercover” nga vetë CIA, nga DEA e furnizon gjithë Amerikën me drogë, për vite të tëra biznesi lulëzon, trafiku i narkotikëve lulëzon, investigimi i DEA-s, i CIA-s (i 4-5 organizatave federale) lulëzon, Amerika thjesht e pangopshme me narkotikat, nuk shihet as fundi as fillimi, më shumë duket si një cikël, si një “rreth”, në fund kur ndërrohen “peshqit” e mëdhenj të politikës në ShBA, asgjë – akteri ynë kryesor natyrisht “izolohet”, e bëjnë t’jetë një askushi, apo dhe e zhdukin dhe asgjë, mbaron “filmi”, njësoj si në realitet tutje asgjë, e shkuar e harruar…
…no no sorry Washington Post, democracy dies in darkness, demokracia vdes në errësirë, e vërtet por gjithashtu as zhurnalizmi, as gazetaria e errësirës duke prekur kuturu, si pulat qafëkëputura duke kërcyer nga cungu i kalbur, pothuaj nga balta… pa bazë, s’mund të thuhet se gjallon, se qenka gazetari e gjallë…
Për të shkuar te prindërit e mi që banonin në krahinën malore të Gurajës, udhëtova në rrugën e re automobilistike, të përuruar disa muaj më parë. Më kishin thënë se banorët e moshuar të kësaj krahine e kishin kundërshtuar projektin e kësaj rruge që kalonte nëpër Pyllin e Zanave. Ata besonin se ky ndërtim i ri do t’i trazonte qeniet e mbinatyrshme që banonin në pyllin e virgjër, të cilin e kishin mbajtur si një vend të shenjtë shumë breza malësorësh.
Para argumentit të pakundërshtueshëm se udha e re do ta përgjysmonte largësinë midis Gurajës dhe qendrës së rrethit; banorët e moshuar kishin hequr dorë nga protestat e tyre. Unë vetë e vura re se udhëtimi nëpër Pyllin e Zanave nuk ishte vetëm më i shkurtër, por edhe shumë tërheqës, falë peizazhit të pashoq që shpalosej ndanë rrugës së re.
Kur ua thashë këtë gjë prindërve të mi, im atë pohoi se ai kishte qenë një nga ata që e kishin kundërshtuar projektin në fjalë, sepse ai do të përdhoste Pyllin e Zanave.
-Çfarëdo që të thonë librat tuaj, unë besoj se Zanat ekzistojnë dhe do të ekzistojnë gjithmonë, – nguli këmbë im atë. – Edhe ata që dyshojnë në ekzistencën e tyre, duhet të ndryshojnë mendim pas asaj që i ka ndodhur kushëririt tënd, Tomës.
-Çfarë i ka ndodhur? – e pyeta unë.
-Është më mirë ta dëgjosh këtë histori nga goja e atij që e ka jetuar.
M’u duk me vend mendimi i tim eti. Ndonëse nuk besoja në ekzistencën e qenieve të mbinatyrshme, isha kureshtar të merrja vesh se çfarë i kishte ndodhur kushëririt tim, të cilin e kisha bashkëmoshatar. Atë e kisha pasur shok në lojërat e fëmijërisë. Ne kishim mbaruar së bashku shkollën fillore dhe tetëvjeçare, që ishin të detyrueshme. Në vend që të vazhdonte të mesmen, ai kishte parapëlqyer të ndiqte kursin në një autoshkollë, e cila i kishte dhënë mundësi të plotësonte ëndrrën e tij rinore: të merrte patentën.
Gjatë studimeve të larta dhe pas emërimit tim si mësues në qendër të rrethit, unë kisha udhëtuar shumë herë me Tomën. Kisha dëgjuar se atë e çmonin jo vetëm për zotësinë e tij, por edhe për sjelljen e njerëzishme ndaj udhëtarëve.
Ngaqë e dija se ditën kushëriri im ngiste furgonin, i shkova për vizitë në mbrëmje. Ai banonte nja njëzet minuta larg nga shtëpia e prindërve të mi. Nëna e Tomës, të cilën e kisha teze, Toma, e shoqja dhe fëmijët e tij më pritën me ngrohtësi. Pas përshëndetjeve të zakonshme, e zonja e shtëpisë na solli kafe dhe raki të bërë vetë.
Në një çast të caktuar, unë i kërkova Tomës të më tregonte atë që i kishte ngjarë kohët e fundit në Pyllin e Zanave.
-Yt atë të ka folur për këtë gjë? -buzëqeshi kushëriri im.
-Po…Ai nguli këmbë që këtë histori ta dëgjoja nga goja jote.
Toma kroi fytin, u kollit lehtë, pastaj zuri të tregonte takimin më të çuditshëm të jetës së tij.
Një ditë me diell, aty nga fundi i pranverës së sivjetme, ai po ngiste furgonin në rrugën e re për të shkuar në qendër të rrethit. Kur kishte mbërritur në mes të Pylli të Zanave, aty ku xhadeja kalon ndanë një përroi të thellë, ai kishte vënë re një gjarpër të gjatë e të larmë që po kapërcente rrugën. Toma e kishte ulur shpejtësinë menjëherë për të mos e shtypur. Kur gjarpri ishte dalë matanë dhe ishte futur në pyll, ai kishte shtuar shpejtësinë dhe kishte vazhduar udhëtimin.
Pasi e kishte kaluar natën në qendër të rrethit, të nesërmen ai kishte udhëtuar në të njëjtën rrugë, në drejtim të kundërt. Në çastin që kishte mbërritur te vendi ku një ditë më parë kishte takuar gjarprin e gjatë e të larmë duke kapërcyer xhadenë, buzë rrugës kishte dalë një nuse e bukur, e veshur me petka shumë të hijshme. Ajo kishte ngritur dorën para makinës. Ngaqë e kishte marrë me mend se ajo do të kishte pasur ndonjë hall të madh që e kishte detyruar të ecte fillikat nëpër pyll, Toma e kishte ndalur furgonin pranë saj dhe kishte hapur derën e kabinës. Nusja kishte hyrë brenda, e kishte përshëndetur dhe ishte ulur në ndenjëse. Pas një heshtjeje të shkurtër, e panjohura i kishte thënë:
-Dje, çfarë takove në këtë xhade?
-Një gjarpër të gjatë e të larmë.
-Pse e ule shpejtësinë dhe u ndale?
-Për të mos e shtypur gjarprin që zvarritej para meje.
-Përse nuk e shtype?
-Si mund ta bëja këtë gjë ? Ashtu si mua, edhe atë e ka krijuar i Madhi Zot. Përse ta vrisja një gjallesë që nuk më kërcënonte, nuk donte të më bënte keq ? Ajo kafshë po shkonte në punë të vet. Do të ishte mëkat, po t’ia kisha marrë jetën me dashje.
-Pikërisht në këtë vend, një shofer tjetër ka takuar një gjarpër që po kapërcente xhadenë. Ai kishte në kabinë gruan e tij shtatzanë që po e çonte në qendër të rrethit për të bërë një vizitë mjekësore. E shoqja i ishte lutur burrit të saj të mos e shtypte gjarprin, sepse edhe ai ishte një krijesë e gjallë. Në vend që ta dëgjonte këtë lutje, t’i linte kohë gjarprit të dilte matanë xhadesë, shoferi e kishte shtuar shpejtësinë qëllimisht për ta shtypur. Sapo kishin ndeshur trupin e gjarprit, rrotat ishin zmbrapsur si të kishin goditur një shkëmb të patundur. Furgoni kishte dalë nga rruga dhe kishte rrëshqitur buzë humnerës që soste në shtratin e përroit. Gjatë rrokullisjes, dera e kabinës nga ana e gruas ishte hapur. E nxjerrë jashtë nga makina, gruaja shtatzanë kishte rënë në shpatin me bar të dendur, pa pësuar ndonjë dëmtim, ndërsa burri i saj kishte ngecur në kabinën e furgonit që kishte përfunduar në shtratin e përroit, ku kishte mbetur i kacavarur në një shkëmb. Punonjësit e ndihmës së shpejtë kishin mundur të nxirrnin nga makina vetëm një kufomë të dërrmuar nga rrokullisja.
-Kush je ti që i di gjithë këto që po m’i thua? – e kishte pyetur Toma.
-Unë jam një Zanë e këtij pylli. Unë rroj këtu bashkë me shoqet e mia. Ne mbrojmë bimët, kafshët, burimet dhe rrëketë. Ne kujdesemi për të gjitha krijesat e gjalla, që nga thnegla deri te njeriu. Ne nuk i bëjmë keq askujt. Ne ndëshkojmë vetëm keqbërësit, vetëm ata që shkatërrojnë dhe vrasin pa kurrfarë aryesje. Udhë të mbarë!
Toma kishte kthyer kokën drejt saj, për t’iu përgjigjur, por ai kishte vënë re se ndenjësja ku ishte ulur nusja e bukur ishte e zbrazët. I tronditur nga ai takim i pazakontë dhe nga zhdukja e të panjohurës, ai kishte vazhduar udhëtimin. Qysh nga ajo ditë, ai e kishte vështruar me një sy tjetër mjedisin që e rrethonte…
Tiranë, 2024
Marrë nga ExLibris
Mendoj për ty në këtë mbrëmje
Mendoj për ty në këtë mbrëmje,
Sa vite ka që s’jemi parë
Ti erdhe kur doje dhe ike prapë
Si bleta që merr pak nektar.
Pastaj erdhi vjeshta, erdhi dimri
Dhe pranvera erdhi përsëri
Por si bleta që nuk shkon më tek e njëjta lule,
Edhe ti bredh andej, këndej,nuk e di.
Mbase ke mbetur në zgjua dhe kujton kohët e bukura
Dhe s’të bën zemra të më thërrasësh.
Vitet ikin dhe mbase kopshti ka ndryshuar
Dhe as vrulli dhe energjia nuk janë të parët.
Rri në verandë dhe shoh mbrëmjen që bie.
Mengadalë,si koha që ikën pa u ndier.
Fluturojnë zogj në ajër dhe nuk e di nga shkojnë.
A thua, takohen më pas fluturimeve!?
Në Sarajevë
Po dëgjoj këngë jugosllave sonte
në një restorant në Sarajevë.
Kam nostalgji kur i dëgjonim këto këngë
në vitet 80 në Shqipëri.
Sikur na hapnin horizonte,
si iriqi kur del në liri,
edhe një lëndinë e vogël i duket e mrekullishme
krahasuar me ferrën ku jeton.
Kush kishte një radio dore,
ishte i privilegjuar,
Mund t’i dëgjonte këto këngë kur të donte.
Pale kur kalonte rrugës përmes pazarit,
me zërin e radios ngritur në qiell,
Sa e kishin zili njerëzit!
Dhe ai i shijonte edhe më tepër këto këngë
në mosvëmendjen e Sigurimit.
Bie gjethja
Bie gjethja prej pemës
Nuk pret ta heqin, as ta këpusin
Njeriu s’e ka kuptuar esencën e mëmës natyrë,
Prandaj shpiku luftën
Bie gjethja prej pemës
E zverdhur, e vyshkur, kupton se nuk vlen më.
Mirëpo njeriu nxiton drejt së pamundurës
pastaj rrëzohet, vdes, pa u plakur ende.
Bie gjethja prej pemës,
Duket se e ka kryer ciklin e plotë
Ia lëshon vendin një tjetre të re
Por jo pa kaluar dimrin me ngricë e të ftohtë.
Bie gjethja prej pemës
Pastaj shkelet, thahet, bëhet humus
I shërben së ardhmes, i shërben jetës
Të ripërtërihet natyrshëm, pa rendje, pa ngut.
Nëna në shtrat
Ne nuk rrimë gjithë natën zgjuar me të.
Ajo rrinte me ne.
Sado që i themi fjalë të mira
Nuk i këndojmë dot ninulla në djep.
Ëndrrat e saj janë për ne, jo për veten.
A thua do t’ia dalë djali ose vajza, thotë, edhe pa mua.
Nuk na i thotë të gjitha, si ne dikur asaj,
E ruan dhimbjen për vete, nuk e ndan krejt me ne.
Nëna në shtrat, kurorë e jetës,
Lule e vjeshtës, këngë e pranverës.
I shkundi mirë gjethet
I shkundi mirë gjethet dhjetori i egër,
si frutat e fundit të vjeshtës së vonë
Akoma këto këtu! E dua të pastër vendin,
kur të fryjë veriu me ngricë e me borë.
Nuk i duroj këto mbulesa, tha muaji i mrrolur,
që stinën e ftohtë e mori në dorëzim
Të më dëgjohet kuja pa fund e paanë,
si luani që shkon vrik me turfullim.
I shkundi mirë pemët dhjetori i kërthndeztë,
Qielli me tokën të mos ketë ndërmjetës,
derisa ta pastroj zonën nga ushtari i fundit,
të krihem në pasqyrën e tokës dhe të qiellës.
Tundi fort, dimër mizor, derisa të mos mbesë asnjë!
Se kështu pastrohet toka për pranverën tjetër.
Kur mendon se e ke zhbirë dhe nuk mbin më asgjë,
prite se do të zërë prapë e fuqishme fara e jetës.
Dimri i parë pa nënën
Fryjnë erërat nga të katër anët
Dhe s’ka kush të më mbrojë.
Është bërë më ftohtë sivjet.
Mbërthehem me një qyrk të trashë
Dhe prapë mërdhij.
Më duket një dimër i gjatë pafund
A thua do të dalë pranvera e të ngrohem pak.
Ajo është një engjëll që më sheh lart nga qielli
Dhe prapë më ruajnë bekimet e saj.
Dimër i ashpër sivjet.
A do të mësohem pa ty, nënë,
Të të mbaj si diçka të shtrenjtë, të padukshme
Që as nuk e zotëron, as nuk heq dorë prej saj,
si shpirti që e ndiejmë por s’e shohim.
Gjallicë e shqipeve dhe betejave
zëri më i lartë i bilbilit të maleve
në këtë kodër tempull të natyrës
djep i erërave i rrit retë e bardha
.
Flamur shqiptar, flamur kuq e zi
kam grushtin e më trimave të së
kaluarës, duart i kam plotë kallo
Kukësi e di udhën e së ardhmes
.
Nëpër epoka ne jemi zvogëluar
Evropa na quan me emrin Albani
ajo Shqipërinë kurrë nuk e njohu
por na kryqëzoi me emër të fisit!
.
Jam Shqipëri aq sa jam Dardani
Jam Çamëri aq sa jam Madhoni
jam Mollë gjaku e Mollës etnike
jam Kukës aq sa jam dhe Kosovë.
.
Kjo orë me Gjallicë dhe Kukës
i jep kahe kohës dhe zë çështjes
i thoshte Gjallica bijës Valbonë
një gjuhë shqipe jemi shqiptarët.
.
Atdhe Geci – Kukës, 2024
Tani së voni doli në shqip romani “Balada”, – një titull për një titull, që kumbon sërish madhërishëm dhe në këtë vepër, – botim i “Onufrit”, i shkrimtarit rumun Adrian Lesenciuc, i cili erdhi dhe në Tiranë në përurimin e veprës në shtëpinë muze “Kadare”, që u zgjodh me qëllim.
Që në kopertinë të botimit lexohet “Një roman biografik për kompozitorin e madh rumun Ciprian Porumbescu – Kompozitori i himnit tonë kombëtar”.
Gjithsesi nga që “Balada” është për një kompozitor, ndjen se ajo harmoni dhe rendja ritmike, përftojnë një muzikë të brendshme dhe e kupton se e ka në trupin e vet si pema limfën.
Muzikë ballkanike, konkretisht rumune, e lidhur më shumë me Europën Qendrore, Vienën Perandorake, por gjithsesi me shpirtin e popullit të vet.
Dhe fjalët e mia do të doja t’u ngjanin akordeve muzikore, të përcillnin emocion, jo analize kritike…
Akordi 1
Pikërisht ky shënim i shkurtër në krye: …Kompozitori i himnit tonë kombëtar… do të shërbente si një thirrje dhe për lexuesin shqiptar, veçan:erisht, që edhe pse nuk bën pjesë në intrigën romanore himni ynë, kërshëria për të ditur për këtë kompozitur, për jetën dhe vendin e tij në kohën e tij, mbeten joshëse, pse ky himb doli aty, ndërkaq vepra e përplotëson prishmërinë ndryshe, bukur dhe me informacion letrar,
Nuk është një monografi, është një roman, monografi shpirtërore, mund të themi, që shpalos histori dhe një hapësirë kulturore, që janë të një të kaluare, që jehojnë si e tashme, ku rrëfimi në vetë të parë i jep një çiltërsi besimi.
Aq më tepër kur kemi të bëjmë me një shkrimtar të seriozes, me dije si Lesenciuc, poet dhe eseist dhe profesor universitar, me shumë çmime letrare kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërkaq dhe njohës i letrave shqipe në rumanisht, ku herë pas here i ka shoqëruar me artikuj kritikë të ndjeshëm.
Akordi 2
Koha e ngjarjeve është dhe nuk është e kufizuar nga historia e vet, aq sa duket sikur kufijtë midis kohës reale dhe asaj mitike janë të zbehtë. Historia zhytet në një Rumani rurale, ku traditat, këngët dhe legjendat përcillen brez pas brezi, një përzierje antropologjike, ku elementët folklorikë ndërthuren me sfidat për të afruar të tashmen urbane, moderne, duke ngulmuar në nevojën e rikthimit ndryshe.
Kjo qasje bën që romani të qëndrojë si një urë mes traditës si një ëndërr dhe botës bashkëkohore si një vizion.
Akordi 3
“…Baladë për Piano dhe Violinë, op.29, kompozim të cilin e ndjeja në vena. Ka diçka që duket të jetë gjenetikisht e trashëguar. Teksa mblidhja të dhëna, – i thotë shkrimtari Adrian Lesenciuc si një kolegu Andreas Dushit në intervistën e tij, – zbulova se çfarë personaliteti i madh kishte qenë i ati i Çipirian Porumbesc-ut dhe vendosa të shkruaja rreth tij [,,,], që kontribuoi në ringritjen e shpirtit rumun gjatë revolucionit të 1848. Kam mbledhur informacione për diku dhjetë vjet […] e përfundova. Për mua, ishte si një çlirim.”
Pikërisht çlirimi është një terminal, që autori të vazhdojë te lexuesi si një tjetër terminal apo kohë muzikore.
“…Muzika e Çipirian Porumbescut është një mjet i tillë transmetimi kulturor dhe jam i lumtur që, nëpërmjet Asdrenit, një nga kompozimet e periudhës kur Porumbescu ishte student në Vienë, është bërë himni kombëtar i Shqipërisë.” Ja, pra poeti ynë i padukshëm në roman, as fantazmë, por është ai ajër dhe fryma që na çojnë atje. Romani “Balada” rrëfen një histori shumëdimensionale, ku ngjarjet duan të ngjajnë me mitet dhe baladat popullore të Rumanisë. Në qendër mbetet kërkimi për kuptimin e jetës dhe identitetin, që formëzohen nëpër rrugë të përshkuara nga figura simbolike dhe situata jo pa enigma. Përmes narrativës, shkrimtari eksploron fuqinë e artit dhe traditës si mekanizma të ruajtjes së identitetit kombëtar, po aq dhe njerëzor. Edhe kjo nëpërmjet artit me art.
Akordi 4
Romani i ngjan një udhëtim në kohë dhe hapësirë dhe të një dimesioni tjetër, atë shpirtëror, për të dhënë prani nëpërmjet së ikurës. Gjatë këtij udhëtimi ndeshesh me vetvete të tjera.
Figura e gruas është dhe mbartëse, ashtu si e dashurisë, dhe e baladave, që ruajnë sekretet e trashëgimisë së lashtë, ndërsa figura e të moshuarit-persoanzh ka urtësinë e popullit dhe lidhjen e ngushtë me natyrën. Së pari asaj njerëzore.
Dilemat morale, mëdyshjet e brendshme, tërheqja nga një zë mistik – kënga e një balade të harruar, që ngjan se mban të gjitha përgjigjet që kërkohen te ky roman.
.
Akordi 5
Personazhet e romanit aq sa janë vetvete, përfaqësojnë koncepte të veçanta dhe arketipe universale. Protagonisti, i cili shpesh duket si alterego e autorit, por dhe e lexuesit gjatë leximit, kalon një proces zhndërrimesh të brendshme, nga përjetime reale me dimensione fërgëlluese metafizike.
Figura të tjera përforcojnë karakterin alegorik të romanit.
Adrian Lesenciuc tërhiqet nga rëndesa e trashëgimisë kulturore dhe forca e saj që vërshon vetvetiu në përballjen me krizat e kohës moderne apo me zhvillimet normale, qofshin dhe të bujshme. Se edhe normalja mund të jetë e tillë.
Romani duket se është vepër e q;ellimshme kujtesës, do të thosha, e asaj kujtese që mbetet dhe në ajër si muzika e baladat, e karakterit dhe e lidhjes me rrënjët. Kërkimi për kuptimet ekzistenciale duket se ka si çelës përgjigjen e pyetja thelbësore: A mundet tradita të ndihmojë njeriun të kuptojë vetveten dhe botën?
Ashtu siç thoshte poeti i madh europian Mario Luzi, ne jemi ajo që kujtojmë.
Akordi 6
Vlerat dhe Stili. “Balada” ka një rrjedhë poetike, prej nga vjen dhe muzika e saj, me natyrshëri që e shndërrojnë leximin një përvojë estetike dhe ideore veçmas.
Titujet e krerëve janë si vargje baladeske. Adrian Lesenciuc ndërthur një gjuhë të kultivuar, që falë përkthimit nga rumanishtja nga Spriu Fuchi dhe Altin Vasillaq Kaso me thjeshtësi dhe lëng përcjellin një figuracion dhe simbole që pasqyrojnë një botë emocionale dhe ndodhish, të lidhura pandashëm me themelet, që kulmohet me vlerat pannjerëzore dhe artin.
“Balada” do të thosha se është një himn për traditat dhe një thirrje për të ruajtur kujtesën kulturore, e theksoj: kujtesën kulturore, në kohëra të trazirave shpirtërore. Kënga, ajo që është brenda nesh, edhe e papërfunduar apo e pakënduar, mbetet shtyllë e qëndrueshmërisë njerëzore.
Akordi i mbramë:
Në veprën e shkrimtarit rumun Adrian Lesenciuc gjej kishat si institucione, aq sa jashtë, edhe brenda njeriut, pra më shumë si konstrukte shpirtërore, i besimit të thellë.
Ndërkaq dhe romani i tij më i fundit, i botuat këtë vit në Rumani prandja dhe është “Gjuha e Jezusit”. pjesën e parë të të cilit na e solli në shqip në “ExLibris” përkthyesi, studiuesi dhe kritiku i artit Dr. Luan Topçiu
“- Paqja është për të dobëtit! Bëra kryq, sepse zavalli njeri, në padijen e tij, nuk mund të kuptonte që nga të gjitha viset nga vijmë, ne përshëndetemi duke i uruar paqe njëri-tjetrit, jo sepse jemi të dobët, por sepse dëshirojmë për njëri-tjetrin forcën e vërtetë.” Ja, matrikulla e veprës Lesenciuc – paqja. Përmes konflikteve që sjellin paqe. Jo luftës. Çuditërisht në veprën e tij sikur parandillet ajo që po ndodh tani në Siri: “Sapo kisha filluar të pija kafenë kur pashë ushtarët sirianë tek hyrja të cilët, papritur, u ngritën në qëndrim gatitu. Pas disa çastesh, një makinë e njohur u afrua… Mund të isha gabuar, sepse të gjitha makinat e zyrtarëve të zonës ishin Toyote të zeza, ose makina 4X4 nga General Motors. Nuk dija kurrë se kush ishte brenda tyre – klanet e fuqishme qarkullonin pa targa, shpesh me një kolonë të tërë Toyotash ose GMC, dhe çdo herë që një Toyota e zezë hynte në zonën e kontrolluar nga patrulla siriane, mornica rrëqethjeje më përshkonin gjithë shtyllën kurrizore […] – Paqja qoftë me ty, – më përshëndeti dhe u ul pranë meje. – U trembe? – Jo, – i thashë, ndonëse e dija mirë se ai e kishte kuptuar që po gënjeja dhe që dridhja ime ishte e dukshme”. Letërsia, ajo e njerëzve dhe e lirisë së tyre, jo ajo e sundimtarve, i paralajmëron ata dhe diktaturat e tyre, madje i përmbys sundimet e padrejta si sistem apo ideologji më parë se përballja si dëshirë sizmike, ëndërr dhe thirrje, ndërkaq jep atë kurajo, që bën të guxojmë për mirë. Në fund të fundit dëshmon me emocionin si me muzikë në ajër, që është kujtesë e së ardhmes ose le ta themi me fjalinë e fundit të romanit “Balada”: “nuk është ajo që më përcakton. Unë nuk jam gjë tjetër veçse kohë.” Letërsia e vyer nuk na merr, por na jep kohë. Të duhurën…
U pamë.
Fytyra iu qesh
E goja vesh m’vesh,
Erdhi e më takoi,
Më puthi e m’përqafoi.
Më foli me nderime,
Me lavde e përgëzime,
Deri n’qiell m’naltësoi,
Me yjet më krahasoi,
Si e shoqnisë ndera
Për talent e vlera
…e tjera, e tjera.
U ndamë.
Të tjerë shpejt takoi,
U qeshi, i përqafoi,
U foli me vlerësim t’naltë
Tu’ derdhë sherbet e mjaltë
E n’çast që emni jem
N’bisedë u përmend
M’përfoli e m’përqeshi
E çka nuk më veshi,
Se isha i mjerë,
Njeri i pa vlerë,
…e tjerë, e tjerë.
Lajmet me interesante
-
Në zemrën që digjet nuk hyhet me çizme- Esé nga FATBARDH AMURSI
December 27, 2024
-
TAKIM ME HIPOKRIZINË- Humor nga ANDREA ZALLI
December 28, 2024
-
Gjethja e vjetër ia lëshon vendin një tjetre të re- Cikël poetik nga KUJTIM MORINA
December 29, 2024
-
PËRSËRI PËR AQ ESENIN SA GJETËM DHE NDJEMË NE QË NA VETËVRANË SI AI- Nga Visar Zhiti
-
IN MEMORIAM: Në Baicë të Drenicës, vdiq ish i burgosuri politik Sejdi Sadri Leku (1944-2024)- Nga Skënder KARAÇICA
December 27, 2024
-
ROMANI I NJË BALADE, BALADA E NJË ROMANI QË ERDHI NGA RUMANIA- Nga Visar Zhiti
December 28, 2024
Lajmet e fundit
-
LVV nis ankesë në PZAP, kërkon anulim të vendimit për Listën Serbe
By voal.ch | January 2, 2025
-
Si do të duket 2025-a?
By voal.ch |
-
Fotografi rrëfen detajet e veçanta: Nga pula me tollon, te fishekzjarrët me parashutë, ju tregoj Vitin e Ri para ’90
By voal.ch |
-
Fishekzjarret- ato armike të kafshëve
By voal.ch |
-
Çfarë pritet të ndodhë në vitin 2025, dukuritë më të ndjeshme në botë
By voal.ch |
-
Zelensky: Dhënia fund e transitit të gazit rus është humbje për Moskën
By voal.ch |
Komentet