Australia ia ka anuluar vizën tenistit serb, Novak Gjokoviq për të dytën herë me radhë.
Vendimi i ministrit për Emigrim të Australisë, Alex Hawke nënkupton se tani Gjokoviq përballet me dëbim nga shteti.
Megjithatë, tenisti 34-vjeçar ende mund të apelojë vendimin për të qëndruar në Australi.
Tenisti numër një në botë në kategorinë e meshkujve ishte paraparë që të luante në turneun Australian Open, që nis të hënën.
“Sot ushtrova të drejtën time… për të anuluar vizën e Novak Gjokoviqit duke u thirrur në arsye shëndetësore, pasi ishte në interes të publikut që të veproja kështu”, tha ministri përmes një deklarate.
Ky vendim gjithashtu nënkupton se Gjokoviqi mund të përballet me një ndalesë trevjeçare për marrjen e vizës së re australiane, edhe pse një ndalesë e tillë mund të hiqet.
Gjokoviq ka fituar nëntë herë Australian Open dhe shpresonte që ta mbronte titullin javën e ardhshme. Ai shpresonte që ta fitonte këtë garë, me qëllim që të bëhej tenisti më i suksesshëm në histori të këtij sporti me një rekord prej 21 titujsh Grand Slam.
Fillimisht Gjokoviqit i ishte anuluar viza pasi arriti në Melbërn më 6 janar. Autoritetet kufitare gjetën se ai kishte “dështuar që të ofronte të dhëna të duhura” për një përjashtim mjekësor, që i mundësonte t’i shmangej rregullave për koronavirus.
Në Australi ka pasur zemërim të madh të publikut, pasi ky shtet ka pasur disa nga rregullat më strikte kundër pandemisë.
Gjokoviqi ishte ndaluar dhe kishte qëndruar për disa orë në aeroport ku kishte kaluar në kontrollet e migracionit. Më pas ai qëndroi disa ditë në një hotel të shndërruar në qendër për migrantë.
Disa ditë më vonë, një gjykatës hodhi poshtë vendimin e autoriteteve për anulimin e vizës dhe urdhëroi lirimin e tij, duke thënë në vendim se zyrtarët kufitarë kishin injoruar procedurat gjatë arritjes së Gjokoviqit në Australi.
Por, ministri Hawke të premten ia anuloi sërish vizën Gjokoviqit, duke përdorur fuqitë që dalin nga Akti për Migrim i Australisë.
Ky akti lejon dëbimin e kujtdo që ministri e sheh si rrezik potencial “për sigurinë shëndetësore apo rendit të komunitetit australian”, por megjithatë, Gjokoviq mund ta apelojë këtë vendim.
Vendimi për anulimin e vizës vjen pasi Gjokoviqi foli për pretendimet se ai kishte bërë deklarime të rreme në formularin e udhëtimit – ku thuhej se ai nuk kishte udhëtuar në ndonjë shtet tjetër 14 ditë para se të arrinte në Australi. Në fakt, tenisti serb, në atë periudhë kishte udhëtuar për në Spanjë.
Ai tha se ky ishte një gabim i bërë nga agjenti e tij dhe e quajti “gabim njerëzor”, duke shtuar se nuk ishte i qëllimshëm.
Gjikoviq po ashtu e ka pranuar se është takuar me një gazetar dhe ka bërë sesion fotografish pasi kishte dalë pozitiv në COVID-19.
Komentet