Libri për koinçidencë del tani, kur autori do të mbushte 20 vjeç
“Ai djali i vogël, bërë tani një djalosh i pashëm e gjithë nur… krijesë e mrekullueshme pra, ishte bërë për qiellin e jo për këtë bote…” Ismail e Helena Kadare, kanë lënë këto radhë për një libër tejet të veçantë: shënime të lëna kuturu nga një i ri që iku shumë shpejt, Atjon Zhiti. Duke e ndjerë se do vraponte e do ndalej papritur ai do të shkruante “jeta nuk duhet mbivlerësuar duke menduar se është e gjatë dhe e përjetshme, nuk kemi kohë për gjithçka, por njëkohësisht nuk duhet nënvlerësuar duke thënë se është e kotë, e shkurtër dhe e pavlefshme, jeta është një hua dhe ne duhet ta lajmë atë duke bërë mirë. Të bësh mirë ti e di ça dmth, nuk flitet vetëm për nota e sjellje. Flitet për pasion, dëshirë, këmbëngulje, sakrifica ndoshta dhe vuajtje, por pasioni është kryesori”.
Njëherë tjetër, diku në një cep, ai do të shkruante: Po të isha vetëm produkt i prindërve, do të isha shumë më i mirë seç jam, por besoj pak më i mefshtë, (kjo nuk është aspak fjala e duhur). Po e po që falenderoj prindërit për ato që më kanë krijuar e mundësuar, takimet e ndryshme që kanë patur shumë influencë tek mua, por paralelisht dhe në kontrapozicion ka qenë dhe ‘ambienti i rrugës’, që nuk dua ta përshkruaj, sepse do skandalizoheshit.
Pra ky pluskim i vazhdimtë, kjo luhatje e pambarimtë mjedisesh, më kanë krijuar një panoramë shumë piktoreske dhe me shumë variacion, që më lejon shumë gjëra e nuk më mban të mbyllur. Përkundrazi më bën të jem i hapur karshi çdolloj situate”.
Mbi librin
Është botuar këto ditë libri i Atjonit (Visar) Zhitit (që humbi jetën disa muaj më parë), me një titull të veçantë: PËR ATË QË DUA(M)”, pra, për atë që ai do, por dhe gjithsecili nga ne dhe të gjithë së bashku.
Libri (UET) shpalos në mënyrën më origjinale ide dhe mendime dhe një realitetet i ninëzuar nga një 19 vjeçar plot me freski dhe endërr dhe përkushtim të bukur. Janë 229 faqe me ese dhe statuse në fb, recensa, poezi e përkthime, etj, një pjesë të botuara nëpër gazeta të ndryshme në Shqipëri e Kosovë e në shtypin e diasporës deri matanë oqeanit në SHBA, por ka dhe shkrime që dalin për herë të parë, të gjitha të ruajtura nga e ëma e Atjonit, Eda, ndëkaq libri shoqërohet me një parathënie të gjerë nga i ati i Atjonit, Visari, por dhe me një album fotografim, një si udhëtim me imazhe dhe me një kapitull të fundit me thënie për Atjonin, së pari nga shoqet dhe shokët e tij, studentë e qytetarë, të njohur e të të panjohur, profesorë e kritikë arti, artistë, shkrimtarë të shquar, etj, etj, jo vetëm nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, por nga vende të tjera, nga fqinjët ballkanikë, Greqi e Mal i Zi e Serbi, më së shumti nga Italia, ku Atjoni vazhdonte studimet për filozofi në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano, nga Franca e Gjermania, Spanja, vendet nordike, SHBA-ja, etj, që i bashkon të gjithë dhimbja dhe dashuria, këtë rradhë të përndezuar nga Atjoni ynë…
Libri, i redaktuar nga Alfred Lela dhe Valbona Nathanaili, lexohet me ëndje, ka shqetësimet e Atjonit, mençurinë studentore, ëndrrën për një të ardhme më të mirë, duke e pritur nga vetja, nga askush tjetër, madje me porosinë që jo të presësh, por të veprosh, gjithsecili me përkushtimin e tij, me aftësitë e veta, me mirësinë e bashkarisht, me përvojën kolektive dhe vegimet, sa kombëtare, po aq dhe europiane, për një Shqipëri normale, të bukur sa dhe ata që e duan, lashtësia e së cilës është rrënjë e sigurtë e së ardhmes…
Nga këtej duket i frymëzuar autori, që tani na frymëzon ne me librin e tij të parë. Libri i ngjan një bisede me Atjonin tonë, ka zërin e Tij, ka pasionin e Tij, ka rrugën e tij dhe dritën e Tij si një brerore qiellore…
Ka arkitekturën e duhur estetike, të tërheqe nga njëri kapitull në tjetrin, për sinqeritetin mahnitës, nga intimitetet fëminore deri në angazhimet sociale të një të riu, të tërheq po kaq për lëndën dhe frazën tekstuale, për kulturën që përçon dhe mesazhet e hapura e me rendësi. “Është testamenti i Atjonit për Shqipërinë, Ungjilli për të rinjtë, fari ndriçues i brezit të tij”, – thotë studiuesi dhe eseisti Eugjen Merlika.
Rrugën e Atjonit e ndërpreu qysh në nisje fati i zi. Ai u nda nga jeta 8 muaj më parë nga shkaku i një aksidenti rrugor. Motori, që e ngiste një moshatari i tij me shpejtësi te çmendur, u përplas tragjikisht me blloqet e betonit që bënin ndarjen e autostradës, në kohën kur ajo riparohej. Dhe ende drejtësia nuk e ka thënë fjalën e saj, nuk ka nxjerrë pergjegjësitë e duhura, teksa shkaktari i tragjedisë i shmanget përballjes, me justifikimin se “nuk mban mend asgjë”, kur ai tashmë ka hyrë në normalitet dhe e ka detyrë, të paktën njerëzore, jo vetëm ligjore, të rrëfejë nga e vërteta fatale. Të harrosh nuk do të thotë se e ke zhbërë atë që ka ndodhur, na i lë të nënkuptuar dhe parathënia e librit, ku kërkohet dhe ndërgjegje e lartë shoqërore.
Por realiteti ynë ngjan shpesh anormal, mizor, i prekur me dhëmbje dhe në esetë e veprës së Atjon Zhitit “Për atë që dua(m)…”, që ngjajnë sikur gishtat dridhës prekin plagë me gjakimin e shërimit të tyre sa më parë e sa më mirë.
Libri i Atjon Zhitit na trondit jo vetëm për atë që është, për aq sa arriti të thoshte autori, por dhe sepse na jep boshin humneror të asaj që ai do të mund të ngrinte, vegimin e asaj që do të donte të shkrunate e të bënte ky autor i ri e i talentuar, i ndëprerë tragjikisht, kur sapo nisi.
Libri për koinçidencë del tani, ku autori do të mbushte 20 vjeç. Buzëqeshja e tij, thotë në libër njëri nga shokët e Atjonit, ishte mjeti me të cilin donte të ndryshonte botën.
Questo gioiello rimarrà per sempre nel nostro cuore, Caro Cugino.
La vita ti ha fatto conoscere dolori forti , a Te che meriti tutto il bene del mondo.
Forza e coraggio , ricordati che siamo nati nelle montagne di Skrapar e siamo fieri ed orgogliosi
Ti mando un grosso abbraccio
Avokate Kozeta ZHITI