Rezidenca qeveritare Bernerhof
Bernerhof është ndërtesë qeveritare ndërkohë edhe selia e Departamentit Federal të Financave.
Bernerhof – është një ndërtesë e pasur me histori. Dikur ka qenë një Hotel superluksos.
Në 1848 Berna u bë qendër administrative. Meqë katër herë në vit mblidheshin të dy Dhomat dhe Këshilli Federal, qyteti duhej të ofronte hapësirat e nevojshme.
Në 1857 u shtua pjesa përfundimtare e Pallatit Federal, East Wing dhe meqë u bë e nevojëshme të priteshin miqtë e shtetit, midis 1856 dhe 1858 Jean Kraft ndërtoi Hotelin Bernerhof në pjesën perëndimore të Pallatit Federal – West Wing – me arkitektë Friedrich Studer e Johann Carl Dähler. Bernerhof kishte 123 dhoma dhe deri në 1870 ishte i vetmi hotel luksi i qytetit. Në këtë hotel janë pritur imperatori i Francës Napoleoni III, Perandoresha e Rusisë, Mbretëresha e Suedisë, mbreti i Siamit, Baroni Rothschild, shkrimtari Carl Spitteler, etj. etj.
Në vitin 1912 është pritur për shembull gjatë vizitës së tij zyrtare në Zvicër perandori Wilhelm II i Gjermanisë.
Në 1923 Bernerhof u ble nga Konfederata dhe prej 1924 këtu është edhe Departamenti Federal i Financave. Kjo ndërtesë është po ashtu një nga ndërtesat qeveritare ku priten zyrtarët më të lartë qeveritarë nga vende të ndryshme të botës gjatë vizitave të tyre zyrtare në Zvicër.
Këtu në Bernerhof u prit Kancelarja Federale Angela Merkel gjatë vizitës të saj zyrtare në 2016.
Imperatori i Gjermanisë përpara Bernerhof
MAISON WATTEVILLE
Në Sheshin Federal, pranë shatërvanëve lozonjarë, përskaj ahave dekorativë lotues, pranë sheshit të Mynsterit ndodhet Maison Watteville, kështjellë e famshme ku priten mysafirët më të lartë të Bernës zyrtare, një mjedis që të ofron gjithnjë risi kureshtare të pazbuluara më herët, ku çdo objekt, çdo hollësi përveç funksionit utilitar (dobiprurës) ngërthen në vete arte të zbukurimit dekorues si dhe shpalos në kënde të ndryshme dhe në kthina e salla të ndryshme nëpër mure gjithandej piktura të paktën që nga Rilindja Evropiane e këndej.
E ndodhur në Junkergasse Nr. 59, në Qytetin e Vjetër të Bernës, pak hapa larg ndërtesës tjetër të famshme karakeristike berneze Erlacherhof, Maison Watteville është nga ato kështjella, të cilat prej zanafillës, nëpër të gjitha metamorfozat e saj iu ka ofruar mysafirëve befasi nga më romantiket. Në kohën kur u ndërtua ajo iu paraprinte disa ndërtimeve të tilla mesjetare rreth e rrotull.
E njohur si Shtëpia e Beatrice von Wattenwyl, ajo ishte strehë e shumë familjeve të cilat u rritën së bashku nëpër rrjedhën e më shumë se pesë shekujve. Arkitektura e Maison Watteville, pavarësisht ndërhyrjeve të mëhershme apo të mëvonshme, mban vulën e arkitektit të famshëm Joseph Abeille, i cili midis viteve 1695-1710 e ristrukturoi thellësisht arkitekturën e brendshme të saj dhe ia shtoi fasadën elegante të silit të Luigjit XIV. Ai harmonizoi mes tyre arkitektura dhe shije të të gjitha arkitekturave të jashtme dhe të brendshme nga kishte kaluar edhe vetë qyteti i Bernës. Prej vitit 1934, Qeveria Federale e Zvicrës i ka pritur miqtë e saj këtu.
Maison Watteville është e hapur për publikun 4 herë në vit, çdo të shtunë të parë të janarit, prillit, korrikut dhe tetorit. Termat e trashëgimisë, të vitit 1929, sigurojnë jo vetëm që ndërtesa të jetë në përdorim për qëllimet aktuale, por edhe që do të ruajë karakterin e saj të një mjedisi shtëpiak bernez.
Historia e kësaj shtëpie fillon në vitin 1529, si pronë e familjes Frisching. Dhe thirrej shtëpia e Frischingëve. Nga viti 1838, kur Sophie Frisching martohet me Friedrich von Wattenwyl, shtëpia kalon në pronësinë e Watenwylëve dhe thirret përfundimisht shtëpia e Wattenwylëve.
Aventura e rreth katërmbëdhjetë breznive të kësaj kështjelle zë fill nga Hans Frisching. Mercenar i kapur rob më 1513, ai dëbohet nga Berna dhe i konfiskohet e gjithë pasuria. Në vitin 1528 ai lejohet të kthehet në qytetin e lindjes. Zgjidhet më 1535 anëtar i Këshillit të Madh (Këshillit të Qytetit) dhe më 1542 në Këshillin e Vogël (Këshillin Ekzekutiv). Brez pas brezi, bijtë më të shquar të kësaj shtëpie ishin të lidhur ngusht sa me pushtetin ekzekutiv e legjislativ aq edhe me karrierën ushtarake dhe me qarqet protestante. Personaliteti më i shquar i familjes ishte Franz Rudolf Frisching (1733 – 1807) një patricien, oficer i lartë, politikan dhe industrialist. Ai themeloi Manifaturën e Prodhimit të Fajancave në Bernë. Periudha e ngritjes së tij është edhe periudha e zgjerimit të pronave të familjes.
Më 1838 kur, nëpërmjet martesës, kaloi, pra, tek familja Wattenwyl, atëherë e mori edhe emrin Maison Watteville. I fundit i sagës ishte Jacob Emanuel von Wattenwyl. Pronarët e fundit privatë, patricët Béatrice and Jakob Emanuel von Wattenwyl, nuk patën fëmijë. Në cilësinë e trashëgimtarit me të drejta të plota nga e shoqja Beatrice, e larguar nga jeta më 1923, Jacob Emanuel von Wattenwyl ia lë trashëgim Qeverisë Federale shtëpinë kështjellë më 1929, pesë vjet para se edhe ai të largohej nga jeta.
Kontrata e trashëgimisë ia ndalon Qeverisë Federale të bëjë ndryshime të mëdha në shtëpi. Brenda kushteve të përcaktuara në kontratë, Zyra Federale e Ndërtimeve dhe Logjistikave e ka restauruar shtëpinë gradualisht: më 1949 rruga përballë, më 1957-1958 hyrja në holl, oborri i pasmë, shkallët spirale, krahu jugor dhe taracat, në këtë fazë u restauruan edhe dritaret e anës jugore dhe taraca kryesore u kthye në formën e dikurshme, më 1983-1986 ishte faze përfundimtare e restaurimit tërësor.
Maison Watteville është ende e pajisur me objekte kryesisht të Shekullit XVIII dhe XIX, si dhe me shumë portrete të pjesëtarëve të familjeve Frisching dhe von Wattenwyl. Kështjella ka kopshtin-taracë më të madh të ndërtuar në mënyrë private në Qytetin e Vjetër të Bernës.
Sikurse ndërtesa, ashtu edhe objektet, pajisjet, mobiljet, takëmet, portretet e varura nëpër mure, gjithçka këtu kanë historinë e vet të vënies në përdorim për herë të parë, të funksionimit në mjedisin e caktuar, të përkatësisë ndaj anëtarit të caktuar të familjes. Një familje e madhe e përfshirë gjithnjë në sferat e larta të pushtetit, të politikës, të ushtrisë, të religjionit ka lidhje dhe krushqi të shumta, ka miqësi të shumta, mikpritje, marrje e dhënie dhuratash. Të gjitha këto pasqyrojnë risitë, modernitetet e të gjitha etapave që ka përshkuar mënyra e jetesës në Bernë dhe të zhvillimit të saj në të gjithë këta shekuj. Kanë historinë e tyre që nga qilimat e koridoreve, të shkallëve, të antidhomave, të bibiliotekës, të dhomave te ndenjes apo të gjumit, tek tavanët, tek dollapët, komotë, varëset e garderobave, tek kangjelat anësore të shkallëve, tek ornamentet zbukuruese në dru, në gur, metal apo materiale të tjera, tek tavolinat dhe karriget, tek divanët, tek bufetë, tek enët, tek qelqet, terrakotat, majolikat, tek fildishet, qelibaret, tek shandanët, pasqyrat, tek orët, aplikimet e mureve etj. etj..
Në kopështin e Maison Watteville nga ku shfaqet madhërishëm Lumi Aare
KËSHTJELLA LOHN, MIKPRITJE MODERNE DHE NUANCA ANTIKE
Kështjella Lohn në fshatin Kehrsatz ndodhet midis një hapësire krejtësisht të gjelbër, rrethuar me gështenja, ndërsa rrugët e drejta që çojnë atje në të dy anët kanë blirë madhështorë.Këtu nuk i presin drurët dhe pemët si ndodh në Shqipëri. Zvicra nuk e pranon kurrë këtë mendësi primitive.
Midis gjigantë, shfaqet kështjella, me pamjen e jashtme karakteristike të tempujve. Kështjella Lohn është një nga tri rezidencat në pronësi të Këshillit Federal të Zvicrës, ku priten miqtë shtetërorë. Rezidenca tjetër është Shtëpia e Beatrice von Wattenwyl në Bernën e Vjetër dhe Bernerhof.
Kështjella Lohn mbetet përherë njëra nga tri alternativat, që nga viti 1942 kur ish pronarët ia dhuronin atë qeverisë zvicerane. Kështjella Lohn dhurohej bashkë me dekorimet e pasura dhe me të gjitha pajisjet. Dëshira e dhuruesve ndërthurej me dëshirën që ndërtesa të jetë pjesërisht në shërbim të publikut si shtëpi muzé historike.
Ngritur në një terren tipik fshatar, ku kishte ekzistuar një shtëpi e vogël, me kopshtie dhe pemë, kështjella, e projektuar nga arkitekti Carl Ahasver von Sinner, do të ndërtohej në vitet 1782/1783, mbi parime të klasicizmit të hershëm arkitekturor, me hapësira të bollshme të brendshme: korridore, dhoma, salla, sallone, taracë, një shatrivan, shkallë të përdredhura. Pronari parë i saj ishte një kapiten i ushtrisë hollandeze, nga një familje me emër në histori. Ndërtesën e trashëgoi e bija, pastaj nipi, e më në fund e veja e tij, e cila ia shiti historianit Dr. Friedrich Emil Welti, i biri i Emil Welti, Këshilltar Federal. Në vitin 1942, pas vdekjes së gruas së tij të dytë, Helene Welti-Kammerer, prona i kaloi Konfederatës Zvicerane në kujtim të Këshilltarit Federal Emil Welti. Prej atëherë kështjella është përdorur për miqtë e qeverisë zvicerane, mbretër, mbretëresha, presidentë, kancelarë, kryeministra, disa nga të cilët janë: që nga Sir Winston Chirchill (1946), Pandit Nehru, kryeministër i Indisë (1949), Konrad Adenauer, kancelar i RFGJ (1951), deri tek Mbretëresha Elizabetë II dhe Princi Filip i Britanisë së Madhe (1980) e deri tek Lech Valesa dhe Dimitri Medvjedev, Zonja e hekurt e BE Angela Merkel, dhe të tjerë të ditëve tona.
Mjediset e brendshme, nisur nga natyra edhe muzeale e kështjellës, orendisen në përshtatje me interesat e vizitorëve: Për ne Kështjella Lohn është me të njëjtat orendi sikur sapo ka pritur Sir Winston Churchill dhe Mbretëreshën Elizabetë II. Gjithçka është sipas filmimeve të asaj kohe, të cilat shfaqen në sallonin e posaçëm të pirjes së kafesë, ku është edhe ballkoni kryesor, me pamje me ahishte dhe livadhe.
Familjet fisnike të Kështjellës, më parë ajo e ushtarakut hollandez, pastaj e ministrit zviceran të ardhur nga Argau, kishin tradita mikpritëse për shoqërinë e lartë të kohës, përfshirë artistë, shkrimtarë, historianë, arkitektë, sidomos piktorë nga më të shquarit e kohës. Portrete të realizuara me personazhet e këtyre familjeve dhe me peizazhet e hatashme që e rrethojnë Kështjellën Lohn dhe pamjet e fshatit Kehrsatz janë varur nëpër mjediset e brendshme.
Një ndër miqtë e kështjellës Lohn ishte edhe shkrimtari Nobelist Hermann Hesse, pikturat e cilit në vaj janë të varura nëpër mjediset e brendshme.
Bellevue Palace
Bellevue Palace Hoteli lluksos me pesë yje që ndodhet në krahun e lindor të Parlamentit të Zvicrës në Bernë, po ashtu është pronë e Konfederatës Helvetike. Këtu priten krerët e shteteve dhe qeverive, po ashtu këtu qendrojnë edhe anëtarët e Parlamentit të Zvicrës gjatë javëve kur ka punimet Parlamenti.
Bellevue Palace u ndërtua nga financieri Friedrich Osswald në 1865 ngjitur parlamentit te Zvicrës. Trashëgimtarët e tij e shembën dhe e rindërtuan përsëri më 1910 me stil neoklasik.Bellevue Palace u rihap më 1913 dhe Gjenerali Ulrich Wille gjatë Luftës te Parë Botërore e bëri kuartier qendror të ushtrisë. Gjatë Luftës të Dytë Botërore hoteli mbeti i hapur për biznes. Ishte një pikë qendrore diplomatike dhe e inteligjencies e fuqive ndërluftuese, e OSS si quhej asaj kohe CIA që drejtohej nga Allen Dulles. Gjysma e restauranteve frekuentohej nga Fuqitë Aleate dhe gjysma nga ato të Aksit.
Pas luftës, Hoteli nuk pati më fitime. Për të ndalur blerjen e Hotelit nga të huajt, Bellvue Palace u ble nga Swiss National Bank më 1976 dhe më 1994, SNB ia bëri dhuratë Konfederatës.
Më 2002 Hoteli i rinovua plotësisht me një kosto prej 40 milinë franga zvicerane.
Bellevue Palace ka pritur shumë kryetarë shtetesh dhe qeverish përfshi Winston Churchill, Mikhail Gorbachev, Jawaharlal Nehru, Mbretëreshën Elizabeth II dhe Perandorin Japonez Akihito.
Këtu janë mbajtur negociatat e procesit të Helsinkit gjatë Luftës të Ftohtë dhe nga disa është quajtur si “si ndërtesa më mirë e mbojtur e Europës” lidhur me masat e sigurisë.
*Voal ka qenë e ftuar bashkë me grup gazetarësh në të tre rezidencat qeveritare.
Komentet