Një atentat me armë zjarri i mori jetën fierakut Haxhi Baçinozi, dje në Tiranë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e pasdites, ndërsa 62- vjeçari mësohet se ka qenë në prani të djalit të tij të mitur, në momentin që ka ndodhur vrasja. Burime thonë se ka qenë një person, i cili ka qëlluar në drejtim të Baçinozit dhe më pas, është larguar me shpejtësi. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, autori është identifikuar dhe është duke u punuar për arrestimin e tij. Për këtë, janë ngritur postblloqe të shumtë në disa zona të kryeqytetit.
“Rreth orës 18:15, te Liqeni Artificial, është vrarë me armë zjarri shtetasi Haxhi Baçinozi, 62 vjeç. Policia ka identifikuar autorin dhe po punon për kapjen e tij”, njoftoi shkurt Policia e Tiranës. 62-vjeçari, baba i dy djemve, nga verifikimet e deritanishme, nuk rezulton të jetë me precedentë penalë. Një nga pistat që po heton policia është ajo e një borxhi të pa kthyer nga viktima.
VRASJA
Rreth orës 18:00, viktima e atentatit të djeshëm, në prani të djalit të tij, ka qenë duke shëtitur pranë një shkolle private që ndodhet në zonën e Liqenit Artificial. Gjatë këtij momenti, Baçinozi është qëlluar me armë zjarri dhe ka mbetur i plagosur rëndë. 62-vjeçari është transportuar menjëherë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka marrë ndihmën e parë, por nuk u ka mbijetuar plagëve.
Sipas burimeve, viktima ka humbur jetën sapo do të futej në sallën e operacionit. Ngjarja ka alarmuar njerëzit, të cilët kanë qenë të pranishëm në atë moment, si dhe djalin e tij, që dyshohet se ka qenë i pranishëm dhe është dëshmitar okular. Kujtojmë se në orarin kur ka ndodhur atentati, në Liqenin Artificial ka shumë lëvizje dhe atentati fatmirësisht nuk ka pasur pasoja edhe më të rënda.

HETIMET
Zyrtarisht, Policia e Tiranës tha dje se është identifikuar autori i ngjarjes dhe është duke u punuar për arrestimin e tij. Burime thonë se ka dyshime se ai është larguar me anë të një mjeti në drejtim të Saukut, megjithëse ende nuk është bërë i mundur arrestimi i tij. Ndërkohë, Policia dhe grupi i posaçëm hetimor, i ngritur për zbardhjen e vrasjes, është duke kryer veprimet e para hetimore dhe kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes.
Burimet shprehen të rezervuara në lidhje me motivin e kësaj ngjarje, që tronditi kryeqytetin pasditen e djeshme, duke thënë se është duke u punuar edhe në këtë drejtim, pasi ende nuk janë të qarta rrethanat. Ndërkohë, përpos ekspertimit të vendit të ngjarjes, hetuesit kanë marrë edhe dëshmi të personave që kanë në vendin e ngjarjes. Gjithashtu, burime thonë se ka dyshime se autori mund të jetë ndihmuar nga një person tjetër për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. E gjitha zona e Liqenit Artificial u rrethua dje nga Policia, e cila ushtroi edhe kontrolle, me qëllimin e gjetjes së ndonjë prove të vlefshme për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorit.
VIKTIMA
Haxhi Baçinozi, 62-vjeçari i cili humbi jetën në një atentat në Liqenin Artificial, mbrëmjen e djeshme, mësohet se ka qenë ish-i përndjekur, i dënuar në sistemin komunist. Baçinozi lindi më 2 korrik të vitit 1957, në fshatin Radostinë të qytetit të Fierit. Më 30 janar 1982, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë, për “Agjitacion e propagandë”. Më tej, mësohet se viktima është dënuar sërish më 3 qershor 1984, kësaj radhe me 21 vjet heqje lirie dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë për “Veprën e terrorit në bashkëpunim”.
Komentet