Shkodra u trondit mbrëmjen e 12 marsit 2024 nga një atentat, ku për pasojë mbetën të plagosur dy persona, kunetër mes tyre.
Dyshohet se shënjestra ka qenë Gjon Nika, kunati i studentit të Akademisë së Sigurisë, Gjergj Ndershtiqaj. Ky i fundit është vëllai i Marjan Ndershtiqaj drejtor i Drejtorisë Rajonale të Sherbimeve të Transportit Rrugor (DRSHTRR) në Shkodër. Nuk dihen ende motivet e kësaj ngjarje të rëndë.
Autorët dyshohet se kanë djegur dy automjete, të tyrin dhe të të plagosurve. SYRI TV ka arritur të sigurojë dëshmitë e dy të plagosurve nga ky atentat.
“Sapo zbritëm nga makina, dëgjuam të shtëna armësh. Nuk kemi arritur që të shohim se kush ishin ata që na qëlluan me armë. Nuk kemi konflikte me persona të tjerë dhe nuk e dimë arsyen përse na qëlluan. Në momentin kur nisën të shtënat, kemi lëvizur me shpejtësi duke u munduar të shpëtojmë. Derisa janë larguar, qëndruam pas makinës”, thanë të plagosurit përpara hetuesve.
Ndërkohë, vendngjarja i ngjason një skene lufte për nga moria e arsenalit të plumbave që janë derdhur në drejtim të dy të plagosurve. Më shumë se 80 gëzhoja kallashnikovi u gjetën në vendngjarje, çka do të thotë se autorët kanë qëlluar me shumë se 80 plumba.
Sipas dëshmitarëve, kanë qenë 4 persona që morën pjesë në atentat, nga të cilët 3 qëllonin me armë. Kamerat e sigurisë pranë lokalit nuk kanë fiksuar pamje të qartë të autorëve, teksa këta të fundit dyshohet se kanë qenë të maskuar.
Në makinën e djegur që kishin lënë pas autorët, grupi hetimor gjeti edhe 3 armët kallashnikov të përdorur në atentat, që janë dërguar për ekspertim.
Ndërkohë, policia ka shoqëruar 20 persona në lidhje me këtë ngjarje, por nuk ka ende të dhëna për identitetin e autorëve.