Tirana ka sot gjithë ditën pa ujë. Nëpër televizione shfaqet vetëm fytyra e vrerosur e kryeministrit, nuk jepet asnjë informacion.
Ja si e përshkruan Aalanta Pasko ditën e sotme:
“Pa ujë! Që në mëngjes, roje për të pritur ujin dhe ujë s´ka!
UKT nuk përgjigjet.
Me sa duket nr. i gjelbër do jetë tharë nga mungesa e shiut…
Më duhet një muslluk.
Ku është shitorja e musllukëve? Këtë pyetje do desha t´i bëj UKT-së. Të tjerat i di. Edhe një medalje nga unë, Bashki e Tiranës!
MUSLLUK : Lëfyt i metaltë, që hapet e mbyllet, i cili vihet në anë ose në fund të një ene për të nxjerrë prej saj ujin a ndonjë lëng tjetër; enë teneqeje me këtë lëfyt, në të cilën mbajnë ujë për të larë duart, për të larë pjatat etj. Muslluk prej tunxhi (prej metali, prej druri, prej plastike)…”
Tani në pasditen e vonë zonja Pasko përsëri komenton në rrjetin social:
“Po bëhen 20 orë, Tirana pa ujë dhe ende nuk na është thënë emri i difektit.
Se fjala “difekt” nuk mjafton.
Jemi konsumatorë, pagues të rregullt, dhe duhet ta dijmë konkretisht, teknikisht se çfarë ka ndodhur. Të mos harrojmë se para pothuaj dy vitesh u dyfishua tarifa e shërbimit!
Ku janë gazetarët me pyetjet e tyre?
Janë shpërndarë me mikrofonët gati, selive të partive, duke mbledhur lajme partiakësh për veprimtari partiake…. Lajmi i ujësjellësit mbetet i fundit në edicionin e lajmeve, atje ku këtë lajm e japin. Por në shumicën e tyre, mungon.
Turp për gazetarinë tonë që nuk arrin të vlerësojë sa e rëndë është të mbetet kryeqyteti i vendit mbi 20 orë pa ujë!”
Komentet