Voal – Ata kanë vdekur prej vitesh, por emri bën që shitja e disqeve të përjetojë vazhdimisht bum. Industria diskografike vazhdimisht shet albume të legjendave të muzikës. Tani po qarkullon në treg vepra e re e Frank Zappas.
Frank Zappa ka 22 vjet që ka vdekur. Por tani u publikua albumi më i fundit, “Dance me this”, rezultat i një regjistrimi në studio, me eksperimente në synclavier dhe me këngë mongole të kënduara me zë fyti. Për fansat diçka e rrallë, në listat e hitparadës disku me siguri nuk do të zërë vend. Në raste të tjera, back-katalogu i artistëve që nuk jetojnë më mund të jetë një minierë e vërtetë ari.

Michael Jackson prehet në paqe që prej vitit 2009, por zëri i tij është më se i gjallë: më 2014 doli në qarkullim “Xscape”; pas albumit “Michael”, ky ishte i dyti album i botuar pas vdekjes i King of Pop. Producenti i famshëm Timbaland përgatiti në pult tetë tituj të papublikuar, duke u shtuar zëra të shquar për duet si Mary J. Blige apo D’Angelo. “Xscape” nuk do të jetë albumi i fundit i “Jacko”-s së vdekur.

Elvis Presley thyen çdo rekord: deri kur vdiq, më 1977 ai publikoi 600 milionë albume, ndërkohë janë publikuar më shumë se dy miliardë disqe dhe kaseta. Shtëpia e tij e fundit në Graceland ka kohë që është kthyer në qendër pelegrinazhi për fansa nga mbarë bota. Kur në përvjetorin e 25-të të vdekjes doli në qarkullim kompakt-disku “Elvis 30 #1 Hits”, në më shumë se 17 vende ai kryesoi hitparadën.

Kur më 1983 u publikua albumi i Bob Marley “Confrontation”, muzikanti më i famshëm i Reggae në botë kishte dy vjet që kishte vdekur. Gruaja e tij Rita pati kaluar nëpër duar materialet e papublikuara, që i publikoi së bashku me bandën e Marley “The Wailers”. “Buffalo Soldier”, një monument muzikor për ushtarët afro-amerikanë të SHBA në luftën civile u bë një nga hitet më të famshme të xhamaikanit.

Janis Joplin, ikonë e Hippie, vdiq në tetor ’70 nga një mbidozë heroine duke hyrë në “Club 27” të heronjve të muzikës që vdiqën të rinj. Ajo ndodhej në kulmin e punës për regjistrimin e albumit të saj të ri. Grupi i saj muzikor megjithatë e nxorri në treg “Pearl”. Ky disk u kthye në suksesin më të madh të saj. Kënga e vetme e papërfunduar, kur u botua tingëlloi si ogur i keq: “Varrosur e gjallë në muzikën blues”.

Monsieur 100.00 volt. “Falemnderit Gilbert, publiku nuk do të të harrojë kurrë”, shkruhet në gurin e varrit të Gilbert Becaud. Fansat vazhdojnë të vizitojnë varrin e tij në varrezën e Parisit, Pere Lachaise, për të nderuar njërin nga yjet e famshëm të këngës franceze. Në përvjetorin e 10-të të vdekjes së tij, në vitin 2011, e veja e tij nxorri në qarkullim kompakt-diskun “I pavdekshëm – këngët e tij më të famshme”.

“Man in Black” doli në treg 11 vjet pas vdekjes së tij. “Out Among the Stars” doli në qarkullim në mars 2014, por këngët Johnny Cash i kishte hedhur në letër 30 vjet më parë. Pra në ato vite 1980, kur skena e muzikës Country e humbi interesin për të dhe firma që i publikonte disqet u nda prej tij. I biri, John Carter Cash tha se ka ende shumë material të pabotuar, për pesë albume të tjera.

Pianisti i SHBA dhe këngëtari Nat King Cole ka vdekur që në vitin 1965, por e bija e ringjalli atë në vitin 1991. “Unforgettable” quhej dueti i kombinuar më vonë, të cilin ajo e këndoi me të atin e vdekur. Albumi ku bënte pjesë kjo këngë “Unforgettable … with Love” me këngë të njohura të atit të saj, u shit 14 milionë herë dhe korri shtatë çmime Grammy.

Amy Winehouse, talent i jashtëzakonshëm, por droga dhe abuzimi i sollën një vdekje të parakohëshme. Pas vdekjes së saj më 2011, kërkesat për albumet e Amy Winehouse ishin shumë të mëdha. Megjithë eksceset e drogës, këngëtarja e muzikës soul ishte mjaft produktive në karrierën e saj të shkurtër dhe la të papublikuara mjaft këngë për një kompakt-disk tjetër. “Lioness: Hidden Treasures” zuri menjëherë vendet e para në hitparadën britanike./DW
Komentet